19 Prill 2024

Seanca e 24 gushtit, dalje nga kriza apo rruga drejt anarkisë!

Shkruar nga Behxhet Sh. SHALA


Armiqësia si motiv për veprim politik
Më në fund edhe koalicioni PAN doli nga zgafella dhe u pajtua që seanca për zgjedhjen e organeve drejtuese të Kuvendit të mbahet me 24 gusht 2017 për të cilën u pajtuan edhe subjektet dhe koalicionet tjera politike. Koalicioni PAN, deri më tani nuk i kishte numrat dhe tani kur mendon se i ka votat e nevojshme u pajtua të merr pjesë në seancë e cila, së paku deri më tani kishte karakter ceremonial me ç’rast kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e subjekteve politike shqiptare janë votuar formalisht dhe në pako.

Tash, opozita po bën përpjekje që të imponojë kandidatin për kryetar të Kuvendit ndonëse mendimi (për mua i papranueshëm dhe i palogjikshëm) i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 nuk lë asnjë dilemë për këtë. Partitë opozitare e sidomos disa “korba që shtiren se janë shqiponja", të porsalindura në subjektet ku janë deputetë, skajshmërisht po e kundërshtojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit dhe besoj çdo pjesëtar të luftës ngase tërë “filozofinë” e veprimit politik e kanë ndërtuar mbi urrejtjen ndaj bartësve të luftës çlirimtare, UÇK-së dhe çdo vlere kombëtare. Historia e tyre politike dhe “kombëtare” i përket regjimit kundër të cilit edhe u bë lufta çlirimtare, me shumë sakrifica, që nga burgjet shekullore në me krye Bacën Adem Demaçi, të Pavdekshëm dhe të Përjetshëm, që ishte Abetarja dhe Akademia e brumosjes e të gjitha angazhimeve për liri e që u vlerësua nga e mbarë bota por u “vra” me qindra herë nga mohuesit e luftës për liri e deri te historia e flijimit madhështor dhe të papërsëritshëm të Komandantit Legjendar që e ndryshoi hitorinë politike dhe doktrinën ushtarake, të Madhit dhe të Papërsëritshmit Adem Jasharit dhe ushtarëve legjendarë të tij; Zahir Pajaziti, Shkëlzen dhe Luan Haradinaj, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Sali Çeku dhe Agim Ramadani, Ilaz Kodra dhe Remzi Ademaj dhe shumë e shumë heronjve të tjerë që me flijimin e tyre ua mundësuan edhe horrave antikombëtarë ta gëzojnë këtë liri dhe të ngrejnë pasuri dhjetra e qindra milionëshe eurosh.

Këta duan ta bëjnë arkitekturën se si duhet të jetë kryetari i Kuvendit dhe a do të jetë sipas “standardeve” të tyre por nuk lejojnë të kontestohen kandidatët e tyre për kryeministër (nëse në ndërkohë “vdesë “ Ramush Haradinaj) Albin Kurti dhe Avdullah Hoti që është jashtë çdo logjike. Rregullat demokratike përcaktojnë të drejtën që çdo parti politike t’i propozojë ata për të cilët mendojnë se janë më të mirët dhe këtu nuk ka përjashtime. Nëse opozita e kundërshton kandidatin e PAN-it për kryetar të Kuvendit atëherë edhe PAN-i mund t’i kundërshtojë kandidatët e opozitës për nënkryetar të Kuvendit e që nënkupton bllokimin e Kuvendit përmes mohimit të organeve drejtuese në kohën kur të njëjtit deputetë, ndonëse bllokues, vazhdojunë të marrin rrogat e pamerituara për pengim të funksionalizimit të Kuvendit! Kështu nuk ndodhë as në Leshistan! Po cili subjekt politik do të lejonte poshtërimin dhe degradimit e liderit e që kërkohet nga PDK! A do të lejonte këtë LV dhe LDK? Kurrë dhe asnjëherë! Kështu, nëse PAN dhe PDK i nënshtrohet shantazhit të opozitës më mirë është që t’i mbledhin plaçkat e luftës dhe të pasluftës e të kalojnë në pension politik. LV, si kusht për bashkëqeverisje me LDK -në e kërkon postin e kryeministrit për Albin Kurtin dhe këtë as që e diskuton sikur edhe LDK e sheh vetëm Avdullah Hotin kryeministër!

Me këtë rast kemi të bëjmë me një lojë të ndyrë ku mungon sinqeriteti te të dyja palët armiqësore sepse ashtu e konsiderojnë njëra – tjetrën. E kemi një situatë jonormale kur opozita e deklaron veten si shumicë parlamentare ndërsa nuk është në gjendje të sigurojë kuorumin e domosdoshëm për mbajtjen e seancës sikur që pozita gjatë tërë kohën deklaron se i ka votat e domosdoshme për krijimin e institucioneve ndërsa i bojkoton të gjitha seancat e Kuvendit! Realisht, asnjëra palë nuk i ka numrat dhe votat janë 60 me 60 ku, njëra palë bënë përpjekje ta marrë pushtetin sikur që të njëjtin qëllim e ka edhe pala tjetër. Për aq sa ka të drejtë të synojnë postin për kryeministër Albin Kurti dhe Avdullah Hoti edhe më shumë ka të drejtë Ramush Haradinaj sepse është fitues i zgjedhjeve ndërsa posti i kryetarit të Kuvendit, në bazë të interpretimit të Kushtetutës të vitit 2014 as që diskutohet, i takon koalicionit fitues dhe kandidatit që e propozojnë. Është çështje e koalicionit se kend do ta propozojë dhe këtu kemi të bëjmë me matematikë të thjeshtë; bëhet votimi ku mund të votoni për, kundër ose të abstenoni. Asgjë më tepër. Kjo është e drejtë por edhe detyrim i çdo deputeti të Kuvendit të Kosovës sikur që pjesëmarrja në seancë konstituive nuk është çështje vullneti por detyrim kushtetues.

“Shumica parlamentare" dhe pakica fituese
LV, LAA po deklarohen si shumicë parlamentare kurse asnjëherë nuk e siguruan kuorumin për seancë parlamentare. Koalicioni PAN dhe pakicat nuk i siguruan votat për funksionalizimin e institucioneve. LV dhe LAA e fajësojnë PAN-in për bllokadë institucionale por vet e bllokojnë funksionalizimin e Kuvendit përmes kundërshtimit të propozimit të PAN-it ndërsa duan ta bëjnë Kuvendin në mënyrë selektive duke i zgjedhur nënkryetarët e tyre sikur të ishin deputetë të Kuvendit të Hajkobillës ku nuk ka, as ligje e as Kushtetutë! PAN e vërtetoi thënien antologjike “patriotike" të Fadil Hoxhës (ideologut politik dhe kombëtar të opozitës), bira e minit – 300 grosh dhe nuk doli nga “bira e minit" deri sa u sigurua se i ka ato 300 grosh. Opozita nuk po i siguron qytetarët se ka një program ekonomik dhe politik që siguron stabilitet politikë dhe ekonomikë për qytetarët e Kosovës por se po e ofron një bllok të unifikuar kundër PDK-së. Propozimi i Gjet Pacollit për një qeveri gjithëpërfshirëse ku nuk do të përjashtohej askush nga qeverisja është shumë më racional se ai i LDK dhe LV që e duan pushtetin vetëm për vetën e tyre, pra luftojnë për pushtet ndonëse nuk i kanë votat. Të gjithë kundër PDK-së më kujton kohën kur në vitin 1948 u formua shteti i Izraelit dhe kishte një mundësi për bashkëqeverisje me palestinezët por arabët, si mosnjohës të politikës strategjike dhe duke u mbështetur në epërsinë numerike kishin vetëm një propozim: 'çifutët duhet të hudhen në det.” Për një popull që kishte dalë nga holokausti ku përgjegjësia e botës ishte e madhe për pësimin e tyre, ishte një dhuratë e paimagjinueshme. Bota ishte në anën e çifutëve sepse ndjenin përgjegjësi për pësimet e popullit çifut, i përkarahi materialisht dhe ushtarakisht ndërsa arabët e pësuan keq duke humbur territore dhe duke u rrudhur teritorialisht sikur sot shqiptarët.

Të gjithë po e kundërshtojnë PDK si partner kurse po përpiqen të lidhin aleanca politika jonormale. LV po e joshë LDK deri sa ta fusë në thes pastaj, brenda një viti nga LDK do të mbeteshin vetëm mbetjet mortore politike. AKR po e luan rolin e Zvicrës duke e përcjellur situatën që pastaj të rreshtohet pas koalicionit që do t’i formojë institucionet duke përfituar shumë ose, më mirë të them, sa të dojë! Partia e paraardhësit të shqiptarëve dhe tezes së Gadafit në Kosovë, me dy themelues që njëkohësisht janë e gjithë anëtarësia dhe të dy janë deputetë dëshiron të faktorizohet pikërisht duke shërbyer si material për kontrabandim të marrjes së pushtetit, për të dyja palët! Për këtë shtrojnë argumente të çoroditura për të akuzuar palën tjetër. Tezja e Gadafit në Kosovës, shqetësimin kryesor e ka se me mosfunksionalizim institucional, Kosova humb kaq e kaq miliona euro ose, nëse e thjeshtësojmë çështjen, Tezja e Gadafit në Kosovë paraqitet si ruajtëse e thesarit të Kosovës! Çfarë absurditeti dhe kush do të besojë ate që e thotë duke e ditur lakminë antologjike të saj që, përmes pushtetit të vijë te paraja!!

PAN sigurisht se nuk zgjedhë mjete për t’i siguruar votat për të ardhë në pushtet, qofshin ato të lejuara apo të palejuara. Në luftë për pushtet nuk ka mjete të palejuara por se të gjitha mjetet janë të lejuara. Hajt më gjeni një deputet që, për shkak të vetëdijes së lartë shtetformuese, nëse nuk ia mbushni llogarinë me euro të buta, do të votonte për subjektin apo koalicionin armiqësorë? Pikërisht për këtë kohë ruhen paratë e pista nga tenderët dhe lejet e ndërtimit e që pastaj, me marrjen e pushtetit, shumëfishë shpaguhen! Personi më i pushkatuar kohën e fundit është Teuta Rugova e cila, e fundit vendosë për votën e saj. Madje nuk e vendosë fare! Disa skifterë që kanë dalë nga foleja e qyqeve, propozojnë që Teuta Rugova në rast të votojë për PAN-in, të përjashtohet nga LDK sikur që LDK të jetë pronë e tyre ndonëse, në librezën e partisë ku janë ende i kanë shkronjat e njoma për shkak të aderimit të vonshëm! Në LDK nuk kanë ardhur ta largojnë Teuta Rugovën por që ta marrin partinë! Teuta Rugova është pikënisje që përmes pikëkalimit të rremë demokratik, ta marrin LDK-në. Ata, kinse e mbrojnë Isa Mustafën në kohën kur janë të sigurt se koha politike e Isa Mustafës ikën me erën e ndryshimeve të domosdoshme. Këta nuk kanë lidhje me demokracinë sepse janë të mbushur me urrejtje patologjike kundër kundërshtarit politik që e konsiderojnë armik. Janë shkëputur me një shpejtësi të madhe nga toka dhe rikthimi në tokë mund të jetë me shumë trauma dhe dhimbje! Elefantët e LDK, me një jetëgjatësi të mbijetesës politike mbi 30 vjeçare nuk do të shemben lehtë! Nëse konsiderohet e pamoralshme përpjekja për kontrabandim të deputetëve po aq e pamoralshme është linçimi publik dhe dhunimi i vullnetit të votës për ata që nuk iu binden. Në seancat e kundërligjshme, pa kuorum dhe pa të drejtë diskutimi sepse është seancë solemne, u sulmua shumë krahu i luftës dhe komandantët. Realisht disa komandantë e meritojnë të kritikohen dhe jo vetëm të kritikohen, jo për periudhën e luftës por për periudhën e pasluftës mirëpo, ai që kritikon duhet të jetë së paku një katramë më i mirë se ai që kritikohet.

Nëse dikush e sulmon Ramush Haradinajn se nuk ka bërë luftë të fortë, se nuk ka sakrifikuar vet dhe me familje, se ka dezertuar apo penguar luftën dhe në rastin ekstrem se është dorëzuar apo se u ka rënë në gjunj serbëve, atëherë seriozisht duhet të brengoset për gjendjen shëndetësore që e ka në kohën kur flet kështu. Ramush Haradinaj dhe disa komandantë të tjerë mund të dyshohen dhe fajësohen për 100.000 arsye tjera por se ka qenë frikacakë apo se u ka rënë në gjunjë serbëve nuk mund ta thonë as armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve. Për këtë arsye vlerat e luftës (heronjtë dhe dëshmorët e kombit) duhet të mbrohen me ligj kurse këta që kanë hyrë lakrave pas përfundimit të luftës duhet të mbrohen vet ose të angazhojnë avokatë! Ata që e kanë mbrojtur lirinë me gjak dhe sakrifica duhet të mbrohen me ligj kurse ata që gjakun e derdhur e kanë keqpërdorur për pasurim dhe punë të këqija duhet të ndiqen me ligj!

Bashkëpunimi i LV dhe LDK është thuaja i pamundur ose i përkohshëm, i mbështetur në interes për marrje të pushtetit e jo në parime. LV, e etur për pushtet (është duke bërë gabim strategjik që ta marrë pushtetin në këtë kohë e që nuk do mund ta merr) është në pozitë inferiore përballë LDK –së e cila vazhdimisht ka kërkesa të reja e që nuk kanë përfundim. Fillimisht kërkonin që LV ta pranojë “ rolin historik” të Ibrahim Rugovës për të vazhduar me do kërkesa tjera. Komandantët e luftës, thuaja të gjithë u paluan para varrit të Ibrahim Rugovës ndonëse e donin sikur kripën në sy dhe ja ku janë tani. Edhe dolën të pasinqertë, edhe dolën të humbur. Mos të them, edhe të koritur! Tash po kërkojnë kërkimfalje për sulmet që i bënë Isa Mustafës, në zyrë ku punonte, në rrugë për shtëpi por edhe në gjirin familjar. Pastaj duan sqarime rreth 72 dosjeve që LV i paska dërguar në prokurori nëse janë të vërteta apo LV ka luajtur koqe me Isën. Nesër mund të kërkojnë informata për kohën kur është bërë synet Visar Imeri apo rrethanat në të cilat Drane Leshi e paska humbur virgjërinë! LDK është parti serioze prandaj i do të gjitha informatat e rëndësishme politike, para se të bëjë koalicion me LV që e ka kërkuar Dhelpra e Marecit, Gjet Pacolli. Duhet ta pranoni se emri i xherrahut të Visar Imerit dhe abuzuesit me virgjërinë e Drane Leshit janë përcaktuese për kaolicionin LV – LDK. Merreni tash me mend se në duar të kujt ka mbetur fati i Kosovës dhe se kush po bënë politikë në Kosovë?!

Zgjedhjet lokale, pa ato të përgjithshme
Nuk besoj se do të ketë zgjedhje të përgjithshme të jashtëzakonshme. Kam qenë edhe kundër mocionit për mosbesim të qeverisë dhe kam shkruar se më së keqi do të kalojë ai që iu kruhet për zgjedhje të parakohshme. Ashtu edhe doli. Edhe në këtë rast, ai që këmbëngul për zgjedhje të jashtëzakonshme, do të ndahet i lagur, pa asnjë dyshim! Tash, kanë shumë rëndësi zgjedhjet lokale ku LV po garon me ekipin e parë duke luajtur në; të gjitha ose asgjë! Është me rëndësi kush e merr Prishtinën, Prizrenin, Pejën dhe Ferizajin. Gjilani dhe Mitrovica janë të interesit dytësorë! LDK po garon me lojtarë që u ka skaduar mandati apo janë buzë skadencës. Përkundër saj, nuk do të ndahet keq në këto zgjedhje nëse lidhë koalicione me partitë tjera sidomos para balotazhit. Nëse shkonë e vetme, e ka vjelë bostanin! AAK mund ta rikthejë Zonën Operative të Dukagjinit që do të ishte sukses i madh. PDK është në hall të madh sepse nuk po gjenë kandidatë kredibilë për zgjedhje lokale. Në Besianë, Agim Veliu e hanë të gjallë, me një kafshatë Hajrën që është i mirë por kjo nuk i mjafton në politikë. Madje, të qenit i mirë merret si rrethanë rënduese. PDK po përqahet sepse nuk po ka disiplinë partiake. Anëtarëve që nuk po ua plotësojnë dëshirat personale, ose po kalojnë në subjektet tjera politike ose po i përqajnë pikat më të forta të PDK-së që nënkupton se intereset personale i kanë mbi ato partiake ndonëse partia i ka afirmuar politikisht dhe i ka pasuruar materialisht por i ka varfëruar njerëzerisht. Po tregohen shpirtngushtë duke kafshuar dorën që i ka ushqyer kur kanë qenë të pangopur, i ka veshur me rroba firmato duke ua mbuluar zhelet, i ka bërë të ngasin vetura të kushtueshme në kohën kur janë kontrabanduar, pa bileta në autobusët lokalë, ua ka mësuar gjeografinë botërore në kohën kur në Prishtinë e kanë humbur rrugën nëse nuk kanë pasur shoqërues, i ka bërë me dashnore në kohën kur kanë bërë veprime manuale dhe privilegje të tjera. Sa i përket disiplinës dhe përkushtueshmërisë partiake LV dhe LDK janë shumë para PDK andaj filloi rrëshqitja me rënie të lirë e PDK-së. PDK –së do t’i duhen së paku 8 vite ta marrë veten ose do të bëhet pjesë e arkivës. Edhe LDK, pak më vonë por edhe LV e pret i njëjti fat deri në kohën kur në skenën politike do ta dalë një forcë e re politike që nuk ka hipoteka nga e kaluara, nuk mbështetet në meritokraci, është e emancipuar politikisht, nuk do të arsimohet në Universitetin e Prishtinës dhe që do ta dërgojë në të së ëmës Kushtetutën e Ahtisarit. Këto do të prodhojnë dekriminalizimin e politikës dhe do ta pengojnë venezualizimin (mohimin e të ndjerit Hugo Çavez dhe aktualit Nikolas Maduro) të politikës së Kosovës. T’i funksionalizojmë së pari institucionet, t’i kalojmë pa probleme zgjedhjet lokale, ta ëndërrojmë dhe të mos pushojmë së punuari pastaj për një Kosovë ndryshe!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)