20 Prill 2024

DnV rekomandon të hiqet votimi me kusht dhe përmes postës

Prishtinë, 16 shkurt - Për të diskutuar mbi të gjeturat dhe rekomandimet e “Raportit përfundimtar të vëzhgimit të Zgjedhjeve Lokale 2017”, procesin zgjedhor si dhe reformën zgjedhore të cilët duhet ta ndërmerr Kosova, Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”,  mbajti sot një tryezë diskutimi me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, subjekteve politike si dhe shoqërisë civile.

Në hapje të kësaj tryeze, drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, theksoi se zgjedhjet janë standardi kyç që i jep vlerë funksionimit të një shteti demokratik.

“Në këtë përvjetor jubilar të republikës sonë, nëse për asgjë tjetër viti 2017 mund të jetë vit i suksesit për arritjen e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta. Zgjedhjet e drejta dhe të lira janë burime krijuese të institucioneve legjitime dhe përfaqësuese”, ka thënë ndër të tjera ai.

Kurse Albert Krasniqi nga DnV, prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet e raportit të vëzhgimit të Zgjedhjeve Lokale.

Me këtë rast ai theksoi se sa i përket reformës zgjedhore DnV rekomandon se votimi me kusht për zgjedhje lokale nuk është i nevojshëm dhe ka ardhur koha të hiqet.

“Votimi jashtë vendit përmes postës duhet të hiqet dhe të zëvendësohet me votim në misionet konsullore dhe ambasada të Kosovës. Të shqyrtohet mundësia e rinumërimit në rast se diferenca në rezultat është më e ngushtë se 1%, sidomos kur numri i fletëvotimeve të pavlefshme është më i madh sesa diferenca në mes të kandidatëve. Po ashtu  duhet sqaruar legjislacioni sa i përket certifikimit të kandidatëve me vepra penale, pasi vendimi i KQZ-së që ishte në harmoni me ligjin për zgjedhjet por që u hodh poshtë nga Gjykata Supreme”, ka thënë ai ndër të tjera.

Sa i përket Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Krasniqi ka thënë se DnV i rekomandon që fushatën e informimit të votuesve duhet ta bazoj në një anketë paraprake me votuesit dhe hulumtim të thuktë që të mund të shënjestrojë dhe përshtatet grupeve që kanë nevojë më së shumti për ato informata, sikurse votuesit e rinj.

“Komisionerët e vendvotimeve duhet të certifikohen për trajnimet e tyre. Ndërsa i përket komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, duhet të ketë takime formale, të rregullta që mbahen gjatë gjithë procesit zgjedhor në mënyrë që çështjet organizative të zgjedhjeve të diskutohen siç parashihet me ligj dhe vendimet të merren në formë zyrtare”, shtoi ai.

Për Komisonerët e Vendvotimeve, ka thënë se rekomandohet që të mos tolerojnë votimin me asistencë për rastet e panevojshme. “ Duhet t’i kushtojnë rëndësi më të madhe heqjes dhe parandalimit të materialeve propaganduese partiake në vendvotime dhe në afërsi të Qendrave të Votimit”, ka plotësuar  Krasniqi.

Ndërkaq një vlerësim të përgjithshëm për procesin zgjedhor nga këndvështrimi institucional e dhanë Betim Gjoshi nga KQZ si dhe Adnan Konushevci nga PZAP.
 
Për edukimin e votuesve dhe fletëvotimet e pavlefshme, ka folur deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

Lidhur me votimin jashtë Kosovës, ka dhënë vlerësimet e tij deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Faton Topalli.

Kurse deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së,  Armend Zemaj, ka adresuar çështjen e financimit të fushatës zgjedhore.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për sfidat e kandidimit për kryetare të komunës. Ndërkaq Besnik Tahiri nga KLGI ka adresuar aspektet e zgjedhjes së kryetarit të komunës.

Raportin përfundimtar të vëzhgimit të Zgjedhjeve Lokale 2017 të DnV-së mund ta gjeni këtu.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)