03 Gusht 2021

Vështrim rreth romanit autobiografik “Lufta e ndyrë e shërbimit sekret” të autorit, Bajram Mehmeti

Shkruar nga MSc. Adem Lushaj

"Lufta e ndyrë e shërbimit sekret" të autorit, Bajram Mehmeti, pasqyron vuajtjet e shqiptarëve në vitet e ’80-ta, duke i akuzuar për “bashkim për veprimtari armiqësore”, “propagandë armiqësore”, “nacionalizëm dhe irredentizëm”, e që sipas KODIT të RSFJ-së, ishin “vepra penale”.

Proceset e montuara politike ishin bërë edhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve shqiptarë, që autori i quan “udbash”, duke i treguar me emër dhe mbiemër, e nga të cilët kërkon së paku një kërkim falje apo rrëfim për kohën sa punonin në shërbim të UDB-së.

Autori i këtij libri, duke qenë viktimë e këtyre proceseve të montuara politike, ka treguar për vuajtjet e familjeve që kishin djemtë me uniformën ushtarake, e që nuk ishin të paktë.

Bajram Mehmeti, qysh në hyrje të rrëfimit të tij ka dhënë betimin se të dhënat e cekura në libër janë të vërteta, janë origjinale dhe pa personifikime të maskuara.

Pra, ky përmes rrëfimit autobiografik, del me personazhe origjinale, duke përmend emër dhe mbiemër, qoftë për të mirë, apo edhe për të keq.

Autori, edhe pse kanë kaluar disa vite, ka përshkruar vuajtjet që kishin kadetët dhe oficerët ushtarak shqiptarë, gjatë shkollimit apo edhe shërbimit të tyre në armatën jugosllave.

Në këtë rast, edhe vuajtjet e të vëllait, Agimit, i cili dikur ishte emëruar zëvendës ministër i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, ku ministër ishte, kol. Ahmet Krasniqi dhe të kolegëve të tij.

Maltretimet nga më të rënda që kishte autori, i kishin edhe kolegët e tij, Gani Lipaj dhe Bilall Hadërgjonaj, këto të kryera nga shërbimet sekrete ushtarake.

Vendimet gjyqësore politike, ishin edhe si rezultat të dëshmive të rrejshme nga “udbashët”, apo nga ata që nuk kishin mundur t’i përballojnë torturat e egra serbo-sllave. Këtu, autori përmend emrat e, Izet Zabelaj, Musë Bajgores, Ibrahim Hoxhës...

Edhe pse kishte qenë rëndë i maltretuar, fizikisht dhe psiqikisht, i dënuar padrejtësisht nga dëshmitë e rrejshme, deri edhe me kërcënime për vrasjen e të vëllait apo të babës së tij, Mehmeti, kërkon nga dëshmitarët e rrejshëm që të mos heshtin për torturat që kishin ata, për të dëshmuar në proceset e montuara të asaj kohe. Këtë kërkesë autori e ka adresuar edhe për të tjerët, që kishin vepruar njëjtë, që kishin bashkëpunuar me dhunuesin serbo-sllavë.

Përmes, “Lufta e ndyrë e shërbimit sekret”, kadeti dhjetar i asaj kohe, ka treguar për moralin e fortë të djemve shqiptar që bartnin uniformën ushtarake, e të cilët në mënyra të ndryshme, ishin vënë në përkrahje të studentëve shqiptarë, në përkrahje të popullit shqiptar. Ushtarakët shqiptarë ishin në përkrahje të demonstratave dhe veprimtarive atdhetare të viteve 80-ta.

Autori, edhe pse ishte i vetëdijshëm që e priste dënimi i rëndë nga Gjykata ushtarake e Beogradit, në asnjë rast nuk ishte dorëzuar para dhunës dhe kërcënimit. Sikurse, nuk ishin nënshtruar edhe shumë djem e vajza shqiptare.

Bajram Mehmeti, edhe në ditët e sotme, admirueshëm e kujton qëndrimin e pa thyeshëm të bashkëvendësit të tij, bashkëkohanikut dhe veprimtarit, Sokol Meta, i cili përkundër dhunës së egër që kishte përjetuar, në procesin gjyqësor si dëshmitari kryesor, kishte dëshmuar guximshëm në favor të Bajramit.

Edhe pse kishin munguar faktet, prapë se prapë, Bajrami ishte dënuar me 3,5 vite burgim, sipas aktakuzës për bashkim të veprimtarisë dhe propagandës armiqësore, sipas neneve 114 dhe 133 të Kodit penal rë RSFJ-së.

Në këtë roman bie në sy, edhe sakrifica familjare. Në njërën anë, babai Rrustemi, edhe pse ishte me pagë mësuesi, nuk ishte ndalë asnjëherë nga udhëtimet e tij, sa në Beograd e sa në Valevë, për ta takuar të birin.

Me kushte të vështira, e udhëtime të gjata, Rrustemi, ishte vënë përkrahë bijve të tij, që iu kishin nënshtruar proceseve dhe gjyqeve të fabrikuara. Pas humbjes së hershme të bashkëshortes, Rrustemi, ishte babë dhe nënë i 8 (tetë) fëmijëve, e që Bajrami kishte vetëm 5 (pesë) vite të lindjes.

Me mallin për nënën, përkushtimin dhe sakrificën e babait, në hyrje të librit, autori ka vendos këtë fjali: "Këtë libër ia kushtoj babait tim, guximit, sakrificës dhe atdhedashurisë së tij të pakufishme, si dhe nënës sime, dashuria e së cilës më mungoi gjatë gjithë jetës".

Bajram Mehmeti, edhe pse kishte përjetuar vuajtje të mëdha, pas lirimit nga burgu, vazhdon aktivitetin atdhetar, gjë që kishte ra në sy të shërbimeve sekrete serbe. Duke qenë i rrezikuar, detyrohet të gjen strehim në Shqipëri, i angazhuar në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Në vitin 1993, Gjykata serbe lëshon fletëarrest për të, e në mungesë e kishte dënuar me 6 (gjashtë) vite burgim. Pas përfundimit të luftës 1998/99, e që ishte pjesë aktive e saj, ishte larguar për në Zvicër, duke përfunduar stdudimet e larta në Ekonomi.

Si përfundim, vlerësimin më të mirë të këtij romani autobigrafik, do ta japin kritikët letrarë dhe lexuesit, sikurse që do e japin, edhe ata që kishin fatin e njëjtë me të Bajram Mehmetit!



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Gusht 2021

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit  të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze në lidhje me Programin Kornizë për bashkëpunim financiar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton nismën legjislative “Projektligji për kriptovaluta”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia inaguruese e Qendrës së parë për Arsim në Distanë. (Rr. "Rexhep Mala" nr. 49, Prishtinë, përballë ICK -së, ora 18:30)