19 Prill 2024

Ambasador Hamiti dorëzoi letrat kredenciale në Zelandë të Re

Wellington, 25 shkurt - Ambasador jorezident i Republikës së Kosovës në Zelandën e Re, Muhamet Hamiti, i ka dorëzuar sot Letrat Kredenciale Guvernatorit të Përgjithshëm të Zelandës së Re, Sër Anand Satyanand.

Ceremonia tradicionale e paraqitjes së letrave kredenciale u zhvillua në Shtëpinë e Qeverisë, selinë e Guvernatorit të Përgjithshëm të Zelandës së Re në Uellington (wellington).

Në një ceremoni që gërshetonte tri pjesë, Ambasadori Muhamet Hamiti kaloi fillimisht nëpër procedurën tradicionale të ballafaqimit me ‘sfidën Maori’. Ndërkaq, Ambasadori Hamiti u bëri rivistë trupave të Gardës së Nderit të ushtrisë së Zelandës së Re.

Pjesa e tretë shënoi në të vërtetë dorëzimin zyrtar të Letrave Kredenciale të Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiut, përmes të cilave Muhamet Hamiti emërohet ambasador në Zelandën e Re. Muhamet Hamiti ia dorëzoi këto letra Guvernatorit të Përgjithshëm të Zelandës së Re, Sër Anand Satyanand.

Ambasadori Hamiti dhe Guvernatori Satyanand mbajtën nga një fjalë rasti, në prani të zyrtarëve qeveritarë, përmes të cilave uruan për suksesin e marrëdhënieve në mes të të dyja vendeve, duke veçuar edhe lidhjet, kryesisht të kohëve të reja, në mes të dy popujve. Hamiti falënderoi Zelandën e Re për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në dekadën e fundit dhe për pranimin e mikpritjen e refugjatëve të luftës nga Kosova.

Si i dërguar i Kosovës në Zelandë të Re, Muhamet Hamiti tha se do të të punonte që të përkthente afeksionin në mes të dy shteteve tona në një marrëdhënie dobiprurëse për të dyja palët.

Guvernatorit i Përgjithshëm i Zelandës së Re, SHTZ Anand Satyanand, tha se vendi i tij e “merr seriozisht përgjegjësinë e të qenit qytetar i mirë ndërkombëtar”. Në këtë kontekst tha ai, Zelanda e Re “i hapi dyert për qindra refugjatë kosovarë në vitin 1999”, sikur që edhe mbështeti kërkesat e suksesshme për anëtarësim të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore gjatë vitit të kaluar.

Në ndërkohë, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zelandë të Re takoi dje (e mërkurë, 24 shkurt)  në Uellington zyrtarë të lartë të Qeverisë së këtij vendi, zëvendëssekretarin në Ministrinë e Jashtme dhe të Tregtisë, z. Peter Hamilton, dhe drejtorin e divizionit për Evropë në këtë Ministri, z. George Troup, me të cilët bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dyja vende.

Zyrtarët e Zelandës së  Re shprehën kënaqësinë për përparimet që ka bërë  Kosova si dhe mbështetjen për synimet e Kosovës për integrime evropiane edhe anëtarësim në organizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Po të mërkurën, Ambasadori i Kosovës është takuar në Uellington me ambasadorin e Argjentinës në Zelandë të Re, z. Pedro R. Herrera, që shtë dekan i korit diplomatik në këtë vend, dhe Komisionerin e Lartë të Tonga-s, z. Siaosi (George) T. ‘Aho-n. Në takim u bisedua për zhvillmet në Kosovë. Hamiti u përcolli këtyre diplomatëve kërkesën e autoriteteve të vendit tonë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)