27 Shtator 2020

Rruga e drejtë e Hz. Imam Aliut dhe shqiptarët

Shkruan: Sheh Musa Shehu

Baballarët, burrat e mëdhenj, nëpër breza sakrifikuan vetveten në shërbim të Zotit e të Kombit. Ata kishin zgjedhur Rrugën e Drejtë, rrugën hyjnore të Të Madhit Imam Ali, Familjes Profetike, Rrugën e Devotshmërisë dhe Përsosshmërisë Shpirtërore. Pa dyshim, Rruga e Drejtë, rruga në shërbim të Të Madhit Zot, do të vazhdojë gjithmonë deri sa të ekzistojë njerëzimi. - Drita rrezatuese e Familjes Profetike u përhap në trojet iliro-dardane nga misionarë të shenjtë, të dymbëdhjetë tarikateve tona të madhnueshme. Janë 72 vendpushime të shenjta anekënd trojeve tona, të Të Përndritshmit, Shkëlqesisë së Tij Sali Salltyk Baba


Në emër të Zotit, Bamirësit të Përgjithshëm – Mëshiruesit!

Dijet, njohjet, filozofitë dhe kulturat, secila e kanë djepin e vet, ku u lindën dhe u rritën, e pastaj u shpërndanë meridianeve të botës nga pranuesit e saktë të tyre. Ato janë brumi apo materia e gjetjes dhe njohjes së krijuesit dhe në këtë gjetje dhe njohje, njerëzimit iu deshën bartësit, shpjeguesit dhe interpretuesit e mirë, të pastër, të sinqertë e racionalë të tyre, njerëzimit iu deshën të shenjtit, të cilët në kohë e vende të ndryshme i zbritën qoftë si profetë, qoftë si evlia e misionarë.

Ardhja për njerëzimin e Të Dërguemit të Perëndisë, Hazreti Muhamet Mustafasë, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, ishte ardhje e Dritës Hyjnore për orientim në rrugë të drejtë të njerëzimit, duke i zbritur Allahu i Madhërishëm Kur’anin e shenjtë me mesazhet hyjnore të edukimit, emancipimit, pastrimit shpirtëror dhe përsosshmërisë së qenies njerëzore.

Dhe që në fillimet e rrezatimit profetik, Pejgamberi - Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të -, tha: “Aliu është vëllai, pasuesi dhe përfaqësuesi im midis jush. Ju duhet ta dëgjoni dhe t’i bindeni atij”.  
       
Prijësi i të gjithë besimtarëve, luani i Perëndisë, Hazreti Imam Aliu, posedonte cilësitë më të larta të dijes, urtisë, devotshmërisë, përkushtimit, besnikërisë, duke u pajisur nga i madhi Zot, për të vazhduar rrugën e profetit, rrugën e drejtësisë me sfida, sakrifica e peripeti nga më të mëdhatë të historisë njerëzore.

Familja e Shenjtë e Ehlibejtit u bë udhërrëfyesja dritëdhënëse në rrugën e të madhit Zot, duke u vetëflijuar, për ta vulosur edhe me vulën e gjakut Rrugën e Drejtësisë.

Lakmitarët, të pabesët, intrigantët e tradhtarët e besimit hyjnor e goditën në pabesi mbretin e të dy botërave, e helmuan më vonë Të Naltin Imam Hasan, ndërsa, për vuajtjet dhe sakrificën e Të Naltit, dritës diellore, të Madhit Imam Hysejn dhe Familjes së Ehlibejtit, në Fushën e mjerueme të Qerbelasë, nuk mjaftojnë miliona vargje. Edhe pse kanë kaluar qindra e qindra vite nga këto ngjarje zemërpërvëluese, ato do të kujtohen përjetësisht deri në ditën e fundit të kësaj bote. Feja e ndritur e muslimanizmit dhe Ehlibejti, u përhapën në të gjithë rruzullin tokësor, pa dallim race, kombi, regjioni a kontinenti.

Dëshmitaria e Familjes Profetike, vuajtjet e udhërrëfyesve tanë, ishin të thëna nga Perëndia, për të ndarë përgjithmonë të vërtetën nga e pavërteta, të mirën nga e keqja, të drejtën nga e padrejta, të njerëzishmen nga e panjerëzishmja.
Drita rrezatuese e Familjes Profetike u përhap në trojet iliro-dardane nga misionarë të shenjtë, të dymbëdhjetë tarikateve tona të madhnueshme.

Janë 72 vendpushime të shenjta anekënd trojeve tona, të Të Përndritshmit, Shkëlqesisë së Tij Sali Salltyk Baba.

Ka më shumë se katër shekuj, kur me misionin fisnik të misticizmit dhe përhapjen e Ehlibejtit Shkëlqyes, iu vjen trojeve shqiptare, nga Damasku i Sirisë, biri i Bushatlinjve të Shkodrës, Shkëlqesia e Tij, Shumë i Ndrituri Sheh Sulejman Axhiza Baba, themeluesi i Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike, me selitë në Gjakovë e Prizren, Piri i Dytë Sani i Tarikatit Saadi.

Me misionin e shenjtë, njohësi i mirëfilltë i 42 diciplinave shkencore-filozofike, eruditi i madh, me devotshmëri e përkushtim përhapi në të gjitha trojet tona frymën e misticizmit, rrugën e të madhit Imam Ali. Kjo Rrugë e Ehlibejtit, si gjithmonë, bartte ndjenjën e vetëmohimit dhe vetëflijimit në Rrugën e Zotit dhe të Kombit.

Për këtë rrugë u vetëflijua djali i Sheh Sulltan Sulejman Axhiza Babës, Shkëlqesia e Tij Baba Lutfillah, në kohën e murtajës, para katër shekujsh, dhe po para katër shekujsh, Baba Ahmet – Flamurmbajtësi i Axhiza Babës, ra dëshmor në Majën e Pashtrikut, në vendpushimin e shenjtë të Sari Salltyk Babës, histori kjo që u përsërit edhe para katër vitesh, në po të njëjtin vend, me flijimet dhe rënien dëshmorë të dy dervishëve të Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike, pastaj flijime dhe të rënë të tjerë në vazhdimësi, të cilët përjetësisht paçin mëshirën e Zotit dhe Lavdinë, sepse ranë për të dëshmuar Rrugën e Vërtetë të Ehlibejtit e Të Madhit Imam Ali.

Teqetë tona, të të gjitha tarikateve, në të gjithë hapësirën tonë etnike, dhanë aq shumë shembuj dëshmitarie dhe flijime, sa do të duhej një kohë e gjatë për të rikujtuar vetëm emrat e këtyre personaliteteve madhore të historisë sonë.

Teqetë tona, në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të historisë sonë nacionale, dhanë kontribut të jashtëzakonshëm si qendra të patriotizmës shqiptare e, në mënyrë të veçantë, në kohën e Tanzimatit, Lidhjes së Parë e të Dytë të Prizrenit, kryengritjeve të ndryshme shqiptare, në veçanti të Kosovës, në fund të shekullit XIX dhe në fillimet e shekullit XX, ngritjes së Flamurit në Vlorë, luftës dhe rezistencës ndaj murtajës sllavo-komuniste e deri në luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga teqetë tona dolën zërat më të artikuluar e më të fuqishëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Nga Teqja e Madhe Autoqefale Ballkanike doli edhe figura madhore, komandanti i forcave shqiptare që morën Shkupin, më 1912, delegati i Prizrenit në ngritjen e Flamurit në Vlorë, prefekti i parë shqiptar i Prizrenit, bashkënënshkruesi i Memorandumit të Kuvendit të Junikut, Shkëlqesia e Tij, z. Musa Shehzade.

Po nga teqetë tona të të gjitha tarikateve, dolën edhe udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi e atdhetarë të tjerë dhe po në Teqenë e Marash-Hisarit, në Prizren, u mbajtën seancat plenare të kësaj Lidhjeje.

Baballarët, burrat e mëdhenj, nëpër breza sakrifikuan vetveten në shërbim të Zotit e të Kombit. Ata kishin zgjedhur Rrugën e Drejtë, rrugën hyjnore të Të Madhit Imam Ali, Familjes Profetike, Rrugën e Devotshmërisë dhe Përsosshmërisë Shpirtërore. Pa dyshim, Rruga e Drejtë, rruga në shërbim të Të Madhit Zot, do të vazhdojë gjithmonë deri sa të ekzistojë njerëzimi.

Paqja, mëshira dhe shpërblimi i Zotit qofshin gjithmonë mbi Familjen Profetike, Hazreti Muhamed Mustafanë, Hazreti Aliun, Dymbëdhjetë Imamët, mbi të gjithë burrat e mëdhenj evlia, udhërrëfyesit tanë, mbi gjithë Ehlibejtin Shkëlqyes! Amin!
 
(Autori është Postmbajtës i Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike, me selitë në Gjakovë e Prizren. Artikulli është kumtesa me temën “Hazreti Imam Aliu, Prijësi i Dymbëdhjetë Imamëve, Mëshira dhe Falënderimi i Zotit qofshin mbi ta, Luani i Perëndisë,, udhërrëfyesi suprem në Rrugën e Drejtë të Zotit, bamirësit të përgjithshëm, mëshiruesit – rrugë që u përqafua me dinjitet dhe devotshmëri  nga shqiptarët”. Kumtesa është planifikuar të paraqitet në Simpoziumin kushtuar Hazreti Imam Aliut, që u mbajt në Prishtinë, të martën, më 13 korrik 2010, por ajo nuk u paraqit për shkak të ndërrimit të formatit të simpoziumit)

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Shtator 2020

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në aktivitetin “Race for the Cure” të organizuar nga OJQ “Renesansa”, në mbështetje të të mbijetuarve nga kanceri i gjirit, ku të pranishëm do të jenë edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe përfaqësuesit nga misione të huaja në Kosovë. (Sheshin e Dëshmorëve në Prizren, ora 10:00)

- Organizata X40 dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile organizojnë tryezën e diskutimit “Lum Lumi” në të cilën do të diskutohet për dëmtimin e lumenjëve nga hidrocentralet në Kosovë. (Kino Lumbardhi Prizren, ora 11:00)
 
- Për nder të Ditës Botërore të Turizmit, nën organizimin e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik të Komunës së Prizrenit do të bëhet përurimi i projektit “Shenjëzimi i 10 shtigjeve të ecjes”, projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. (Në afërsi të fshatit Mushnikovë, afër Hotel Gold në Prizren, ora 13:00)

- Në ditën e tretë të edicionit të festivalit Lahuta, Okarina Polifionia mbahet kongresi i Lahutareve te trojeve shqiptare. (Ambientet e Qendrës për zhvillimin e kultures tradicionale në Prishtinë, ora 15:00)

- Platformës Bashkë-krijuese organizon ekspediten e gastronimise shqiptare. (Kino Bahçe, te Lumbardhi në Prizren, ora 18:00)