19 Prill 2024

Zgjedhjet si zgjidhje përfundimtare

Shkruar nga Isa Mulaj

“Lufta është një gjë e shëmtuar, por jo më e shëmtuara. Gjendja e kalbur dhe e degjeneruar e moralit dhe e ndjenjës atdhetare që mendon se asgjë nuk ia vlen luftën, është më e tmerrshme” –John Stuart Mill, ekonomist politik.

Kosova e këtij tremujori të fundvitit 2010 duket i vetmi shtet në botë me më së paku probleme. Si vërtetohet ky supozim? Nga aftësia për t’i numëruar, analizuar, dhe regjistruar problemet? Jo. Përgjigjen e gjeni përditë dhe kudo te çdo shtresë e popullsisë, duke i përfshirë edhe ata që ende nuk kanë të drejtë vote.

A keni mundur të shpëtoni pa bashkëbiseduar këtyre ditëve me dikë rreth asaj se çka po ndodhë në skenën politike kosovare? Sa prej jush keni menduar se a do të dilni në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen me 12 dhjetor, dhe nëse dilni, cilës parti t’ia jepni votën, ose cilës t’i bashkëngjiteni tani?

Të gjithë i keni pasur dhe i keni këto shqetësime. Ato sa vijnë e shtohen dita-ditës, ua shtonë frikën se çka do të ndodh me shtetin dhe shoqërinë e Kosovës. Ruajuni se disa qytetarë, ekspertë, politikanë, dhe miq tuaj shumë të ngushtë që ua donë të mirën, sapo ta konstatojnë se ju dini ose jeni të aftë për diçka, mund t’ua nxjerrin sytë pse nuk po kyçeni diku në parti politike, cilëndo qoftë.

Tjetër propozim dhe rekomandim “më i mirë” nga miqtë tuaj më të ngushtë nuk mund të vijë. Ata u bindin “me fakte” se rrugëdalje tjetër nuk ka pos të futeni nëpër parti politike, se vetëm aty është mundësia për t’u pasuruar duke vjedhur popullin; ndryshe, sipas tyre, nuk e hanë pazari hiq. A nuk është kjo provë se Kosova për momentin është i vetmi shtet ë botë me më se paku probleme? Dhe për më tepër, punon për ta bërë këtë problem edhe më të ndërlikuar, dhe jo për ta zgjidhur atë siç po mendojnë shumica. 

“Reshuffling the cards”, dhe “shëtite Rasim, shumë shëtite”

Termi i parë në gjuhën angleze do të thotë “përzierje e letrave”. Jo të çfarëdo letrave. Vetëm atyre me të cilat luajmë “pishpirik”, “xhanar”, “zhol”, “poker”, e të tjera, që përbëhet nga 52 letra standarde. Pas çdo loje ju duhet t’i përzini letrat. Në pishpirik i përzini fort, ashtu që në lojën e radhës të mos çkepen letrat e njëjta, sepse dikush mund të zë shumë pishpirika me vlerë nga 10 pikë secili (xhanari pishpirik numërohet 20 pikë).

Por, ka një dallim në përzierjen e letrave në lojën pishpirik, dhe lojën e politikës kosovare. Në pishpirik letrat i përziejnë dy duar, ndërsa në pishpirikun e politikës kosovare shumë duar, duke i përfshirë edhe ata nga shtetet tjera që juridikisht nuk janë pjesë e lojës, por janë gjyqtarë dhe marrin pjesë edhe në kurdisjen e lojës sipas kuteve të tyre, pavarësisht se cilët janë lojtarët vendorë.   

Termi i dytë në gjuhën shqipe “shëtite Rasim, shumë shëtite” është huazuar nga skeçi i humoristit Rasim Thaçi – Cima. Sipas atij skeçi, lopa e Rasimit ishte fryrë tej mase pasi kishte ngrënë shumë “tërrfojë” (detelinë). Rasimi kishte rënë në hall. Merrte propozime të shumta nga miqtë e tij të ngushtë se çfarë të bënte me lopën e fryrë. Fillon t’i zbatonte ato. I jep “sodë t’bukve” lopës për ta shfryrë, nuk bënë punë.

Provon  rekomandimet dhe urdhrat tjera, por kot. Kërkon rekomandime shtesë, pikërisht sikur shumica e qytetarëve të Kosovës që u është ngulitur edhe në gjene refreni “ani çka me ba?” I thonë: Shëtite Rasim, shumë shëtite (lopën)”. Rasimi zbaton me përpikëri rekomandimin e miqve të tij të ngushtë, dhe raporton rezultatin: “E shëtita, e shëtita, e shëtita, veç kur...tërrt...cofi lopa!”

Çka po ndodh në politikën kosovare? Saktësisht “reshuffling the cards” dhe “shëtite Rasim, shumë shëtite”, që vërtetohet me një lëvizje të madhe të politikanëve nga një parti në tjetrën dhe nga një segment i veprimtarisë dhe shoqërisë civile në politikë. Të gjitha rrugët çojnë, dhe thuajse shumica e njerëzve shkojnë, në bixhozin e lojës “pishpirik”. Profesionet tjera në Kosovë duken të pakuptimta nëse nuk luajnë pishpirik në politikë, dhe nëse nuk bëhen pishpirika.  

Çka (nuk) sheh në skenën politike të Kosovës? Mimoza Kusari si zëdhënëse e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kalon si nënkryetare në Aleancën Kosova e Re (AKR). Nga AKR del nënkryetari Driton Tali dhe shndërrohet në deputetë të pavarur (sapo mora lajmin se kaloj në AAK; ku me ditë nesër ku shkon!) sikur Naim Rrustemi i PDK-së, Riza Smaka kalon në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndërsa Rita Hajzeraj shkon në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Nga AAK largohet ose përjashtohet Bujar Dugolli. Nga PDK shuhen nëndegët e saj në Prizren dhe Zafir Berisha themelon Bashkimin Demokratik, duke e lënë Ramadan Mujën si mullar. Ikën nga PDK edhe Xhevat Bislimi në Viti. Hyjnë zyrtarisht dhe publikisht në PDK gazetarët Ilir Mirena e Berat Buzhala.

Nga PDK largohet deputeti Ismajl Kurteshi dhe futet në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, jo për të mbështetur ndonjë mision të vetëvendosjes, por për të dhënë “kontributin” e tij në një parti tjetër politike, e cila ishte zotuar me misionin: “Së pari vetëvendosja për popullin e Kosovës, pastaj Lëvizja VETËVENDOSJE! në politikën kosovare (të ambasadave të huaja)”. Për zgjedhjet e 17 nëntorit 2007 kjo lëvizje u thoshte qytetarëve “fleni vetëm sot; ama vetëm sot” dhe të njëjtëve tash për zgjedhjet e 12 dhjetorit do t’u thotë “zgjohuni vetëm sot dhe votoni për neve; ama vetëm sot” (mandej krisjani gjumë!).

Nga LDK në AAK shkojnë Haki Shatri, Melihate Tërmkolli, dhe Blerim Kuçi si ndër më të njohurit. Në LDK kthehet Berim Ramosaj dhe Adem Salihaj të Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD). Zgjedhjet në LDK i fiton Isa Mustafa dhe klani i llapit. Menjëherë prej tij distancohet familja e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe LDK “Lista Ibrahim Rugova” që bëhet bashkë me AAK-në për shkak të poshtërimit që ia bëri Isa Mustafa.

Me të dëgjuar për koalicionin AAK-LDK “Lista Ibrahim Rugova”, brenda ditës Rexhep Selimi braktisë AAK-bë dhe kalon në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Po në të njëjtën ditë nga LDK largohet Fatmir Rexhepi, kryetari i LDD-së Nexhat Daci dënohet për blerje të syzeve dhe ndreqjen e dhëmbëve me paratë e buxhetit të shtetit, dhe vidhen ose keqpërdoren miliona euro nga buxheti i shtetit.

Ndodhin edhe shumë ngjarje tjera brenda një dite por mediat nuk janë në gjendje t’i raportojnë të gjitha, e shumica e qytetarëve nuk mund as t’i lexojnë. A nuk është Kosova vendi me më së paku probleme në botë kur shumëçka ose çdo gjë zihet e përzihet, shëtitet e shëtitet rreth politikës dhe zgjedhjeve të 12 dhjetorit?

Kulminacioni i turpit ndodh kur edhe zyrtarët e lartë të policisë dhe pjesëtarë të njësive speciale dalin publikisht në rreshtime të partive politike, në kohën kur shteti ka nevojë për më se shumti për siguri nga rreziqet e brendshme dhe të jashtme. Kjo marri sui generis tregon se Kosova nuk meriton shtet kur policia e saj qenka edhe zyrtarisht e politizuar, pra u shërben grupeve kriminale politike e jo qytetarëve nga të cilët paguhet. Policia dhe ushtria janë institucione neutrale dhe duhet të jenë të pavarura.

Qeveria dhe politika mund të bjerë dhe të shuhet komplet, por policia dhe ushtria duhet të funksionoj edhe në rastet e rreziqeve me armë komike, biologjike, dhe bërthamore, e jo të bastardohet kështu. Merreni me mend! I lënë armët për t’u futur në lojën “pishpirik” për të vjedhur. Megjithatë, nuk është edhe vendim i pa mençur i tyre. Armët tash duhet t’i rrokë popullsia kundër policisë që i shërben grupeve kriminale politike.

Kjo që po ndodh në Kosovë me “reshuffling the cards” në lojën e pishpirikëve, nuk është asgjë e re prej periudhës së pasluftës. Por ju do të bëni pyetjen: “Pse këta pishpirikë që kanë ngrënë, janë fryrë, dhe kanë shëtitur edhe më shumë se lopa e Rasimit, nuk po cofin?” Përgjigja, të cilën besoj e dini të gjithë me përjashtim të atyre që janë familjarë të politikanëve, është se lopa e di kur është bërë tepër duke ngrënë dhe duke shëtitur, ndërsa këta jo; e hanë shtetin, buxhetin, kombin, kulturën, dinjitetin, moralin dhe nuk ngopen. Sikur edhe njerëzit t’i hanë, prapë nuk ngopen, prandaj vazhdojnë sipas parimit “reshuffling the cards” dhe “shëtite Rasim, shumë shëtite.”     

“Die Endlösung”

Termi i tretë gjenerik “Die Endlösung” është nga gjuha gjermane. E përdorem këtë krahas dy termeve tjera, njërin në anglisht (reshuffling the cards) dhe tjetrin në shqip (shëtite Rasim, shumë shëtite) shkaku se juridikisht dhe me kushtetutë Kosova nuk ka një gjuhë në nivel shtetit, që do të duhej të ishte gjuha shqipe, por ka tri gjuhë zyrtare – shqip, serbisht, dhe anglisht.

Kjo është më ndryshe se në ish-Jugosllavi ku gjuhë zyrtare ishin gjuha serbokroate, sllovene, sllavo-maqedone (ose bullgare) që përdorej edhe në emërtimet e bankënotave, dhe deri diku edhe gjuha shqipe, por gjuhë e shtetit për korrespondencë, diplomaci dhe çdo komunikim në emër të shtetit me botën e jashtme dhe anasjelltas, ishte vetëm serbokroatishtja. Cila është gjuha e shtetit në Kosovë?

I përdorem tri terme kyçe në gjuhë të ndryshme sa për t’ia bërë qejfin propagandës së disa qarqeve të huaja, e aq më tepër pishpirikëve vendorë të tyre, se Kosova është shoqëri shumetnike. 

“Die Endlösung” nga gjermanishtja do të thotë “Zgjidhja përfundimtare”. Ky ishte edhe titulli i këtij artikulli për zgjedhjet në Kosovë. Ju mund ta keni bindjen se titulli sugjeron që zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 do të jenë vendimtare ose përfundimtare, si diçka që shumica e qytetarëve dhe politikanëve besojnë se do të jenë zgjidhje e problemeve të Kosovës, por mund ta keni gabim trashanik.

“Die Endlösung” ose “Zgjidhja përfundimtare” ishte plani i Gjermanisë Naziste për shfarosjen sistematike të çifutëve, sikur ky plani politik kundër shqiptarëve në Kosovë. Ku e hasni këtë plan kundër shqiptarëve?

Çdo kund në dokumente zyrtare të Kosovës dhe veprimet e përditshme të partive politike. Shqiptarët e Kosovës (shumica) tanimë janë të shfarosur politikisht, kombëtarisht, moralisht, dhe shkencërisht. Si në komunizëm, ashtu edhe në demokraci kanë qenë dhe janë në shërbim të kombeve dhe shteteve tjera kundër interesave të qytetarëve të Kosovës.

Shqiptarët komunistë kanë qenë vegla të Jugosllavisë/Serbisë dhe më shumë u kanë shërbyer atyre, edhe në rastet kur ata nuk e kanë kërkuar. Për shembull, sa prej jush, me përjashtim të fazës fillestare të komunizmit pas Luftës së Dytë Botërore, mbani mend të kenë ndodhur tortura çnjerëzore të sllovenëve kundër sllovenëve, ose të serbëve kundër serbëve? Asnjë. Po tek shqiptarët, deri kur kanë ndodhur torturat çnjerëzore nga shqiptarët e SPB-së (Sekretariatit të Punëve të Brendshme) kundër shumë shqiptarëve (dhe anëtarëve të tyre familjarë) duke i prishur fizikisht një herë e përgjithmonë?

Deri në frymën e fundit të ish-Jugosllavisë. Shumica nga ata SPB-istë dhe UBD-ash sot shiten si burra të mirë duke u inkuadruar nëpër parti politike dhe ju na i rekomandoni për t’i votuar, kinse tash qenka demokraci. Kjo  demokraci sikur komunizmi jugosllav nuk është sistem në vete ose i Kosovës. Është i tjetërkujt. Kur keni dëgjuar se partitë politike në Slloveni ose Serbi të kenë punuar kundër shtetit, qytetarëve, kombit të tyre, por edhe vetë shumica e qytetarëve të punojnë kundër identitetit të tyre?

Kurrë. Po në Kosovë? Gjithmonë dhe përditë, madje janë shumë krenar me këto fëlliqësi të tmerrshme dhe kërcënohen se do të bëjnë më zi në demokraci hatri i ambasadave të huaja, sikur UDB-ashët dhe SPB-istët dikur për llogari të serbëve dhe jugosllavëve. A ka proporcionalisht në raport me numrin e popullsisë më cinik të tmerrshëm në ndonjë shtet të botës më shumë se në Kosovë?  

Meqenëse politika dhe shqiptarët e Kosovës nuk qenkan në gjendje të kenë komunizëm dhe demokraci të veten, atëherë shtrohet pyetja se cili sistem do të ishte më i mirë dhe i pranueshëm për qeverisjen e shqiptarëve. Komunizmi nuk ishte, ndërsa kjo demokracia e shpifur doli edhe më e tmerrshme se komunizmi, sepse “demokratët” po hanë shumë dhe nuk po dinë të ngopen (për dallim nga lopa e Rasimit e cila e dinte se kur është tepër), dhe nuk ndalen edhe në ngrënien e njerëzve nëse e shohin se nuk ka më buxhet të shtetit dhe pasuri të qytetarëve për ta ngrënë. Ky sistem shpie vetëm te “Die Endlösung” ose “Zgjidhja përfundimtare” e problemit të politikës së mbrapshtë kosovare. Atëherë, cila është zgjidhja normale për ta shmangur “Die Endlösung”, ose siç u thotë gati secili qytetar orë e çast me nervozë të madhe “e çka dreqin me ba, hajt kallxona”. Qe çka me ba:

Populli i Kosovës, por edhe politikanët dhe të gjithë intelektualët e saj (nëse ka të tillë sa për ilaç), duhet të sjellin me koncesion një qeverisje politike të huaj në Kosovë, dhe të heqin dorë nga politika, komunizmi, demokracia, dhe zgjedhjet. Një qeverisje politike e huaj me koncesion së paku nuk do t’i linte këta politikanë dhe shumë qytetarë përkrahës të tyre ta vjedhin, poshtërojnë, çnderojnë, përdhosin, dhe masakrojnë ekonomikisht Kosovën. Por, partitë politike të Kosovës nuk po e duan këtë formë të koncesionit.

Këto duan t’ia japin me koncesion të huajve energjinë, telekomunikimin, hapësirën ajrore dhe çdo pasuri nëntokësore, mbitokësore dhe në ajër me vlerë për Kosovën. A më i zi është koncesioni i çdo gjëje ekonomike të huajve që e bënë politika kosovare, e cila edhe ashtu na rrjep duke na vjedhur dhe gënjyer, apo dhënia me koncesioni e politikës kosovare?

Me koncesionin për qeverisje politike, ne do të ishim në gjendje ta ndalnim këtë “reshuffling the cards”, “shëtite Rasim, shumë shëtite”, dhe “Die Endlösung” të cilat nuk kanë gjasa të ndalen, qofshin me zgjedhje të zakonshme apo të jashtëzakonshme. E kemi provuar sa e sa herë dhe pasojat vetëm sa po shtohen. Edhe sa herë duhet ta provojmë? Edhe 100 herë? Edhe 200 herë mund ta provojmë dhe i njëjti sahan (sistem) do të mbetet deri në “Die Endlösung”. Kur ta marrim një qeverisje me koncesion, atëherë s’kemi nevojë t’i epim me koncesion pasuritë nëntokësore, mbitokësore dhe në ajër të huajve, të cilat do të mbeteshin në pronësi dhe qeverisje të popullit.

Vetëm politikën po ja falim të huajve, sepse kjo më së paku na duhet neve, ndërsa pasuritë e Kosovës le të mbesin në pronësi të Kosovës. Unë vë bast me secilin prej juve se kjo zgjidhje është më e mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Nuk është politika kosovare diçka për qeverisje të mirë të Kosovës. Përkundrazi. Politikën kosovare duhet ta flakim me koncesion, dhe vetëm atëherë mund të themi: “Bac, qetash përnjëmend u kry!”, se koncensionarët e huaj nuk po i lënë më politikanët vendorë të na vjedhin, poshtërojnë, shkombëtarizojnë, përdhunojnë, dhe t’ua falin çdo pasuri publike të Kosovës kriminelëve të huaj. Kontrata mbi koncesionin politik të Kosovës duhet të jetë transparente, dhe me një mekanizëm mbikëqyrës, jo sikur ky koncesion i tanishëm i padeklaruar zyrtarisht i vjedhjes së bashku ndërmjet kriminelëve politik vendorë dhe ndërkombëtarë.

Qytetarët dhe politikanët e çdo shteti normal japin jetën për mbrojtjen nga këto që i përmenda (vjedhja e shtetit, poshtërimi, shkombëtarizimi, përdhunimi, masakrimi ekonomik), kurse në Kosovë, pjesa dërrmuese e partive politike dhe shumë qytetarë janë në gjendje t’ua marrin jetën juve nëse nuk i përkrahni këto fëlliqësira të tmerrshme, por vetëm kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe kundër askujt tjetër.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)