23 Prill 2024

Avokati i Popullit rekomandon ndryshimin e Ligjit për Kontabilitet

Prishtinë, 4 maj - Avokati i Popullit në raportin e tij të fundit i ka rekomanduar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që ta ndryshojë dhe plotësojë Ligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, ka trajtuar ankesën e Institutit për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF), i cili ka kërkuar që të shqyrtohet papajtueshmëria ligjore dhe pasojat e diskriminimit në Ligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, duke sqaruar se me aplikimin e dispozitave dhe revokimin e licencës për shkak të mos anëtarësimit në Federatën Ndërkombëtare të Kontabilistëve (FNK) do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për kandidatët e regjistruar për licencim dhe atë për 3450 anëtarë të licencuar në periudhën 2013-2021 dhe për 987 kandidatë për edukim të vazhdueshëm profesional.

Në rast të heqjes së licencës së IKAF-it, kandidatët e tij do të humbnin kualifikimet profesionale dhe të drejtën për ta ushtruar profesionin.

Avokati i Popullit e ka trajtuar këtë ankesë nga aspekti i të drejtave dhe i lirive të njeriut si dhe i legjislacionit kundër diskriminimit, duke pasur parasysh parimin e ligjshmërisë dhe të sigurisë juridike.

Raporti nënvizon se duke pasur parasysh kompetencat e listuara të Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar (KKRF), nuk është e qartë se çfarë roli do të luante obligimi i shoqatës për t’u anëtarësuar në FNK, në mbikëqyrjen dhe në ushtrimin e profesionit.

“Imponimi i këtij kushti është i pakuptimtë, sepse nuk është evident qëllimi i anëtarësimit të shoqatave të Kosovës për të cilin ky kusht kjo do të ishte i domosdoshëm, duke pasur parasysh se IKAF-i është një organizatë jofitimprurëse, e përbërë nga organizata profesionale të kontabilistëve.” -  thuhet në raport.

Avokati i Popullit konstaton se Shoqatat e Kontabilitetit dhe Auditimit mund të bëhen anëtare të FNK-së, por anëtarësimi duhet të jetë në baza vullnetare dhe në asnjë mënyrë të mos imponohet si imperativ ligjor.

“Avokati i Popullit vlerëson se dispozitat e nenit 3, paragrafi 1, pika 1.13, dhe të nenit 33, paragrafi 3, të Ligjit nr. 06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim janë kontradiktore dhe nuk përputhen me parimin bazë të ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe respektimit të legjislacionit kundër diskriminimit.” - theksohet në raport.

“Me detyrimin për anëtarësim dhe trajtimin siç e rregullon ligji aktual licencimin e shoqatave që nuk janë anëtare të FNK-së, vjen deri te diskriminimi i mijëra anëtarëve të tyre, të cilët tashmë janë të licencuar ose janë kandidatë për licencim dhe arsimim të vazhdueshëm profesional.” – konstaton më tej Raporti.

Raporti i rekomandon Ministrisë së Financave, Punës edhe Transfereve që ta ndryshojë ligjin në fjalë në mënyrë që të mos jetë në kundërshtim me parimet kushtetuese të sundimit të ligjit dhe të mosdiskriminimit të garantuara me ligj. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)