27 Prill 2018

Bashkia e Kukësit nderon Ministrin Pacolli për kontributin e tij gjatë luftës

Kukës, 16 Prill – Me rastin e shënimit të 19 vjetorit të eksodit kosovar në Kukës, Ministrit të Jashtëm dhe zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli, i janë dorëzuar dy tituj, ai “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Qarkut Kukës”.

Kryediplomati kosovar, z. Pacolli, pranoi këto dy mirënjohje gjatë një ceremonie zyrtare në Bashkinë e Kukësit për kontributin e tij të mëhershëm në mbështetje të Luftës Çlirimtare, të kampeve të bashkëkombësve larguar nga lufta, si dhe për vizionin e tij si ish-President për krijimin e Hapësirës së Përbashkët Ekonomike Kombëtare.

“Ju, i nderuar Behgjet nuk jeni mburrur kurrë për shumë aspekte të jetës suaj. Po ne duhet t’jua përmendim sot në këtë ditë nderimi. Kompania juaj e ka ndihmuar Luftën e Shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me shuma të mëdha financiare…Po ju e keni ndihmuar Kukësin dhe në kohë paqeje. Të afërm tuaj kanë sjellë ndihma për fshatra të thellë të Qarkut tonë… Ju, i dashur Behgjet po na ndihmoni me Vizionin Tuaj për rrëzimin e atyre kufijve që kanë mbetur ende mes nesh. Dhe, do të na ndihmoni akoma më shumë kur ky Vizion të bëhet realitet.  Platforma juaj për një Zonë të lirë ekonomike ndërkufitare që bashkon Gjakovën dhe Prizrenin me Qarkun tonë, është shpëtimtare për njërën nga Zonat më të bukura të Ballkanit dhe me plot potencial zhvillimor.  Koncepti juaj për zhvillimin e Aeroportit të Kukësit, për kompani ajrore të përbashkët;  koncepti juaj për një Qendër Spitalore elitare dhe një shkollë të lartë shërbimesh mjekësore në Kukës, janë shpëtimtare për këtë Zonë, të varfër, por dinjitoze”, ka thënë në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu.

Më pas, një fjalim rasti ka mbajtur edhe Ministri i Jashtëm Pacolli.

“Kukësi është Kryeqyteti i Mikpritjes Botërore, Kukësi është Nobeli i humanizmit global;

Kukësi e shpëtoi Kosovën në 1999. Ndaj për mua është krenari që prej sot jam një Kuksian, që prej sot jam njeri si ju. Ju Falënderoj kryetari  i Kukësit, Bashkim Shehu, që më propozuat që të jem njeri nga ju. Ju falënderoj juve zotërinj të Këshillit bashkiak dhe të Këshillit të Qarkut, që unanimisht keni votuar për mua. Ju keni të drejtë që përmendni Vizionin si cilësi e domosdoshme për të shikuar lart dhe larg. Edhe kur kufijtë mes nesh ishin të pakapërcyeshëm, unë gjithmonë e kam parë këtë zonë si pjesë e pandarë e Gjakovës, Prizrenit, e Kosovës. Në shumë takime ndërkombëtare, në takime rajonale, të Bashkimit Europian, në Japoninë e Largët, por dhe me miqtë e mi këtu në Shqipëri, me Sali Berishën, Edi Ramën, Ilir Metën e Lulzim Bashën, unë po angazhohem që Lugina e Drinit të shndërrohet në një vektor komunikacioni nga më të rëndësishmit në Europë”, ka thënë ai.

Gjatë qëndrimit në Kukës, Ministri i Punëve të Jashtme z. Pacolli vijoi me vizitën në Panairin e Librit, të organizuar me rastin 19 vjetorit të eksodit të kosovarëve. I shoqëruar nga autoritetet vendore të Kukësit dhe shefat e misioneve të dy vendeve, Ministri Pacolli vizitoi edhe një kopsht fëmijësh, dhuratë e bizneseve të Kosovës për Kukësin. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Prill 2018 - Ministria e Zhvillimit Ekonomi organizon konferencë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në TIK. (Ndërtesa e AUK, rruga për Gërmi, ora 9:00)

- Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të vendos lule tek përmendorja dedikuar personave të zhdukur. (Përballë Kuvendit të Kosovës, ora 9:30)

- Mbahet ushtrimi i fundit i Shpatës së Argjendtë i cili do të zhvillohet në praninë e Vizitorëve të shquar dhe kryetarëve të të gjitha institucioneve pjesëmarrëse (Kampin Pomozatin, ora 9:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:30)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të mabahet debat parlamentar për personat e pagjetur. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

 - Kryeministri Ramush Haradinaj bënë homazhe në nderim të viktimave në Kompleksin Memorial në Mejë, Komuna e Gjakovës. (Kompleksi Memorial në Mejë, Komuna e Gjakovës, ora 11:40)

- Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare te të Zhdukurve të Kosovës organizon tubimi përkujtimor. (Kompleksi Memorial në Mejë, Komuna e Gjakovës, ora 12:00)
 
- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Tubimin Qendror Përkujtimor në Kompleksin Memorial në Mejë, Komuna e Gjakovës. (Kompleksi Memorial në Mejë, Komuna e Gjakovës, ora 12:00)

- Mbahet ushtrimi i fundit i Shpatës së Argjendtë i cili do të zhvillohet në praninë e vizitorëve të shquar dhe kryetarëve të të gjitha institucioneve pjesëmarrëse. (Aeroporti Ushtarak në Sllatinë, ora 12:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të marrë pjesë në Tubimin Përkujtimor në Kompleksin Memorial në Meje të Gjakovës. (Meje të Gjakovës, ora 12:00)

- Në vazhdën e aktivitetit “Ditët e Kuvendit”, të premten, më 27 prill 2018, mbahet takimi i deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me qytetarë të Prizrenit. (Shtëpia e Kulturës “Xhemajli Berisha”, Prizren, ora 14:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të marrë pjesë në takimin e liderëve rajonalë që mbahet në Shkup, në kuadër të procesit të Brdo Brijunit. (Shkup, ora 16:00)

- Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut organizon aksionin simbolik me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur. (Sheshi Ibrahim Rugova, ora 20:00)