19 Mars 2024

Rruga pa kthim e Hashim Thaçit në Hag

Shkruar nga Gani Qarri

Nëse Hashim Thaçi, as sot,ditën e fundit, para shkuarjes në Hagë nuk jep dorëheqje,po u burgos nga Gjykata Speciale për krime lufte, çka do të ndodhte pastaj me pozitën e presidentit, a do të mund ta mbante ai, përkundër padisë së paprecedent që rëndon mbi te, të rezervuar për vete edhe nga burgjet e Holandës pozitën e të parit të shtetit, kur dihet se atje vlejnë ligjet ndërkombëtare dhe jo si në Kosovë, doktrinat e “drejtësisë”-PRONTO, nën mburojen e të cilave Sami Lushtaku edhe nga burgjet e shtetit, nga të cilat ikte kur donte dhe kthehej kur dëshironte vet, e mbante të uzurpuar postin e kryetari të komunës së Skënderajt?!

Duke ditur faktin se Hashim Thaçi kurrë më nuk do të jetë ai që ishte në politikë as pushtet, dhe as nuk do të shihet më si ndonjë faktor relevant me rëndësi në vend, është koha e fundit që ai të reflektojë dhe jap urgjentisht dorëheqje, në mënyrë që të mos e dëmtojë shtetin e Kosovës edhe në minutat përfundimtare, të rrugës së tij pa kthim (politik) nga Haga.

Thaçi patjetër duhet ndjekur shembullin e ish kryeministrit Haradinaj, pasi që ditën e hënë do të udhëtojë i ftuar edhe zyrtarisht, për tu intervistuar nga prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë, për një aktakuzë tepër të rëndë, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndaj është koha e fundit, që pas ofertave të gabuara të bëra për disa vite me radhë, në emër të lidershipit shtetëror, Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit, përfshi edhe oferta të llojit që konsiderohen tradhti e lartë kombëtare, si falja e veriut të vendit dhe ndarja e shtetit tonë të brishtë, ai të paktën tani duhet të di ta mbrojë Kosovën si “luftëtar” nëse vërtetë ka qenë ndonjëherë ushtar i saj, pasi që edhe vet, dëshmon publikisht në media, se gjithmonë ka qëndruar larg fronteve të luftës.

Një president i cili me politikën e tij të mbrapsht, tash e sa vite, vazhdimisht ka vënë në rrezik tërësinë territoriale dhe shtetin e Kosovës, për ta ndarë e copëtuar dhe fal tokat më të vlershme me pasuritë tona më të mëdha kombëtare e shtetërore, Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë së madhe,i cili së fundi premtoi edhe faljen e krimeve serbe dhe amnistinë e Serbisë për gjenocidin e shkaktuar në Kosovë, deri më tani do duhej ta kishte rrëzuar populli i këtij vendi dhe jo të priste me "shpresën" se ai (Zot ruana) vet do të ofronte dorëheqje.

Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë nga sundimtarët dhe diktatorët që me vetë-dëshirë të japin dorëheqje, madje as në momentet më të rënda për shtetin e tyre, nga keqpërdorimi i të cilit, brenda nate janë bërë milioner, njëjtë si Hashim Thaçi.

Akuzat mbi të parin e shtetit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë barrë tepër e rëndë edhe për shtete shumë më të mëdha e më të fuqishme dhe tejet më të konsoliduara se vendi ynë, e lëre më për popullin dhe shtetin e brishtë të Kosovës, i cili ende nuk i ka marrë sa dhe si duhet, as këmbët e veta.

Ndaj, të shkojë në Hagë, i pari i vendit me aktakuzë të shpallur për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në postin e presidentit të shtetit të Kosovës, i ngarkuar me aktakuzat më të rënda penale në juridiksionin botëror dhe të drejtën ndërkombëtare, jo vetëm populli i shumëvuajtur shqiptar, që nuk do t’ia harronte asnjëherë këtë akt makabër, por nuk do t`ia falte kurrë as historia, një mëkat kaq të rëndë Hashim Thaçit!

Megjithëse Hashim Thaçi nuk e tha, nëse në Hagë, është ftuar si i akuzuar apo dëshmitar dhe nuk e bëri të ditur as përmbajtjen e intervistimit, siç vepronin pararendësit e tij, duke kujtuar se Ramush Haradinaj dy herë ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, herën e parë si i akuzuar, ndërsa herën e dytë si i dyshuar nga Tribunali i Hagës, këto janë argumente mjaft të fuqishme dhe më tepër se të mjaftueshme, që edhe Hashim Thaçi, pa marrë parasysh cilësinë në të cilën është ftuar për tu marrë në pyetje nga Gjykata Speciale, medoemos të jap menjëherë dorëheqje të parevokueshme e të shkojë në Hagë si qytetar i thjeshtë dhe jo si president i Republikës së Kosovës. 

Përndryshe ai do ta rëndojë edhe më tepër seç ka bërë deri më tani, pozitën e shtetit të Kosovës, kur dihet që tanimë është i akuzuar, jo për shkelje të rregullave në komunikacion,por për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale në Hagë.

Duke pasur parasysh faktin se të hënën, Thaçi do të përballet personalisht dhe drejtpërsëdrejti me Prokurorinë e Gjykatës Speciale, si i akuzuar bashkë me 9 persona të tjerë, për vrasjen e mese 100 njerëzve, përfshi edhe vrasjet politike, mund të ndodhë shumë lehtë që ai edhe të arrestohet dhe mbahet në burg deri në përfundimin e gjykimit, pasi që momentalisht, është në procedurë e sipër edhe ngritja e aktakuzës kundër tij, nga Gjykata e Hagës.

Ndaj lind pyetja, nëse Hashim Thaçi, as sot,ditën e fundit, para shkuarjes në Hagë nuk jep dorëheqje,po u burgos atje nga Gjykata Speciale, çka do të ndodhte pastaj me pozitën e presidentit, a do të mund ta mbante ai të rezervuar për vete edhe nga burgjet e Holandës pozitën e të parit të shtetit, kur dihet se atje vlejnë ligjet ndërkombëtare dhe jo këto të “drejtësisë”-PRONTO, nën mburojen e të cilave Sami Lushtaku edhe nga burgjet e Kosovës, nga të cilat ikte kur donte dhe kthehej kur dëshironte vet, e mbante të uzurpuar postin e kryetari të komunës së Skënderajt.

Kështu që pavarësisht se në çfarë cilësie është ftuar, duke pasur parasysh peshën e rëndë të përmbajtjes së aktakuzës së shpallur, Hashim Thaçi atje do të merret hollësisht në pyetje edhe për krimet, para dhe pas luftës , ndaj ai assesi nuk do të duhej të udhëtonte në Hagë në postin e presidentit, që ta dëmtojë edhe më keq imazhin e shtetit të vogël të Kosovës apo të rrezikoj që edhe të burgoset nga pozita e presidentit, e të na bëjë “horë” krejt si popull dhe shtet.

Kjo edhe për faktin se njëjtë si me rastin e shpalljes së aktakuzës, të gjitha mediat me renome ndërkombëtare në paraqitjet dhe faqet e para të tyre, tanimë do të raportonin edhe më-me shumë bujë, se si presidenti i një shteti të vogël si Kosova i çliruar nga SHBA dhe NATO, është burgosur nga Gjykata Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndaj mosdhënia e dorëheqjes të paktën sot,kur vetëm një ditë e ndanë atë nga udhëtimi (pa kthim) për në Hagë, do të ishte goditja më e rëndë e mundshme për vendin tonë të vogël, sidomos në këto momente vendimtare kur dihet se njëkohësisht po zhvillohen edhe bisedimet Kosovë-Serbi, kështu që nëse Thaçi edhe futet në burg, Kosova në sytë e botës mbarë do të shihej si shtet i krijuar nga krimi, dhe e vendosur mbi themelet e krimit, pikërisht ashtu siç pretendon Serbia si ish shtet okupator i vendit tonë.

Për aq më tepër, qysh nga publikimi i aktakuzës kundër tij, shumë figura të ndryshme shoqërore dhe politike kanë kërkuar me ngulm dorëheqjen e Thaçit nga posti i presidentit, por megjithatë ai të gjitha këto thirrje i ka injoruar në heshtje edhe pse tanimë e ka parë edhe vet, se orët e tij në politikë dhe pushtet, janë të numëruara, nuk ka më kthim në të kaluarën, dhe ka ardhur në një gjendje, kur nuk ka më çfarë të ruaj, as të humbë më tepër.

Duke pasur parasysh të gjitha këto, ai medoemos duhet të dëshmojë se të paktën në minutat e fundit para shkuarjes në Hagë dhe përballjes me Prokurorët e Gjykatës Speciale, di të jap edhe dorëheqje dhe "sakrifikojë" sado pak, për mbrojtjen e imazhit të shtetit të brishtë të Kosovës duke mos shkuar si president i akuzuar i vendit tonë, por si person i thjeshtë, "me duar në xhepa",që edhe nëse i vihen prangat në to, të mos e dëmtojë Kosovën edhe para Gjykatës Speciale.

Hashim Thaçi nuk duhet të harrojë se më 8 mars të vitit 2005, vetëm pak muaj pasi kishte marrë detyrën e kryeministrit, me tu shpallur aktakuza e parë, kundër tij për krime lufte nga Tribunali i Hagës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme, për të mos e njollosur shtetin e Kosovës, gjë që atëherë e sot, vijon të përshëndetet nga të gjithë, si akt i lart moral e patriotik, brenda dhe jashtë vendit.

Më 9 shtator 2017, Haradinaj u zgjodh përsëri kryeministër i Kosovës, por më 19 korrik të vitit 2019 për herë të dytë, ai serish jep dorëheqje, megjithëse tani ishte ftuar, jo si i akuzuar, por vetëm si dëshmitar në Tribunalin e Hagës.

Vet bërja publike e aktakuzës për krime lufte kundër Hashim Thaçit dhe jehona e madhe negative që iu dha në të gjitha mediat ndërkombëtare kësaj aktakuze të paprecedent, Kosova është goditur shumë rëndë si shtet.

Ndaj nga shpallja e aktakuzës me 24 qershor 2020 nga Prokuroria Speciale, e tërë përgjegjësia ka rënë mbi Hashim Thaçin, që të reflektoj seriozisht dhe të plotësoj detyrimin e tij etik dhe ligjor para shtetit dhe popullit të Kosovës, duke ofruar dorëheqje të parevokueshme, qoftë edhe një ditë para udhëtimit në Hagë, në mënyrë që të ruhet sado pak imazhi edhe ashtu i dëmtuar i shtetit nga vet ai ,si dhe nderi i institucionit të presidentit të Kosovës.

Duke e kuptuar mirë dhe deri në detaje se sa rëndë e dëmton një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj presidentit të vendit, shtetin e Kosovës, nuk guxon as nuk do duhej të ndodhte në asnjë mënyrë, qoftë edhe nga HashimThaçi që edhe me këtë rast, ai ta keqpërdor postin e presidentit, që serish ti varet Kosovës në qafë, me shpresën se atij do ti lehtësohej barra ,nëse i bëhet presion i padrejtë shtetit tonë të brishtë, për fajësi personale të individëve si Thaçi dhe të tjerët.

Kështu që në situatën në të cilën Thaçi & CO e kanë sjellë vendin, ai nuk guxon që edhe në rrugën pa rikthim politik, drejt të cilës është nisur, ta mbajë të “uzurpuar” postin e Presidentit të Kosovës, por duhet të jap dorëheqje të menjëhershme, gjë që në këto momente vendimtare, gjithsesi edhe populli i Kosovës, me të drejtë e pret me padurim, që të reflektoj të paktën një herë dhe për herën të fundit pozitivisht, për shtetin tonë të brishtë,para të cilit,pasi e kqpërdori dhe shfrytëzoi deri në fund,ai edhe në këtë gjendje, pretendon ta vendos veten.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)