24 Prill 2024

Rreziku nga kupolat ruse

Shkruar nga Gani Qarri

Fatkeqësisht, bashkëpunëtorët tashmë të njohur, të rinj e të vjetër të Rusisë, dhe njerëz të lidhur që moti me qeveritë e njëpasnjëshme të këtij shteti, i cili, asnjëherë nuk ua dëshiroj të mirën shqiptarëve as Kosovës, po bëjnë që ne si shtet dhe popull sërish të kthehemi në kohë ankthi e pasigurie.

Pas një kohe të shkurtër kur për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike dhe problemeve të brendshme shtetërore, shteti rus, qe detyruar të tërhiqej nga disa vatra të krizës në botë, përfshi edhe tërheqjen e kontingjentit të ushtarëve rus, nga Kosova, tanimë ka ndryshuar çdo gjë dhe Rusia, përmes bashkëpunëtorëve të saj, po rikthehet serish në mënyrë edhe më arrogante, shpejtë dhe shumë më agresive se përpara edhe në vendin tonë.

Tendencat ruse për tu rivendosur përsëri në pozitat e dikurshme kyçe të politikës botërore, po vërtetohen edhe nga përpjekjet e vazhdueshme të politikës së jashtme të saj, për ndikim, jo më vetëm në rajonet ku zhvillohen luftime dhe ekzistojnë kriza të thella politike, por ajo tanimë, prioritet ka vendet e Ballkanit perëndimor, përfshi edhe vendin tonë të brishtë dhe ende në shtet- ndërtim.

Madje kryetari rus Putin, përveç përkrahjes së separatizmit të krijesës së ashtuquajtur "Republika Srpska" në Bosnjë, në emër të ndihmave për serbët dhe mbështetjen ndaj Serbisë, ai tenton që përmes bashkëpunëtorëve të vet shqipfolës, të ndikojë drejtpërsëdrejti edhe në Kosovë, gjë që vërtetë, duhet të brengosë me të madhe shqiptarët kudo.

Kjo edhe për faktin e dëshmuar se vërtetë disa shqipfolës, bashkëpunojnë ngushtë dhe pandërprerë me shërbimet sekrete ruse, gjë që u pa edhe në tetorin e vitit të kaluar, nga aventurat për grusht-shtet në Mal të Zi, kur grupet diversantë të shërbimeve sekrete ruso-serb, kishin zgjedhur që në shtetin malazez, të hynin nga Shqipëria.

Kjo, dëshmoi katërçipërisht se këto shërbime vërtetë kanë baza të forta me njerëz të gatshëm e të përgatitur mirë, për aksione edhe në Kosovë e Shqipëri, ndaj, qysh atëherë, qeverisë dhe popullit të Kosovës, u është tërhequr vërejtja drejtpërsëdrejti nga SHBA, me ç`rast vet sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, bëri thirrje që me urgjencë të ndërmerren masat e domosdoshme për tu shmangur rreziku rus në Kosovë.

Rusia, jo vetëm që po përpiqet me të gjitha mjetet dhe mundësitë, që ta dëmtoj dhe devijojë orientimin strategjik proevropian të vendeve tjera të Ballkani Perëndimor,por shërbimet e saj të fshehta, përmes bashkëpunëtorëve të tyre vendor, punojnë që në çdo mënyrë ta sabotojnë shtetndërtimin e vendit tonë, pengojnë funksionimin e rendit e të ligjit, bllokojnë përpjekjet e Kosovës për integrim në BE, si dhe mundohen të asgjësojnë aspiratat e shqiptarëve për anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare, përfshi edhe NATO-n. 

Kështu që, përveç pushtetarëve jo serioz të vendit, të cilët me apo-pa vetëdije vazhdojnë ta luajnë një pjesë të lojës ruse dhe brenda vetëm pak kohësh për të dytën herë, detyruan Departamenti Amerikan të Shtetit për t`ia tërhequr vërejtjen treshes Thaqi,Veseli dhe Haradinaj, që ti mbajnë duart larg nga Gjykata Speciale, kohët e fundit kanë ngritur kokën edhe bashkëpunëtorët e “fjetur” të shërbimeve sekrete ruso-serbe, të cilët përkundër të gjithave sa kanë bërë kundër Kosovës dhe shqiptarëve, ende kanë guxim të dalin me ide që në vetvete përmbajnë prapavijë të rrezikshme dhe kërcënojnë hapur fatin e shtetit të brishtë të Kosovës.

Ndaj, sikur të mos mjaftonin aktet e mëhershme të paprecedent të disa imamëve të dyshimtë, objektiv i të cilëve, përpos ndryshimit të dukjes evropiane të vendit, ishte edhe ndërtimi i rreth njëmijë xhamive vend e pa vend, duke lëkundur edhe eshtrat e të vdekurve për ngritjen e tyre edhe mbi varreza, me para të dyshimta të shteteve arabe, si dhe dezorientimi kombëtar i një numri sa më të madh të të rinjve tanë, duke i shndërruar në kamikaz dhe dërguar qindra nga ta, në luftëra të huaja, si mish për top,deri në Siri dhe Irak, ku shumë sish, humbën jetën dhe zhdukën pa shenj as gjurmë, sot punën e tyre, nga aty ku e lanë ata, po përpiqen ta vazhdojnë bashkëpunëtorët e moçëm e të rinj të shërbimeve sekrete serbo-ruse në vendin tonë.

Bashkëpunëtorë të vjetër "civil" të shërbimeve në fjalë, të cilët pas mbulimit të çdo hapësire tjetër të mundshme me xhami, tanimë kanë filluar të ngulin këmbë edhe për shkatërrimin e universitetit të parë të Kosovës, simbolin e inteligjencës dhe arsimimit amtar, të fituar me aq mund, përpjekje ,gjak e sakrifica, në mënyrë që edhe në vend të tij, të ngritët një xhami me 20 kupola kazakistaneze apo të tjera nga ikonografia e federatës ruse, për të zhbërjen e kampusit universitar dhe idilit kombëtar të dijes për ne si popull dhe dhjetëra gjenerata të studentëve shqiptar.  

Kjo dëshmon katërçipërisht edhe një herë më tepër, se përkundër mesazheve të forta nga SHBA, për të mbrojtur vendin nga rreziku real i ndikimit të Rusisë, financimet ruse po gjejnë rrugë dhe terren të lirë, për tu shtrirë e zgjeruar pa asnjë pengesë kudo në Kosovë, madje sidomos aty ku shërbimet e fshehta ruso-serbe kanë arritur të ruajnë e rindërtojnë çerdhet më të forta me bashkëpunëtorë të moçëm e të rryer shumëvjeçar.

Deri në vitin 2006 vet Behgjet Pacolli, aktualisht zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm i shtetit të pavarur të Kosovës, fliste hapur në intervista dhënë ekskluzivisht për gazetat serbe, se si e ardhmja e rajonit, gjoja varej nga Serbia dhe kinse Kosova nuk mundet pa Serbinë.

Kurse sot, përveç idesë së sëmurë për zëvendësimin e kampusit universitar përmes një xhamie me kupola(ruse?) edhe në ministrinë që ai udhëheqë, e cila realisht i takon një shteti evropian dhe laik, përderisa dhjetëra apo edhe qindra studente shembullore shqiptare, që njohin nga disa gjuhë të huaja, kanë diplomuara me notat më të larta, gjenden në kushte të rënda ekonomike dhe presin për vite me radhë një vend pune, ai ka punësuar aty të bijën e mbuluar me shami të Naim Tërnavës, shefit të BIK-ut, që bënë jetë përrallore dhe posedon pasuri të pafund.

Mjerisht, edhe personi që po përpiqet ta qojë përpara dhe jetësojë idenë e çuditshme për ndërtimin në vend të kampusit universitar, të një xhamie me 20 kupola, kush e di çfarë, është pikërisht vëllai i Behgjet Pacollit, pjesëtar i klanit të përfolur më së shumit dhe për kohën më të gjatë, për lidhjet me shërbimet e huaja sekrete dhe ndihmën vazhdueshme dhënë UDB-s, për vëzhgimin dhe likuidimin e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës në Gjermani, si dhe të dyshuar për bashkëpunim të përhershëm me shërbimet e fshehta ruse dhe lidhjet e pandërprera me qeveri të një-pas njëshme të Rusisë, të cilët të gjithë bashkë, përveç simpative të hapura gjatë gjithë kohës për Rusinë, asnjëherë nuk e dëshmuan shqiptarizmin e vet, as deklaruan publikisht se ndjehen ndonjëherë shqiptar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)