29 Mars 2024

Tahir Zajmi, një jetë në luftë dhe vuajtje për atdhe

Shkruar nga Gani Qarri

Tahir Zajmi ishte dhe mbeti njëri nga heronjtë më eminent nismëtar të arsimimit në vendlindje e atdhe dhe emrat më të shquar të profetizimit të shkollës shqipe e profilimit kombëtar në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare nën Jugosllavi, pa misionin hyjnor të Ministrisë së atëhershme të Arsimit të Shqipërisë etnike dhe atij me bashkëpunëtorë, shqiptarët njëjtë si nën SKS, (mbretërinë serbo-kroato-sllovene), ashtu edhe nën Jugosllavinë komuniste të pas Luftës së Dytë Botërore, nuk do të kishin shkolla as arsimim në gjuhën amtare, e ndoshta sot, për pasojë, të shkruanin jo se jo, por edhe për të folur, pak prej tyre, për të mos thëne fare, do të flisnin vetëm- do si do, shqip.
 
Do ta flisnin gjuhën amtare si shqiptarët e Peshterit aktualisht, apo nën ndikimin e imamëve antikombëtar me frymëzime serbo-turke, do të boshnjakëzoheshin të gjithë, njëjtë si shqiptarët në Sanxhak e më gjerë, dhe tani do vajtohej vetëm asimilimi ynë!

Tahir Zajmi ishte udhërrëfyes dhe njëri prej 200 misionarëve të shenjtëruar, që atëbotë shteti amë-Shqipëria, menjëherë pas rënies së regjimit okupues serbo-sllav të SKS, me entuziazëm të pa përshkruar dërgoi në Kosovë dhe viset tjera etnike nën ish pushtimin serb, 200 diej- e yje ndriçues, mësues dhe profesor atdhetar, ardhur enkas, si engjëj të zbritur nga qielli, për hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe dhe ngritjen e plejadës fillestare të gjeneratave të shkolluara në gjuhën amtare edhe në tokat e lirume.
 
Ky fenomen madhor kombëtar, ende i pa trajtuar në mënyrë meritore, erdhi si dekoratë e plotfuqishme dhe bë argument i patejkalueshëm i cili detyroi Serbinë dhe Jugosllavinë komuniste, që edhe pas Luftës së Dytë Botërore, të mos mund ti ndalonin më shkollat në gjuhën shqipe në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare nën pushtim, të cilat me inicimin e ministrisë së atëhershme të arsimit të Shqipërisë etnike, të drejtuar nga Ernest Kolaj (Koliqi) ishin vënë paraprakisht në funksion, kishin punuar me sukses për 4 vite me radhë edhe nën regjimin gjermano-italian, dhe gjatë gjithë kohës sa zgjati periudha e Luftës së Dytë Botërore, ato nuk pushuan së punuari dhe përgatitën e nxorën jo vetëm gjenerata të tëra nxënësish të diplomuar, por edhe kuadro të aftë për vazhdimin e mëtejmë të shkollimit në gjuhën shqipe.
 
Figura më vezulluese e gjithë këtij akti hyjnor dhe suksesi të mahnitshëm mbarëkombëtar, pa dyshim ishte dhe mbeti Tahir Zajmi, i cili vinte nga një familje e ngritur kombëtarisht e arsimuar dhe me tradita patriotike, që nderoi atdheun dhe kombin nëpër kohë me bijtë e saj të lavdishëm.
 
Tradita e atdhetarisë së pinjollëve të kësaj familje, jo vetëm se vijoi pandalshëm dhe me besnikëri të pafund, por shkëlqeu edhe më fuqishëm, në të katër cepat e Arbërisë, kur në momentet më të shënuara historike të zhvillimeve politike në Kosovë, nipi i Tahirit dhe personaliteti më i shquar akademik i kohës në vendin tonë, prof. dr. Gazmend Zajmi, në koordinim me presidentin historik të Kosovës dr.Ibrahim Rugova, i mori vullnetarisht mbi vete dhe përgatiti personalisht të gjitha aktet e nevojshme juridike, për secilën fazë të ndryshimeve që ishin planifikuar të ndodhnin në Kosovë, kontributi dhe bëmat e të cilit, sot e përgjithmonë, na bëjnë që para emrit dhe veprës së Akademikut tonë vizionar, të përkulemi me respekt dhe pietetin më të lartë të mundshëm njerëzor e kombëtar.

Në kohën më kritike të vëlimeve më të vrullshme politike në Kosovë dhe ish jugosllavi, si fillim vitet e 90-ta, kur edhe populli shqiptar po unifikohej si një, për liri dhe çlirim kombëtar, kryetari i Akademisë së shkencave dhe Arteve të Kosovës prof. dr. Gazmend Zajmi, hartoi “Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut”, aktin më të lart juridiko-politik të Kuvendit të Kosovës, të cilin para dyerve të mbyllura të këtij Kuvendi dhe policisë okupuese të Serbisë së Millosheviqit, më 2 korrik të vitit 1990, e lexuan deputetët heronj Muharrem Shabani dhe Bujar Gjurgjeala.
 
Vetëm dy muaj më vonë, nipi i famshëm i Tahir Zajmit, Akademik Gazmend Zajmi, do ta sfidonte edhe një herë regjimin e huaj pushtues dhe tërë sistemin shtypës të okupatorit serb, duke kryer sërish me përgjegjësinë më të lart patriotike e kombëtare, detyrën e shenjtë ndaj atdheut dhe përgatitur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila më 7 shtator të vitit 1990,do të miratohej me aklamacion nga deputetët e Kuvendit të Kosovës në qytetin e Kaçanikut.


Po ashtu, siç është e njohur tashmë edhe historikisht, ishte pikërisht prof.dr.Gazmend Zajmi, ai i cili sërish para hundëve të pushtuesit dhe nga posti zyrtar i kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, përgatiti të gjitha aktet e nevojshme juridiko-politike të referendumit popullor, që do të mbahej më 26 shtator të vitit 1991, me ç`rast qytetarët në gjithë vendin, u deklaruan me shumicën absolute për Pavarësinë e Kosovës.

Por, le ti kthehemi edhe një herë kronikës së jetës dhe veprës së heroit Tahir Zajmi. Tahiri u lind më 1897 në Gjakovë dhe ishte djali i madh i Shaban Zajmit, edhe ky një burrë atdhetar dhe baba e prind i denjë i luftëtarit të shquar, si Tahiri, nga një familje e mirënjohur dhe qytet me tradita kombëtare.
 
Shkollimin fillor ai e mbaroi në vendlindje ndërsa atë të mesëm në Shkup. I rritur në oda burrash ku në vijimësi takoheshin personalitete të shquara dhe emrat më të njohur të kohës, si Bajram Curri me shokë, nga të cilët gjithmonë flitej e debatohej deri në orët e vona të natës e shpesh herë edhe deri tek orët e para të mëngjesit, për tema të mëdha kombëtare, fatet e atdheut dhe çlirimin e vendit nga pushtuesi edhe për Tahir Zajmin, nga aty, liria e shqiptarëve dhe pavarësia e Shqipërisë etnike, u shndërruan në ideal të jetës së tij personale.
 
Ndjenjat patriotike e shtynë Tahirin që qysh i ri tu bashkohej çetave luftarake të Bajram Curri, fitoi me vepër besimin e heroit dhe në mesin e dhjetëra të rinjve tjerë, që në moshën 17 vjeçare, u emërua sekretar i përhershëm i Plakut të Maleve të cilin Tahir Zajmi, do ta respektonte gjatë gjithë jetës dhe nderonte pafundësisht deri në vdekjen e dhembshme të Bacës.
 
Falë zgjuarsisë së veçantë, përkushtimit kombëtar dhe interesimit të flakët për atdhe dhe çështjen shqiptare, edhe pse i ri në moshë, nga ajo kohë, me pëlqimin e Bacë Bajramit, Tahir Zajmi u bë edhe ushtar i tij, i cili me pushkë në dorë si luftëtar i denjë i çetës, mori pjesë në të gjitha betejat dhe përpjekjet patriotike në ballë të të cilave qëndronte Plaku i Maleve.
 
Veprimtaria kombëtare e Tahir Zajmit, ra shpejtë në sy të pushtuesit dhe mercenarëve shqipfolës, ndaj duke qenë i përndjekur politikisht nga okupatori serb, si shumë shqiptar tjerë atdhetar nga Kosova edhe ai që i ri, u detyrua ta linte vendlindjen dhe strehohej në Shqipëri.
 
Kështu që sapo kishte arritur të 21-at, e jetës, në kulmin e dimrit të vitit 1918,u detyrua ta linte Gjakovën e tij të dashur dhe të strehohej në Has,Krum e Kukës, ndërsa pas formimin të “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës” më 1 maj të vitit 1918, do të kalonte përkohësisht në Shkodër, ku u bë anëtarë dhe bashkëveprimtar i denjë i këtij Komiteti.
 
Për fat të keq me gjithë aftësitë e tij të veçanta për mësime dhe zellin për të nxënë sa më shumë dije, përndjekja nga pushtuesi, lufta dhe gjendja nën okupimin serb, ia pamundësuan Tahirit të ri, që ta qonte deri në fund shkollimin e dëshiruar dhe arrinte piedestalet arsimore siç kishte ëndërruar ai që fëmijë.
 
Vetëm fal vullnetit të tij të çelnikët dhe prirjes për arsimim me çdo kusht, bënë që përveç perfeksionimit të shkrim leximit dhe njohurive pothuajse të gjithanshme, ai të shndërrohej në një autodidakt të pasionuar dhe mësonte shumë gjuhë të huaja, duke filluar që nga frëngjishtja e italishtja deri te ajo arabe, serbe dhe turke.
 
Shkathtësitë në të shkruar e komunikim parimor dhe njohja e disa gjuhëve të huaja, bënë që Tahir Zajmi, jo vetëm të mbetej sekretar i përhershëm i Bajram Currit,por përmes dorës së tij, me porosinë e Bacës të shkruheshin dhe niseshin drejt shumë kancelarive botërore qindra telegrame, për t`ua bërë të ditur edhe Fuqive të Mëdha dhe vendeve të huaja qëllimet e kryengritjeve shqiptare, njohjen me shkaqet e luftës dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare, kudo që mundej e arrihej, edhe përmes kanaleve diplomatike nga Evropa deri në Amerikë.
 
Tahir Zajmi mori pjesë si në aksionet luftarake që zhvillonte Plaku i Maleve kundër forcave të Esad pashës në Shqipërinë e mesme, ashtu edhe në luftimet e rrepta që udhëhoqi Bajram Curri kundër ushtrisë jugosllave në Koplik, e cila pas grumbullimit të përkohshëm matanë lumit Buna, nga fundi i muajit korrik të vitit 1920, papritur vërshoi brenda kufijve të Shqipërisë, pushtoi Kastratin dhe u nis në drejtim të Shkodrës.
 
Ishte koha kur Kosova ende kishte trima të tillë të cilët as në moshë të shtyrë si Bacë Bajrami nuk e lëshonin pushkën nga dora dhe gjithnjë ishin të gatshëm të vdisnin për atdhe, ndaj në mënyrë që këmba e ushtrisë pushtuese serbe, të mos arrinte të shkelte në Shkodër, i dolën përpara dhe i zunë pritën në Koplik forcat e Bajram Currit, të cilit iu bashkuan edhe ato të Zogut, duke thyer keq trupat pushtuese serbo-malazeze dhe përzënë me turp jashtë kufijve të shtetit shqiptar, hordhitë agresore jugosllave.
 
Bashkë me Bajram Currin dhe Elez Isufin e Dibrës, Tahir Zajmi do të luftonte edhe për çlirimin e verilindjes së Shqipërisë, duke filluar nga malësitë e Kelmendit, Malësinë e Gjakovës, krahinën e Hasit, Kukësit dhe të Dibrës, të cilat megjithëse ishin toka shqiptare dhe ndodheshin brenda kufijve të Shqipërisë londineze, ato edhe pas vitit 1920, ende mbaheshin të pushtuara me dhunë nga okupatorët serbo-sllav.
 
Me insistimin e Bajram Currit dhe Tahir Zajmit më 1920,nga Qeveria e Lushnjes Kruma e Hasit, do të shpallej qendër e prefekturës së Kosovës dhe Tahir Zajmi perfekt i saj, i cili para gati një shekulli për shkollimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptar të Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare,përveç dhjetra shkollave fillore në Has,Lumë e rajon,ai hapi edhe “Internatin e Krumës", nga dyert e të cilit dolën shumë emra të njohur, në mesin e të cilëve edhe Emin Duraku e dr.Esat Stavileci nga Gjakova.
 
Tahir Zajmin,si njëri nga kuadrot më të shkolluara të kohës dhe personalitet i dalluar për dije e zgjuarsi, pas formimit të Qeveris së Fan Nolit, Luigj Gurakuqi do ta angazhonte në ministrinë e financave shtetërore të Shqipërisë.
 
Ndërsa pas rrëzimit të Qeveris së Nolit,si sekretar dhe bashkëluftëtar i Bajram Currit, ai ndiqej të arrestohej në te dy anët e kufirit, në Shqipërinë e Ahmet Zogut nga Cana beg Kryeziu si dhe në Kosovën e pushtuar nga Serbia dhe mbretëria serbo-kroato-sllovene siç quhej shteti i sllavëve të jugut asokohe.
 
Por edhe pas rënies së Nolit,ai nuk iu nda Bajram Currit asnjëherë, duke hapëruar bashkë me të kudo, deri në bjeshkët e larta të Tropojës, në luftë me mercenarët e Ahmet Zogut dhe acarin e dimrit të egër të vitit 1925 në majën e hekurave dhe Shpellën e Dragobisë me lartësi 2561 metra, mbi luginën e Valbonës.
 
Madje edhe kur me porosinë e Plakut të Maleve, grupi i cili e shoqëronte heroin, u mor vendim të reduktohej në vetëm 10 veta, ndër besnikët e njëmendtë që u dëshmuan se kishin vendosur të vdisnin me Bacë Bajramin, ishte edhe Tahir Zajmi.
 
Për aq më tepër, siç e përshkruan në kujtimet e veta, Tahiri edhe për së vdekuri, trupin e Bajram Currit, nuk do ta linte në duart e tradhtarit Kadri Mehmeti, por do ta përcillte në Qarr të Hasit, ku me plakun e Maleve kishin kaluar shumë kohë bashkë, dhe sipas tij, heroi aty edhe do të varrosej fillimisht.
 
Me akuzat për bashkëpunim dhe vënie në shërbim të Bajram Currit, nga regjimi i Zogut dhe ministri i brendshëm Cana beg Kryeziu, edhe Tahir Zajmin, njëjtë si Hoxhë Zogu dhe Gjelosh Rama, do të dënohej me varje në litar, ndaj nga viti 1925 deri më 1929, për 4 vite me radhë, Tahiri ishte detyruar të jetonte në arrati, duke u strehuar nëpër miq e farefis, në Shqipëri i përndjekur nga Cana beg Kryeziu ndërsa në Kosovë nga Gani beg Kryeziu (i vëllai i Cana begut) i cili ishte edhe oficer i lartë në ushtrinë e Serbisë dhe adjutant personal i krajlit Aleksandër Karagjorgjeviq.

Bajram Curri ishte dhe mbeti përjetësisht një udhëheqës e luftëtar i shquar dhe shembulli më i lartë i patriotizmit për të gjithë djelmëninë shqiptare, do të thoshte shpesh Tahir Zajmi, të cilit edhe pas vdekjes i kujtohej, se si në mes të betejave për jetë a vdekje, heroi Bajram Curri, trim që nuk i trembej plumbit as vdekjes, i jepte zemër edhe atij duke e këshilluar me butësi; mbahu Tahir e mos u dorëzo se ne jemi burra dhe luftëtar më të fortë se të gjithë armiqtë që na sulen.

Sikur Shqipëria etnike, të kishte vetëm dhjetë personalitete si Bacë Bajrami, do ti kishte punët shumë më mirë, shtonte me krenari Tahiri,kudo që flitej për jetën dhe veprën shembullore të Plakut të Maleve.

Në anën tjetër, njeriu më i pabesë dhe tradhtari më i pështirë nga tokat e Kosovës,jo vetëm për Tahirin por për të gjithë shqiptarët,pa dyshim ishte Cena beg Kryeziu,i cili sapo kishte përfunduar vrasjet e patriotëve më të mëdhenj të kombit, njoftonte me gëzim Aleksander Karagjorgjeviqin dhe Nikolla Pashiqin, se kishte realizuar me sukses premtimin e dhënë serbëve duke likuiduar brenda pak vitesh Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Zija Dibrën e të tjerë, gjelati që kërkonte edhe kokën e Tahir Zajmit.
 
Madje,për "meritat" në likuidimin e patriotëve më të mëdhenj të kombit, e veçanërisht pas vrasjes së Bajram Currit, Zogu gradon dhëndërinë e vet Cena beg Kryeziun me gradën e kolonelit dhe pa kaluar shumë kohë, me kërkesën e qeverisë jugosllave, ai e emëron Cana begun edhe ministër të brendshëm të Shqipërisë.
 
Por përkundër të gjitha përpjekjeve zogiste, Tahir Zajmi arrin ti shpëtoj arrestimit deri në pranverën e vitit 1929,kohë kur i gjatë qëndrimit në mal, i ishin ngrirë të dy këmbët dhe nuk mund të lëvizte më, ndaj do të kapej në befasi e burgosej në Krumë të Hasit.

Megjithatë për fat të mirë, armiku i tij kryesor dhe më i madhi që kërkonte kokën e Tahir Zajmit, Cana beg Kryeziu, kishte mbi një vit e gjysmë, që kishte ngrënë kokën e vet dhe mbetur i vrarë nga studenti Alqiviadh Bebi në Pragë, kështu që kryezinjtë tanimë kishin hapur një front të ri dhe hy në luftë me armiq të tjerë, ndaj falë njohjeve që Tahiri kishte në Krumë e rrethinë, udhëheqës i të cilës një kohë kishte qenë edhe vet, shkathtësive të tij personale dhe ndihmës së pakursyer të miqve dhe dashamirëve hasjanë, ai do të arrinte të arratisej edhe nga burgu i Krumës dhe shpëtonte sërish dënimit me vdekje.
 
Në Prill të vitit 1939, Shqipërinë e pushtoi Italia fashiste, ndërsa rreth dy vite më vonë, Gjermania pushtoi edhe mbretërinë jugosllave.
 
Ndaj me të kapitulluar Serbia më 1941, nën përkujdesjen e Ministrisë së Arsimit dhe udhëheqësit të saj profesor Ernest Koliqit, mbi 200 mesues dhe profesorë atdhetar nga vendi amë u nisen vullnetarisht drejt  Kosovës, qendrave kryesore të Iliridës, si Shkupi,Kumanova,Tetova, Gostivari,Kercova,Dibra, Struga etj, pastaj trojet shqiptare nën Mal të Zi, nga Ulqini,Kraja,Tivari, Ana e Malit,Tuzi, Hoti, Gruda,Plava Gucia Rozhaja e deri në Novi Pazar,Bujanoc dhe Preshevën shqiptare etj.
 
Ky ishte misioni më i madh patriotik e kombëtar që "Shqipëria e Vjetër" ndonjëherë kishte ndërmarrë, për ngritjen e rrjetit shkollor nga e fillimi, në të gjitha tokat e çliruara, të cilat deri në vitin 1941, kishin qenë të okupuara nga Serbia dhe mbretëria e SKS, duke ngritur kështu elitat e para të intelektualëve, mësuesve dhe profesorëve shqiptar edhe në këto troje tonat kombëtare, ku deri atëherë dominonte analfabetizmi dhe mos-njohja totale e shkrim-leximit nga mungesa e shkollave në gjuhën amtare shqipe.
 
Në Kosovë më 1941, do të kthehej edhe Tahir Zajmi, i cili përveç angazhimit me mish e me shpirt për hapjen e sa më shumë shkollave shqipe, do të punonte pareshtur që edhe në tokat e çliruara nga serbosllavët, të jetësohej në praktikë ideali i Shqipërisë Etnike!
 
Ndërsa ish gjenerali dhe shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë jugosllave Milan Nediqi, i cili si kusht për bashkëpunim me gjermanët, në bisedimet e zhvilluara në Kralevë me oficerët e lart të “Vermahtit”- (mbrojtjes), kishte kërkuar nga ata, që edhe nën pushtimin gjerman, Serbisë ti mundësohej ta mbante nën okupimin e saj Kosovën.
 
Madje Nediqi tanimë në cilësinë e udhëheqësit të qeverisë kuislinge të Serbisë (nën pushtimin gjerman), kishte nisur ushtrinë serbe që ta ripushtonte sërish Kosovën, por patrioti i mirënjohur prishtinas Iljaz Agushi kishte vendosur me kohë,trupat vullnetare shqiptare në kufij, të cilët i pritën me plumba dhe kthyen mbrapsht, andej nga kishin ardhë forcat agresore serbe.
 
Duke parë se tanimë edhe me ushtri, ishte e pamundur të okupohej Kosova, Nediqi kishte bindur një grup oficerësh të lart gjerman se kinse ajo, ishte tërësisht e banuar me serb, ndaj kishte kërkuar nga ata, që vet ushtria gjermane t`ia jepte në dorëzim Kosovën Nediqit.
 
Madje, propaganda serbe kishte arritur deri atje, sa të bindte një grup prej 17 oficerësh të lart të Vermahtit gjerman, që bashkë me oficer dhe administrator serb të Milan Nediqit, të niseshin vet për Prishtinë, me qëllim për të marrë, siç mendonin ata, në "dorëzim" Kosovën.
 
Por sërish Nediqi ishte mashtruar rëndë duke bërë hesapet pa hanxhiun, ngase atdhetari i flakët i kombit Iljaz Agushi, kishte ftuar bashkëkombësit e vet, si shumicë absolute që të mbushnin përplot rrugë e sheshe të qytetit me Plisa të Bardhë, në mënyrë që ta kuptonin mirë edhe gjermanët se kush ishin banorët e vërtetë autokton të Prishtinës dhe tërë Kosovës.
 
Ndaj, oficerët gjerman duke parë se gjithandej nga u shihnin sytë, shihje vetëm shqiptar, kishin hedhë poshtë kërkesën serbe duke bërë të dështonte edhe tendenca e dytë e Nediqit për ri-okupimin serb të vendit tonë, kështu që Kosova vijoi të mbetej edhe për disa vite, pjesë integrale e Shqipërisë Etnike.
 
Në shtator të vitit 1943, do të kapitullonte Italia, me ç ‘rast edhe do të fillonte rritja e pranisë ,jo vetëm e partizanëve shqiptar por aq më keq, e bandave me kriminel sllavo-komunist nga Serbia dhe Mali i Zi si brigada e njohur kriminale e bokës së Kotorit.
 
Sipas dëshmive të Hysen Tërpezës, të konfirmuara edhe nga fjalët e Xhafer Devës dhe Mehdi Frashërit, nga fundi i vitit 1943, vet komandanti i ushtrisë gjermane, i kishte thënë Xhafer Devës se Gjermania po e humbte luftën, ndaj kishte porositur shqiptarët që të përgatiteshin sa më parë dhe sa më mirë që ishte e mundur, për ta mbrojtur vendin e vet si dhe të hynin pa vonesë në kontakt me aleatët, në mënyrë që situata të mos i zinte në befasi dhe tokat shqiptare të ripushtoheshin sërish nga Serbia.
 
Për këtë arsye Xhafer Deva i cili asokohe ishte ministër i brendshëm, kishte dhënë dorëheqje nga pushteti në Tiranë dhe kthyer në Prizren, ku bashkë me Asllan Boletinin formojnë Lidhjen e dytë të Prizrenit, kryetar i parë i të cilës do të zgjidhej Musa sheh Dade, organizatë patriotike kjo e cila mëtonte vazhdimësinë e rolit të Lidhjes (së parë)Kombëtare Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, për mbrojtjen e tokave shqiptare nga copëtimi dhe ripushtimi nga fqinjët hegjemonist serbo-malazez.
 
Anëtar i kryesisë së kësaj Lidhje ishte edhe Tahir Zajmi dhe asokohe drejtonte edhe të përkohshmen “Lidhja e Prizrenit” e cila u botua nga marsi deri në vjeshtën e vitit 1944,në Prizren.
 
Pas formimit të Lidhjes së dytë të Prizrenit, pothuajse në të njëjtë kohë, do të kapitullonte edhe Bullgaria,ndaj shqiptarët pasi çliruan Shkupin degët e Lidhjes u zgjeruan nga Shkupi e Manastiri deri në Ulqin e Tivar.
 
Duke pasur parasysh rrezikun që po afrohej, Organizata e Lidhjes së dytë të Prizrenit bënte përgatitjet intensive dhe mëtonte krijimin e një ushtrie të fortë kombëtare e cila do ta mbulonte tërë territorin, përfshi edhe “Shqipërinë e Re” siç quhej asokohe Kosova dhe trojet tjera shqiptare nën ish pushtimin sllav dhe mbronte ato dhe cilëndo pjesë tjetër të Shqipërisë Etnike, me luftë, nga ripushtimi i serishëm serb.
 
Por përderisa Lidhja bënte çdo gjë për mbrojtjen e të gjitha pjesëve të territorit të Kosovës, për çudi edhe pas krijimit të gjendjes më të re, Ali Ferat Draga nga Mitrovica, vazhdonte të rrinte ende në Beograd,me arsyetimin se përfaqësonte në qeverinë e Nediqit,Mitrovicën, Besianën dhe Pazarin e Ri, të cilat gjermanët në fillim të ardhjes i kishin shpallë si zonë të interesit të vet, që formalisht mbulohej nga qeveria kukull e Millan Nediqit nën pushtimin gjerman, por megjithatë shqiptarët nuk i obligonte askush që të legjitimonin një pushtet të huaj fiktiv i cili synonte ripushtimin dhe aneksimin me forcë të tokave të tyre.
 
Ndaj, në Kuvendin e dytë të Lidhjes mbajtur në fund janarin e vitit 1944,në Prizren, e cila drejtohej nga Bedri Pejani, me insistimin e Tahir Zajmit në cilësinë e anëtarit të kryesisë së kësaj Lidhje, u nxor një vendim i veçantë me të cilin shpallej zyrtarisht uniteti dhe paprekshmëria e të gjitha trojeve shqiptare, të cilat pa marrë parasysh ndryshimin e sistemeve në të ardhmen, që nga Mitrovica, Pazari i Ri, Besiana dhe Presheva, ato ishin dhe duhej të mbeteshin Shqipëri.
 
Përkundër krejt asaj sa u mundua dhe përpoq të bënte Lidhja e dytë e Prizrenit, nga fundi i vitit 1944,përveç partizanëve sllavo-komunistë që mësynë nga të gjitha anët Kosovën, përkrah tyre enkas për mposhtjen dhe ripushtimin e Kosovës, erdhën edhe dy brigada të Enver Hoxhës nga Shqipëria, të cilat pa asnjë mëshirë, ndihmuan serbët me të madhe për shuarjen e kryengritjes shqiptare dhe hodhën me ashpërsi të paparë,kundër luftëtarëve shqiptar në të gjithë hapësirat etnike duke e bërë të pamundur, që pa një vëllavrasje të madhe dhe kasaphane të përmasave marramendëse ndërshqiptare, të mbahej edhe më tej në këmbë, qëndresa kombëtare e sulmuar nga të gjitha anët.
 
Ndaj bandat serbo-qetnike, të cilave tanimë u ishin bashkuar edhe të ashtuquajturit "partizan shqiptar", të dëshmuar si njerëz me deficit të pafund të karakterit kombëtar, mungesë të patriotizmit e atdhedashurisë dhe traditave tradicionale shqiptare, të dhunshëm e të pamëshirshëm dhe të pa besë deri në fund, sidomos ndaj kryengritësve të trojeve etnike shqiptare, të cilët luftonin me mish e me shpirt,për mbrojtjen e vendit të vet nga ripushtimi i Serbisë, filluan masakrat më të tmerrshme që kishte parë ndonjëherë vendi ynë.
 
Dhe pas gjithë atyre përpjekjeve që kishin bërë për rimëkëmbjen dhe mbrojtjen e Shqipërisë etnike, njëjtë si shumë atdhetarë të tjerë edhe Tahir Zajmi, përfundimisht u detyrua që zemërplasur ta linte vendin e vet dhe bashkë me Xhafer Devën e Rexhep Mitrovicën të merrte rrugën e mërgimit politik, duke kaluar fillimisht në Austri, pastaj në Itali.

Nga Italia, Tahir Zajmi do të vendosej përkohësisht në Siri, atje jetonte edhe një pakicë shqiptare, e më vonë në Izmir të Turqisë, ku Tahiri pati një mbijetesë të vështirë duke punuar disa vite punët më të rënda për bukën e gojës në ndërtimtari, ndaj dhe përpiqej që të ikte sa më parë nga Turqia, ngase ndjehej i rrezikuar edhe për deportim, shkaku i trashjes së vazhdueshme të miqësisë së qeverisë turke me serbët dhe marrëveshjeve ndërshtetërore kundërshqiptare të vitit 1953 Tito-Kyperli, me Jugosllavinë.
 
Kështu që me ndihmën e disa miqve dhe bashkë-familjarëve, ai do t`ia dilte që të ikte nga Turqia dhe sipas Ernest Koliqit, do vendosej përfundimisht në Belgjikë, ku përveç kontakteve me bashkëkombës dhe bashkëpunëtorë nga të gjitha vendet perëndimore, në shtetin belg, ai trajtohej shumë më njerëzisht dhe sado që në moshë bukur të shtyrë, kishte kushte ideale për punë dhe për jetë.
 
Vetëm misioni i madh historik, i shtyu heronjtë tanë që të mos dorëzoheshin as epeshin asnjëherë, edhe pse nuk kishte shumë burra asokohe që mund ta ngarkonin veten me aq mund e vuajtje, në kushtet në të cilat jetuan; Bajram Curri, Tahir Zajmi, Bajram Daklani e shumë patriot të tjerë, të cilët dashuria e pafund për popull dhe atdhe, i bëri ta harronin vetveten dhe kapnin pushkët për vend, qysh kur ishin ende fëmijë, për tu kthyer para kohe dhe në mënyrat më të dhembshme, të vdekur në dheun e vendit të vet.

Tahir Zajmi kaloi aq vite në luftëra, beteja e internime, sa që vërtetë pati shumë për të treguar, ndaj përveç dhjetëra shkrimeve dhe analizave të thelluara politike, qindra teksteve të botuara në shtypin e kohës si "Hylli i Dritës" dhe gazetat që dilnin në mërgim, veçanërisht tek e përkohshmja "Shenjëzat" që botohej nga Ernest Koliqi, bashkëpunëtor i rregullt i të cilës ishte edhe Tahiri, në mërgim ai arriti të botonte edhe dy veprat e tij kryesore, si ;  ”Lidhja e dytë e Prizrenit” më 1964, ndërsa më 1970, edhe librin e dytë historik, “Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës”, libra të njohur këta me plot argumente dhe referenca tejet të rëndësishme për kombin, të tashmen dhe të ardhmen e brezave të vendit tonë.
 
Rrugëtimi i tij jetësor, ishte dhe mbeti kronikë më vete, ndërsa mërgimi burg i të syrgjynosurit me detyrim, ku edhe ai la vitet e fundit dhe jetën përgjithmonë, ndaj pas 27 vitesh të kaluara nëpër disa vende të huaja, mëngjesin e 16 shtatorit të vitit 1971, Tahir Zajmi vdiq në moshën 74 vjeçare, i vuajtur dhe larg atdheut në Bruksel.
 
Sipas shënimeve biografike të heroit, në shenj mirënjohjeje për kontributin e tij, ish presidenti i Shqipërisë z.Sali Berisha i ndau Tahir Zajmit dekoratën për "Veprimtari Patriotike të Klasit të Parë", me motivacion; "Udhëheqës e Organizator i Penës dhe Pushkës për Çështjen e Kosovës"!
 
Po ashtu edhe ish Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga me rastin e 7 vjetorit të Pavarësisë së vendit, më 17 shkurt të vitit 2015, dekoroi Tahir Zajmin me "Urdhërin e Lirisë", mirënjohje që u ndahet figurave më të shquara kombëtare për kontributin e tyre të lartë, për Liri të Kosovës.


Tahir Zajmi ishte njëri nga atdhetarët më të shquar, që ka vuajtur shumë nën terror dhe sisteme të ndryshme të disa shteteve, që kur ishte fëmijë minor, gjallim të cilin vetëm mbijetesë të lehtë nuk mund ta quaje.Ishte atdhetar i flakët që tërë jetën dhe veprën e tij, i pati vënë në shërbim të luftës e përpjekjeve për liri të Kosovës dhe të Shqipërisë natyrale, të cilin e shohim në të gjitha ngjarjet e mëdha dhe me rëndësi jetike për atdheun, kudo në kuvende e tubime burrash me emër, ku vendosej me pushkë e pendë për fatin e Shqipërisë etnike.

Tahiri ishte aq fort i frymëzuar kombëtarisht nga Bajram Curri, sa që në çastet më kritike për fatet e kombit dhe të atdheut, bashkë me Xhafer Devën, Musa Sheh Daden, Rexhep Mitrovicën, sheh Hasanin, Qazim Bllacën etj, në qytetin historik të Lidhjes, formuan Lidhjen e dytë të Prizrenit, me qëllim të mbrojtjes dhe bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në kufijtë e vjetër etnikë të vitit 1913,akt të cilin ata e shihnin dhe konsideronin si obligimi të njerëzve që e duan vendin e vet pa interes, siç e deshi gjatë gjithë jetës patrioti gjakovar Tahir Zajmi me shokë e bashkëveprimtar nga e gjithë Kosova.


Ndaj në shenj nderimi të jetës dhe veprës së shquar patriotike të Tahir Zajmit, sot në kryeqytetin e vendit në Prishtinë si dhe në Prizren e Gjakovë, në të tri këto qytete me rëndësi të Kosovës, nga një rrugë mbanë emrin “Tahir Zajmi”.
 
Vuajtja më e rëndë për të, si për të gjithë atdhetarët tjerë shqiptar që për shkaqe patriotiko-politike ishin dënuar të jetonin në mërgim, ishte detyrimi që ai të jetonte larg vendit e familjes, i cili megjithatë për kohë të gjatë ëndërronte pareshtur që të paktën vdekja ta gjente në vendlindjen e vet të dashur”, por kur pa se as kjo nuk do të ndodhte për gjallje të tij, la amanet që të paktën eshtrat e trupit, të mos i mbeteshin përgjithmonë në vend të huaj, por herë-do-kur, të ktheheshin në atdhe, me mallin e të cilit edhe mbylli sytë përgjithmonë në kryeqytetin e Belgjikës.
 
Vetëm 43 vjet pas vdekjes dhe varrimit në Bruksel, u arrit përfundimisht, që amaneti i këtij atdhetari të shquar, të qohej në vend, eshtrat e të cilit më 15 tetor të vitit 2014  u kthyen përjetësisht në atdhe dhe rivarrosën me nderime të veçanta, në vendlindjen e tij në Gjakovë, duke plotësuar kështu, të paktën dëshirën e fundit të veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare Tahir Zajmi, qoftë ajo edhe me vonesë.
 
Ndaj, meritat që Ernest Koliqi thot se Tahirit "ia mohoi shekulli i kaluar", shpresojmë që tani e tutje t`ia shpërblej atdheu i vet i lirë dhe siç deklaroi edhe prof. dr. Jusuf Bajraktari në ceremoninë rivarrimit të tij, Tahir Zajmi të mbetet shembull frymëzimi për brezat e rinj të gjithë shqiptarisë, i cili me veprën që la, nderon vendlindjen e tij Gjakovën, Kosovën e Shqipërinë, si dhe të tashmen dhe të ardhmen e atdheut të përbashkët të të gjithë shqiptarëve, kudo që ata jetojnë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)