29 Mars 2024

60 për qind e serbëve të veriut besojnë se pajtimi nuk është i nevojshëm

Prishtinë, 14 shkurt - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) lansoi sot  Analizën e Pulsit Publik për Pajtimin dhe Bashkëjetesën që eksploron perceptimin e njerëzve për procesin e pajtimit ndëretnik në Kosovë, problemet, sfidat dhe mundësitë duke synuar të zbulojë se si, nga këndvështrimi i qytetarëve,  institucionet e Kosovës, donatorët dhe organizatat ndërkombëtare mund të mbështesin më së miri pajtimin në Kosovë.

Për qëllimet e këtij studimi, janë anketuar 451 respodentë kosovarë si dhe janë mbajtur 12 grupe të fokusit të realizuara në shtatë komuna multi-etnike, përkatësisht në: Prizren, Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut, Kamenicë, Shtërpcë, Graçanicë, dhe Istog. Anketa dhe fokus grupet janë realizuar gjatë muajve qershor-korrik 2019.

“Me rritjen e ndërveprimeve të përditshme në një mjedis multi-etnik, rritet edhe niveli i të jetuarit më rehatshëm me etnitë tjera," tha Znj. Christina T. Davis, Drejtoreshë, Zyra për Demokraci dhe Qeverisje, në USAID në Kosovë dhe përfundoi se: "Ne duhet të punojmë për të siguruar mundësi që njerëzit nga etni të ndryshme të bëhen bashkë për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta, kurse dallimet e tyre t’i konsiderojnë përfitim dhe jo pengesë.”

Znj. Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së duke iu drejtuar mediave theksoi: "Gjatë 17 viteve të fundit, në partneritet me USAID-në, ne kemi mbledhur të dhëna dhe informacione të cilat na kanë ofruar një pasqyrë më të thellë duke filluar nga perceptimet për demokratizimin, ekonominë, drejtimin politik dhe sigurinë – e deri tek si komunitetet e ndryshme etnike në Kosovë e shohin veten dhe komunitetet tjera."

"Një pikënisje e rëndomtë - kur punohet në ndërtimin e besimit dhe kohezionit social midis komuniteteve - është të shikohet se si ata bashkëveprojnë me njëri-tjetrin. Ne e kemi përdorur mu këtë koncept përmes projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore” i mbështetur nga BE - i cili synon t’i thyej barrierat mes komuniteteve përmes interesave të përbashkëta," përfundoi Znj. Suokko.

Në vijim janë disa nga të gjeturat kyçe nga Analiza:

· Përfshirja e komunitetit ndërkombëtar u konsiderua si shumë e rëndësishme nga 47% dhe si deri diku e rëndësishme nga 31% e të anketuarve. Për më tepër, pjesëmarrësit në disa grupe të fokusit e përshkruan rëndësinë e komunitetit ndërkombëtar si lehtësues të procesit të pajtimit.

· Shumica e të anketuarve në komunat e Graçanicës (92%) dhe Mitrovicës së Veriut (73%), pretenduan se ishin deri diku rehat ose shumë jo rehat që jetojnë në një mjedis multi-etnik. Për më tepër, shumica e të anketuarve nga Mitrovica e Veriut besojnë se pajtimi nuk është i nevojshëm (60%).

· Edhe pse grupet etnike ndryshojnë në të kuptuarit e tyre të konceptit të pajtimit, ata të gjithë pajtohen se ndëshkimi i atyre që kanë kryer krime gjatë konfliktit të armatosur dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira ndëretnike janë thelbësore për arritjen e pajtimit në Kosovë.

Për më tepër, pjesëmarrësit në grupet e fokusit besojnë se ka shumë ‘plagë të hapura’ nga konflikti i armatosur i viteve 1998-1999, të cilat duhet të trajtohen përpara se të arrihet pajtimi. Shqiptarët e Kosovës thanë edhe se çështja e personave të zhdukur nga konflikti i viteve 1998-1999 është pengesë e rëndësishme në këtë drejtim.

· Pothuajse gjysma e të anketuarve janë të pakënaqur me punën e institucioneve publike të Kosovës në lidhje me promovimin e pajtimit. Përveç kësaj, të anketuarit kryesisht besojnë se institucionet publike të Kosovës nuk kanë bërë sa duhet për t’i mbështetur viktimat që përjetuan abuzime të të drejtave të njeriut gjatë konfliktit të armatosur të viteve 1998-1999.

· Siguria publike është çështje shqetësuese për 46% të serbëve të Kosovës që pretendojnë se ndjehen të paktën deri diku të pasigurt në rrugë. Ekziston një lidhje e fortë pozitive në mes të nivelit të ndjenjës së sigurisë në rrugë të të anketuarve dhe këndvështrimit të tyre për mundësinë e pajtimit.

· Gjatë diskutimeve në grupet e fokusit, serbët e Kosovës thanë se shqiptarët e Kosovës nuk duan të pajtohen, kurse shqiptarët e Kosovës thanë se janë serbët e Kosovës ata që nuk duan pajtim. Sidoqoftë, gjetjet e anketës zbuluan se shumica e pjesëtarëve të të dyja etnive e mbështesin pajtimin ndëretnik në Kosovë.

· Në komunën e Shtërpcës, serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Kosovës thanë se komuna dhe OJQ-të duhet të punojnë së bashku për të hartuar programe dhe aktivitete, si mjete për lehtësimin e pajtimit që i bashkojnë banorët lokalë shqiptarë të Kosovës dhe serbë të Kosovës. Për më tepër, pjesëmarrësit e grupeve të fokusit të të gjitha prejardhjeve përmendën si pengesë dallimet kulturore, përfshirë edhe pengesën gjuhësore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)