20 Shkurt 2020

14 vite nga vdekja e ish presidentit Rugova

Prishtinë, 21 janar - Sot shënohet 14 vjetori i largimit nga kjo jetë i Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.

Me rastin e 14-vjetorit të vdekjes së Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, Kryeministri, Ramush Haradinaj si dhe anëtarë të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës bëjnë homazhe te varri i tij si dhe vizitojnë Familjen Rugova.

Poashtu Lidhja Demokratike e Kosovës organizon Akademi Përkujtimore për vepren dhe jetën e ish presidentit Rugova.

Ibrahim Rugova është lindur më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cërrcë të komunës së Istogut.

Ai ka mbaruar shkollimin e mesëm në Pejë, ndërkaq ka diplomuar në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës në vitin 1971.

Më 1984 ka doktoruar në letërsi dhe është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, përfshirë këtu Çmimin Saharov.

Ai gjithashtu është shpallur edhe qytetar nderi i Venedikut, Milanos dhe Breshias dhe doktor nderi në Universitetin e Parisit dhe atë të Tiranës.

Më 23 dhjetor të vitit 1989 zgjedhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike shqiptare në Kosovë, e cila angazhohej për një ndarje paqësore nga Serbia.

Nën udhëheqjen e doktor Rugovës, Lidhja Demokratike, në bashkëpunim me forcat tjera politike shqiptare në Kosovë, më 2 korrik të vitit 1990 ka shpallur Kosovën Republikë dhe më 7 shtator të po të njejtit vit ka miratuar edhe Kushtetutën e saj.

Në Kosovën e para luftës, ai është zgjedhur kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet presidenciale, që nuk janë njohur ndërkombëtarisht, të cilat janë mbajtur më 24 maj të vitit 1992 dhe më 22 mars të vitit 1998.

 I njohur si udhëheqës i një lëvizjeje gandiste në Kosovë, zoti Rugova ka fituar edhe në dy garat e përgjishme zgjedhore të njohura ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës.

Më 23 tetor të vitit 2004, në ditën e votimeve për institucionet qendrore në Kosovë, prej të cilave shpallet president, zoti Rugova pat deklaruar:”Kjo është një ditë e madhe dhe e rëndësishme për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, për një Kosovë të pavarur dhe të integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Më 27 gusht të vitit 2005 ai udhëton për një spitalin ushtarak në bazën amerikane në Landstuhl të Gjermanisë dhe qëndron deri më 3 shtator për trajtim mjekësor.

 Dy ditë më vonë, më 5 shtator të vitit 2005, presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova i drejtohet opinionit nëpërmjet televizionit, duke e njoftuar atë se vuan nga kanceri në mushkëri.

“Mjekët kanë gjetur se vuaj nga kanceri i lokalizuar në mushkëri, prandaj më kanë caktuar një terapi intenzive shëruese.

Gjithashtu mjekët kanë konstatuar se tash gjendja ime shëndetësore është duke u përmirësuar dhe janë optimistë për shërimin tim të shpejtë”, pat thënë presidenti i Kosovës. Në po të njejtën paraqitje, presidenti pat thënë se shpreson në kapërcimin e kësaj beteje.

“Jam i bindur se me ndihmën e Zotit, do ta kapërcej edhe këtë betejë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku, më fuqishëm për njohjen e pavarësisë së vendit tonë Kosovës sa më parë nga miqtë tanë amerikanë dhe evropianë. Pres përkrahjen tuaj si gjithmonë. Zoti ju bekoftë, Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës, Zoti e Bekoftë Kosovën”, pat thënë presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, më 5 shtator të vitit 2005.

Që prej atëherë, për presidentin mjekët janë kujdesur në një klinikë të improvizuar në rezidencën e tij në lagjen Velania të Prishtinës dhe ai ka pasur kontrolle të rregullta mjekësore në kampin amerikan Bondsteel afër Ferizajt.

Në dy muajt e fundit, aktivitetet e tij publike kanë qenë relativisht të kufizuara brenda rezidencës së tij. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 shkurt 2020 - Behën homazhe në nderim te jetës dhe veprës së heroit, Selman Vojvoda. (Varri i heroit, në Llaushë të Skenderajt, ora 9:00)

- Mbahet takimi me Misionin e Komisionit Evropian për Vlerësimin e Programit për Reforma në Ekonomi dhe diskutimin mbi rekomandimet e politikave. (ndërtesa e Qeverisë salla P38,  ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovë do të mbaj seminar me tatimpaguesit e regjionit të  Prishtinës ku prezent do të jetë edhe Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Bëhet konstituimi i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 204, ora 11:00)

- Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova do ta pres në takim ambasadorin bullgar në Kosovë. (Zyra e Kretarit Haziri, ora 11:00)

- Komuna e Rahovecit mban diskutimi publik lidhur me Draft Planin Komunal të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë dhe Planin Lokal për Veprim në Mjedis. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 11:00)

- Kryeministri Albin Kurti dhe Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani marrin pjesë në manifestimin “ 31-vjetori i Grevës së Minatorëve të Trepçës”. (Miniera e Trepçës në Stantërg, ora 11:00)

- Bëhet konstituimi i Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri dhe Investime Strategjike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e dorëzimit te donacionit për qerdhën “Gëzimi Ynë” në Istog nga Ambasada e Bullgarisë. (Qerdhja “Gëzimi Ynë” në Istog, ora 11:30)

- Mbahet ceremonia e promvimit të librit" Obstetrika",  të Prof. dr. Shefqet Lulaj. (Bibloteka Kombëtare "Pjetër Bogdani", ora 12:00)

- Mbahet akademi përkujtimore për dëshmorin e Kosovës, Selman Vojvoda, në 30 vjetorin e rënies së tij. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu do të pres në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, z Philip Kosnett. (objekti kryesor i MPBAP-së, ora 13:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të mbajë konferencë për media. (Objekti I Ministrisë, ora 13:00)

- Promovohet revista “Intro”, që është produkt i punës së studentëve të vitit të tretë të Departamentit të Gazetarisë, në kuadër të lëndës "Menaxhim i medias". (Amfiteatri i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ora 14:00)

- Komuna e Mitrovicës mban debat publik lidhur me rregulloren për realizimin e të drejtave të fëmijëve përmes sistemit qeverisës komunal miqësor për fëmijët. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës të Mitrovicës, ora 14:00)

- Zhvillohet ndeshja basketbolliste mes Kosovës dhe Islandës. (Pallati i Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ora 19:00)