12 Nëntor 2018

Avancimi drejt Bashkimit Evropian, prioritet i qeverisë Haradinaj

Prishtinë, 8 nëntor - “Nëse Kosova ngec në reformat drejt BE-së, atëherë ka ngecur zhvillimi ynë shoqëror në tërësi”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në takimin e rregullt të Këshillit Ministror për Integrim Evropian.

Kryeministri Haradinaj, tha se sot janë mbledhur për të diskutuar zbatimin e agjendës ERA, pasi që janë në përmbyllje të periudhës kohore të ERA 1 dhe rifillimin e ERA 2, që nënkupton prioritet e nxjerra për zbatim në një periudhë kohore para tyre.

Kryeministri Haradinaj tha se pritet që pas përmbylljes së këtij viti, në Kosovë të qëndrojë komisioneri Hahn, që do të ishte një mundësi e mirë për të vazhduar më tutje me obligimet e marra Kosovë-BE.

“Përkundër faktit që ka ekzistuar një fokusim në agjendën e reformës evropiane, prapë se prapë mund të konstatojmë se ka pasur disa ngecje dhe vonesa në zbatim, të ndërlidhura edhe me mënyrën e marrjes së vendimeve ose me mënyrën e nxjerrjes në prioritet të këtyre temave”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se megjithëkëtë janë në rrethana kur mund të përmbyllet ERA 1 dhe fillimin e prioriteteve të tjera.

Kryeministri Haradinaj theksoi se pa marrë parasysh temat, me të cilat preokupohet ndoshta çdo institucion apo sektor i caktuar, prapë se prapë, nuk duhet harruar që tema bazë apo themeli i asaj se kush jemi si vend, është vet avancimi ynë drejt Bashkimit Evropian.

“Nëse Kosova ngec në reformat drejt BE-së, atëherë ka ngecur zhvillimi ynë shoqëror në tërësi”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se nga ky tregues vërtetohet se sa qytetarët, shoqëria, vendi ynë, po i afrohet BE-së.

Ndërkaq, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se me qëllim të prioritizimit të reformave, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian, kanë lansuar agjendën e reformave evropiane, ku ERA 1 parashihte zbatimin e 22 prioriteteve nga një varg institucionesh.

Ministrja tha se sa i përket të gjeturave të raportit përfundimtar, është bërë punë e mirë, por mundet edhe më shumë, duke cekur se edhe pse disa masa që janë ndërmarrë si Qeveri, kanë ngecur në Kuvend me mosmiratimin e nismave legjislative.

Pas takimit, kryeministri Haradinaj dhe ministrja Hoxha, në një konferencë të përbashkët për media, konfirmuan se, nga ky takim u miratua në parim raporti ERA 1 dhe lista e prioriteteve të dokumentit të ERA 2.

Kryeministri Haradinaj tha se është bërë punë e mirë deri këto, por që pret edhe më shumë angazhim nga të gjithë akterët e përfshirë.

“Me dinamikat e punës të Këshillit Ministror për zbatimin e prioriteteve të ERA-s, do ta dërgojmë një porosi të mirë që Kosova është kandidat serioz, potencial për një të ardhme të afërt për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE”, tha kryeministri Haradinaj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 nëntor 2018 - Ministri i Punës, Skender Reqica, Ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyçi, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi raportojn para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me zbatimin e Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës 2013 - 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 10:00)

- Qendra e Inovacionit  dhe Oda Ekonomike Amerikane shënojn Javën Globale e Ndërmarrësisë. (Salla plenare e Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në hapjen e Javës Globale të Ndërmarrësisë. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike mban konferencën për media në të cilën prezanton një propozim për “Minimumin e një Platforme për Dialogun e Fazës Finale në mes të Kosovës dhe Serbisë” (Grupi për Studime Juridike dhe Politike, përballë Kino ABC, mbi Maxi Market, ora 11:00)

- Qendra e Lëvizjes në Prishtinë mban konferencë për media. (Sheshi "Adem Jashari", ora 12:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit takohet me Kryeministrin, Ramush Haradinaj, Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Ministren e Integrimeve Evropiane znj. Dhurata Hoxha lidhur me bashkërendimin e veprimeve lidhur me pakon legjislative dhe procesin e liberalizimit të vizave. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  C-203, ora 13:00 - mediat mund të marrin pamje vetëm në fillim të takimit)

- Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq interviston ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 13:00)

- Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të zhvillohet aksion pastrimi në Prishtinë. (Përreth hapësirave të Shkollës “Model”, ora 13:30)

- Ministri i MPMS-së, Skender Reçica, bën lansimin në konsultime publike të Koncept Dokumentit për Rregullimin dhe Menaxhimin e Fushës së Pensioneve dhe Beneficioneve, të hartuara nga MPMS. (Salla e konferencave në MPMS, ora 14:00)

- Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, mban mbledhje me kryetarët e degëve të LDK-së. (Hotel Sirius, ora 16:00  - konferencë për medie, 17:30)