25 Prill 2024

Britania e Madhe do të jetë zë i fuqishëm i Kosovës

Prishtinë, 19 qershor - Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama priten sot, në takime të ndara, drejtorin e Departamentit për Siguri Euro-Atlantike nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, Nick Gurr të shoqëruar edhe nga ambasadori fuqiplotë britanik, Rruari O’Conell, atasheu i Mbrojtjes, nënkoloneli Andy Layton dhe këshilltari britanik i Komandantit të FSK-së, nënkoloneli Jake White.

Në të dy takimet u bisedua për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e deritanishëm si dhe perspektiven e këtyre marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, respektivisht ministrive të Mbrojtjes të dy vendeve tona.

Ministri Berisha theksoi mbështetjen e vazhdueshme në fushën e mbrojtjes të Britanisë së Madhe si partner strategjik i rëndësisë së veçantë për Republikën e Kosovës. Ministri Berisha e falënderoi Gurr edhe për përkrahjen politike të Britanisë së Madhe në procesin para dhe gjatë transformimit të FSK-së në forcë me mision ushtarak, duke iu referuar në veçanti deklaratës së qartë të Ambasadores së Britanisë së Madhe në Këshillin e Sigurimit: “Kosova, si shtet i pavarur, ka të drejtë t’i ndërtojë forcat e veta të armatosura”.

Ministri Berisha më pas e njoftoi Gurr me ecurinë e zbatimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së dhe rezultatet konkrete gjatë fazës së parë 120 ditëshe, pas hyrjes në fuqi të ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.

Plani Gjithëpërfshirës i Tranzicionit të FSK-së është përgatitur në bashkëpunim me partnerët dhe zbatohet në mënyrë transparente. Zbatimi i këtij plani është gradual, gjatë 10 vjetëve të ardhshme dhe ndahet në 3 faza.

Duke u bazuar në marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe rolin e Britanisë së Madhe në storjen e përbashkët të suksesit, Ministri kërkoi që përkrahja britanike të intensifikohet edhe më tej duke reflektuar nevojat e FSK-së me mision të ri.

Në adresimin e tij, Gurr uroi fillimisht popullin e Kosovës për 20 vjetorin e hyrjes së trupave të KFOR-it.

Ai e siguroi Ministrin që edhe pas BREXIT-it, rajoni i Ballkanit dhe Kosova në veçanti do ta ketë vëmendjen e Britanisë së Madhe.

Madje, siç theksoi Gurr, Britania e Madhe do të jetë edhe më e angazhuar duke qenë zë i fuqishëm i Kosovës në qëllimin e saj për anëtarësim në NATO, do ta thellojë bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes dhe do ta vazhdojë përkrahjen në tranzicionin e FSK-së.

Në takim Ministri Berisha shprehu gatishmërinë e FSK-së për të marrë pjesë në misione paqeruajtëse në botë. Sipas Ministrit, kjo do të mund të realizohej edhe në kuadër të trupave britanike.

Gurr e falënderoi Ministrin Berisha për gatishmërinë për të marrë pjesë në operacione paqeruajtëse dhe njëherësh e siguroj Ministrin, që kjo mundësi do të shqyrtohet me seriozitet.

Ministri Berisha dhe Gurr në fund u pajtuan që të gjitha detajet e bashkëpunimit të planifikuar për të ardhmen të dakordohen midis ekspertëve të caktuar nga të dy palët.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)