04 Dhjetor 2020

Të mbrohen vlerat e luftës të UÇK-së

Shkruar nga Nuhi Bytyçi

Të gjithë kemi besuar në drejtësinë ndërkombëtare dhe askush nuk ka menduar se ajo do të merret vetëm me qitjen në bankën e të akuzuarve vetëm të pjesëtarëve të një etnie, të cilët kanë luftuar për liri dhe kanë qenë viktima.  

Tashmë jemi dëshmitarë se akuza kryesore e Rezolutës për formimin e Gjykatës speciale të iniciuar nga senatori Dick Marty dhe miratuar nga Këshilli i Evropës për ndriçimin e “trafikimit të organeve nga UÇK-ja”, nuk përmendet askund në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Hagës ndaj krerëve të UÇK-së.   

Ngritja e aktakuzës ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara të Kosovës, sipas mendimit tim janë bazuar në disa akuza të fabrikuara nga ish-regjimi dhe regjimi aktual i Serbisë dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Sipas tyre pretendohet se nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me akuzën se  të akuzuarit paskan bërë “ndërmarrje të përbashkët kriminale, kryer krimet e luftës, të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes së civilëve serbë, romë, ashkalinj, katolikë, anëtarë të LDK-së dhe të partive tjera”.

Padyshim, kjo është një ndër akuzat më të rënda ndaj tërë një ushtrie, e cila zhvilloi luftë të drejtë dhe të shenjtë për liri dhe pavarësi të popullit të Kosovës.

Akuza e tillë është fyerja dhe njollosja më e pashembullt që u bëhen të gjithë çlirimtarëve dhe popullit të Kosovës, që e mbështeti luftën e UÇK-së, por edhe të faktorëve relevantë ndërkombëtarë, miqve tanë ndërkombëtarë, që ndihmuan në çlirimin e Kosovës nga regjimi militarist e gjenocidal i Serbisë në krye me Sllobodan Millosheviqin dhe largimin përfundimtar të administratës serbe nga Kosova.

Përpjekjet për balancimin, barazimin e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krimeve që ka bërë regjimi okupues serb, amnestimi dhe përkdhelja e Serbisë,  janë në kundërshtim me të gjitha normat pozitive të drejtësisë ndërkombëtare dhe kontribuojnë në destabilizimin e shtetit të Kosovës dhe të rajonit.

Ndërtimi i aktakuzës nga dosjet e Prokurorisë së Serbisë dhe të disa shërbëtorëve të saj në Kosovë, është nxitur nga disa qarqe antishqiptare dhe antiamerikane, që u vunë në agjendën e shërbimeve serbe dhe ruse në Ballkan.

Kjo padyshim është pjesë e skenarëve të regjimit aktual serb, që është vazhdimësi e ish-regjimit kriminal të Millosheviqit kundër shtetit të ri të Kosovës.

Synimi për margjinalizimin dhe para së gjithash për kriminalizimin e luftës së shenjtë të popullit të Kosovës udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, largimin nga skena politike dhe publike e Kosovës krerëve të UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës, janë pjesë e skenarëve të kahmotshëm të disa qarqeve anti UÇK dhe anti Kosovë.

Po të ishte gjallë edhe Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, me siguri se edhe emri i tij do të ishte në mesin e të akuzuarve.

Dihet se burimi i akuzave është pikërisht në Beograd, i cili nuk i ka dënuar kryesit kryesorë të krimeve mbi shqiptarët në Kosovë, ende nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra ndaj civilëve shqiptarë dhe vazhdon ti mohojë ato dhe po i fsheh  gjurmët e krimeve të luftës.

Gabimet në shtetbërje, e sidomos përçarja e faktorit politik shqiptar dhe defaktorizimi i tij në Ballkan, pikërisht në momentin kur është dashur që ai të unifikohet dhe të veprojë me një strategji të përbashkët dhe largpamëse për të rrumbullakuar procesin e ndërtimin të shtetit demokratik të Kosovës dhe të njohjes ndërkombëtare të tij, ka ndikuar që pikërisht tani edhe Prokuroria speciale të ngrisë aktakuzat ndaj krerëve të UÇK-së, gjë që ka gëzuar kundërshtarët e shtetit të pavarur të Kosovës.

Prandaj, bartësit aktualë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe liderët e të gjitha forcave politike shqiptare të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, duhet të unifikohen dhe ta hartojnë strategjinë e bashkëveprimit si komb me qëllim të kundërshtimit të tendencave për destabilizimin e Kosovës, që të mbrojnë sakrificën sublime të popullit të Kosovës, të mbrojnë vlerat e lirisë dhe të shtetit të ri të Kosovës.  

Kosova e ka paguar shtrenjtë çmimin e lirisë. Tani është koha që projekti i lirisë dhe shtetit ti hiqet mjegulla, që pengon ecjen përpara. Vlerat e luftës së shenjtë të UÇK-së nuk duhet lejuar që të njollosen nga askush.

Ashtu si kanë sakrifikuar, madje edhe duke qenë të gatshëm që edhe të flijohen për lirinë e saj, jam i bindur se krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do ta fitojnë edhe betejën përfundimtare para drejtësisë ndërkombëtare.

Bota e di se shqiptarët nuk ishin kriminelë, por viktima. Prandaj, viktimat nuk duhet të ndëshkohen sërish, as të nëpërkëmben, sepse e ardhmja duhet të ndërtohet mbi themele të shëndosha, humane dhe të qëndrueshme. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Dhjetor 2020 - Mbahet seanca fillestare për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamenti Special - krimet e rënda me c'rast avokati mbrojtës do te jep deklaratë për mediet pas seancës. (Gjykata Themelore në Prishtinë, ora 9:30)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti do të mbaj një takim virtual me presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Alexis Mourre dhe Drejtoreshën e Komisionit të Arbitrazhit për Evropë, Laetitia de Montalivet. (Takim virtual, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Emilja Redzepi, do të bëjnë nënshkrimin e kontratave me përfituesit e thirrjes për përkrahjen e OJQ-ve dhe individëve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:00)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime organizon aktivitetin “Tuneli i Fundit” në përkujtim të grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në pesë vitet e fundit në Kosovë, dita e dytë. (Përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton shkresën e Artan Qerkinit përfaqësues i Malcolm Simmons, ish kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, “Përgjigje në ftesën për të dëshmuar para Komisionit për Legjislacion” si dhe njoftohet me shkresën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Tomas Szunyong, për emërimin e Karin Hernmark Ahliny, Ambasador i Suedisë, anëtar i Bordit  Mbikëqyrës  të Agjencisë Kosovare për Verifikim dhe Krahasim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:15)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës Arban Abrashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit te Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Organizata Etea dhe Aleanca Franceze në Prishtinë me mbështetjen e Ambasadës Franceze do të mbajnë takimin e parë të huazimit të librave. (Tek objekti i Aleancës Franceze, ora 11:00)

- Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) mban konferencë për medie lidhur me një hetim ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e energjisë elektrike. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, ora 11:15)

- Kryetari i Delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë Veljko Odalovic do të mbajnë konferencë për media lidhur me varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. (Lokacioni i varrezës masive në Kizhevak  të Serbisë, ora 12:00)

- Shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarit N. M., i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, për veprën penale “vrasje e rëndë” pasi qe në  fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i pandehuri dyshohet që pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë - shufër metalike, godet bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtoren e Insitutit Hidrometeorologjik të Kosovës Letafete Latifi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë plotëson listën e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mban konferencë për media me rastin e dorëzimit të padisë për konflikt administrativ kundër vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji”. (Para Pallatit të Drejtësisë, ndërtesa A, ora 14:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla pret në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj ku pjesë e takimit do të jenë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. (Objekti i MPJD-së, ora 14:00)