16 Prill 2024

Arrestimi i Gjuriqit ndodhi pasi Thaçi, Veseli e Haradinaj u dakorduan për Zajednicën

Prishtinë, 27 mars - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti ka theksuar se arrestimi i djeshëm i zyrtarit serb, Marko Gjuriq është bërë 10 vjet me vonesë.

Ai në një konferencë për media ka thënë se Policia e Kosovës ka aftësi profesionale për t’i ndaluar zyrtarët serb, por pushteti dhe shteti i kapur nuk ka vullnet për ta bërë këtë.

“Mbajtja e Gjuriqit pesë minuta në stacionin policor në Prishtinë, nuk u bë as për sundim të rendit dhe ligjit dhe as për rend kushtetues. Ai nuk është dashur të mbahet vetëm për kalim ilegal të kufirit, por edhe për shkelje të integritetit territorial”, ka theksuar Kurti.

Sipas tij, arrestimi i Gjuriqit ka ndodhur vetëm një orë pas takimit të Thaçit, Veselit dhe Haradinajt, në të cilin u dakorduan për formimin e Grupit Punues për statutin e ‘Zajednicës’.

"Arrestimi i Gjuriqit ndodhi një orë pasi që Thaçi, Veseli e Haradinaj u dakorduan që Kosova ta nis shkrimin e statutit të 'Zajednicës' së Serbisë, kundër së cilës kemi nënshkrimet e mbi 205 mijë qytetarëve të Republikës së Kosovës, demonstratat më të mëdha të Kosovës së pasluftës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që thotë se plot 23 nene të Kushtetutës janë shkelu", pohoi Kurti.

Sipas tij, dje është zhvlerësuar kryeministri Haradinaj që nuk ishte në gjendje të tregoj se a ka dhënë urdhër për ta arrestuar Gjuriqin.

“Kryeministri Haradinaj nuk ishte në gjendje të thotë se ai ka dhënë urdhër dje. Ai tha se e ka ‘monitoruar gjendjen’. Po, të gjithë qytetarët e monitoruan gjendjen live para ekraneve televizive."

"Duket se atë e ka anashkaluar dueti Hashim Thaçi-Shpend Maxhuni. Presidenti Thaçi nuk ia ka më nevojën Haradinajt sikurse para ratifikimit të ‘demarkacionit’ me Malin e Zi. Para ratifikimit Haradinaj e kishte në dorë Thaçin, tash u ndërruan rolet.”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka pohuar se siç vepruan me ‘demarkacionin’ ku falën tokë të Kosovës me premtimin për heqje të vizave, ngjashëm mendojnë të veprojnë edhe me ‘Zajednicën’, ku në këmbim të instalimit të saj premtohet ulësja në OKB.

Nuk duhet të harrojmë se Bosnja është shtet që Serbia e njeh dhe ka ulëse në OKB, por megjithatë është shtet jofunksional për shkak të Republikës Serbe atje.

Edhe Siria dhe Kongo kanë ulëse në OKB por kjo nuk i ka shpëtuar nga defunksionalizimi i shtetit të tyre dhe konfliktet tejet të rënda të brendshme.

Ulësja në OKB sipas Kurtit nuk mund ta ketë si çmim shkatërrimin nga brenda të shtetësisë përmes ‘Zajednicës’ së Serbisë. 

"Ne dënojmë qëndrimin shovinist dhe racist të mbrëmshëm të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këtë gjuhë dhe shprehje e kemi dëgjuar para 20 vjetësh kur ai mbante konferenca për shtyp si ministër i informatave në qeverinë e Milosheviqit, para Hotelit Grand në Prishtinë nëpër dhomat e të cilit ishin vendosur paramilitarët e Arkanit", ka nenvizuar Kurti.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)