19 Korrik 2018

Delagacioni i Kuvajtit konfirmon vazhdimin e bashkëpunimi Kuvajt-Kosovë

Prishtinë, 12 prill - Grupi parlamentar i Miqësisë Kuvajt – Kosovë, në kuadër të vizitës në Kosovë, u prit sot në një takim të veçantë nga grupi homolog i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Zafir Berisha, në emër të grupit të miqësisë të Kuvendit të Kosovës, u shprehu mirëseardhje mysafirëve nga Kuvajti.

Ai i njohu miqtë kuvajtianë me punën, rolin dhe përbërjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si institucioni më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës i vendit.

Deputeti Berisha po ashtu foli për arritjet e shtetit të Kosovës në shumë segmente, ndërsa shtoi se ende ka nevojë për mbështetjen e miqve të tij.

Kryetari i Grupit të Miqësisë me Kuvajtin, theksoi se Kuvendi i Kosovës dhe Asambleja Kombëtare e Kuvajtit tashmë kanë krijuar një traditë të mirë të shkëmbimit të vizitave të delegacioneve të larta parlamentare dhe shtroi nevojën që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe më tej në të ardhmen.

Deputeti Milaim Zeka e konsideroi nderë të madh vizitën e miqve kuvajtianë në Kosovë dhe përmendi ofertat që i ka bërë Kuvajti Kosovës për projekte të ndryshme në sferën e zhvillimit ekonomik.

Deputeti Ilir Deda shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kuvajti i ka dhënë Kosovës në momentet më të vështira të historisë së saj.

Deputetja Flora Brovina, para miqve shprehu falënderimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Kuvajtit, ndërsa theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe atë sociale.

Për një bashkëpunim më të madh midis dy shteteve dhe parlamenteve, u angazhuan edhe Safete Hadergjonaj e Driton Selmanaj.

 Për nevojën e thellimit të bashkëpunimit dhe partneriteti parlamentar midis Kuvajtit dhe Kosovës, foli edhe deputeti Armend Zemaj.

Kryesuesi i delegacionit nga Kuvajti, njëherësh kryetar i Grupit të Miqësisë me Kosovën në parlamentin kuvajtian, Waleed Al- Tabtabaie, duke shprehur falënderimin e tij për mikpritjen, theksoi se Kuvajti ka qëndruar përkrah Kosovës në kohë dhe rrethana të ndryshme, duke bërë përpjekje që të ketë paqe në këtë vend.

Ai gjithashtu bëri të ditura përpjekjet dhe përkushtimin e shtetit të Kuvajtit për njohjen e Kosovës nga vendet arabe të cilat ende hezitojnë ta bëjnë këtë.

Ai, përmendi disa shtete arabe të cilat janë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, e cila, sipas tij, lidhet me faktin se disa shtete janë të ndikuara nga Rusia, për interesat e tyre.

Al- Tabtabaie foli edhe për fondin kuvajtian, nga i cili, sipas tij, mund të përfitojë edhe Kosova, në projekte të ndryshme infrastrukture.

Ai konfirmoi se bashkëpunimi Kuvajt-Kosovë do të vazhdojë si në rrafshin shtetëror, ashtu edhe atë privat.

Në emër të deputetëve mikpritës, Zafir Berisha u zotua që se shpejti do të realizohet një vizitë në Kuvajtit, në funksion të forcimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit midis dy shteteve. ​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Korrik 2018

 - Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema nesër do të vizitojë studentët të cilët do t’i nënshtrohen provimit pranues në Universitetin e Prishtinës. (Kampusi i UP-së, ora 9:00)

- Bëhet nënshkrimi i kontratave dhe shpërndarja e tyre për të rinjtë përfitues të shpalljes së fundit nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për Edukim Jo-Formal. (Kabineti i ministrit Kujtim Gashi. ora 10:00)

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministri i Kulturës, Rinise dhe Sportit, Kujtim Gashi, viziton Parkun Arkeologjik Ulpiana ku do të njoftohet me ecurinë e punimeve që po ndërmerren nga Instituti Arkeologjik. (Parkun Arkeologjik Ulpiana, ora 11:00)

- Kryetari Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi do të mbajë një konferencë për media në të cilën do të prezantohet raporti gjashtë mujor i Gjykatës Themelore të Gjilanit, së bashku me Degët e saja. (Objekti i Gjykatës Themelore të Gjilanit, ora 13:00)

- Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi viziton kompaninë “Albi Group”. (Albi Mall, Veternik, ora 13:00)  

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim organizon aksionin për avancimet akademike në Universitetin e Prishtinës. (Para Rektoratit, ora 14:00)

- Ministri i Kulturës, Rinise dhe Sportit, Kujtim Gashi, viziton Federatën e Xhudos në Pejë ku në një ceremoni të organizuar do t’u ndajë ceqet xhudisteve Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Driton Kuka. (Federata e Xhudos në Pejë, ora 14:00)

- Kosova 2.0 organizon një bisedë tëshkurtër me temën “diaspora” për të njohur realitetet komplekse dhe shumë-shtresore të kosovarëve qëjetojnë jashtë shtetit. (Innovation Centre Kosovo, ora 18:00)