12 Gusht 2022

Finlanda dhe Irlanda mbështesin perspektivën evropiane të Kosovës

Prishtinë, 4 korrik - Marrëdhëniet e mira bilaterale mes Kosovës, Finlandës dhe Irlandës, vlerat e përbashkëta si dhe rëndësia e unitetit dhe solidaritetit mes shteteve në Evropë, u theksuan në takimin e sotëm të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me delegacionet nga shtetet e Finlandës dhe Irlandës, të kryesuara nga Ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen dhe Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne.

Në hapje të takimit, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme të Irlandës dhe Finlandës në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, e veçanërisht për mbështetjen e Kosovës në proceset e integrimit evropian. Kryeministri i falënderoi për përkrahjen për procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Ministrja Tuppurainen dhe Ministri Byrne duke falënderuar për pritjen e shkëlqyer, ritheksuan mbështetjen e plotë të Finlandës dhe Irlandës për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës. Ministrja Tuppurainen shprehu mbështetjen për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshill të Evropës dhe në BE. Të dy ministrat vlerësuan lartë angazhimin e Kryeministrit Kurti dhe punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Ministrja Tuppurainen dhe Ministri Byrne vlerësuan solidarizimin e Republikës së Kosovës me popullin e Ukrainës, duke u rreshtuar përkrah shteteve demokratike, në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Kryeministri theksoi se është e vërtetë se aksioni blitzkrieg i Rusisë në Ukrainë dështoi, por ende s’kanë pushuar qëllimet e Rusisë e cila tash synon që të prishë unitetin mes demokracive duke shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë dhe ushqimit, prandaj është tejet i rëndësishëm edhe solidariteti i Evropës në furnizimin me ushqim, në mënyrë që të dështojnë përpjekjet e Rusisë. 

U bisedua për mundësitë e shtimit të bashkëpunimit ndërmjet tre vendeve në avancimin e të drejtave të njeriut, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe teknologji të informacionit. U vlerësua kontributi i dhënë për paqe dhe siguri në Kosovë, nëpërmjet pranisë së trupave finlandeze dhe irlandeze në kuadër të Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Po ashtu, u diskutua për sigurinë dhe stabilitetin rajonal pas invazionit dhe agresionit ushtarak të Federatës ruse në Ukrainë. U bisedua për ngjashmërinë e konteksteve ndërmjet Finlandës që është në kufi me Rusinë dhe Kosovës që është në kufi me Serbinë dhe nevojës për shkëmbim të njohurive dhe bashkëpunimit. Kryeministri theksoi rrezikun e vendosjes nga Serbia të 48 bazave ushtarake përgjatë zonës kufitare me Kosovën dhe lidhjet e afërta të fqinjit verior të Republikës së Kosovës me Federatën Ruse, por edhe deklaratat konflikt-nxitëse që vijnë nga Serbia.

Kryeministri Kurti, Ministrja Tuppurainen dhe Ministri Byrne u pajtuan për të rritur angazhimin e përbashkët për paqe të qëndrueshme, siguri dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.


 


  

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 gusht 2022

 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitojnë Doganën e Kosovës. (Drejtoria e Doganës, ora 8:30)

- Kuvendi nëpërmjet Grupit të Deputetëve të Rinj shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. (Salla plenare, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon takimet B2B në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Mërgimtarëve. (Restaurant Ura e Shenjtë, ora 10:00)

- Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë ((YIHR KS) shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë me një aksion rrugor me slloganin “Kur bohet mirë?!” (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 12:00)

- Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, mban konferencë për medie në lidhje me rastin e vdekjes së aktivistit të VV-së, Astrit Dehari. (Zyrat e Tomë Gashit, mbi Kino ABC, ora 12:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitojnë kompaninë “Rroni Fer” Sh.P.K. (Magjistralja Gjakovë-Prizren_kilometri i dytë, Objekti i ish-ndërmarrjes “Metaliku”, Gjakovë, ora 14:30)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime organizon Festivalin e Rinisë për nder të Ditës së Rinisë. (Lagjja Taukbashqe, ora 18:00)

- Mbahet edicioni i parë i festivalit “MAL FEST”, i cili synon të jetë tradicional dhe objektiv e ka rininë dhe mërgatën e Komunës së Malishevës. Festivali organizohet nga Komuna e Malishevës në bashkëpunim me  organizatën “Values for Better Future”.(parku i qytetit në Malishevë, ora 19:00)

- Në kuadër të Akademisë Verore ‘’Arbën Xhaferi"  mbahet panel diskutimi me deputetët e rinjë të Kuvendit të Kosovës lidhur me rolin dhe rëndesin e të rinjëve në politikë. (Akademia për Siguri Publike të Kosovës, ora 19:30)