24 Prill 2024

Skenderbeu përtej miteve

Shkruar nga Ardian Gola


Skënderbeun dhe disa figura të tjera kombëtare duhet ruajtur si nga përvetësimi fetar, siç rëndom bëjnë disa pjesëtarë nga komuniteti katolik, ashtu edhe nga sulmi mbi baza fetare, siç po ashtu rëndom bëjnë disa pjesëtarë nga komuniteti mysliman.

Përtej Skenderbeut historik, objekt i trajtimit shkencor, shqiptarët kanë edhe Skenderbeun mitologjik, objekt i përdorimit politik. I dyti eshte glorifikim mitik i të parit. Krejt e zakontë, e madje edhe e pashmangshme, për proceset e kombëformimit.

Mirëpo, sikurse çdo mit tjetër, qoftë ai nacionalist qoftë fetar, edhe miti nacionalist për Skenderbeun, mund dhe duhet të dekontstruktohet shkencërisht. Por asnjëherë nuk duhet harruar se në imagjinaren kolektive të shqiptareve ai shërben si figurë ku projektohet uniteti shpirtëror, simbolik e fetar i tyre. Shqiptarët nuk kanë figure më unifikuese kulturalisht dhe fetarisht sesa Skenderbeu, andaj edhe duhet kultivuar dhe mbrojtur si nga përvetësimet ashtu edhe nga sulmet mbi baza fetare.

Po, unë jam për një botë ku shkatërrohen të gjitha mitet, jo veç nacionaliste, por edhe fetare. E kam fjalën për të gjitha mitet që bëhen pengesë e bashkëjetesës në pluralitet dhe që shndërrohen në barriera të komunikimit ndëretnik e ndërfetar. Ama duhet pasur të qartë se përvojat e derisotme empirike të historisë njerëzore dëshmojnë që shoqëritë nuk mund të funksionojnë pa mite. Edhe po t'ishte e mundshme shqiptarët nuk mund të marrin barrën e emancipimit historik të njerëzimit për të promovuar hapjen liberale të shoqërisë në një mjedis të kontaminuar me ngarkesa nacionaliste e fetare, siç është Ballkani. Ata as nuk e kanë luksin historik, as shtetëror, as ekonomik, as politik, as diplomatik e as ushtarak për një mision të tillë.

Aktualisht shqiptarët gjenden ndërmjet të drejtave dhe lirive civile si vlera qytetare që mundësojnë bashkekzistencën në diversitet dhe abuzimit të tyre politik nga grupe, të cilat i përdorin ato për të futur ndasi shoqërore që cenojnë subjektivitetin kombëtar, në kuptimin kulturor e etnik dhe për rrjedhojë gjymtojnë edhe atë shtetëror e konstitucionalist.

Për sa kohë që jetojmë në epokë të sovraniteteve kombëtare, shqiptarët duhet të jetojnë sipas këtij parimi po qe se dëshirojnë të mbijetojnë. Prapë, kjo nuk nënkupton eliminimin e diversitetit, por integrimin e tij përbrenda paradigmës se shqiptarizmës. Të vegjël jemi për aventura historike që t'marrim mbi supe përgjegjësi për luftimin e padrejtësive në nivel global nën kauza të mëdha të ideologjive të ndryshme, qofshin ato sekulare ose fetare.

Në këtë kuptim, shqiptarët, po qe se dëshirojnë të jenë aktorë dhe jo spektatorë, subjekte dhe jo objekte, bartës dhe jo të bartur etj. të proceseve politike, duhet t'i kultivojnë të përbashketat historike, kulturore e kombëtare. Ky unitet duhet të ndërtohet në integrim dhe pranim të dallimeve e jo përjashtim të tyre. Dallimet fetare duhet të jenë pesë e këtij uniteti dhe shteti këtu ka rol qendror.

Në një periudhë ku identitetet kombëtare në Ballkan vazhdojnë të kenë peshën kryesore në zhvillimet politike, ku qytetaria si forcë dhe identifikim supraidentitar nuk mund t'i neutralizojë identitetet partikulare të natyres fetare, etnike, nacionaliste etj. i vetmi shpëtim i shqiptarëve është identifikimi i tyre me kombin si identitet suprafetar. Mirëpo kjo nuk nënkupton eliminimin e fesë. Përkundrazi, tri konfesionet kryesore që, me të këqijat dhe të mirat e tyre, janë pjesë e historikut të kombformimit shqiptar, do të duhej të ishin të integruara dhe të përshtatura në narrativën kombëtare. Dhe ky do te duhej të ishte mision edhe i klerit fetar, po qe se dëhiron të jetë pjesë konstruktive e ruajtjes së kësaj shoqëie nga shpëbëja.

Asnjëfe nuk ka monopol ndaj kombit. Nga tëgjitha fetë historikisht kemi pasur klerë që i kanë sherbyer shqiptarisë, por edhe e kanë tradhëtuar atë. Përpjekja për të fajësuar ose për t'i dhënë merita një feje për gjendjen e kombit është ndërmarrje politike dhe ideologjike, pasoja e vetme e të cilës është polarizimi shoqëror dhe përçara kombëare.

Shkenca duhet të vazhdojë punën e saj: dekonstruktimin e të gjitha miteve. Por nevojitet edukim sistematik që të parandolohet abuzimi me dekonstruktimet shkencore duke i vënë ato në shërbim të ideologjive të caktuara. Se deri në ç'masë mund dhe duhet të ndëhyjë shteti, përpos fushës së arsimit, që të parandalojë abuzime të tilla mbetet çështje për diskutim. Sidomos kur kemi të bëjmë me modelin liberal të shtetit.

Shumçka prej asaj që ka qenë unifikuese për ne, shqiptarët, shkencërisht mund dekonstruktohet si ndërtim mitologjik. Mirëpo, ajo që është mitike e ka kryer funksionin e vet. Deshëm ne apo s'deshëm, identifikohemi me Skenderbeun.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)