26 Shkurt 2021

Tradhtia s'ka brirë

Shkruar nga Lëvizja Vetëvendosje

Qeveria Hoti, në të cilën nuk bën pjesë asnjë udhëheqës politik, por e sponsorizuar në prapaskenë prej Aleksandar Vuçiqit e Hashim Thaçit dhe e mbështetur qyqarisht prej Isa Mustafës, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt, shfuqizoi sot reciprocitetin.

Tash e tutje Kosova e sunduar nga klika e mësipërme dhe nga qeveria kukull, ka hequr dorë prej emrit të saj “Republika e Kosovës”, dhe ka pranuar si të vlefshme dokumentacionet ku e quajnë “Kosovo i Metohija”.

Ky skandal vetëdhunues u përshëndet menjëherë nga Vuçiqi. Veseli e të tjerët iu nënshtruan Hotit, shërbëtorit të radhës të çiftit Vuçiq-Thaçi.

Arsyeja pse u përshëndet: sepse siç kishte deklaruar vetë Vuçiqi, reciprociteti po i kushtonte Serbisë miliona euro në ditë, para të cilat mbeteshin në Kosovë dhe ndihmonin biznesin tonë vendor.

Edhe pse Vuçiqi në bisedë me kancelaren Merkel ishte deklaruar i gatshëm ta vazhdonte dialogun edhe me reciprocitet, gjë e cila do të duhej të kapitalizohej menjëherë nga çdo politikan shqiptar, pushtetarët e vjetër e hoqën reciprocitetin.

Edhe pse kamionat e ardhur nga Serbia nisën të respektonin rregullat e reciprocitetit dhe të përdornin dokumenta me emërtimin zyrtar “Republika e Kosovës”, humbësit e zgjedhjeve e hoqën reciprocitetin.

Kosova për ta është si një pasuri e gjetur, të cilën mund ta shpenzojnë e ta bëjnë rrush e kumbulla, për qejfet e tyre të pangopshme, apo për të paguar avokatët që i mbrojnë prej të shkuarës së errët.

Ata nuk e shohin Kosovën as si toka e trashëguar gjysh-stërgjyshi, vaditur me gjakun, djersën e lotët e paraardhësve tanë, e as si hapësirën jetike ku do t’u mundësohet frymëmarrja fëmijëve, nipave e stërnipave tanë.

Klika e udhëheqësve të LDK, PDK, AAK, Nisma-s dhe tarafeve të tyre, nuk njohin detyrë historike. Ata i ofrojnë si të ardhme njerëzve mërgimin, e si të tashme shkatërrimin e sovranitetit, dinjitetit, reciprocitetit, drejtësisë dhe zhvillimit.

Por pakënaqësia e mospajtimi qytetar me këto vendime e me këtë qeveri, janë më të larta se kurrë.

Thaçi mund të planifikojë që me një qeveri marionetash të bëhet president i fortë si Vuçiqi, por autokrati ynë, ndryshe nga autokrati serb, nuk gëzon asnjë grimë legjitimiteti demokratik.

Thaçi dhe partitë e tij nuk i fitojnë zgjedhjet, populli u ka dalë kundër. Asnjë marrëveshje e asnjë vendim nuk do të mund të vihet në zbatim në këtë krizë legjitimiteti demokratik e politik, sepse shumica dërrmuese mbështet Vetëvendosjen, për reciprocitet e kundër copëtimit të vendit.

Ata e hoqën reciprocitetin për të lidhur marrëveshjen e ligë, por kudo në botë, atyre që mendojnë se mund të merren vesh e të sundojnë pa popull, u del shpejt afati.

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Shkurt 2021

- Mbahet mbledhja e dytë e rregullt e Kuvendit Komunal të Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 10:00)

- Këshilli Organizues ''Pranvera Shqiptare 81'' do të bëj nderime dhe do të vendos lule te varri i varri i Adem Demaçit. (Velani, ora 11:00)

- Organizata Etea, përmbyllë fazën e parë të projektit “Biblioteka Qarkulluese me strategjitë e lexim kuptimit”. (Kino Armata, ora 11:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë kulturore. (Parku arkeologjik "Ulpiana", ora 12:00)

- Këshilli Organizues ''Pranvera Shqiptare 81'' organizon tryezëm përkujtimore për Adem Demaçin në 85 vjetorin e lindjes. (Instituti Albanologjik në Prishtinë, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike mban konferencën për media me rastin e dorëzimit të Padisë për Konflikt Administrativ kundër Lejes Ujore për Hidrocentralin Brezovica në Shtërpcë të Lëshuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. (Para Pallatit të Drejtësisë, Ndërtesa A, ora 14:00)

- Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi mban konferencë lidhur me progresin në procesin e rinumërimit dhe të aktiviteteve tjera që po zhvillohen në këtë qendër. (Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ora 15:00)