04 Shkurt 2023

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të mbahet në Prishtinë

Prishtinë, 20 shtator - Me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në Prishtinë do të organizohet edicioni i parë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS), më 22-23 tetor 2022.

Me temën “Ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme”, ky forum ndërkombëtar ka për qëllim të reflektojë mbi sukseset dhe sfidat e kësaj axhende 22 vite pas miratimit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi nevojën për të njohur e promovuar aftësitë e grave dhe vajzave për të kontribuar në mënyrë aktive e përmbajtësore në procese të paqes dhe sigurisë.

Ky edicion i parë i Forumit do t’i dedikohet trashëgimisë së ish-sekretares së SHBA-ve, Madeleine Albright. Forumi do të sjellë në Kosovë liderë nga rajoni dhe bota, akademikë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, e personalitete përgjegjëse për zbatimin e kësaj axhende.

Organizimi i këtij Forumi ndërkombëtar është një ndër zotimet në kuadër të Samitit për Demokraci. Forumi synon të përçojë qartë mesazhin se paqja dhe siguria e grave janë shtyllat qendrore të vizionit të Kosovës për paqe të qëndrueshme në nivel vendor, rajonal dhe global.

Forumi GPS do të zhvillohet në një kohë kur paqja, liria dhe siguria po sulmohen në zemër të Evropës, teksa gratë e vajzat sërish janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Forumi do të fokusohet në “Ndërtimin e aleancave për paqe të qëndrueshme” dhe do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe mësimeve të nxjerra nga përvojat e vendeve pjesëmarrëse, zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të balancuara gjinore, si dhe hartimin e kornizave të reja të veprimit në vazhdën e ndryshimeve të vazhdueshme të arkitekturës së sigurisë dhe paqes në Evropë e më gjerë.

Në këtë frymë, Forumi do të promovojë një rol më të fuqishëm për gratë në të gjitha fushat e jetës dhe posaçërisht drejt avancimit të Axhendës GPS.

Forumi organizohet në bashkëpunim me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, znj. Donika Gërvalla Schwarz, si dhe mbështetet nga partnerë lokal e ndërkombëtar.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 shkurt 2023  - Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 9:00)

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë falja e tatimit në pronë në vlerën deri 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune, për vitin 2023. (Salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ora 10:00)

- Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve teknik të Sektorit Privat te Kosovës dhe dialogu me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës. (Zyrët e Sindikatës, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, si dhe shqyrton listën e kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekuiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 13:30)

- Prezantohet puna e kryer rreth vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara të cilat kanë folur hapur për historitë e tyre të, abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:30)