21 Nëntor 2019

DnV kërkon nga subjektet politike të respektojnë Kodin e Mirësjelljes

Prishtinë, 24 shtator - Në prag të fillimit të fushatës zyrtare zgjedhore për Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit, koalicioni i OJQ-ve vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV), ka mobilizuar 72 vëzhgues afatgjatë për të përcjellë aktivitetet e subjekteve politike, përfshirë shpenzimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore 10 ditëshe në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Përmes vëzhgimit të paanshëm dhe objektiv, DnV synon të të kontribuojë në rritjen e transparencës, besimit dhe gjithpërfshirjes në procesin zgjedhor.

Vëzhguesit e DnV-së do të fokusohen në vlerësimin e respektimit të Kodit të Mirësjelljes nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre në garë, i cili mundëson krijimin e kushteve për një fushatë të barabartë, fer dhe demokratike. Për më tepër, DnV do të monitorojë mediat dhe hapësirën që ato u japin subjekteve politike, kandidatëve për kryeministër dhe atyre për deputet në fushatë.

DnV u bën thirrje subjekteve politike dhe kandidatëve që garojnë në zgjedhje të zhvillojnë fushatë të përgjegjshme dhe demokratike, duke evituar shkeljet e Kodit dhe dispozitave tjera ligjore për zgjedhjet.

Subjektet politike duhet të përmbahen nga gjuha denigruese dhe seksiste e shpërfaqur në përballjet e tyre që nga shpërbërja e Kuvendit, sepse ajo mund të nxisë urrejteje, dhunë dhe tensionim të ambientit politik.

 Dnv kërkon nga subjektet politike të mos shfrytëzojnë resurset dhe asetet publike për qëllime të fushatës zgjedhore, të mos angazhojnë shërbyesit publik në fushatë dhe të mos organizojnë pjesëmarrje të  fëmijëve në tubime elektorale. Ato poashtu duhet të shmangin vendosjen e materialeve propaganduese në hapësirat publike, ku është e ndaluar me ligj.

Për më tepër, DnV fton subjektet politike që të ofrojnë mundësi të barabarta për gratë dhe personat me aftësi të kufizuara në aktivitetet e tyre parazgjedhore, qoftë si kandidatë apo pjesëmarrës.

Përgjatë katër cikleve të fundit zgjedhore, numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme është evidentuar si një nga sfidat kryesore të procesit zgjedhor, ndërsa institucionet dhe subjektet politike nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për t’a  ndryshuar këtë gjendje. Informimi me kohë i votuesve për të votuar në mënyrë të duhur është parakusht për të minimizuar numrin e votave të pavlefshme.

Andaj, në mënyrë që të ketë sa më pak vota të humbura, DnV fton KQZ-në dhe subjektet politike të angazhohen në edukimin e mirëfilltë të votuesve duke synuar ngritjen e vetëdijes dhe ofrimin e informacioneve të sakta se si të votohet në ditën e zgjedhjeve.

Në prag të zyrtarizimit të fillimit të fushatës zgjedhore, DnV u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të përfshihen në aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike, për të pasur mundësi të informohen për platformat e tyre.

Për fund, DnV fton të gjitha institucionet e përfshira në organizimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve të  garantojnë një proces zgjedhor  të drejtë në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të shfaqin vullnetin e tyre lirshëm dhe pa frikë. Po ashtu fton institucionet e sigurisë dhe drejtësisë të jenë në krye të detyrës për të garantuar atmosferë të qetë parazgjedhore.

DnV është e përkushtuar të kontribuojë në rritjen e integritetit të procesit procesit zgjedhor përmes vëzhgimit dhe raportimit të rregullt, të paanshëm dhe objektiv të publikut.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 nëntor 2019 - Institucioni i Avokatit të Popullit, me mbështetje të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian organizon festimin e përvjetorit të 19-të Institucionit të Avokatit të Popullit. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Universiteti i Mitrovicës "Isa Boletini" organizon hapjen e Panairit te Parë të Punës dhe Karrierës. (Universiteti i Mitrovicës, ora 10:00)

- Me rastin e 23 vjetorit të vdekjes së Dr. Xhavit Ahmetit, anëtarit të Kryesisë dhe veprimtarit të LDK-së, Kryesia e LDK-së, bën homazhe te varri i tij. (Lagjja Arbëria, ora 10:30)

- Kosovo Center for Business Support organizon tryezën me temën “Si ti zëvenësojmë Qeset e Plastikës pa u dëmtuar Bizneset” dhe cilat hapa duhet t’i ndërmarrim lidhur me zbatimin e planit të MMPH-së për zvoglimin e përdorimit të qeseve të plastikës në Kosovë. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- Banka Qendrore e Republikës së Kosovës organizon konferencë për media, ku temë do të jetë tarifat e vendosura nga kompanitë e sigurimeve. (Auditoriumi i BQK-së, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje do të organizojë bashkëbisedim në mes të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe përfaqëuesve të sindilkatave në Kosovë, me titull: "Mbështetja e fuqizimit sindikal në vendin tonë". (Hotel Grand, ora 11:00)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim dhe ADMOVERE organizojnë aksionin protestues lidhur me vendimet e Këshillit të Etikës, për plagjiatura dhe avancime jo meritore në UP. (Para ndërtesës së Rektoratit të UP-së, ora 11:00)

- Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës organizon konferencë me rastin e organizimit “Thirrja e Tretë për Projekte të Fondit të Ballkanit Perëndimor”. (Ministria e Punëve të Jashtme, ora 11:00)

- OJQ ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizojnë hapjen e minibiblotekës ne lagjen Velania.  (Lagjja Velania në parkun përballë SOS Fshatit, ora 12:00)

- Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nga Tirana do të mbaj një diskutim të hapur me komunitetin teatror, publikun dhe mediat e Kosovës. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 12:00)

- OJQ ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizojnë hapjen e minibiblotekës ne lagjen Bregu i Diellit. (Parku afër SHFMU “Ismail Qemali”, ora 14:00)

- Shefja e BE-së në Kosovë, Ambasadorja Apostolova do të marrë pjesë në një debat për dhunën në familje në Mitrovicë të Veriut. (Shtëpia e Evropës në Mitrovicë të Veriut, ora 14:00)

- Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Edukimit Amerikan, American Advising Center Education USA, organizon “Alumni Fair - Panairi i të diplomuarëve në SHBA”. (Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ora 14:30)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe komuna e Gjakovës do të shënojnë përfundimin e punimeve në rehabilitimin dhe rregullimin e Urës së Terzive dhe hapësirës përreth. (Pranë Urës së Terezive në Gjakovë, ora 16:00)

- OJQ ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizojnë hapjen e minibiblotekës ne lagjen e Spitalit". (Afër SHFMU “Pavarësia”, ora 16:00)

- Qendra Kosovare për Studime Gjinore organizon panelin e diskutimit “Balancimi mes punës dhe jetës dhe leja prindërore”. (Restoran Tartine Deli, ora 16:00)

- Në kuadër të Global Entrepreneurship Week, do të mbahet ngjarja “Are you a Champion of Success?” organizuar nga Ardian Hoxha dhe Oda Amerikane e Kosovës në bashkëpunim me ICK, Venture UP dhe Jakova Innovation Center. (Swiss Diamond, ora 17:00)