18 Prill 2024

Angazhimi i themeluesve, mënyrë që LDK të ruajë konsistencën e veprimit

Prishtinë, 3 nëntor - Angazhimin e themeluesve të LDK-së dhe familjarëve të atyre që e themeluan, e u vranë, analistët politik e shohin si mënyrë që LDK të ruajë konsistencën e veprimit. Së fundmi në cilësinë e zëdhënësit të saj, LDK ka angazhuar Besian Mustafën, i cili njëherësh është edhe djali i ish këshilltarit të Ibrahim Rugovës, Xhemajl Mustafës

Për emërimin e tij në këtë pozitë LDK ka njoftuar edhe nëpërmjet një komunikate për media, ndërsa dje sekretari Ismet Beqiri ka folur në superlativ për Besian Mustafën.

“Qëllimi i kësaj konference është njoftimi me zëdhënësin e ri të mediave, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa i cili njëherësh është edhe djali i ish këshilltarit të Ibrahim Rugovës, Xhemajl Mustafës. Besiani është një djalë i ri i edukuar dhe i përgatitur jo vetëm për këtë detyrë që do e marr në LDK por edhe për veprimtari tjera sepse ka nivel shkencor dhe do jetë një vazhdimësi e punës së shkëlqyer. Është i diplomuar, ka qenë kryeshef i KIESAS, etj.”, tha sekretari i LDK-së Ismet Beqiri.

Besian Mustafa tha se qëllimi i kësaj konference është që të njihet nga afër me gazetarët që përcjellin aktivitetet e LDK-së.

“Si çdo parti tjetër edhe LDK-ja do ketë një platformë komunikimi të drejtpërdrejt. Dhe e pres që të kemi komunikimin të vazhdueshëm”, tha Mustafa.

Për analistin Imer Mushkolaj, kjo do të duhej të reflektonte te elektorati, ngase po iu jepet hapësirë njerëzve që mund të kontribuojnë.

“Ka nevojë që LDK t’u jep përgjegjësi të tillëve, në mënyrë që të ruajë konsistencën e veprimit”, tha Mushkolaj për Kosova.info.

Florim Zeqa, analist, thotë se shikuar nga pozicioni i pavarur analitik, angazhimi i themeluesve të LDK-së, jo vetëm që nuk është në nivelin e duhur, është i mangët dhe diskriminues.

“Pas vdekjes së liderit shpirtëror të LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, asnjëherë nuk ka pasur vëmendje të duhur ndaj themeluesve, aktivistëve dhe veprimtarëve më të devotshëm të këtij subjekti politik. Në vend të afrimit, ndodhi injorimi dhe largimi me përbuzje i tyre. Kjo erdhi si rezultat i ambicieve të sëmura për pushtet, inateve personale dhe egoizmit njerëzor, të shprehura në forma dhe përmbajtje të ndryshme, varësisht prej rrethanave të kohës dhe momentumit politik”, tha Zeqa për Kosova.info.

Sipas tij, infiltrimi dhe kyçja e elementeve armiqësore në partinë e besës dhe shpresës së shqiptarëve të Kosovës, përveçse lëndimit të imazhit të subjektit politik, e ka dëmtuar në masë të madhe të ardhmen e vendit dhe ka thyer shpresat e qytetarëve.

“Angazhimi i familjarëve të veprimtarëve të vrarë në LDK, pa bërjen asgjë për zbardhjen e vrasjes së prindërve të tyre, më duket se është pak më tepër se hipokrizi, është lojë për përfitimin e votës së elektoratit e jo më shumë. I tillë ishte edhe angazhimi i fundit që ndodhi këtyre ditëve, i djalit të Xhemajl Mustafës, Besianit në rolin e zëdhënësit të LDK-së. Ngase Besian Mustafa e shumë të tjerë, meritojnë pak më shumë se zëdhënës, meritojnë të jenë “maja e shigjetës” për të goditur cakun, respektivisht për kthimin e imazhit dhe besimit që kishte dikur LDK-ja në skenën politike kosovare”, tha Zeqa..

Tutje tha se, subjekti politik forcohet me reforma të thella dhe përmbajtësore e jo me “infuzione” të çastit, për të kapërcyer një momentum politik, përkthyer në gjuhën shëndetësore, i sëmuri kronik nuk shërohet me një “antibiotik”, por me një analizë të thellë dhe kurim permanent.

“Thënë ndryshe, kujdesi ndaj themeluesve të LDK-së, ndaj veprimtarëve të gjallë dhe familjarëve të veprimtarëve të vrarë duhet të jetë permanent dhe i sinqertë, e jo kur i duhet dikujt për votë, gjegjësisht për arritjen e qëllimeve personale të grupeve të interesit në këtë subjekt politik”, tha Zeqa.

Zeqa thotë se, çelësi i suksesit të LDK-së, është i lidhur ngushtë me qasjen ndaj angazhimit të themeluesve dhe veprimtarëve që aktualisht ndodhen në Diasporë dhe rifreskimit me kuadro të reja, të pastra, të padjallëzuara dhe të pa infektuara nga sindromi kancerogjen i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Mentor BARANI

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)