28 Mars 2024

Shtrenjtimi i rrymës elektrike dhe “Kosova e Re” politike

Shkruar nga Isa Mulaj

Shtrenjtimin e rrymës elektrike po e kërkojnë këshilltarët sekret ndërkombëtarë me dosje të krimit në interpol, zëdhënësit e tyre kosovarë, dhe gazetarët e korruptuar të Kosovës.

Prej datës 1 prill 2010 ose ditës së rrenave, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) mendon ta zbatoj rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 14,6 për qind, të cilën rritje ia ka kërkuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për miratim. Kjo e dyta ka dhënë arsyetimet se nuk e ka ndërmend ta miratoj kërkesën e të parës, duke theksuar se të hyrat e tanishme të KEK-ut janë të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve operative të tij dhe të KOSTT-it (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut).

Rritjen e tarifave të energjisë elektrike në vlerë monetare nga çmimi mesatar 5,58 në 6,40 euro centë për kilovat orë (€/¢/kWh), KEK-u e kërkon për arkëtimin e të hyrave të përgjithshme në vlerë 178 milionë euro për shpenzime. Sipas përllogaritjeve të ZRrE-së, me tarifën e tanishme 5,58 €/¢/kWh arkëtohen 156 milionë euro. Nuk dihet se për çka nevojiten edhe 22 milionë shtesë në emër të shpenzimeve. Sigurisht se KEK-u do t’i dëshironte edhe 222 milionë.

Çmimi i tanishëm mesatar i energjisë në Kosovë është më i lartë se në Serbi ku është 4,91€/¢/kWh. Kjo e stimulon importin e rrymës nga Serbia, e cila edhe ashtu ka eksportuar në Kosovë nëpërmjet kompanisë së Damir Fazlliqit “Rudnap”. Rritja e çmimit në 6,40 €/¢/kWh do ta stimuloj edhe më tepër importin nga Serbia, plus nga Maqedonia ku çmimi aktual është 5,94 €/¢/kWh (deri tani më i shtrenjtë se në Kosovë, por bëhet më i lirë nëse miratohet kërkesa e KEK-ut për rritje në 6,40). Në shtet tjera rryma është më e shtrenjtë, me çmimin më të lartë në Mal të Zi prej 12,80 €/¢/kWh. Por Mali i Zi nuk e ka thëngjillin e Kosovës ose të Serbisë. KEK-u dyshohet se ka eksportuar shumë rrymë në Mal të Zi pas luftës. Nuk jemi të njohur me asnjë raport për sasinë e eksportuar, çmimin dhe të hyrat e realizuara.

Për çfarë synon të bëhet shtrenjtimi i rrymës elektrike dhe kush po e kërkon atë?

Zëdhënësi i KEK-ut (por jo edhe i Lekut!), Viktor Buzhala, thotë  (Ekobiznesi 15.03.2010): “Të hyrat shtesë do të përdoren për shërbime më kualitative dhe më të bollshme, për investime në miniera, sidomos hapjen e minierës së Sibovcit jugperëndim, për mirëmbajtjen e termocentraleve, dhe investimeve në rrjetin distributiv”. Kjo sa i përket deklarimeve nga KEK-u, të cilat rrallë herë ndodh të dalin ashtu si thuhen, e shumë shpesh rezultojnë në diçka tjetër që mundohet të fshihet nga publiku.

Nuk dihet nëse në shpenzime operative të gjertanishme janë përfshirë pagat dhe banesat e një numri të madh punonjësish dhe drejtorësh të KEK-ut, sidomos te “Kroi i bardhë” në lagjen Dardania të Prishtinës, të ndara në gjysmën e dytë të vitit 2003. Po të shikoni një listë prej 14 banesave të KEK-istëve te “Kroi i Bardhë”, 9 prej tyre janë pronarë të lidhura me divizionin e mihjes. Nga erdhën ato banesa, dhe ku e ka burimin gjithë ai korrupsion i raportuar dhe dokumentuar në KEK që një dekadë, dhe për momentin, sipas raportit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), KEK-u perceptohet si kampioni i korrupsionit në Kosovë? Ekipet që zënë vendin e parë, për shembull KEK-u i futbollit, i kanë lojtarët dhe trajnerin e tyre. Ata dihen me emër dhe mbiemër sikur me rastin e KEK-ut elektrik.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave (MEM), Justina Pula, duket sikur e arsyeton tërthorazi insistimin e KEK-ut për rritjen e tarifave kur shpreh bindjen se “KEK-u është kompani e pavarur” dhe ministria të cilën ajo drejton paska vendosur “të mos përzihet në çështjen e çmimit të energjisë”. Për më tepër, kur Ministres i duket e arsyeshme “tarifa e cila e mbulon koston e prodhimit”, mbetet e paqartë nëse ajo e miraton versionin e ZRrE-së apo të zëdhënësit të KEK-ut. Mirëpo, kjo paqartësi zgjidhet shumë lehtë nëse merret për bazë ajo se KEK-u si ndërmarrje publike vepron nën mbikëqyrjen e MEM-it, dhe në realitet keqpërdoret shumë nga pushteti, ndryshe nuk do të ishte “kampion i korrupsionit”. Tjetër argument se MEM-i nuk është aspak neutral ndaj KEK-ut dhe çmimit të propozuar, është korrelacioni i përbashkët dhe i fortë (joint strong correlation) ndërmjet Qeverisë, KEK-ut, lagjes te “Kroi i Bardhë”, dhe grupi i gazetarëve të korruptuar dhe shantazhues të Kosovës. Për shembull, grupi i gazetarëve të pakorruptuar të Kosovës nëpërmjet Burim K., i cili demaskon “Krimet e gazetarëve në Kosovë” në KEK, PTK, RTK, dhe Aeroport, e bënë të ditur për opinionin publik se gjatë luftës në Kosovë 1998-99, njerëzit e Hashim Thaçit kishin rrëmbyer babanë e kryeredaktorit të Express-it ose axhën e Zëdhënësit të tanishëm të KEK-ut në cilësinë e spiunit të armikut (por babai i Zëdhënësit të KEK-ut është i një linjë tjetër, pra të mirë). Thaçi duke e ditur rëndësinë e spiunazhit në shërbim të Serbisë dhe mundësinë që i jep atij për karrierë politike veprimtaria e tillë, jep urdhër për lirimin e babait të kryeredaktorit të gazetës “Express”. Gazeta Express e ka selinë te “Kroi i Bardhë”, por veprimtarinë e kryen në Qeveri dhe KEK. Çfarë ndërlidhje e përkryer (perfect correlation)!

Ministrja e MEM-it në cilësinë e kritikes së mediave

Në një intervistë për gazetën dyjavore “Ekobiznesi” të datës 15.03.2010, faqe 5, ministrja Pula falënderon shtypin e Kosovës në përgjithësi për përkrahjen që ia jep asaj dhe trajtimin, siç e quan ajo, mjaft të mirë që i ka bërë të projektit Kosova e re, pavarësisht se në ndonjë rast ka edhe tituj artikujsh me konotacion negativ (e ka fjalën për Et’hem Çekun dhe Avni Zogianin!). Ajo shton se “jo pa dashje të krijojmë në ndonjë rast opinion jo të drejtë me tituj bombastik, që kuptohet bëhet për të shitur ndonjërin prej numrave të ndonjërës gazetë”. Ku gjenden titujt e opinioneve të “padrejta” dhe bombastike? Kush i boton ato? Po të hiqet fjala “bombastike”, opinionet e padrejta i gjeni në gazetat që i kontrollon Qeveria dhe të cilat i falënderon Ministrja, si Infopress, Epoka e Re, Express, dhe ndonjë tjetër nga grupi i gazetarëve të korruptuar dhe shantazhues. Këtu Ministrja nuk tregohet e sinqertë me vlerësimet e saja për gazetat me “opinione të jo të drejta dhe bombastike” dhe ato që i cekëm të cilat kjo i falënderon për raportim të drejtë. Përgjigjen më të drejtë në këtë drejtim na e jep raporti i fundit i Reporterëve pa kufij për gjendjen e mediave dhe lirisë së shprehjes në Kosovë, i cili shpreh shqetësimin se shumica e mediave dhe gazetarëve (sidomos ato media dhe ata gazetarë që sipas Ministres raportojnë “drejtë”) se janë të lidhur dhe i shërbejnë krimit të organizuar të pushtetit. Këtë lloj krimi të organizuar e përmend në numrin e fundit edhe revista prestigjioze “The Economist”. Me këtë hedhet poshtë me forcën a argumenteve gjykimi paragjykues i Ministres për gazetat me opinione të “drejta” dhe “jo të drejta e bombastike.” Po të rrotullohej mbrapshtë gjykimi i Ministres për mediat, atëherë do të ishte krejt në rregull.

Cilat opinione sipas Ministres janë jo të drejta e bombastike? Ato që e argumentojnë krimin e organizuar dhe planet e Qeverisë për shkatërrimin e ekonomisë së Kosovës për llogari të mafisë politike dhe disa mediave? Jo, këto janë raporte shumë të drejta. Raporti i reporterëve pa kufij nuk ka vërejtje ndaj këtyre, por ndaj atyre që i falënderon Qeveria. Çfarë mund të jetë raportimi për projektin “Kosova e Re” kur u bë bozë kjo punë? Po për skandalin e autostradës e cila parashihej të filloj në nëntor 2009 dhe sot ende gjendet në një udhë pa krye, çfarë raportimi “i drejtë” apo “bombastik” mund të shkruhet? E për grupin e gazetarëve shpifës të Qeverisë, censurës qeveritare në RTK, krimin e organizuar në bashkëpunim me mafinë ruse dhe serbe në PTK, biznesin e KEK-ut me nëntokën dhe biznesmenin e Millosheviqit, Damir Fazlliq, çfarë raportimi po doni? Si do t’i quani ju këto fakte të njohura edhe për botën bimore dhe shtazore; opinione jo të drejta me tituj bombastik, a?

Ministrja Pula thotë se e ka përkrahjen e Bankës Botërore dhe të USAID-it në projektin “Kosova e Re”. Edhe ish-ministri na pat shurdhuar ditë e natë “USAJDI, USAJDI, USAJDI”. Si nuk e kuptuan këta që misioni i USAID-it përbëhet nga disa keqpërdorues vendorë dhe amerikanë? A u kujtohet këtyre sa shpërlarja e parave dhe krimi i organizuar është bërë nga USAID-i në Kosovë, në mes tjerash, skandali me një linjë kreditore për bujqësi prej 10 milionë dollarëve nëpërmjet “Reifeissen Bank”, ku 5 milionë i grabiten menjëherë mafia e Qeverisë? Kur e ka hetuar USAID-i këtë dhe shumë veprimtari tjera të krimit të organizuar në Kosovë? Kurrë. Mirëpo, përmbi USAID-in qëndron Departamenti i Shtetit i cili raporton dhe akuzon Qeverinë e Kosovës për korrupsion dhe krim të organizuar. Meqenëse raportet e Departamentit të Shtetit Amerikan janë të ndryshme nga gazetat shpifëse të Qeverisë së Kosovës dhe krimet e gazetarëve të tyre, kushdo mund t’i quaj ato raporte faktike si “opinione jo të drejta me tituj bombastik”. Përfaqësues i Bankës Botërore në Kosovë është Ranxhit Najak. Për zyrën e kësaj Banke në Kosovë kemi dëshmi të forta që nuk i luan topi se ka favorizuar jo transparencën dhe korrupsionin në bashkëpunim me disa matrapazë vendorë të “shoqërisë civile” nga UNDP dhe KFOS-i. Ato dëshmi i ka edhe njësiti i Bankës Botërore në Washington DC për hetimin e abuzimit të fondeve. Kur të duan gazetat shpifëse të Qeverisë ua sigurojmë, me qëllim që t’i botojmë. Ky pra do të ishte raportim i drejtë, zonja Ministre. Krijova bindjen se Departamenti i Shtetit, Reporterët pa kufij, The Economist, Reuters, raportet e paralajmërimit të hershëm, po na gënjejnë me “opinione jo të drejta dhe bombastike”, dhe vetëm gazetarët e KEK-ut, Fazlliqit, Mishkoviqit dhe mafisë ruse po e raportojnë drejtë të vërtetën për ngjarjet në Kosovë!   

Kush tjetër po e kërkon rritjen e tarifave të energjisë elektrike?

Rritjen e tarifave të energjisë e kërkon edhe një izraelit në Qeveri i quajtur Arie Rabfogel, një emër i njohur në dosjet e interpolit për krim të organizuar. Kështu një kriminel i Izraelit, ose shtetit që vazhdon t’i quaj shqiptarët “terroristë”, në vend se t’i ndalohet hyrja në Kosovë, ftohet për t’u bërë mbret i Kosovës, por me qëllim të zbatoj një lloj holokaustin ekonomik. Qeveria e Kosovës, MEM-i dhe KEK-u janë vetëm zëdhënës të tij, asgjë më shumë. A ka gjë më absurde kur ka dalë fakti se Lorik Haxhiu, udhëheqës i projektit Kosova C (tani Kosova e Re), i kërkonte këtij ide dhe informata “nëse qeveria ka fonde për të riparuar eskavator, për të blerë të ri, apo të dyja”? Kjo dëshmon se Lorik Haxhiu duhet të informohet nga njerëzit e shteteve tjera që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës (për shumë muaj njohjet e pavarësisë janë ndalur në vend “krrup”), se çka po zihet në Kosovë dhe në sektorin e energjisë ku Loriku mendohet se ka ekspertizë. Po ç’vlerë ka ekspertiza dhe kujt i shërben ajo nëse ju nuk mundeni të shprehni realitetin dhe i shërbeni nëntokës së huaj? 

Qëllimi i dyshimtë i kërkesës së KEK-ut për shtrenjtim te energjisë

Le të jenë përllogaritur në çfarëdo forme dhe për çfarëdo qëllimi shpenzimet e reja operative të KEK-ut, qofshin për blerjen e banesave të dyta (sepse nga një e kanë blerë shumë punonjës) nga divizioni i mihjes, apo edhe nga një Sukhoi-30 MKK (Modernizirovani Komerçeski Kosova). Shtrenjtimi i energjisë elektrike do të sjellë vetëm pasoja për KEK-un dhe konsumatorët. Kosova gjendet para një kolapsi të përgjithshëm politik, ekonomik dhe social. Asgjë normale thuajse nuk është funksionale si duhet, e më së paku ekonomia. Në fakt, veprimtaria e vetme më efikase dhe më e rregullt në Kosovë, është ajo që e raportojnë institucionet dhe media prestigjioze ndërkombëtare, e ajo është e lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Raportimet e këtyre mediave duhet të falënderohen, jo pse janë të njohura, por se e tregojnë realitetin ashtu si është.

KEK-u dhe Qeveria mund t’i ngritin tarifat për energjinë elektrike, por një lëvizje e tillë ka rrezik t’i kthehet bumerang me mos pagesën e faturave në masë. Rryma elektrike nuk është e shtrenjtë. Mirëpo, shumica e qytetarëve e kanë vështirë ta përballojnë ngritjen e çmimeve dhe thjeshtë nuk do të kenë për të paguar. Shumica konsumatorë edhe ashtu i kanë borxhe të mëdha KEK-ut për vite të tëra, dhe ato po shtohen sidomos gjatë kohëve të fundit krizën ekonomike të krijuar artificialisht nga krimi i organizuar. Listës së borxhlinjve të KEK-ut kanë filluar t’i bashkëngjiten edhe bizneset, sepse edhe këtyre po u ngushtohet laku nga kriza, e aq më tepër nga pasiguria rreth përkeqësimit edhe të kësaj gjendje të palakmueshme që është në rritje e sipër.

KEK-u më mirë do të ishte t’i përqendroj përpjekjet në inkasimin e borxheve ekzistuese se të mendojnë për ngritjen e tarifave. Qeveria, MEM-i dhe KEK-u nuk e kanë të vështirë ta shtrenjtojnë rrymën, porse kjo do ta shtoj dukshëm kyçjen ilegale dhe vjedhjen e rrymës nga konsumatorët. Nuk është se konsumatorët e parapëlqejnë vjedhjen e rrymës; rryma është produkt i domosdoshëm dhe ata nuk mund të durojnë të mbesin pa të. KEK-u dhe autoritetet përkatëse mund t’i shkyçin sot vjedhësit e “ligjshëm”, por ata kyçen përsëri nesër. KEK-u dhe Qeveria nuk kanë llogari, as resurse e kapacitete të merren me çrregullimet që do ta përcjellin distribuimin e rrymës dhe shfrytëzimin e saj nga konsumatorët nëse bëhet rritja e çmimit. Gjykatat dhe sistemi i drejtësisë janë pothuajse në kolaps të plotë dhe këtë po na e bëjnë me dije shpesh edhe raportet nga SHBA dhe BE. Gjykatat nuk po janë në gjendje të merren si duhet me vrasje të rënda individuale, prandaj është e paarsyeshme të mendohet se ato mund të ngasin pas shumë faturave të papaguara të konsumatorëve për rrymë elektrike.

Shtrenjtimi i rrymës nuk duhet të lejohet nëse duam t’i shmangemi rritjes së vjedhjeve nga konsumatorët, sepse ata nuk kanë kah ia mbajnë në këtë katastrofë ekonomike. Ndërmarrjet e mëdha publike siç është KEK-u kanë mbetur edhe për një kohë si burimet e fundit ku mund të bëhet biznes. Përndryshe, Kosova është shumë larg për të ndërtuar një sistem ekonomik të bazuar në ndërmarrje private. Disa po mendojnë se kjo duhet të bëhet vjedhjen e ndërmarrjeve publike. 

Termocentrali “Kosova B” në pako me termocentralin “Kosova e Re”

Qeveria duket se ka vendosur ta përfshijë në një pako ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me “Kosova B”. Kjo mund të kuptohet drejtpërdrejtë nga deklarimet për shtyp të ministres Justina Pula kur thotë se “në formë definitive, kemi vendosur që termocentrali Kosova e re” të ndërtohet te “Kosova B”. Arsyetimi i Qeverisë është se një opsion i tillë është më i favorizuari për disa shkaqe, në mes tjerash për shkak të infrastrukturës dhe mundësive për të filluar punën sa më shpejtë. Padyshim se Qeveria nuk e ka fshehur qëllimin të jetë aksionar në “Kosova e Re”, prandaj edhe insiston në opsionet që shpijnë në fillimin sa më të shpejtë të punimeve, respektivisht gjatë kohës sa është në pushtet. Po të ndërtohet “Kosova e Re” në ndonjë lokacion krejt të ri nga investitorët e jashtëm, Qeveria vështirë se do të bëhej aksionarë. Ndërtimi i “Kosova e Re” në lokacionin e “Kosova B” (në të cilën pas lufte janë investuar 200 milionë euro) po ashtu mund të shfrytëzohet për fshehjen e investimeve reale,  ose paraqitjen e tyre në shifra të zmadhuara. Lokacioni aktual është përzgjedhur nga grupe të dyshimta të interesit politik, dhe si i tillë mendohet se nuk i plotëson as për së afërmi kriteret ndërkombëtare për ndotjen e mjedisit, ashtu siç nuk i plotësojnë as termocentralet ekzistuese në lokacionin ku gjenden sot.

Për fund, jo transparenca dhe bisedimet prapa dyerve të mbyllura që po i karakterizojnë shumë projekte të mëdha si “Kosova e Re”, ndërtimin e autostradës Vermicë – Merdare (tani e devijuar), privatizimi i PTK-së dhe KEK-ut, censura në RTK dhe lidhjet e shumë gazetave me krimin e organizuar të pushtetit, raportet “bombastike” dhe alarmante të mediave të huaja për gjendjen faktike në Kosovë, kanë krijuar dyshimin e madh në shoqëri se asnjë projekt nuk është serioz dhe në dobi të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, por pikë së pari në interes të grupeve politike të interesit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)