28 Mars 2024

Shteti rentier dhe dashuria ndaj Gjykatës Speciale

Shkruar nga Gurakuç Kuçi

Kosova posedon sot nivelin më të lartë, të panevojshëm, të padobishëm dhe të kritikuar nga Bashkimi Evropian në krahasim me rajonin të të punësuarve në administratën shtetërore.

Përkundër kritikave dhe kërkesave nga BE-ja, kjo gjendje nuk u ndryshua në asnjë moment por vetëm se u përkeqësua. Por përse nuk u realizua asnjëherë kjo kërkesë e BE-së?

Shteti rentier dhe krijimi i klasës ‘mburojë të pushtetit’

Shtete puro rentierë janë kryesisht shtetet e pasura me resurse natyror dhe buxhetin e shtetit e mbushin pothuajse vetëm nga të ardhurat e shfrytëzimit të këtyre resurseve.

 Por edhe vendet të cilat nuk janë të pasura me resurse natyrore apo të paktën nuk i shfrytëzojnë për momentin ato resurse si Kosova, në mënyra të ndryshme kanë arritur suksesshëm të krijojnë shtete rentierë dhe pothuajse të pavarura nga masa.

Në të dyja rastet nuk po flasim për shtetet perëndimore. Një nga këto shtete është edhe Kosova. Do t’i numërojmë me rend rentierizmin e shtetit të Kosovës.

Së pari, Qeveria e Kosovës vetëm gjatë vitit 2017 ka arritur të sigurojë të hyra nga Doganat e Kosovës në mbi 1 miliard e 117 milionë euro, ndërsa të hyrat mesatare vjetore në Kosovë nga remitencat apo paratë që vijnë nga bashkatdhetarët tanë në vite arrijnë shifrat e 700 milionë eurove.

Të hyra të tjera vijnë edhe nga donacionet e huaja si BE-ja, SHBA-ja, shtete të tjera dhe organizata ndërkombëtare dhe një shumë nga të hyrat e brendshme që është më e vogël.

Këto të hyra pra nuk fitohen nga puna dhe prodhimi i brendshëm në Kosovë, as qytetari nuk është në gjendje të kuptojë rëndësinë e taksave të tij e as shteti të varet nga taksat si burimi i parë buxhetor.

Në këtë mënyrë Kosova nuk është shtet prodhues dhe shoqëria nuk është vlerë e shtuar dhe pushteti i Kosovës arrin që si i pavarur nga shoqëria të mbështes shpenzimet dhe korrupsionin e saj pa llogaridhënie.

Rentierizmin e shtetit në të mirë të pushtetit e përmirëson edhe punësimi në administratën publike që kapë shifra mbi 91 mijë të punësuar.  Kjo klasë të punësuarish, automatikisht kthehet në instrumentin mbrojtës, klientelist dhe sielentelist të pushtetit dhe partive politike.

747.228 votues kanë dalë në zgjedhjet e përgjithshme në zgjedhjet e fundit. Me një përllogaritje të thjeshtë, të punësuarve në administratën publike dhe i shumëzojmë vetëm me katër anëtarë për familje (91.000X4=364.000) kemi 364 mijë votues mbrojtës të pushteti, po çka nëse llogarisim që lobimi i të tillëve shtrihet përtej familjes, dhe sigurojnë vota fisnore dhe shoqëror duke krijua fisocentrizëm, atëherë kemi një votim të madh të qytetarëve për rentierët e pushtetit që kanë emra partish të ndryshëm por veprojnë nën të njëjtën strategji veprimi.

Kjo është mbrojtja e pushtetit dhe partive politike pa dallim, të cilët asnjëherë nuk revoltohen e as nuk bëjnë zë ndaj pushtetit, pasi janë klientelë e partive politike dhe nuk janë të gatshëm në asnjë moment të humbin vendin e punës.

Për më keq shumica e këtyre të punësuarve janë të përzgjedhur të pushtetit si të diplomuar “hoxhoboxho”, studentë të skriptave, me diploma të vlefshme juridikisht, të pavlefshme nga dija faktikisht, por të tillët janë konformistë të mirë dhe në asnjë moment nuk janë barrë por vetëm vegël e pushtetit për militantizmin e tyre.

Atëherë përse duhet partitë politike të bëjnë ndonjë program politik zhvillimor të vlefshëm për vendin kur sigurinë e kanë nga kjo mënyrë?

Pastaj pushteti paqen dhe heshtjen e rinisë së Kosovës, e ka siguruar nëpërmjet mbërthimit të tyre nëpër universitete publike, duke u mundësuar që secili të jetë pjesë e universitetit, pa marrë parasysh kushtet financiare dhe aftësinë e tyre për tu bërë pjesë e dijes.

Një element tjetër i fuqishëm që i siguron ekzistencën pushtetit, partive politike dhe liderëve të tanishëm, është edhe biznesi. Biznesi në Kosovë në shumicën e rasteve ose u takon politikanëve, ose këta të fundit janë aksionar, ose janë njerëz apo të afërm të tyre, gjë që e lidh një trekëndësh shteti-biznesi-oligarkia, dhe nuk ka biznese kërkuese për lehtësime pasi kanë monopatin në shumë sfera ligjërisht me konkurrencë fantome, nuk ka treg të lirë dhe investimet nga jashtë janë të pamundura për shkak të harraqit dhe taksave që në krahasim me vendet fqinje janë tri herë më të larta.

Të gjitha këto krijuan shtetin ideal për pushtetarët në emër dhe kërcënim për ruajtje dhe prishje të stabilitetit ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Zgjidhja

Nuk ka një zgjidhje që vjen nga duart e pushtetit, nuk ka një zgjidhje që vjen nga partitë politike me kuadro udhëheqës të tanishëm. Sepse asnjë uzurpokrat, autokrat apo oligark nuk do ia prishte vetes salltanetin e pushtetit.

Dhe këtu atëherë kemi dy mundësi, njëra shumë pak e mundur, një revolucion politik, i cili nuk përkrahet për shkak të konformitetit të masës dhe mungesës së përkrahjes financiare të intelektualëve dhe shtetarëve të cilët do mund të dilnin në skenë, pasi bizneset nuk duan të humbin monopatin e tyre të përkrahin njerëz liberalist dhe demokrat.

Mundësia e dytë, është çmontimi i skenës politike nga jashtë. Një fushatë e tillë pritet të ndodhë këtë vit. Si proces i BE-së e cila si duket dëshiron t’i jap fund stabiliokracisë (sundimit të stabilitetit) që tashme është arritur, duke kaluar në kërkimin e demokracisë, sepse nuk ka një rrezik thelbësor etnik nga popujt e Ballkanit Perëndimor për konflikt apo luftë, por nga pushtetarët të cilët shfrytëzojnë pseudo-nacionalizmin për ruajtjen e pushtetit të tyre korruptivë.
Për veprime të tilla BE-ja ka të dhënë dhe analiza edhe më të sakta se që ne mund të paramendojmë.

Andaj në gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, diku me prokurori speciale, diku me gjykata speciale e diku me veting, të bëjë spastrimin e stabilokratëve uzurpokratë të cilët kanë krijuar “demokraci formale me oligarki funksionale”.

Këtu rrjedh sot edhe dashuria dhe reagimet pro Gjykatës Speciale (dhomave të specializuara) për krimet e supozuara të luftës në Kosovë.

Sepse shihet si shpresë për spastrime politike që do i hiqnin zingjirët nga fyti shtetit të Kosovës pasi mënyrë tjetër nga brenda nuk shihet për momentin e arritshme, dhe pauzimi i tyre nga politika nuk është i afërt pasi edhe nga mosha janë të rinj.

Askush nuk e dëshiron Gjykatën Speciale në Kosovë që të gjykojë krimet e supozuara nga çlirimtaret për vitet 1998/’99, por askush nuk po mund të durojë disa liderë të luftës të cilët edhe vetë UÇK-në dhe meritën e tyre e venitën me kapjen e çdo sfere të jetës në Kosovë dhe keqpërdorimin galopant me listat e veteranëve.

Por, ajo gjykatë përfshinë edhe muajt pas luftës në vitin ’99 dhe pastaj 2000 e që gradualisht do jetë e nevojshme zgjerimi i viteve ku duke u gjykuar krimet politike ndërlidhen edhe krimet ekonomike që nuk i mëveshët UÇK-së e as vetëm atyre që sot quhen ‘krahu i luftës’ dhe ‘krahut të paqes’, pasi këta të fundit edhe kur ishin vetë në pushtet nuk shprehën në asnjë moment gatishmëri për veprime në zbardhje të vrasjeve e krimeve të ndryshme ndaj veprimtarëve të LDK-së, që lë të kuptohet se janë bashkëfajtor.

Kjo ngjall mbrojtjen ndaj Gjykatës Speciale dhe jo që nuk e dëshiron dikush UÇK-në apo çlirimtarët.

Madje shoh absurditet edhe më të madh kur i linçojnë shumë figura që janë pro gjykatës të cilët familjarisht kanë qenë atdhetarë dhe mbesin shtetarë por nuk e shohin luftën e tyre si sakrificë për të uzurpuar të ardhmen e popullit dhe ekzistencës për të cilën ata kanë luftuar.

Dikur së bashku me një mik timin edhe kemi pas shkruar një artikull “Lufta për lista apo për liri”.

Por ku është sot miku im duke vepruar, që si i ri mua dhe atij na e shkatërruan të ardhmen pushtetarët rentier, gjithashtu kam pas shkruar edhe për psikozën e pushtetit dhe qëndrimit e gjatë në pushtet ekstremisht të dëmshëm për Kosovën që po shkatërrojnë shoqërinë e Kosovës.

 Jam i bindur në pastërtinë e luftës së UÇK-së për vitet 1998/’99, dhe kjo gjykatë do jetë ajo gjykata që do dënoj njerëz si ish-kryeministrin e Sllovakisë Meçijarin apo Ivo Sanaerin e Kroacisë, por që janë nga Kosova.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)