29 Mars 2024

Të shkarkohet kuislingu Hashim Thaçi

Shkruar nga Gani Qarri

Siç dihet tanimë botërisht, Republika e Kosovës në kufijtë aktual, është njohur dhe pranuar si shtet i pavarur nga 116 vende të botës. Këta janë kufijtë e ligjëshëm shtetëror në bazë të të cilëve edhe nga Gjykata ndërkombëtare, qysh më 2010 është vërtetuar legjitimiteti i pavarësisë së Kosovës.

Mbi themelet e po këtyre kufijve, të pranuar ndërkombëtarisht, janë përcaktuar përkufizimet territoriale edhe me Serbinë, si dhe vendosë të gjitha pikë-kalimet kufitare dhe doganore të dy shteteve,që nga Albaniku e deri tek Dheu i Bardhë dhe kufiri me IRJM, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E njohur shtet i pavarur me kufijt aktual, Kosova ka fituar të drejtën të bëjë edhe demarkimin me vendet fqinje.

Çdo lëvizje apo ndryshim i këtyre kufijve vë në pikëpyetje të gjitha marrëveshjet e vlefshme internacionale për Kosovën dhe njohjet ndërkombëtare të saj.

Madje edhe vet Kushtetuta e vendit, ndalon çfarëdo lëvizje kufijsh, ndarje, bashkim apo shkëmbim territori të Republikës së Kosovës me ndonjë shtet tjetër cilido qoftë ai.

Kështu që, çfarëdo tendence e Hashim Thaçit për shkeljen e të gjitha akteve të lartcekura, të vulosura edhe me siglën ndërkombëtare, nuk është asgjë më pak se tradhti e lartë kombëtare e shtetërore dhe aventurë për shkatërrimin përfundimtar të shtetit të Kosovës.

Ideja e tij pa asnjë plan, projekt konkret apo formësim të bërë publik nga Hashim Thaçi, për të ashtuquajturin korrigjim kufijsh, nuk nënkupton asgjë tjetër, përveç se copëzimin e më tejmë të vendit dhe zhbërjen e tërësishme të shtetit të Kosovës.

 Aventura e radhës e Hashim Thaçit, është jashtëzakonisht e rrezikshme për vendin,  shqiptarët dhe të ardhmen e Kosovës si shtet.

Ndaj populli i Kosovës duhet të zgjohet nga gjumi dhe ti jap përgjigjen e duhur këtij kuislingu i cili për mbrojtjen e vetes, bënë gjithçka që ta rrezikojë tërë qenien e popullit shqiptarë në këto troje e më gjerë si dhe të vejë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe problemin një herë e mirë të zgjidhur të saj,si pavarësinë dhe integritetin territorial.

I vetmi lajm i mirë, në këto momente, është paralajmërimi i opozitës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme më 4 shtator dhe nxjerrjen e një rezolute të veçantë në Kuvend, e cila do të rikonfirmojë se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka të drejtë as mandat për ndarjen e tij, shkëmbim as ndryshim të kufijve aktual të shtetit të Kosovës.

Rezolutë që përfundimisht do të vulosë ndalimin e dallavereve të mëtejme të Hashim Thaçit, qartësimin e kompetencave dhe formalizimin e vijave të kuqe, në bisedime me Serbinë,ani pse vetëm tri ditë para se presidenti Thaçi të takohet sërish me bashkë-ortakun e tij për ndarjen e Kosovës, presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, në Bruksel.

Më mirë vonë se hiq, kjo edhe për faktin se, pas premtimeve të Thaçit për dhënien e 1/3-s, së vendit-Serbisë, Vuçiq ka nisë një fushatë të gjerë të takimeve dypalëshe me liderët evropian me qëllim të sensibilizimit të tyre për ndarjen e Kosovës.

E përderisa në mbështetje të çmendurive të Hashim Thaçit kanë ngelë vetëm PDK si partia e vetme shqiptare në Kosovë, si dhe Lista Serbe e cila që nga fillimi tenton ndarjen e Kosovës, ndërsa edhe vet kryeministri i vendit Haradinaj i cili është në koalicion me partinë e Thaçit, në konferencën për media, premtoi se rezolutën për mos ndryshimin e kufijve të Kosovës do ta votoj edhe ai në çdo kohë, opozita këtë çështje nuk guxon ta lë, më në gjysmë të rrugës, por punën e nisur duhet ta qojë deri në fund dhe inicioi menjëherë procedurën për shkarkimin e kuislingut Thaçi, nga posti i presidentit.

Me konstelacionin e ri ndërpartiak,partitë politike pozitë e opozitë dhe deputetët shqiptar, mund të arrijnë lehtë numrin e mbi 80 votave të nevojshme, për shkarkimin e menjëhershëm të Hashim Thaçit, sepse vetëm me shkarkimin, shfuqizimin dhe zhveshjen e tërësishme nga çdo post politik të tij,mund të garantohen kufijtë e njohur ndërkombëtar të vendit, tërësia territoriale e tij dhe shpëtojë edhe vet shteti i Kosovës nga ndarja, që tash e sa kohë po i rri si hije e zezë mbi kokë dhe çdo ditë e më tepër, me Thaçin president, rrezikon të bëhet realitet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)