24 Tetor 2021

BE dërgoi 22 vëzhgues të zgjedhjeve në Kosovë

Prishtinë, 16 shtator - Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EU EOM) në Kosovë, sot dërgoi 22 vëzhgues për të filluar vëzhgimin afatgjatë të zgjedhjeve komunale, të planifikuara për 17 tetor.

EU EOM, udhëhequr nga shefi i misionit Lukas Mandl, anëtar i Parlamentit Evropian nga Austria, filloi aktivitetet në Prishtinë më 5 shtator me ardhjen e një ekipi bazë prej 10 ekspertësh.

Me nisjen e vëzhguesve afatgjatë pranë selisë së EU EOM në Prishtinë, zëvendës shefi i misionit, Konrad Olszewski, tha: “Sot po i përcjellim 11 ekipe vëzhguesish afatgjatë, secili me nga dy anëtarë, të cilët do ta vlerësojnë fushatën dhe përgatitjet për zgjedhje në të gjitha komunat në të gjithë Kosovën.

"Vëzhguesit afatgjatë janë shumë të rëndësishëm që misioni të mund të arrijë një vlerësimi të plotë dhe gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor në përputhje me metodologjinë standarde të vëzhgimit të zgjedhjeve nga BE.”

Vëzhguesit afatgjatë vijnë nga 19 shtete, dhe gjysma e tyre janë gra. Ata do të takohen me zyrtarë vendor për zgjedhje, kandidatë dhe përfaqësues nga partitë politike, si dhe me shoqërinë civile dhe mediat lokale.

Misioni do të përforcohet me vëzhgues afatshkurtër rreth ditës së zgjedhjeve për t’u siguruar që një numër i konsiderueshëm vendvotimesh të vizitohen. EU EOM do të qëndrojë në Kosovë deri në përfundimin e procesit zgjedhor, përfshirë balotazhin e mundshëm të zgjedhjeve për kryetar komune më 14 nëntor.

EU EOM operon nën një kod sjelljeje i cili kërkon neutralitet të rreptë dhe mosndërhyrje. Misioni funksionon nën një mandat të veçantë dhe të ndryshëm nga ai i Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të BE-së në Kosovë. Misioni funksionon në përputhje me Deklaratën e Parimeve për Vëzhgimin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve. Vëzhguesit e EU EOM gjithashtu i përmbahen të gjitha procedurave dhe rregulloreve të përcaktuara nga autoritetet e Kosovës në lidhje me pandeminë COVID-19.

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Tetor 2021

- Komisioni i Pavarur i Mediave në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë të UP-së, me rastin fillimit të javës globale për edukimin mbi median dhe informacionin, organizojnë tryezë diskutimi me temën: “Edukimi Medial - Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi do të mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”. (Hotelin Emerald, ora 10:00)

- GLPS mban tryezë diskutimit me temë “Meritokracia në shërbimin e jashtëm të Kosovës: një sërë rekomandimesh që duhet marrë parasysh”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Punëtorët e Lotarisë së  Kosovës mbajnë protestë në të cilën do të kërkohet miratimi i ligjit për Lotarinë e Kosovës. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Mbahet konferencë për media lidhur me Festivalin e 12 -të i Filmit të Shkurtër Ballkani Përtej Kufijve. (Kino Armata, ora 12:45)

- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës  do të mbajnë tubim për të diskutuar masat e reja. (Golden Imperial, ora 19:00)