19 Prill 2024

Rugova, babai themelues i shtetësisë së Kosovës

Shkruar nga Behgjet Pacolli


Në këtë 5 vjetor të ndarjes nga jeta të Ibrahim Rugovës, presidentit tonë historik, do doja dhe unë të bëja me dije disa gjykime të miat për të. Disa janë sintezë e gjykimeve të mëhershme. Disa janë pjesë nga libri im më i fundit autobigrafik “nga Sfida në Sfidë, jeta, Behgjet Pacolli”.

Ibrahim Rugova bën pjesë në atë galeri personalitetesh të historisë moderne të njerëzimit, që mund të quhen pa frikë “baballarët themelues të një shteti”.

Ky karakterizim është nisur më së pari të përdoret për politikanët themelues të Amerikës, për 55 nënshkruesit e parë të Kushtetutës Amerikane.

Më pas, ai është përdorur për themeluesit e Bashkimit Europian, Zhan Mone, apo Konrad Adenauer. Këtë rëndësi e ka Ibrahim Rugova për historinë tonë të re,si Kosovë, por dhe si komb shqiptar.

Së dyti, doja të thoja se kontributi i tij më i madh, ishte shndërrimi në njëlloj sjellje politike karakteristike, i urtësisë sonë popullore. Ky popull, megjithëse i vogël ka patur brenda farën e përçarjeve të mëdha, që lanë regjimet pushtuese, të cilat zgjatën shumë, por ai ka ditur gjithmonë të ruajë një unitet të admirueshëm.

Rugova ishte bartësi më i ndritshëm i kësaj fryme uniteti. Ai është realizator i pajtimit të madh në shoqërinë kosovare të pasluftës, diçka të cilën ne e ndjejmë dhe jemi përftues dhe sot. Fryma e pajtimit që ekziston sot në shoqërinë tonë është produkt i vizionit të tij, i urtësisë së popullit tonë, mishëruar në filozofinë e tij politike.

Së treti, Rugova ishte një njeri me idetë të qarta për të ardhmen. Kam qenë në makinë nëpër rrugët e Evropës në fillim të viteve 90, dhe dëgjoja idetë e tij për të ardhmen e Kosovës të shprehura në një nga ato konferencat e përjavshme të shtypit:

Kosova shtet i pavarur dhe sovran, i hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë, aleat i Shteteve të Bashkuara dhe Komunitetit Europian, etj. Rugova jo vetëm i shihte si ëndrra, por dhe punoi për t’i jetësuar këto aspirata kombëtare, megjithëse pati fatin e keq të vdiste pa e parë Kosovën të pavarur.

Së katërti, Rugova ishte një njeri që kishte ide origjinale për zhvillimin ekonomik të kësaj Kosove, mbështetur tek prodhimet origjinale të tokës sonë. Për mua që i jam kushtuar një kohë bukur të gjatë biznesit, këto ide ishin me të vërtetë të mrekullueshme dhe janë realiste në të gjitha kohrat.

Pas këtyre gjykimeve të përmbledhura mbi figurën e Rugovës, po them diçka më detale, rreth këtij gjigandi të kohës sonë, për të cilin neve nesër do të mburremi se ishim bashkëkohësit e tij.

Njohja me Rugovën

Nga të gjithë politikanët e Kosovës, me Rugovën e kam pasur njohjen më të hershme. Me të kam pasur rast të takohem disa herë në Lugano, diku në fillim të viteve nëntëdhjetë. E mbaj mend se me Rugovën, atëbotë, kemi kaluar disa ditë të bukura së bashkë me disa aktivistë të LDK-së të degës në Zvicër. Kemi biseduar për shumëçka por kryesisht për agjendën e udhëtimeve dhe takimeve të tij në vende të ndryshme.

Natyrisht, zhvillimet në Kosovë kanë qenë temë e pakalueshme e bisedës. Shtetbërja e Kosovës ka qenë preokupimi i  Rugovës, sepse ishte koha pas Deklaratës për Republikën e Kosovës. E kam takuar edhe në vitin 1994, këtu në Kosovë, në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve.

E kam takuar edhe në vitin 1997, përsëri në Lidhjen e Shkrimtarëve, pas një aksioni që ndërmorën bashkëpunëtorët e tij për të mbledhur donacione për shtëpinë e tij.

Këtij aksioni iu kam bashkëngjitur edhe unë, bile fuqishëm... Unë e di se projekti që i ofrova Rugovës për rezidencë ka qenë shumë i bukur dhe i përshtatshëm në të gjithë parametrat.

Ishte dëshirë e flaktë imja, që ta përkryeja projektin dhe atë ndërtesë ta ndërtoja me një donacion timin dhe ta shihja si banorin e parë të saj, Presidentin Rugova të ndjerë, që ishte munduar shumë për këtë që ne gëzojmë sot në Kosovë.

Edhe përkundër kostos së madhe që kishte ndërtimi i saj, unë për Presidentin Rugova do ta bëja. Këtë projekt e kam futur në librat e mia, që së paku aty të kem një kujtim të merituar, pasi dëshira ime ishte shumë e madhe për të realizuar këtë projekt. Ky është një nga projektet për të cilin marr lëvdata gjithandej kur e shohin në letër.

Por njohjen më të mirë dhe takimet më intensive me Rugovën i kam pasur pas luftës. E kam takuar në vjeshtën e vitit 1999, pas kthimit nga Italia. Atëbotë, Rugova kalonte një periudhë të rëndë, sepse kishte vështirësi në marrëdhëniet me Hashim Thaçin dhe nuk
njihej botërisht si President dhe as ishte konfirmuar si President nga autoritetet e qeverisjes së përkohshme.

Shihej qartë se ishte shumë i lënduar, gjë që nuk e meritonte ai njeri që edhe nëse mund të kishte gabuar diku, kishte punuar, investuar dhe sakrifikuar shumë për pavarësinë. Edhe në vitet vijuese e kam takuar herë pas here.

E mbaj mend se në njërin nga ato takime është shprehur shumë i brengosur për vrasjet politike që po ndodhnin në Kosovë, veçmas të disa bashkëpunëtorëve të tij. Këto takime të miat me Rugovën lidheshin kryesisht me një dëshirë timen shumë të madhe: që të kthehesha në Kosovë.

Politika e Rugovës

Ibrahim Rugova shenjoi fazën apo ciklin historik që koha do ta identifikojë me emrin e tij. Faza e Rugovës. Ai e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës me një stil të veçantë, ku detajet simbolike dhe pistat për t’u ndjekur ishin të përzgjedhura plot përkujdes prej këtij intelektuali që kishte si profesion të parmë kritikën letrare dhe teorinë e filozofisë.

Shalli rreth qafës, modestia e shpallur, gurët - të rëndë, por dhe dëshmi e asaj për çka luftohej realisht në Kosovë, thjeshtësia në të folur, argumentat e kursyera, por efektive, paralelet e tij me figura të tjera botërore të lëvizjeve kombëtare apo të rezistencës, si Gandi, privilegjimi i kontakteve me botën katolike, ishin që të gjitha elemente të llogaritura mirë në filozofinë e tij politike. Edhe sot politikanët e mëdhenj botërorë që kanë folur me të, i mbajnë mend simbolet e Rugovës.

Unë e vlerësoja shumë Rugovën jo thjesht në ndikimin e prindërve të mi, të lidhur politikisht me të. Unë që vija nga biznesi, e çmoja shumë qartësinë e ideve politike, e ideve ekonomike, e ideve për bujqësinë, që artikulonte ai dhe grupi i intelektualëve afër tij, ku sigurisht dua të shquaj Fehmi Aganin, një lloj truri politik i LDK-së, autorin e shumë dokumenteve politike të kësaj partie nënë të disa partive.

Vlerësoja shumë sesi Ibrahim Rugova, ai intelektual i sofistikuar operonte me shprehje të thjeshta kur vinte koha për t’iu drejtuar popullit. Ai ishte një dikush që nuk shau kurrë asnjeri, por që i luftonte kundërshtarët dhe rivalët e tij me anë të heshtjes, d.m.th injorimit publik. Askush nuk mund të gjente në shprehjet e tij publike diçka të keqe për kundërshtarët, kritikët apo drejtuesit e alternativave të ndryshme politike në raport me të tijën.

Për mua që jetoja në Perëndim ishte motiv krenarie të kisha si pikë referimi për vendin tim, një personalitet të tillë të gjithëpranuar në shtetet europiane dhe SHBA për filozofinë e tij të veprimit politik, që ishte unikale për viset tona ballkanike.

Për mua që vija nga biznesi, që kisha reflektime të thella për modelin e zhvillimit të Kosovës, do të ishte ideale të punoja me një njeri si ai. E kam vlerësuar gjithnjë Presidentin Rugova veçanërisht për mesazhet e tij të thjeshta për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve, traditës së prodhimeve tona dhe si një lloj amaneti prej tij, dua të punoj vazhdimisht për këto sektorë, ku është mbështetur mbijetesa jonë kombëtare në shekuj e mijëvjeçarë.


Ishte pikërisht ky afinitet ideor dhe programor, që tërhoqi dhe tërheq dhe sot votuesit tipikë të LDK-së, në partinë tonë AKR.

Më kujtohet biseda me të kur u inaugurua një projekt urbanistik në një zonë ku mendohej se gjendeshin themele të Ulpianës antike, diku gjatë rrugës Prishtinë-Shkup. U gëzua shumë dhe shihte me sy të mendjes sesi nëpërmjet jetësimit të atij projekti, vendbanimet shqiptare fitonin vazhdimësi në atë zonë.

Pas vdekjes së të ndjerit President Rugova, respekti mbetet te familja e tij, te zonja Rugova, te vajza dhe djemtë e tij. Kohët e fundit, isha edhe në një vizitë familjare dhe prej tyre u prita në mënyrën më fisnike. Mbeta shumë i nderuar. Zoti e bekoftë këtë familje. Jam takuar shpesh dhe me fëmijët, Ukën veçanërisht, të cilit i uroj suksese të mëdha në politikë..

Krijesa politike e Rugovës, LDK-ja

Lidhja Demokratike e Kosovës ishte subjekti i parë më i rëndësishëm i pluralizmit shqiptar në vendin tonë, i cili përfshiu në radhët e veta disa nga intelektualët dhe akademikët më të rëndësishëm të jetës sonë publike si Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Zekeria Cana, Anton Çeta, Zenun Çelaj, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Ali Aliu, Ramiz Kelmendi, Nekibe Kelmendi, e shumë të tjerë që për arsye vendi s’po ua përmendi emrat.

LDK, e drejtuar nga stili i qetë i Presidentit Rugova, me kahje ndërtimin e një sistemi paralel me atë diktatorial të Serbisë, e formësuar nga dituria dhe aktiviteti i pabujë, por thelbësor i Fehmi Aganit dhe i shumë të tjerëve, ishte pa dyshim dëshmi e aftësive të shqiptarëve për shtetformim. Për të arritur tek shtetformimi, por dhe për ta ndërtuar atë siç u tregua më vonë.

Ndaj mendoj se për startin e këtij tranzicioni të Kosovës prej 1989-s, nga Jugosllavia e Milosheviqit në një shtet të ri tonin, do të duhet t’i bëjmë në krye të herës homazh Ibrahim Rugovës.

Ai ishte bartësi i parë institucional i idesë së shtetësisë së Kosovës që zu fill me lëvizjet e 1968-s, demonstratat e 1981-shit, dhe te fryma e lirisë që gjendej kudo në zemrat e kosovarëve brenda dhe jashtë Kosovës.

Ngritja dhe frymëzimi prej tij i një sistemi paralel shoqëror apo parashtetëror brenda diktaturës serbe ishin prova e parë e aftësive shtetformuese të shqiptarëve.

Në këtë që po them ka pak personalizim dhe nderim për një njeri që tashmë nuk rron. Rugova nuk ishte vetëm. Ai kishte afër tij personalitete të mëdha që e ndihmuan, e korrigjuan, e këshilluan, por përgjegjësia e njeriut që është i pari në rrethanat e shtypjes dhe të apartheidit që pllakosi Kosovën, duhet të vlerësohet me notë të lartë.

Fara e ideve të tij, e mësimeve të tij, të grupit afër tij, që ishin të gjithë intelektualë që kapërcenin me përmasat e tyre Kosovën, u përhap në të gjithë shoqërinë tonë, te të gjitha partitë e reja që u krijuan.

Aq e vërtetë është kjo, sa shumë mëtojnë për to, por askush s‘mund të pretendojë në mënyrë vetjake meritat, pronësinë e këtyre ideve dhe mësimeve.

Ata druaj se e kanë gabim - rugovizmi u shndërrua edhe pa lejen e bartësit të tij, në frymë: fryma është diçka e pakapshme. Ajo nuk shihet, nuk preket, por bartet në mënyrë mistike.

Ndoshta s’e shpjegoj mirë, por besoj se po them diçka të vërtetë, diçka që e ndiej, ani pse paksa të idealizuar. Jemi një shoqëri që ka nevojë për simbole dhe Rugova megjithë gabimet e veta, është një simbol që na duhet.

Unë nuk po pretendoj të shkruaj një libër shkencor, unë po përcjell veç fakteve historike, dhe mendimet e mia, dhe dijenitë e mia, dhe emocionet e mia, ku ndoshta gaboj. Emocionet nuk janë baraz me të vërtetën, por janë njerëzore.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)