20 Prill 2024

Serbisë i ka ngecur ora

Shkruar nga Zejdush Kastrati

Ky shkrim bëhet kryesisht për ata që nuk kanë vizituar Beogradin, por edhe për disa jugonostalgjikë që për çdo javë shkojnë në Serbi, bile, disa nga ata, kanë edhe selitë dhe marrin fonde, por si duket, Kosovën e kanë target të kritikës, kurse nuk hezitojnë të lavdërojnë dhe të promovojnë Serbinë si shtet...!

Pas vitit 1999, vetëm një herë, edhe atë gjatë natës kam udhëtuar nëpër Serbi, drejt Hungarisë (nuk pata pasur rastin te shoh pothuaj asgjë)dhe ishte ky udhëtimi im i parë pas lufte, ditën, nëpër Serbi, që bëra këto ditë.

Në pikën kufitare Dheu i Bardhë, afër vendlindjes sime, kolonë e gjatë e veturave, kryesisht nga diaspora, që prisnin të ktheheshin për Gjermani, Zvicër, Suedi, Francë(vëreheshin nga regjistrimi në vetura).... dhe ishte skenë bukur e rëndë dhe e mërzitshme.

Pritjet zgjatnin edhe nga dy orë, për të kryer formalitetet kufitare...por, tek disa, vërehej edhe nervozizëm.

Skena jo të mira, edhe sa i përket atmosferës dhe disponimit të atyre që prisnin në radhë, por edhe një ambient i papastër në dy anët e rrugës, me mbeturina, qese najloni e hedhurina nga më të ndryshmet, gati deri tek dera e kontejneri të Doganës kosovare...!

Megjithatë, vërehej sjellja korrekte e policisë kufitare kosovare, që kontrollonin pasaportat, kurse vetëm disa metra para se të afrohemi tek sporteli i palës serbe, nga një veturë me tabela të Gjermanisë, së bashku me pasaporta, vozitësi i veturës i ofron policit në sportelin e pjesës serbe, një 'Coca Cola' 2 litërshe dhe disa pako cigare...!

Kalojmë kufirin dhe vazhdojmë drejt grykës së Konçulit, nëpër Lluçan, drejt Bujanocit. Vendbanime pothuaj etnikisht shqiptare me ndërtime për lakmi, rrugë të mira, biznese që fillonin punën në orët e para të mëngjesit dhe pa ndonjë vonesë, lëshojmë Bujanocin dhe futemi, tek ura, që lidh autorrugën 10, që lidh Serbinë me Maqedoninë....

Zymtësi e madhe

Që në start na bie në sy një panoramë e zymtë dhe që nuk kisha besuar pa e parë vetë, sikur të më kishte thënë dikush tjetër! Hoteli, në të dalë të Bujanocit, para vitit 1999 ishte pikëqëndrim për mysafirë të shumtë nga gjithë bota (tërësisht i shkatërruar dhe i lënë shkret), Fabrika e ujit mineral "Heba", pastaj Banja e Bujanocit, "Simpo" e Vranjës, motelet në Predejane e Vladiçin Han, dikur gjigante turistike e ekonomike, në të majtë të rrugës për Beograd krejtësisht apo pjesërisht të lënë në mëshirën e kohës dhe pa asnjë meremetim apo renovim kishin mbetur, pa kurrfarë atraktiviteti dhe shije, me një eksterier demode, që nga periudha e Jugosllavisë së Titos, pa ndonjë përkujdesje, duke ofruar shërbime jocilësore, në ambiente të zymta për syrin.

Ajo që binte në sy ishte se në motelet dhe restorantet, afër rrugës, por edhe në pompat e derivateve, pjesa dërmuese e mysafirëve ishin shqiptarët e diasporës, por edhe turq, që identifikoheshin gjatë komunikimit mes tyre, por gjithashtu ishin ata, që blinin dhe linin para aty ku ndaleshin për të pushuar .!

Edhe pse autorruga 10, që kalon nëpër Serbi, pastaj, vazhdon për Maqedoni drejt Greqisë, është e një rëndësie të veçantë për rajonin, me atë çka ofron për vozitësit dhe turistët, krahasuar me rrugët që janë ndërtuar në Kosovë, gjatë këtij 10- vjeçari, e them me përgjegjësi të plot, se jemi para tyre dhe dallojmë sikur "nata me ditën", apo sikur Zvicra me Kosovën....!

Tundime të shumta gjatë rrugëtimit, për shkak të kualitetit, me ndërprerje për shkak të punimeve në rrugë, me vetëm dy korsi, me pompa për furnizim me derivate, të një niveli sa i përket infrastrukturës përcjellëse shumë të mangët, dhe në 380 kilometrat sa zgjat rrugëtimi deri ne Beograd, në asnjë vend dhe në asnjë qytet nuk mund të gjesh ndonjë pompë për derivate apo kompleks hoteli, që përafërsisht i ofrohet ndonjë kompanie tonë në Kosovë, sa i përket infrastrukturës dhe objekteve përcjellëse, që ka në dispozicion pushuesi, përkatësisht udhëtari !

Kryeqyteti i amortizuar

E veçanta tjetër që të bie në sy është se nëpër rrugë, por edhe në Beograd, si kryeqendër dhe metropol, krahasuar me llojet dhe tipat e automjeteve që qarkullonin nëpër rrugë, apo mund t'i vëresh nëpër parkingje, kryesisht dominonin vetura të përdoruar dhe të vjetruara dhe kishte edhe 'Jugo', 'Zastava', 'Fiat', 'Reno', 'Pezho'...., e shumë pak nga veturat, të cilat mund t'i hasësh nëpër rrugët dhe qytetet e Kosovës, çka dëshmon më së miri për standardin jetësor në të cilin jetojnë serbët...

Beogradit, si kryeqendër e Serbisë, kam bindjen se i nevojiten miliarda për të rinovuar dhe për të ndryshuar pamjen dhe fasadimin e objekteve nëpër këtë qytet 2 milionësh, që dukeshin si fantazma dhe që në hyrje, në kryeqytet, të trishtojnë dhe janë ndërtime nga koha e Jugosllavisë se Titos apo kur Beogradi qeveriste me tërë ish- RSFJnë, e që më asnjëherë nuk është investuar në to...!

Edhe "Danubi në ujë", një projekt i promovuar me të madhe në mediat serbe, si financim i botës arabe, nuk është diçka që të fascionon. Janë ndërtuar dy objekte afariste që ngjanin në një skeleturë të papërfunduar dhe përkundër lumit Danub, që gjithsesi ka vlerë dhe që ofron mundësi për ndërtime kolosale, hëpërhë nuk vërehej diçka që të tërheq si vizitor dhe mund t'ia kishe lakminë...

Edhe në qendra tregtare, dyqane, (dominonin dyqanet kineze )e lokale hoteliere, por edhe kafene, nuk ka ndonjë gjallëri që dallon Beogradin gjatë ditës, në krahasim me atë që sheh në Kosovë, por ankesat për (mos) punë, për ikje të rinisë nga Serbia, për paga shumë të vogla, për hajni, abuzime, kurvëri, e keqpërdorime, janë tema të pashmangshme, por kuptohet, në takime me ata që janë pjesë e politikëbërjes në Serbi, PR-i për Serbinë Demokratike, për dialog dhe tolerancë, për fqinjësi të mirë, për respektim ...janë "specialitet" që i servohet çdokujt, që interesohet për zhvillimet politike në këtë vend e që është edhe fqinji ynë.

S'ka dilemë, në aspektin personal, sa i përket zhvillimit infrastrukturor dhe mirëqenies individuale, si nëpër qytete, ashtu edhe vendbanime periferike të Kosovës, edhe pse vetëm 10 vjet jetëgjatësi si shtet, vërehen përparime që kurajojnë, me shtëpi, rrugë, vetura, ... por, gjithsesi, në aspektin e perspektivës, kryesisht për shkak të elitave politike që në kontinuitet qeverisën me këtë vend, mund të kemi vërejtje dhe kritika të mëdha, sepse po të qeveriseshim më dinjitetshëm dhe me më përgjegjësi, me siguri, Kosova jonë do mburrej edhe me shtete të tjera të rajonit, e jo vetëm me Serbinë....

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)