18 Janar 2021

Zgjedhjet e parakohshme, kush me kend, kush kundër kujt dhe rezultatet

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe KQZ: Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me vendim të saj e që e konsideroj krejtësisht politik, shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme kurse KQZ organizon mbajtjen dhe rregullin në këto zgjedhje.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, që nga koha e themelimit e deri më sot, ka pasur mungesë të theksuar të integritetit profesional dhe, gjithashtu, mungesë guximi të marrjes së vendimeve, pa iu nënshtruar ndikimit politik.

Hiç këtu ish – kryetarin e kësaj Gjykate, Enver Hasanii cili, mund të ketë patur mungesë kapaciteti të një menaxheri  të mirë mirëpo, në aspektin profesional është autoritet i nivelit ndërkombëtar.

Kriteri për përzgjedhje të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk ka qenë integriteti profesional por ekskluzivisht përkrahja politike  ku ndrikullat politike mafioze, ndërkombëtare dhe vendore kanë vendosur se kush duhet të jetë apo të mos jetë pjesë e Gjykatës Kushtetuese .

Nuk e besoj se ka rast në botë kur zgjidhet dhe dekretohet një gjykatës me të kaluar kriminale, i dënuar si pjesë e grupit të organizuar kriminal  i cili ka vuajtur një pjesë të dënimit për të ikur pastaj dhe i cili është në listën e kërkimit ndërkombëtar sikur që është rasti Llaban në Kosovë .

 Ta integroni një të dënuar për krim të organizuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, dhe, në fund të fundit nuk e dini as për kend punon, e në anën tjetër t’ua pamundësoni drejtën për të garuar në zgjedhjet e ardhshme, përveç se është mjerim juridik është edhe shkalla  më e ulët e prostitucionit moral dhe profesional.

Mund të duket e pakuptimtë por, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ka patur gjykatës që, pasi janë zgjedhur nga politika, në fillim nuk kanë ditur ta shkruajnë asnjë vendim prandaj edhe kanë qenë lehtësisht të manipulueshëm sikur që janë edhe sot.

Ju kujtohet vendimi për Asociacionin e komunave serbe ku Gjykata Kushtetuese e Kosovës del me një vendim biseksual politik dhe moral për faktin se konstaton 23 shkelje të Kushtetutës por, në të njëjtin vendim thotë se mund të vazhdohet me themelimin e Asociacionit kundërkushtetues.

Ju kujtohet rasti kur ndrikulla mafioze e BE –së e që ishte Zeus në Kosovë, Natlia Apostolova bënte presion në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës që sa më shpejt të bëhen ndryshime në mënyrë që të krijohet baza ligjore të formohet Asociacioni sipas kërkesës së Serbisë!

Ky vendim është shkruar nga ndërkombëtarët që kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë sikur që edhe vendimi për rastin e deputetit Arifi të provokimit të zgjedhjeve të parakohshme për shkak të një vote të pavlefshme është bërë nën presion të ndërkombëtarëve.

Ka qenë më reale që t’i mundësohet kryeministrit Hoti  të sigurojë votën e 61 e që ishte kontestuar nga Gjykata Kushtetuese dhe, nëse nuk  do ta siguronte këtë votë, atëherë do të shkohej në zgjedhje.

 Kështu, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është penalizim i pabazë ndërsa askush nga hallkat e zinxhirit, që nga certifikimi e deri te votimi i deputetit Arifi nuk e ka pësuar asnjë pasojë. Tërë këtë mish-mash e ka bërë Gjykata Supreme e Kosovës e cila, me një vendim të pakuptimtë ka krijuar dhe do të krijojë situata të tilla.  

Besoni se çdokush që ka patur informata elementare për mëmyrën e përzgjedhjes së gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e dinë qartë se cila parti apo cili politikan e ka përzgjedhur gjykatësin e caktuar dhe këtë mund të dëshmoj për cilindo anëtarë të kësaj Gjykate.

Prandaj iu ka nënshtruar çdo garniture që ka qenë në pushtet sikur që,  në rast të zgjedhjeve, të rregullta apo të jashtëzakonshme, duke nuhatur se kush do të vjenë në pushtet, me saktësinë e filigranistit, i ka bërë të gjitha veprimet pregatitore t’i pëlqejë pushtetit të ardhshëm duke dëshmuar se do t’iu shërbejë besnikërisht . Këtë po e bënë edhe sot, me përulësinë më lëvyrëse të mundshme.

Në fund të fundit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës po e shfrytëzon një Kushtetutë, që në çdo nen ka dykuptimësi dhe lë mundësi interperetimi, jo sipas kriterit profesional por sipas nevojave politike.

E vetmja gjë pozitive në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për rastin Arifi është që e ka përshpejtuar mbejtjen e zgjedhjeve në kohën kur zgjedhjet ishin të pashmangshme .

Kjo i bjen sikur të dënuarit për vdekje ia shpejtoni fundin duke e qëlluar në ballë e jo në një pjesë tjetër të trupit! Subjektet garuese për zgjedhjet e shpallura nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës janë:

Lëvizja Vetëvendosje: Është favorit  absolut për t’i fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme për të cilat ka insistuar të mbahen që nga çasti  kur u votua mocioni i mosbesimit për qeverinë Kurti 1.

E ka perfeksionuar veprimin opozitar duke e pushtuar krejtësisht hapësirën e veprimit opozitar. Edhe në kohën sa ka qenë në opozitë është sjellur si të ishte në pushtet, sidomos pas rrëzimit të qeverisë Kurti 1.

Ka qenë e pamëshirshme dhe e paskrupullt në diskreditimin dhe eliminimin e të gjithë atyre që, në një mënyrë apo tjetër nuk janë pajtuar me LVV –në.

Kam qenë pjesë e ngjizjes politike të LVV –së dhe LVV –ë, që a pata përkrahur dikur në të gjitha format dhe mënyrat është e kundërta e asaj së dikurshme.

E kanë të sofistikuar njësinë e pushkatimit virtual të cilët kanë mungesë elementare të respektit për ata që në kohët më të vështira e kanë përkrahur LVV –në.

Mendojnë se ata janë krijues dhe finalizues të vetëm të historisë kombëtare dhe shtetërore ndonëse kontributi i tyre, për shkak të moshës është fare modest apo, ka raste kur paraardhësitë e tyre biologjikë kanë punuar kundër interesit kombëtar duke na futur në burg, duke na torturuar dhe duke na vrarë.

Organizimi, në krahasim me subjektet tjera politike është i përkryer ndonëse mendësia e shoqëruar me veprim është puro anarkiste.

E kanë një lider me karizmë të jashtëzakonshme, Albin Kurti  i cili, me shumë sakrifica, mundime, djersë dhe gjak i ka kaluar të gjitha shkallët e pushtetit.

Ka një oratori mbresëlënëse me të cilën lehtësisht mund të manipulojë me masa sikur edhe të gjithë oratorët e shquar në botë.

Rreth vetes e ka ruajtur një mbështjellës të hollë të, dikur aktivistëve idealistë të LVV –së ndërsa pjesa dërmuese janë luftëtarë të rrjeteve sociale, të maskuar me tituj që e mbështjellin analfabetizmin intelektual dhe veprues kurse, për përmbajtje kombëtare që e kanë këta luftëtarë virtualë mund ntë flasim sikur për mbjellje të trëndafilave në akullnajat e Himalajave.

Albin Kurti ka kapacitet të jashtëzakonshëm të ju bind për çdo gjë, nëse i krijoni hapësirë për këtë, edhe nëse e vërteta është 100% e kundërta e asaj që e thotë!

 Përkundër të gjithave, Albin Kurti është dhjetra vite të dritës përpara politikanëve aktualë të Kosovës të cilët, në shumicën e rasteve shkojnë me hapin e breshkës.

LVV –ë para çdo zgjedhjeve, lokale apo të përgjjithshme, krijon përparësi dominuese duke e përdorur aspektin psikologjik, si armë vendosëse për rezultatin përfundimtar.

Nga perceptimi, kalon në bindje të plotë. Sikur që ishte rasti i zgjedhjeve lokale në Podujevë ku deklaruan se i fitojnë zgjedhjet, pa balotazh.

Kështu edhe ndodhi. Tash, idoli im politik në LVV –ë, Xhelal Sfeqla deklaron, sigurisht nën ndikim të Red Bull-it, se, bashkë me Vjosën do të fitojnë 60 % të votave që, për mua ngjanë si zhvillim në fantastikën shkencore ku njohurit e mia janë sikur të Ali Pashë Tepelenës për programin Windou 7.

Xhelal Sfeqla  është luftëtar i sekondave të parë në LVV –ë dhe ekzekutues ndaj të gjithë atyre që nuk mendojnë si ai.

Nuk ka gjë më të keqe dhe shembull më të qartë për dehumanizimin e njeriut se kur mjeku mundohet të bëhet politikan.

Sipas historisë, 90 % e mjekëve që janë bërë politikanë, kanë përfunduar si kriminelë. Shpresoj se Xhelali është në atë 10 % -in. Sipas vlerësimit tim, LVV –ë nuk mund të fitojë më shumë se 35 % të votave . Maksimumi.

Personalisht, po të kisha fuqinë dhe mundësinë, do ta bëja LVV me 81 deputetë që mund të marrin çdo vendim. Dhe, nëse punojnë mirë, do të ishte jonormale të mos përkrahen.

Në të kundërtën nuk do të mund të fshiheshin prapa arsyetimeve se po i pengojnë subjektet tjera politike. Vlerësoj se nëse pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme e që do t’i fitojë LVV, nuk do të bëjë koalicion me LDK, PDK apo edhe AAK, në qershor do të kemi zgjedhje tjera të jashtëzakonshme, Gjithashtu mendoj se LVV, nëse deetyrohet të bëjë koalicion, midis LDK –ës dhe PDK-së, gjithmonë do të përcaktohet për LDK-ë.

PDK –ë: Kryesisht me një politikë të gabuar apo pse ka përcjellur të tjerët që kanë gabuar, pas përfundimit të luftës është duke i kaluar të gjithë rrathët e Ferrit të Dante Aligerit.

Tash është e goditur edhe nga Gjykata Raciste Speciale e cila po e mbanë të paraburgosur edhe vet ekzistencën e PDK-së, kujtimet, mendjen dhe shpirtin e saj.

Çuditërisht, edhe pas këtyre goditjeve, shpejt e mori veten duke e luajtur rolin opozitar, votonte çdo ligj që ishte në interes të shtetit kurse nuk pranonte të bëhej pjesë e qeverisë.

Ky veprim është treguar politikisht racional dhe fitimprurës prandaj, thuaja të gjitha sondazhet po e nxjerrin si parti e dytë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme. PDK –ë gaboi rëndë të Podujevë duke hyrë në garë me lojëtarë të lodhur dhe të stërlodhur.

Për këtë arsye, sigurisht jo më pak se 5% e votuesve, të pakënaqur edhe më heret, votoi për LVV –në duke ia mundësuar fitoren, pa balotazh.

E njëjta gjë do të përsëritet edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme nëse bëhen të njëjtat gabime. Nëse PDK-ë do të garojë e vetme, jam i sigurt se do të ndahet shumë më mirë se nëse hynë në ndonjë koalicion parazgjedhor.

Koalicionet parazgjedhore gjithmonë e kanë dëmtuar PDK –në, tash, nëse ndodhë, do të jetë me pasoja afatgjate. PDK –ë ishte e para  që., përmes kryetarit Veseli ishte deklaruar se i pranon rezultatet e zgjedhjeve dhe se kalon në opozitë.

Dhe shumë mirë e nisi opozitarizmin. Të qëndruarit në opozitë dhe pa pushtet, vetvetiu  do ta pastronin PDK-në nga grabitçarët dhe përfituesit partiakë duke e krijuar një gjeneratë dhe perspektivë ndryshe politike.

Tash, nëse PDK –ë hynë në ndonjë koalicion para zgjedhjeve, tregimet për reforma dhe këndellje të partisë , do të ngjanin në përralla me kopalla. PDK –ë, krahasuar me zgjedhjet e tjera ka një shkarkesë psikologjike sepse nuk garon për vend të parë.

Edhe ashtu besoj se do të behet një garë e ngushtë midis PDK –së dhe LDK-së për vend të dytë. PDK –ë e ka një minus se i mungon karizma e liderit dhe lidershipit ; ata që janë në hije janë zotërues të karizmës dhe marrin vendime, ambalazhimi udhëheqës vetëm i zbaton këto vendime.

Kjo duhet të tejkalohet sa më shpejt që është e mundur! Në asnjë variant nuk e shoh PDK-në nën 20 % të votave, kurse, në rastin më të mirë mund të jetë 23-25 % të votave. Mvaret nga kandidatët që i propozon për deputetë, në radhë të parë .

LDK –ë: Është një parti që ka skelet dhe anëtarësi të fortë politike. Shtrirjen e ka trashiguar nga embrioni nga i cili edhe ishte formuar ; Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Kosovës që ishte e shtrirë dhe kishte metastazuar në tërë territorin i ish Krahinës Autonome të Kosovës. Ka kaluar nëpër rrugë të vështira ndonëse gjithmonë e ka preferuar rrugën e mbuluar me lule . Pas luftës ishte dominuese, sa e kishin gjallë liderin, Ibrahim Rugova.

Ndonëse u nda gjatë Betejës së Kosovës, në Kuvendin e Karrikeve, përsëri mbeti forcë  e respektueshme dhe me ndikim në politikën e  Kosovës. Pas Rugovës nuk kishin lider që nuk do të kundërshtohej por u nda në bolshevikë dhe menshevikë, krahu i Fatmir Sejdiut dhe krahu i Nexhat Dacit. Pastaj, Isa Mustafa e nxori nga loja Fatmir Sejdiun.

Edhe kohëve të fundit LDK –ë u përballë me fraksione brenda partisë dhe, sipas meje, Isa Mustafa i pengoi këto ndarje dhe jashtëzakonisht mirë e menaxhoi situatën. Realisht, shumë miq, madje as familjarë nuk pajtohen me mua se aktualisht politikani më i arsyeshëm, më pragmatik dhe më bashkëpunues në Kosovë është Isa Mustafa.

Për momentin nuk kam asnjë arsye ta ndryshoj këtë bindje ndonëse nuk jam votues,  as i LDK-së e as i Isa Mustafës. Nuk kam votë për asnjë subjekt politik e asnjë lider politik në Kosovë, së paku jo deri më tani.

Në fillimvitet e 90-ta kam votuar për Ibrahim Rugovën dhe Rifat Blakun kurse Votën e kësaj bote dhe botës tjetër e kam për Bacën  Adem Demaçi dhe Komandantin Legjendar Adem Jashari të cilët kanë krijuar dhe jetësuar vepra njerëzore dhe kombëtare.

Pra, i votoj, i çmoj dhe iu nënshtrohem, me përulësinë më të madhe të gjithë atyre që kanë krijuar vepra kurse aspak nuk i respektoj ata që janë trashigimtarë të veprave e që me sjelljet e tyre po i keqpërdorin maksimalisht.

Është e çudistshme se pikërisht ata që e kanë minuar përbrenda LDK-në, edhe tash po ia dëshirojnë falimentimin politik dhe apokalipsen në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Po parashikojnë shembje të madhe të LDK-së duke rënë në 15 deputetë nga 28 që i kishte në zgjedhjet e fundit.

Aspak nuk e besoj se kjo mund të ndodhë dhe është jashtë çdo logjike mendore dhe zgjedhore. LDK-ë e humbi Podujevën dhe kjo po merret, shumë gabimisht, si tregues për zgjedhjet e ardhshme.

Zgjedhjet e ardhshme do të tregojnë nëse humbja e LDK-së në Podujevë ishte vetëm aksident apo se LVV –ë i fitoi me meritë. Së pari, në Podujevë kanë garuar vetëm dy parti, LVV dhe LDK-ë.

PDK ka qenë si patericë jofunksionale që ka ngelur shumë mbrapa tyre . Kur flasim për rezultatin e mundshëm të LDK-së duhet ta kemi parasysh faktin se në të gjitha qytetet dhe komunat ku ka numër të madh të votuesve, LDK ka shumë votues (Prishtinë, Gjilan, Pejë, Prizrem, Mitrovicë dhe Ferizaj).

Dhe në shumë qytete më të vogla është fituese. LDK-ë nuk mund të llogarisë në shumë vota në Gjakovë dhe Drenicë.

Kjo më bind se LDK –ë, në asnjë rast nuk do të bjerë nën 22-24 % të votave përveç nëse nuk ndodhin përmbytje të mëdha që nuk janë parashikuar as nga Nostradamusi apo nga Baba Vanga.

AAK-ë: Edhe AAK-së po i parashohin shkuarje dhe shuarje në recycle bëën, shportë të hedhurinave politike.

Analistët e vetquajtuar po thonë se AAK-ë mund edhe të mos e kalojë pragun zgjedhor. Unë nuk e besoj.

Në rastin më të keq do të sillet kah 8% i votave. AAK –ë udhëheq në 6  komuna, dyfishin më shumë se PDK-ë.

Nëse AAK – i fton 10% të votave, do të bëhet faktor i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm për koalicione pas zgjedhjeve. Disi sikur LSI në Shqipëri.

Është shumë me rëndësi lista e AAK-së për deputetë. AAK-ë i shpëtoi goditjes së parë të Gjykatës Speciale Raciste prandaj mbeti e padëmtuar.

Së paku,  deri pas zgjedhjeve. AAK-ë do të gabonte nëse do të bëjë koalicion parazgjedhorë. Jam i sigurt se AAK –ë do të jetë parti parlamentare edhe në Kuvendin e ardhshëm.

Nisma për Kosovën:  Ka hyrë në një labirint që, nëse shkonë e vetme në zgjedhje, rruga për në Kuvend të Kosovës për te do të jetë e mbyllur.  

Të cilën as mekanizmi më i fuqishëm nuk mund ta hapë. Nismën mund ta shpëtojë koalicioni me ndonjë parti më të fortë por se ajo parti nuk do të fitojë shumë nga ky koalicion eventual.

 Arrestimi i Jakup Krasniqit nga Gjykata Raciste Speciale e ka dëmtuar vet qenien e Nismës. Sidomos në planin reprezantiv, emocional, kombëtar dhe historik. Është në duart e Zotit, votuesit nuk do t’i ndihmojnë shumë.

AKR –ë: E falimentuar politikisht dhe e mbetur ve, në kërkim të një shtrati elektoral. I ka lëshuar brekët për hamëshorët e LVV –së por lehtësisht mund të përfundojëp në shtratin me ndonjë impotent të lodhur të LDK-së. Siaps vendit, bëhet kuvendi!

Aleanca Vetëvendosëse e Vjosa Osmanit: Jam e sigurt se po të garonte e vetmuar Vjosa Osmani, pa ndonjë problem do ta kalonte pragun prej 5 %. Do të konsiderohej e larguar nga LDK –ë dhe e pavarur nga LVV-ë.

Do të mund të shitej si e pavarur. Kështu, nëse hynë me LVV –ë, të gjithë votuesit e kanë të qartë se nuk e votojnë Vjosa Osmanin por Albin Kurtin.

Politikisht ka arritje impozante ; kryetare e Kuvendit, u.d. e Presidentes, e priti arrestimin e kundërshtarëve politikë që tash janë në Hagë, shkarkoi, dekoroi dhe avancoi ata që e penguan dhe ata që e përkrahën, varësisht nga konteksti i  interesit.

Politikisht është përfituese 100% edhe nëse nuk e fiton asnjë votë, Albin Kurti do ta qerasë me çfarëdo posti sipas parimit, zgjidh dhe merr.

Alterantiva për Koso0vën: Për Kosovën është jashtëzakonisht me rëndësi, në çdo aspekt deklarata e Mimoza Kusarit se do ta vazhdojë bashkëpunimin me LVV-ën.

Unë, së paku 10 ditë nuk kam fjetur nga frika se Mimoza do ta lë LVV –në dhe do të dalë e vetme nëzgjedhje. Jam i sigurt se kjo ka qenë brengë dhe shqetësim edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Duhet të pranohet se është një trend apo modë që e favorizon LVV –në.  Madje edhe te unë. E pata një therrje të vogël në zemër dhe shkova te mjeku për ta bërë një EKG.

Pastaj e kërkova EKG-në dhe mjeku më tha të vijë pas 30 minutave me rezultat të lexuar . Erdha dhe e mora raportin e kardiologut ku shkruante: Zemra të rrahë Vetëvendosje . e nënshkruar, Dr. Fatmire Kollçaku – Mulhaxha , nënkryetare e LVV .  Ndodhin këto gjëra!

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Dhjetor 2020 - Ministria e Punëve të Brendshme bën përurimin e aneks-objektit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë. (Objekti i Agjencisë, që gjendet afër ish-fabrikës së amortizatorëve, ora 9:30)

- Mbahet seanca gjyqesore ndaj te pandehures Mimoza Pajaziti. (Gjykata Themelore në Ferizaj, Salla nr.II, ora 9:30)

- Me rastin e fillimit të gjysëmvjetorit të dytë të vitit shkollor kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi, do të vizitojnë shkollën fillore "Lekë Dukagjini" dhe Gjimnazin "Remzi Ademaj", ora 10:00. (Nisja e organizuar nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:40)

- Këshilli Prokurorial i Kosovës mban takimin e 193-të në të cilin pritet të votohet për Kryesuesin dhe Zëvendëskryesuesin e ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Online, ora 10:00)

- Mbahet seanca gjyqesore ndaj te pandehurit Emin Stublla për vrasje në tentativë. (Gjykata Themelore në Ferizaj, Salla nr.II, ora 10:00)

- Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi do të mbajë konferencë për media. (Holli i Ministrisë së Drejtësisë, ora 11:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të ndajë çmimin vjetor “Anton Çetta”. (Ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ora 11:00)

- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, prezenton Programin Zgjedhor 2021-2025. (Biblioteka Kombëtare, ora 15:00)