16 Prill 2024

Ambasadori francez vizitoi Mitrovicën

Mitrovicë, 25 shkurt - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean Fraçois Fitou, me të cilin ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit të kësaj komune me komunat franceze.

Fillimisht ai e ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen dhe kontributin e ushtarëve francez në kuadër të KFOR-it.

Kryetari Kastrati e ka njoftuar ambasadorin francez për situatën e sigurisë, duke përmend mungesën e rendit dhe ligjit në veri, mandej mungesën e lirisë së lëvizjes etj.

Ai tha se kjo gjendje është duke krijuar probleme të mëdha për qytetarët që janë të zhvendosur nga veriu, të cilët duhet të paguajnë qira për banim në jug të Mitrovicës apo nëpër qytetet tjera.
 
Ndërsa duke biseduar gjendjen ekonomike, dy bashkëbiseduesit e vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit të Komunës së Mitrovicës me komunat e shteteve të tjera që mund të rezultojë me mbështetje për projekte të ndryshme zhvillimore.

Në këtë kontekst u përmend si shembull i mirë bashkëpunimi që ka nisur ndërmjet Mitrovicës dhe Komunës së Angoulemes në Francë.

Kryetari Kastrati, e njoftoi ambasadorin për vizitën që ka zhvilluar në këtë komunë franceze ditë më parë, ku është pos të tjerëve është takuar edhe me kryetarin e  Angoulemes, Filip Lavaud, me të cilin kanë  shqyrtuar mundësitë për binjakëzim me Mitrovicën në mënyrë që të vihen baza të përhershme bashkëpunimi.

“Ka qenë një vizitë mjaft e frytshme dhe jemi në rrugë të mirë që të nisim një bashkëpunim të frytshëm që është me rëndësi për të dy komunat”.

Ai përmendi si projekte konkrete shqyrtimin e mundësisë që në Mitrovicë të përdoren përvojat e Angoulemes sa i përket trajtimit të ujërave të zeza, mandej për bashkëpunim në fushën e kulturës, sportit etj.

Në anën tjetër, ambasadori francez, ka theksuar se mundësitë që ekzistojnë duhet të shfrytëzohen në të mirë të qytetarëve të të dyja komunave.

Duke u fokusuar në aspektin kulturor, ai ka cekur edhe idenë që në Mitrovicë të ndihmohen nxënësit dhe të rinjtë për mësimin e gjuhës franceze me projekte të ndryshme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)