19 Prill 2024

BIRN publikon raportin e monitorimit të rekrutimit “Partitë e punësimeve”

Prishtinë, 29 dhjetor - Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), zyra në Kosovë, ka publikuar raportin e monitorimit të rekrutimit “Partitë e punësimeve”, i cili përmban të dhëna të monitorimeve direkte të proceseve të rekrutimit për periudhën njëvjeçare, nga dhjetori i vitit 2019 deri në dhjetor të vitit 2020.

Konkurset e hapura dhe të zhvilluara nga Kuvendi i Kosovës kanë pasur shumë probleme.

Pjesa më e madhe e konkurseve sipas BIRN janë mbajtur pa asistencën e BDO-së, kompanisë britanike.

BIRN thekson se këto konkurse nuk kanë qenë transparente pasi deputetët kanë aplikuar një mënyrë të vlerësimit që nuk lënë gjurmë se cili deputet sa pikë i ka dhënë një kandidati.

''Një vlerësim i tillë jotransparent e sekret e humb rëndësinë e intervistave meqë poentimi bëhet në bazë të lidhjeve politike dhe jo në bazë të meritokracisë apo performancës në intervista'', vlerëson BIRN.

Një mënyrë e tillë e vlerësimit ka ndodhur te përzgjedhja e bordit të KOSTT, Avokatit të Popullit, bordi i RTK-së.

E njëjta mënyrë e vlerësimit është aplikuar nga KQZ me rastin e zgjedhjes së kryeshefit të Sekretariatit.

Në këtë raport, BIRN ka evidentuar edhe ndërrimin e tri qeverive gjatë vitit 2020 dhe shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike nga secila qeveri që ka marrë pushtetin.

Gjithashtu, në raport janë përfshirë edhe detajet e konkursit të fundit të Qeverisë për bordet e disa ndërmarrjeve publike.

Këto konkurse ende janë në proces dhe pritet që shumë shpejt të fillojë intervistimi i kandidatëve që i kanë plotësuar kriteret minimale.

Pas rekomandimit të BIRN-it, Zyra e Kryeministrit të Kosovës për herë të parë u ka imponuar komisioneve vlerësuese që të shikojnë edhe të kaluarën politike të secilit kandidat, duke kërkuar të dhëna nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga Thesari i Shtetit.

Pas informatave të pranuara nga gara për borde të ndërmarrjeve publike janë eliminuar 20 kandidatë.

Në fund të raportit është bërë edhe një analizë ligjore për punësimet e përkohshme të ekspertëve, të cilët do të bëhen përmes Ligjit të Prokurimit.

Marrë parasysh se prokurimi është problematik e me shumë shkelje, ka rrezik që kjo mundësi ligjore që të punësohen persona me kontrata deri në 36 muaj të keqpërdoret për punësimin e personave të lidhur me politikën.

Ky është raporti i tretë që është publikuar në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës", me financimin e Zyrës së Jashtme të Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)