18 Nëntor 2019

Rreth emblemës së Prizrenit

Shkruar nga Faik Miftari

Gjatë këtyre ditëve është aktuale dhe i përfolur vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me emblemën e komunës së Prizrenit me të cilin vendim e ka shpallur antikushtetuese emblemën komunale të Prizrenit dhe ka urdhëruar Komunën e Prizrenit që brenda tre muajve të ndryshojë statutin dhe emblemën dhe ta sjell në përputhje me aktin më të lartë juridik.

Për hir të informimit të opinionit të gjerë kosovar e mbarëshqiptar, pasi që vet kam qenë i kyçur që nga fillimi e gjer në përfundim të hartimit, propozimit dhe miratimit të emblemës, nëpërmes këtij shkrimi do të jap tërë procedurën e punës së emblemës që nga fillimi e gjer në përfundim të saj.

Pas hyrjes në fuqi të Rregullores 2007/30 të UNMIK-ut, statuti i Komunës së Prizrenit duhej të harmonizohej konform Rregullores e cila sapo kishte hyrë në fuqi. Kuvendi i Prizrenit në seancën e vet të tretë të mbajtur me 6 mars 2008 zgjodhi komisionin prej 13 anëtarësh për hartimin e statutit dhe rregullores së punës në këtë përbërje: Et-hem Rugova, Nijazi Kryeziu, Sylë Hoxha, Ridvan Hoxha, Erxhan Shpati, Ragib Gajraku, Vjosa Curri, Osman Zajmi, Faik Miftari, Shaban Basha, Bajram Latifi, Refik Kasi dhe Gjyzele Shaljani. Komisioni statutor i sapozgjedhur iu përvesh punës me seriozitet të duhur, dhe se punoi plotë 6 muaj, nga mesi i marsit e gjer në fund të shtatorit 2008 me ç’rast mbajti rreth 30 seanca punuese.

 

Në fillim të punës punoi në harmonizimin e statutit komunal konform Rregullores 2007/30, e me hyrjen e Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale vazhdoi punimet në harmonizimin konform Ligjit të sapohyrë në fuqi. Nga 13 anëtarët e komisionit 5 anëtarët ishin me profesion jurist, dhe atë, Et-hem Rogova, Sylë Hoxha, Ragib Gajraku, Bajram Latifi dhe Osman Zajmi. Procedura e harmonizimit të statutit ka shkuar nen për nen, ashtu që shumica e neneve u miratonin me konsensus e në disa raste kur nuk arrihej konsensusi me shumicë votash të anëtarëve prezent të komisionit në fjalë. Te neni lidhur me emblemën e komunës, për të cilin kisha parandjenjë se do të ketë probleme, u paraqitën fërkimet apo mospajtimet e para në mes komunitetit shumicë shqiptare dhe komunitetit pakicë turk e boshnjak, të cilët do të vazhdonin edhe gjatë procedurës së mëtejmë në Kuvend e që vazhdojnë edhe në ditët e sotshme. Duke pasur parasysh se Kushtetuta e Kosovës në fuqi nuk është Kushtetutë sipas vullnetit të popullit shqiptar, por Kushtetutë e Kosovës e komuniteteve të barabarta sipas Ahtisarit, dhe se propozimi gjithëpërfshirës i Ahtisarit është mbi Kushtetutën e Kosovës, u përpoqa të kontribuojë me një propozim kompromisi i cili do të ishte i pranishëm për të gjithë. Pasi që emblema aktuale në fuqi e Komunës së Prizrenit ishte e tillë, në mes(sfond) ishte shtëpia e Lidhjes së Prizrenit dhe rreth e përqark saj teksti Kuvendi Komunal Municipality Prizren, e dija që anëtarët e komisionit nga radhët e komunitetit boshnjak dhe turk do të kërkonin të shkruhej edhe në gjuhët e tyre.

 

Për të evituar këtë, propozova që në mes(sfond) të jetë shtëpia e Lidhjes së Prizrenit, dhe vetëm mbishkrimi Prizren, të cilin propozim e mirëpriti Ragib Gajraku, por ja shtoi edhe vitin 1878, pas së cilit Erxhan Shpat propozoi që në mes(sfond) të jetë shtëpia e Lidhjes së Prizrenit, ndërsa rreth e përqark teksti “Komuna, Opština, Belediye”. Propozimi i Ridvan Hoxhës që të mbetet ashtu si ishte emblema në fuqi nuk u mor parasysh. Pasi që mungonte konsensusi u hodh në votim, ashtu që propozimi i Ragib Gajrakut u votua me shumicë votash nga neve anëtarët shqiptar të komisionit, ndërsa propozimi i Erxhan Shpatit mori votat e anëtarëve të komunitetit turk e boshnjak.

 

Pas përfundimit të mbledhjes iu drejtova z. Ragib Gajrakut, për të cilin kam respekt, pse ore Ragib, i thashë, edhe pse mua nuk më takonte, duke ditur se z. Ragib Gajraku është njohës i mirë dhe me përvojë i aktualitetit politik lokal e vendor, duke ditur se është me profesion jurist, edhe i normativave ligjore lokale e vendore, se me këtë propozim do të humbim, u përgjigj që kryesore është që neve ta bëjmë tonën, e pastaj Gjykata Kushtetuese le të shfuqizojë vendimin tonë, që për mua ishte një shkurtpamësi politike, e paqëndrueshme, dhe me efekt kohor të caktuar. Para se të hyjë në procedurën e votimit dhe miratimit në Kuvend, u përpoqa më tutje, normal në kuluare politike, pasi që në shumicën e rasteve aty merren vendime, dhe se në Kuvend vetëm i jepet “amini” propozimeve të caktuara politike.

 

Për të parandaluar fërkimet brenda në Kuvend, mora pëlqimin e shefave të grupeve parlamentare turke dhe boshnjake, si dhe miratimin e heshtur të shumicës së grupeve parlamentare shqiptare për të propozuar kompromisin të cilin e propozova gjatë hartimit të projekt propozimit në komisionin statutor, kjo ishte e tëra që kam mundur të bëjë, me propozimin tim i njoftova strukturat gjegjëse të PDK-së në Prizren, pasi që ishte bartëse e pushtetit aktual lokal në Prizren, respektivisht nënkryetarin të Komunës Minir Krasniqi dhe kryesuesit Nijazi Kryeziu, që të bisedonin brenda PDK-së dhe me partitë tjera si në koalicion, ashtu edhe në opozitë. Përpjekja ime mori fund, dhe se pas kësaj ishte papjekuria e strukturave lokale të PDK-së, apo mos dëshira, e tyre për të proceduar më tutje propozim e kompromisit për emblemën e komunës së Prizrenit, e cila do të ishte e pranuar për të gjithë, apo ishte ndoshta edhe mungesa e sensit politik për një gjë të tillë, pikësëpari të kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja dhe kryesuesit Nijazi Kryeziu.

Më 15 tetor 2008 në seancën e njëmbëdhjetë të Kuvendit Komunal të Prizrenit u shqyrtua propozimstatuti i Prizrenit i hartuar dhe dorëzuar nga komisioni statutor i zgjedhur nga ky kuvend. Edhe këtu u tregua një papjekuri politike dhe një veprim i pamatur ad hock, edhe pse në votim do të hidheshin 2 propozime, ai i shumicës shqiptare të komisionit statutor, dhe i
komuniteteve turke e boshnjake, dhe se me nenin 7 të Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale i cili parasheh se “simbolet e komunave mund të miratohen apo ndryshohen me 2/3 e votave të Kuvendit Komunal”, u dashtë që të votohej për emblemën në veçanti e pastaj edhe për projektstatutin në tërësi. Kuvendari Haki Gajraku doli me propozimin e tretë, duke propozuar që të shtohet vitit 1878 edhe 10 qershori, edhe pse qëllimi i tij ishte që të kalojë propozimi i emblemës së propozuar të shumicës shqiptare, me këtë veprim bëri gabim në hapa, pasi që për të kaluar në veçanti votimi për emblemën nevojiteshin 28 vota, e pasi u hodh në votim, propozimi i komisionit statutor mori 24 vota, propozimi i komuniteteve 5 vota dhe propozimi i kuvendarit Haki Gajraku 5 vota, ashtu që kjo i ndihmoi që të parashtrojnë ankesat e tyre të mëtejmë të komuniteteve, të cilët e përdorën në procedurën e mëtejme. Për statutin në tërësi votuan 29 kuvendarë dhe 5 kuvendarë ishin kundër, me të cilin edhe u aprovua statuti me 2/3 e votave nga gjithsejtë 41 kuvendar.

 

Maratona e emblemës me këtë nuk mori fund, pas ankesës së bërë Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal, MAPL-ja kërkoi prej Kuvendit Komunal që të rishikojë nenin 7 të statutit të Komunës, pasi nuk ishte plotësuar kushti sipas nenit 7. 4 të Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale, sepse për të kaluar emblema ishin të nevojshme 28 vota, e ishin pro vetëm 24 vota, që ishin të pamjaftueshme nga aspekti ligjor. Në seancën e gjashtëmbëdhjetë të Kuvendit Komunal të mbajtur me 20 shkurt 2009, pas kërkesës së MAPL-së për rishikimin e nenit 7 të Statutit të Komunës lidhur me emblemën, kryesuesi i kuvendit Nijazi Kryeziu e hodhi në votim nenin 7, pa shqyrtim paraprak, dhe se tani propozimi për nenin 7 kaloi me 34 vota, me ç’rast u plotësua edhe zbatua në tërësi neni 7. 4. i Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale të Kosovës. Përfaqësuesit e komuniteteve paralajmëruan se nuk do të ndalen dhe se do të ankohen në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe se para ca ditësh, respektivisht me 18 mars Gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi poshtë vendimin e Kuvendit Komunal të Prizrenit dhe se urdhëroi që brenda afatit 90 ditësh të përmirësoj vendimin konform Kushtetutës së Kosovës.

 

Parandjenjën që e kisha dhe që i thash Ragib Gajrakut se Gjykata Kushtetuese do ta hodhi poshtë vendimin tonë, doli e saktë, edhe pse po të kishte pak sens dhe vullnet politik të neve shqiptarëve, nuk do të kishte ardhur gjer te ky vendim dhe krejt e panevojshme do të ishte e tërë kjo maratonë që do të vazhdojë edhe më tutje rreth emblemës së Prizrenit. Të akuzosh komunitetet se janë kundër Lidhjes së Prizrenit, nuk qëndron fare, pasi që edhe ata në propozimin e tyre kanë propozuar që në mes(sfond) të jetë shtëpia e Lidhjes së Prizrenit, ndërsa rreth e përqark të jetë teksti “Komuna, Opština, Belediye”, duke marr parasysh se në emblemën paraprake aktuale që ishte në fuqi, përveç shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit në mes(sfond), ishte edhe teksti “Kuvendi Komunal Municipality Prizren” e pasi që ishte gjer atëherë i përfshirë teksti vetëm në gjuhën shqipe dhe angleze, do të duhej të jetë edhe në gjuhën turke dhe boshnjake sipas komuniteteve. Kjo le të mbetet neve shqiptarëve si një mësim i mirë për të ardhmen tonë politike, sepse neve na mungon akoma largpamësia politike dhe se veprimet e kryera në shumicën e rasteve i marrin aty për aty.

Në përfundim të kësaj kur jemi te emblema, nuk mund të mos e them edhe se të gjithë neve shqiptarëve kur e shohim shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, ajo automatikisht na asocion edhe vitin 1878, ndërsa për të huajt që nuk e njohin shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, viti 1878 do të asocioj vitin e themelimit të qytetit të Prizrenit, sepse në shumicën e logove të qyteteve të botës viti paraqet vitin e themelimit të qytetit përkatës, e dihet se Prizreni është një qytet i lashtë dhe se vetëm Kalaja e saj mbi qytet është një gjurmë evidente e ekzistimit mbi njëmijë vjeçar e më shumë të qytetit të Prizrenit Por edhe kur jemi te shtëpia e Lidhjes së Prizrenit, edhe ajo nuk është e saktë, pasi që Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit është mbajtur në xhaminë e Bajraklisë, dhe si e tillë, në mes (sfond) të emblemës do të duhej të ishte xhamia e Bajraklisë, e jo shtëpia e Lidhjes së Prizrenit e cila ka qenë mësonjëtore (ders-hane) e Medresesë, por kjo është temë në vete, për të cilin mund të flitet kur të bëhet rishikimi i vërtet i historisë sonë kombëtare shqiptare në tërësi, e për të cilin shkrimtari i njohur francez Balzaku pat thënë “ekzistojnë dy histori, historia zyrtare rrenacake, e cila jepet në shkolla, dhe historia e fshehtë në të cilin jepen shkaqet e vërteta të ngjarjeve”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 nëntor 2019

- Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media në të cilën do të prezentojë hulumtimin rreth opinionit të bizneseve për marrëveshjen Kosovë-Serbi. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 9:00)

- Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU! me përkrahjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës përmes Programit Matra organizon tryezë në të cilën do të publikohet raporti me titull Qasja në Drejtësi. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Qendra e Inovacionit të Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizojnë ceremoninë e hapjes së Javës Globale të Ndërmarrësisë 2019 në Kosovë. (Menza "Ramiz Sadiku" në Prishtinë, ora 10:00)

- Grupi Tematik për të Drejtat e Fëmijëve në Shëndetësi në kuadër të Koalicionit te OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve organizon konferencën për media në te cilën do të prezantojë një dokumet me të dhëna dhe rekomandime për mbrojtjen e ambientit në Kosovë. (Qendra e Resurseve për OSHC, Forumi për Iniciativa Qytetare në Lagjen Pejton, ora 10:00) 

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it do të organizojë tryezë me titull “Pandëshkueshmëria e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit organizon prezantimin e studimit per Çështjen e Kompleksit të Trepçës dhe Çështjen e Reparacioneve për Krimet e Luftës të kryera në Kosovë në Kontekstin e ‘Finales së Madhe’ eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me PPSE Swisscontact dhe SHB Sharri përuron shtegun turistik të ri Via Ferrata "Panorama". (Gryka e Lumbardhit, 4.5 km nga qendra e qytetit, ora 11:00 - transporti i organizuar nga Komuna e Prizrenit, nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 10:30)

- Në kuadër të aktivitet kulturor kushtuar "Ditet e Alfabetit", promovohet botimi 'Levizja Protestante te shqiptaret 1818-1908" te autorit prof. dr. David Hosaflook. (Biblioteka Kombetare "Pjeter Bogdani", ora 10:30)

- Muzeu Kombëtar i Kosovës hap ekspozitën “Bienalen e Akuarelit Edicioni i 2-të” e cila sjellë vepra arti të artisëve nga 70 vende të botës me rreth 380 piktura. (Muzeu Kombëtar, ora 19:00)

 

- Në kuadër të projektit ' Tell Me More' të perkrahur nga MKRS dhe DKRS dhe të implementuar nga Kuvendi i të Rinjve të Prizrenit do të realizohet shfaqja teatrale në Shtepinë e Kulturës " Xhemajli Berisha ". (Shtëpia e Kulturës në Prizren, ora 20:00)