24 Prill 2024

Rroftë kombi shqiptar e rroftë Amerika, poshtë miqtë e rrejshëm kosovarë

Të majtë e të djathtë apo shqiptarë e “kosovarë”?  

Shkruar nga Xhevat Bislimi

Debat i madh është hapur në Kosovë midis shqiptarëve dhe “kosovarëve” për “miqësinë e përjetëshme” me Amerikën! Ky debat i ndezur dhe i “sponzorizuar” nga qarqe antishqiptare, që deri dje i rrinin me “lepe e me peqe” pushtuesve jugoserbë, ka për qëllim të parë largimin e vëmendjes nga marrëdhëniet e rrezikshme dhe kërcënuese që ka ndërtuar koalicioni i “madh”, LDK-PDK-AAK (bosët e këtyre partive!) me Serbinë, në njërën anë, dhe ruajtjen e pozitave, privilegjeve dhe, sidomos, pasurive të fituara duke bërë politikë për hesap të tyre e në kurriz të Kosovës shqiptare!

Nuk është pa rol e pa ndikim në qëndrimet e tyre mjerane edhe Gjykata Speciale, që po u rrinë si ‘shpata e Demokleut mbi kokë”, të cilën e themeluan vetë (koalicioni LDK-PDK-AAK)!

Mediet e shkruara dhe elektronike, duke përfshirë edhe portalet dhe OJQ-të kozmopolite “kosovare”,  janë në duartë e atyre individëve dhe grupeve që ndër breza ishin shtrat i butë i pushtuesve.

Prej tyre ka edhe të tilla medie, portale e OJQ, që janë themeluar e mbahen me fonde të huaja tepër të dyshimta!

Se mos i “kontrollon” kush?! Këto medie kanë marrë përsipër ose, më mirë me thënë, janë ngarkuar që ta “dekonstruktojnë” qenien shqiptare të Kosovës, identitetin e pastër shqiptar dhe vullnetin e popullit të saj për t’iu bashkuar, herët a vonë, Trungut nga i cili u shkëput pa dëshirën dhe vullnetin e tij: me dhunë, me terror, me zjarr e hekur, me gjenocid dhe me spastrim e sllavizim të tokave të pushtuara të Shqipërisë.

Këto medie e OJQ kameleone herë marrin ngjyrën amerikane, herë marrin ngjyrën gjermane, herë atë angleze, herë panevropiane!...

Varësisht kush sa i paguan! Këto janë si defatoret dikur: i bien defit sipas dëshirës së atij që jep lekun! Mirëpo, po t’i grisësh pak e sheh ngjyrën e tyre të vërtetë: antishqiptarizmin!

Janë këto medie dhe këto OJQ hibride e kameleone në formë, dhe antishqiptare në përmbajtje, që edhe debatin e “shpikur” “për” e “kundër” Amerikës po këmbëngulin ta paraqesin si “debat midis të majtëve dhe të djathtëve”!!

Me të majtët, ato kuptojnë dhe i “portretizojnë” shqiptarët, kurse me të djathtët “kosovarët”, që në fakt janë titistët e jugokosovarët (pjellë bastarde e kohës së gjatë në robëri)!!

Manipulim par exellance me publikun e pa informuar e të pa formuar në këtë “fushë”! Sikur këto medie e këto OJQ të mos e kishin mbështetjen e parezervë të koalicionit, LDK-PDK-AAK, krerëve të tij, sigurisht që nuk do ta meritonin vëmendjen time...

Përpjekje për “dekonstruktimin” e qenies shqiptare  

   Koncepti për një Kosovë “kosovare” (“kosovocentrizëm!”), të “dekonstruktuar” nga identiteti i saj puro shqiptar, është përfaqësuar që në themelim nga LDK-ja e Ibrahim Rugovës.

Në thelb të këtij koncepti është një Kosovë e “kosovarëve”, e deshqiptarizuar, dhe me një prani të “kamufluar” të Serbisë dhe kurrë (!) me Trungun e saj, Shqipërinë!!

Krerët e PDK-së dhe të AAK-së, duke qenë të papërgatitur e të paformuar për t’u ngjitur në majat e partive dhe të politikës dhe, sidomos, duke qenë të papërgatitur, të paformuar dhe pa pjekurinë e duhur politike për punët e shtetit, rrëshqitën në prehrin e LDK-së dhe përqafuan, me a pa vetëdije, konceptin e saj për “Kosovën kosovare”!!

Për t’ia veshur këtë “kostum” të shëmtuar e ngulfatës Kosovës shqiptare kjo elitë politike e LDK-PDK-AAK-së, këto medie e këto OJQ të mercenarizuara, deri dje e ftonin në ndihmë dhe e kishin në krah Evropën (BE-në)! Në Rambuje e nisën, e vazhduan në Vjenë dhe e “përfunduan” në Bruksel!

   Këto marrëveshje për një “Kosovë kosovare” dhe me një prani “të kamufluar” të Serbisë janë bërë me BE-në dhe me shtetet e saj!... Ishit ju, që për interesat tuaja meskine dhe për hesape të huaja e antishqiptare, e vonuat Shpalljen e Pavarësisë, shkëputjes së Kosovës nga Serbia, të paktën 6 vite!!

Shkëputja e Kosovës edhe de jure mund të bëhej që në vitin 2001 a 2002... Kohë ideale. Të gjitha rrethanat rajonale e ndërkombëtare ishin në favor të Kosovës shqiptare.

Nuk e bëtë, sepse shkëputja e Kosovës nga Serbia nuk ishte prioritet i juaji! Kjo vonesë i ka kushtuar, po i kushton e do t’i kushtojë Kosovës dhe popullit të saj shqiptar! Pse u vonuat?! Apo u ndalonte Amerika?!
  
Amerika ishte për pavarësinë dhe shkëputjen e Kosovës nga Serbia

Jo, zotërinj “kosovarë”! Amerika (SHBA-të) ishte dhe angazhohej për një Kosovë të shkëputur e të pavarur nga Serbia dhe me sy nga Tirana! E harruat thirrjen monumentale publike të Kryetarit të Amerikës, Gjergj Bushit, gjatë vizitës së Tij në Tiranë: “Ktheni sytë nga Tirana!

Këtu e keni Kryetarin, këtu e keni Qeverinë”, u bëri thirrje Bushi krerëve të politikës dhe të institucioneve në Prishtinë dhe u kërkoi të takoheshin urgjentisht me krerët e Tiranës zyrtare e të koordinoheshin për çdo gjë... Çfarë ndodhi?

Si e zbatuan këtë POROSI të Amerikës këta pseudomiqtë e saj? Bën një takim midis tyre në Kukës dhe me kaq mbaroi!! Iu kthyen POROSISË së Evropës, që sot bëjnë sikur ia kanë kthyer shpinën e nuk flasin më me të!?

A nuk ishte Amerika që u detyrua t’u bënte thirrje krerëve të Kosovës që të bënin kujdes me marrëveshjen e drejtësisë, që e bënë në Bruksel?!

“Kujdes se po krijoni një Republika Serpska”, u detyrua të ndërhynte botërsiht Amerika, sepse këta nuk e dëgjonin Amerikën dhe porositë që i merrnin prej saj në takime të mbyllura!

A nuk ishte Amerika, Ambasadorja e saj, që u detyrua t’ju thoshte publikisht: “E keni bërë m...”! Apo kjo nuk ishte Amerika e vërtetë, Amerika juaj?!     

Ishte Amerika (ky është “sekret publik”!) që e rrëzoi marrëveshjen tuaj anti Kosovë dhe antishqiptare të Brukselit me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, sepse ju kishit negociuar e kishit nënshkruar me Serbinë krijimin e një minishteti serb, një Serbie të vogël në zemër të Kosovës shqiptare!!

Apo edhe këtë e harruat?! Jeni ju që nga pesë komuna “serbe”, që i krijuat në Vjenë me Ahtisarin e me Serbinë, i bëtë 10 të tilla në emër të decentralizimit!! Ishit ju që e ndatë edhe qytetin e Mitrovicës dhe i krijuat mbi 40 “zona të mbrojtura dhe eksterritorialitete serbe”!! Jeni ju që gjuhën serbe e bëtë të barabartë me gjuhën shqipe!!

 Çfarë do të mund të bënit më keq se kaq?! Kurse ishte Amerika që e njohu Republikën e Kosovës në kufijtë e saj dhe bëri fushatë “derë më derë” për ta njohur edhe 100 e sa shtete tjera shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.

Ishte Amerika që ndikoi fuqishëm që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë t’i jepte plotësisht të drejtë Kosovës që Shpalli Pavarësinë-shkëputjen e saj nga Serbia...

Njohja dhe bekimi më i madh ndërkombëtar! Kjo ishte VULA ndërkombëtare për shtetin e Kosovës. Ishit ju që, pas kësaj VULE ndërkombëtare, i vendosët fusnotën shtetit të Kosovës!! Prandaj, ndaluan njohjet dhe nisën çnjohjet e Kosovës! O tempora, o mores!

Ishte Amerika që ju jepte porosi që të bënit sikur po i hetonit dhe dënonit “krimet e luftës”, pa dallim në Kosovë! Po ku kishit kohë ju të merreshit me punëra të tilla!

Mirëpo, ishit ju (LDK-PDK-AAK) që patët kohë për krijimin e Gjykatës Speciale për t’i hetuar dhe dënuar specifikisht dhe vetëm “krimet” e shqiptarëve e të Luftës së tyre Çlirimtare-UÇK-së!!! Turp e faqja e zezë!

Ashtu siç ishit ju që provuat, përkundër porosive të qarta të Amerikës, ta shfuqizonit Gjykatën Speciale që e votuat me dorën tuaj, duke i dhunuar e duke u bërë presion e shantazh disa deputetëve e deputeteve që nuk do ta kishin votuar kurrë me dëshirë e vullnet!

A nuk jeni ju, që bashkë me UNMIK-un e me vende të caktuara të Evropës, e bëtë rrushekumbulla pasurinë e Kosovës, duke e grabitur dhe trafikuar me e pa Agjencinë e Privatizimit?!

Jeni ju, besoj nuk keni harruar, që me politikat e juaja kullufitëse e degraduat skajshmërisht mjedisin, ku jetojmë ne e do të jetojnë edhe pasardhësit tanë!

Nuk ka lumë, përrua a përroskë në territorin e Kosovës që nuk është ndotur me ujëra të zeza e që nuk është shndërruar në “deponi” plehrash!!

 Sepse ju po ndërtonit e po asfaltonit autostrada e rrugë ku manipulohet me miliona e me dhjetëra miliona! Autostrada Prishtinë-Hani Elezit (60 km) i ka kushtuar Kosovës, deri sot, para të thata, 700 milionë euro!

Kjo autoudhë, po të mos bëhej për punë përfitimesh personale e grupore, mund të bëhej edhe me koncesion, mund të bëhej, tash për tash, edhe një rrugë më modeste që do t’i plotësonte nevojat tona.

Me 700 milionë, pa përmendur edhe qindra milona tjerë që mund të përdoreshin për projekte me interes imediat dhe afatgjatë, mund të ndërtohejë gati për çdo qytet e qytezë (komunë) nga një impiant për trajtimin e ujërave të zeza, që e kanë ndotur ujin, tokën dhe ajrin tonë rrezikshëm dhe për kohë të gjatë!

Mund të ndërtoheshin qendra për trajtimin e plehrave, mbeturinave, që kanë vërshuar përrojeve, luadheve, fushave e maleve!!

Po ta donit pakëz këtë vend, siç po shtireni, gjatë këtyre dy dekadave do të ndërtohejë ndonjë digë, ndonjë liqe artificial a ujëmbledhës për të mirën e mjedisit, të njeriut e të tokës!

Po shëndetësia? Pus pa fund! Po arsimi dhe ato universitetet në çdo qytet, që nuk e kalojnë nivelin e arsimit të mesëm?! Dhe nuk skuqeni fare! Shitni edhe amerikanizëm!?

Pastaj, a nuk ishit ju, LDK-PDK-AAK, që ia falët Malit të Zi 8 200 hektarë tokë shqiptare?!! A ka shqiptarë që do të besonte se ju nuk do t’i përsëritnit pazaret në kurriz të tokës shqiptare e në kurriz të pavarësisë e të sovranitetit të Republikës së Kosovës?!

Po t’ju besonin nuk do të iknin masivisht nga vatrat e nga Kosova e tyre nga sytë këmbët! Keni dhënë shumë prova se jeni DORËLIRË me tokën, me lirinë, me pavarësinë dhe me sovranitetin e Kosovës shqiptare!
   
Ka shumë e shumë pyetje të këtilla për koalicionin e madh LDK-PDK-AAK, do të duhej një libër voluminoz!... Po e vë gjithnj LDK-në përpara, sepse ajo ishte me përvojë të gjatë në këto “marifete”.

Ajo ishte akademi e kolaboracionizmit, e koncesioneve ndaj pushtueve e ndaj aleatëve të tij, e zhvatjes dhe e kontrabandimit të pasurive të Kosovës, që ua mësoi edhe krerëve të rinj të PDK-së e të AAK-së!

Sigurisht që nuk hoqi shumë për t’ua mësuar këto “marifete”, se pse këta ishin nxënës me inteligjencë dhe me zell të madh!
  
Amerika nuk është shtatore mermeri dhe as Nëna Terezë

Janë këta, lexues të dashur, që sot kanë dhënë alarmin për prishjen e “miqsisë së përjetshme” me Amerikën dhe për “largimin e saj nga Kosova”! Nuk duhet shumë mend për ta kuptuar hallin dhe hilen e tyre!

Demagogjia, servilizmi, hipokrizia dhe megamashtrimet e tyre janë bërë tugitëse e neveritëse për secilin prej nesh, madje edhe për më militantët e këtyre partive!

Shqiptarët e kanë të qartë dhe nuk duhet ta heqin kurrë nga mendja se Amerika ka miqësi të përjetshme vetëm me interesat e saj, prandaj është Amerikë!

Jo vetëm Amerika. Secili shtet normal, sado i dobët e i vogël qoftë, miqësi të përhershme ka, do të duhej të kishte, vetëm me interesat e veta.

Dhe kjo nuk ka asgjë të keqe derisa shoqëria njerëzore të jetë e organizuar dhe e ndarë në shtete e kombe. Mmund të themi se kjo është e keqja e domosdoshme e kësaj bote!

“Secili duhet të mendojë e të punojë për veten e tij”, thoshte Rilindasi ynë poliedrik, Sami Frashëri, kur fliste për shpresën dhe mundësinë e mbështetjes së popullit tonë te një vend a popull i caktuar.

Mendimin e Rilindasit tonë po e vërteton katërcipërisht edhe situata që u krijua nga virusi corona!

Populli ynë, sidomos elitat e tij politike e kulturore, duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se Amerika nuk është monument (shtatore) mermeri, nuk është e ngurtësuar! Ajo është e gjallë!

Të gjalla, të lëvizshme e të ndryshueshme janë edhe interesat e saj... Klasa politike e Prishtinës, mediet dhe OJQ-të po e paraqesin Amerikën sikur të ishte Nëna Terezë!

Ky është mashtrimi i madh që po i bëhet popullit tonë nga politikanët, mediet, OJQ-të dhe inteligjencia hipokrite e përfituese-zhvatëse!
  
Populli shqiptar  miqësinë me Amerikën nuk e ka dhuratë

Konstatime të tilla si ai që thotë se “pa Amerikë nuk do të kishte e nuk ka Kosovë” janë të pa sakta, të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën dhe popullin e saj.

Kulmi i idiotësisë! Propaganda e bazuar në këtë filozofi defetiste është kundër detyrimit që ka çdo popull e çdo vend për ta fituar e për ta mbrojtur lirinë dhe pavarësinë.

Me këtë propagandë dhe me këtë politikë perfide po synohet të krijohen iluzione se ne nuk kemi bërë dhe s’kemi ç’bëjmë për lirinë dhe pavarësinë tonë, jemi të pafuqishëm! Fati ynë është në dorën e Amerikës!

Ditën që do të largohejë Amerika, sipas krerëve të koalicionit të pahajr, LDK-PDK-AAK dhe sipas medieve të tyre altoparlante, ne duhet të bëjmë vetëvrasje kolektive! Kosovë nuk do të ketë më!

A thua të kenë harruar këta trutharë se Kosova dhe gjithë Shqipëria ka jetuar e mbijetuar shekuj të tërë e në rrethana shumëfish më të rënda?!...

Kosova vështirë se do të çlirohejë ndonjëherë pa shtetin tonë AMË, duhet të thuhet fuqishëm, sepse kjo është e vërteta.

Kosova dhe çdo krahinë shqiptare e ka të vështirë të jetojë e shkëputur nga TRUNGU i saj. Kjo e vërtetë duhet të thuhet e të trumbetohet.

Kombi shqiptar e ka të vështirë e do ta ketë të vështirë të jetojë i copëtuar, prandaj ndër breza është përpjekur, po përpiqet e do të përpiqet për t’u bashkuar në një shtet të vetëm, në një Shqipëri e me një flamur.

Miqësinë me Amerikën kombi shqiptar e fitoi pas shumë përpjekjeve e betejave të përgjakshme me pushtuesit e më shumë se dy të tretave të Shqipërisë.

Miqësinë me Amerikën nuk e mori dhuratë, prandaj duhet ta ruaj me mençuri, me shumë punë e angazhim e jo me keqqeverisje, vjedhje, mashtrim, korrupcion, krim të organizuar, degradim të lirisë, pavarësisë e sovranitetit të vendit dhe me aventura e përçarje të shfrenuara ndërshqiptare!

Miqësia me Amerikën dhe me Evropën do të jetë e qëndrueshme (nuk mjafton të jetë vetëm e dëshirueshme!) kur kombi shqiptar në Iliri të jetë i fuqishëm sa për t’i dalë zot vetes, kur Kosova (pjesë organike e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë) të jetë e organizuar, e strukturuar, e zhvilluar dhe e fuqizuar me ushtrinë e saj, me armët e veta, sa për t’iu kundërvën Serbisë në mësymjen e parë të saj dhe e aftë për t’iu bashkuar Trungut të saj.

Pastaj, ne nuk jemi vetëm. E kemi shtetin shqiptar, jemi komb afërsisht i barabartë me Serbinë dhe i kemi miliona shqiptarë në mërgim, që e kanë treguar veten në ditët e vështira të Kosovës e të viseve të saj...

Mirëpo, miqësia me Amerikën dhe me Evropën nuk është e garantuar me ju në pushtet, me ju që e keni mbushur Kosovën shqiptare për njëzet vite me xhamia e minare turko-arabe!!

Atë që s’e kishte bërë Perandoria Osmane për pesë shekuj e bëtë ju me Erdoganin për njëzet vite, me ju që e vodhë dhe e stërvodhët Kosovë!

“Hajdut aga kurrë nuk i kanë thënë kujt”, thotë populli ynë. Politikanët dhe qeveritarët e korruptuar e mashtruesë nuk e trembin

Serbinë dhe as nuk mund ta ruajnë miqësinë me Amerikën e miqtë tjerë evropianë! Politikanët dhe qevritarët e këtij soji nuk janë hajri i Kosovës e lëre më të jenë miq të Amerikës! Dhe kanë fytyrë të shesin amerikanizëm e evropianizëm! Boll marre!
   
Falënderim dhe mirënjohje shtetit tonë AMË dhe LPK-UÇK-së që na miqësuan me Amerikën dhe me Evropën demokratike

Shqiptarët i janë mirënjohës e falënderues Amerikës posaçërish, dhe secilit që na është gjendur e na e ka dhënë dorën në çaste të vështira.

Por, kush më mirë se Amerika e di që pa Luftën e UÇK-së (e organizuar nga LPK-ja) e të kombit shqiptar, e sidomos pa shtetin tonë AMË, nuk do të kishte Kosovë të çliruar dhe as prani ushtarake amerikane në Kosovë?

Janë mijëra bijë e bija të këtij populli që kanë rënë në përpjëkje e në luftë, me e pa uniformë, për çlirimin e kësaj Kosove shqiptare (pa vise!). Ishte një komb i tërë që u ngrit dhe e mbështeti Luftën Çlirimtare për Kosovën.

Dhe, mbi të gjitha, ishte një shtet shqiptar e një territor i tij, që e bënte të mundur përgatitjen, organizimin dhe zhvillimin e kësaj Lufte për Kosovën shqiptare.

Amerika po të udhëhiqej me menndjet e krerëve të LDK-PDK-AAK-së nuk do të ishte Amerikë, por do të ishte ndonjë shtet që lirinë dhe pavarësinë e saj ia dedikon një Fuqie tjetër! Amerika nuk erdhi në Kosovë  për sytë e bukur të Hashimit, Isës, Ramushit, Kadriut...

Po të rrinte në Kosovë për sytë tuaj të bukur nuk do të ishte më Amerikë! Por, edhe po të ikte për sytë e “shëmtuar” të Albinit, nuk do të ishte më Amerikë!

Paska shkruar në tuiter një senator amerikan dhe menjëherë paska ndryshuar qëndrim Amerika! Përallë me mbret! Këtë senatorin e paska mbështetur edhe një djalë i Trampit!

Me demek ky është fundi! Amerika do të largohet nga Kosova se po thotë edhe djali i Trampit!? Kur të vijë ajo kohë që djali a vajza e një Kryetari amerikan me i diktu politikatë Amerika nuk do të jetë më Amerikë... Mbajeni mend!
  
Për LVV-në e Albinit dhe koalicionin me LDK-në kam shkruar pa u bër koalicioni (njëri nga shkrimet ishte: Pse me LDK-në?) dhe kam dërguar shpesh “porosi”, që politika nuk bëhet në libra, por në tokë... Prandaj, nuk po zgjatem më shumë...

P. S. Ky shkrim është bër para një jave, por nuk e publikova, duke patur parasysh zhvillimet nga coronavirusi...

Mirëpo, këto ditë u (ri)binda se këta s’e kanë gajle për asnjë gjendje dhe për asnjë rrethanë sado e rëndë qoftë ajo...

Nuk ndalen me asgjë dhe para asgjëje për t’i mbrojtur privilegjet dhe pasuritë e fituara në dëmin e Kosovës shqiptare! Prandaj, po e publikoj shkrimin.

 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)