24 Prill 2024

Ëndrrën për viza e bllokon realiteti i korrupsionit

Prishtinë, 5 korrik  - Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se në kohën kur qeveria e Kosovës, të paktën publikisht po thotë se po përpiqet t’i bindë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave, Ministrisë së Drejtësisë, i doli sheshit skandali në procesin e rekrutimit të noterëve të rinj.

Deputetet e Lëvizjes, Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli folën për shpërputhjen e plotë mes deklaratave të kësaj qeverie se synojnë liberalizimin e vizave ndërkohë që në praktikë veprojnë në drejtim të kundërt me kriteret. Jo vetëm që nuk po e luftojnë korrupsionin, por po e rrisin atë.

Ministri i Drejtësisë nga PANqeveria promovoi gjatë ndryshimit të ligjit se Kosovës po i shtohen noterë të rinj: nga 1 noter për 20 mijë banorë, është bërë 1 noter në 10 mijë banorë. Qartazi po shihet se pse i ka interesuar më së shumti kjo rritje e numrit të noterëve PANministrit Tahiri.

Duke pasur parasysh që në këtë konkurs kanë aplikuar afër 600 kandidatë, si ka mundësi që bash militantët e partisë së Abelard Tahirit, apo familjarët e anëtarëve të Komisionit, arrijnë të kalojnë testin me shkrim, siç është për shembull: Bashkëshortja e Ramiz Lladrovcit, bashkëshortja e ish Ministrit Hajredin Kuçi që për vite radhazi ka qenë në krye të Ministrisë, kushëriri i Kadri Veselit, militantë të PDK nga Dega në Mitrovicë dhe degë tjera, por edhe familjarë të tyre, këshilltarja e Ministrit të Drejtësisë, zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë që vetë formojnë komisione, vetë bëjnë testet, dhe po vetë hyjnë në provime për noterë, reja e kryetarit të Komisionit për Provimin e Noterisë (ende nuk është sqaruar a është shmangur dhe si është shmangur konflikti), familjarë të anëtarëve të tjerë të Komisionit, familjarë të deputetëve të PDK, si dhe Merita Stublla - kunata e këshilltares së kryeministrit, Ramush Haradinaj, Meliza Haradinaj-Stublla;

Për këto skandale përveç nga mediat, e sidomos nga grupi Koha, në adresë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë arritur shumë shqetësime edhe nga qytetarët për këtë proces dhe prandaj ne kemi kërkuar që  ky proces të ndalohet dhe pikërisht për këtë arsye në Komisionin për Legjislacion të martën që shkoi ne kemi pritur për raportim Ministrin e Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë një proces e pati në kompetencë por edhe atë e komprometoi rëndë. Noterët janë një instrument i shtetit ligjor, e komprometimi i zgjedhjes së tyre nënkupton afera të reja të legjitimuara me vulat e tyre.

Në anën tjetër, plot raste korruptive të njohura tashmë, të denoncuara nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, mediat, qytetarët apo ambasadat, do të duhej të gjykoheshin e të ndëshkoheshin për të dëshmuar arritshmërinë e luftës kundër korrupsionit – si një nga kriteret për liberalizimin e vizave dhe avancimin në integrimet evropiane. Por asgjë s’po ndodh në këtë drejtim, sepse korrupsioni mbrohet nga PANhajnia.

Ndër rastet më reprezentative, që i plotësojnë kriteret  por të cilat nuk janë shënjestruar janë rastet si: “Toka”, “Ukë Rugova dhe të tjerët”, “Qemajl Mustafa dhe të tjerët”, “Pal Lekaj dhe të tjerët”, “Pronto”, etj.

Nga monitorimi dhe hulumtimi i IKD-së rezulton se: në mbi 90% të rasteve të shënjestruara gjykatësit shkelin afatet ligjore të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale. Joefikasiteti në trajtimin e këtyre lëndëve dëshmohet nga trajtimi i tyre prej dhjetorit 2015 deri në fund të muajit prill 2019:39% e rasteve apo 15 lëndë kanë përfunduar me aktgjykim përfundimtar, 61% apo 23 lëndë të tjera janë akoma në proces në shkallë të ndryshme gjyqësore.

Raporti për vlerësimin e kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë për luftimin e korrupsionit në nivelin e lartë politik dhe të krimit të organizuar, të cilin e bënë ekspertë të pavarur të angazhuar nga Komisioni i Bashkimit Evropian, thekson se nuk ka gatishmëri të mjaftueshme për të hetuar korrupsionin që implikojnë persona të profilit të lartë politik dhe personat të profilit të lartë në organizatat kriminale.

Hetimet kryesisht përqendrohen vetëm në persona të profilit të ulët. Nuk është treguar asnjë përpjekje për të hetuar organizata të vërteta kriminale. 

Të njëjtat konstatime janë përsëritur në Raportet e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën nga viti 2014 deri në 2019. Kosova mbetet ende në një fazë të hershme të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mbetet shqetësuese ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë. Progres i mangët në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të profilit të lartë dhe hetimin e krimit financiar dhe konfiskimin përfundimtar të pasurisë së fituar jashtëligjshëm.

Raporti për vendin  i Bashkimit Evropian 2019 e përsërit se nevojiten masa për të siguaruar se nuk ka ndërhyrje politike në punën e organeve të drejtësisë.

Të gjitha këto tregojnë një gjë. Qeveria ka tentuar të mashtrojë me rastet e shënjestruar. Ka prezantuar sasi por jo cilësi. Ka shënjestruar raste të profilit më të ulët por ka amnistuar rastet e profilit të lartë politik.

Qytetarët e Republikës së Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave por kjo do të ndodh vetëm atëherë kur Kosova në të vërtetë lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)