28 Mars 2024

BE kërkon të intensifikohen përpjekjet për reforma në Kosovë

Prishtinë, 26 tetor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim Sekretaren e Përgjithshme të EEAS-së, znj. Helga Schmid, me të cilën bisedoi për të arriturat e fundit të Kosovës, për reformat e vazhdueshme në Kosovë dhe konfirmimin e perspektivës europiane të Kosovës.

“Zgjedhjet e suksesshme komunale dhe betimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo-shumicë janë hapat më të fundit të mëdhenj të Kosovës”, theksoi presidenti Thaçi.

“Po vazhdojmë me sukses reformat në politikë, sundim të ligjit e ekonomi, që sa më shpejt të lëvizim, me hapa konkretë, drejt Bashkimit Europian”, u shpreh Presidenti.

Duke folur për Kosovën në rajon, Presidenti u shpreh se Kosova ka ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë dhe shtoi se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të shërbejë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe pajtim në mes dy shteteve.

“Dialogu duhet të kthehet në proces për pajtim, miqësi dhe bashkëpunim të mirë ndër-fqinjësor në mes të Kosovës dhe Serbisë”, vijoi ai.

Sekretarja e Përgjithshme Schmid u shpreh se BE mbetet e përkushtuar për pranimin e Ballkanit Perëndimor në gjirin e saj dhe ftoi që të intensifikohen përpjekjet për reforma në të gjithë sektorët.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova mbetet shteti më pro-europian në rajon dhe mirëpret çdo afrim me BE-në.

Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në një takim znj. Schmid.

Në këtë takim është biseduar për reformat e shumta që po bëhen në vend në shumë sektorë, e të cilat përshpejtojnë rrugën e Kosovës në integrimin evropian.

Kryetari Veseli vlerësoi mbeshtetjen që Bashkimi Evropian ka dhënë dhe po jep për Kosovën në shumë fusha, në veçanti për një funksionim me efikas të Kuvendit.

Ai theksoi se dinamika e punës dhe transparenca e Kuvendit të Kosovës do të rriten në vazhdimësi, si dhe shtoi se ka një përkushtim të theksuar për të ndërtuar një konsensus të plotë për shumë çështje të rëndësisë së veçantë për vendin.

Kryeparlamentari theksoi se qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave, duke shtuar se për këtë do të ketë angazhim maksimal dhe koordinim të plotë me Bashkimin Evropian.

Nga ana e saj, sekretarja Helga Schmid vlerësoi punën e Kuvendit në miratimin e shumë reformave legjislative. Ajo theksoi se BE-ja do të mbeshtesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)