19 Prill 2024

Rrenacaku i vogël i Lëvizjes "Vetëvendosje"

Shkruar nga Xhevat Bislimi

Gjatë jetës sime më ka rënë të lexoj, dhe po lexojmë përditë, lloj-lloj shkrimesh në gazeta e revista të shumta dhe në gjuhë të ndryshme. Kam lexuar plotë shkrime ku pas një të vërtete (një fakti) futeshin edhe disa gjysmë të vërteta, të pa vërteta, shpifje, trillime, etj.

Por, që të botohen dy shkrime në ato dy fletët e « Vetëvendosje » pa asnjë të vërtetë (fakt), fund e krye me rrena, trillime, shpifje dhe etiketime të ulëta nuk më kishte rënë të lexoja më parë ! Këtij rrenacakut të vogël nuk ia kam përmendur emrin as herën e parë dhe nuk do t’ia përmend as kësaj here. 

E kisha quajtur « adoleshent », duke menduar që do ta kuptonte se është treguar axhami në krejtë ato rrena, shpifje dhe etiketime që kishte bërë për njerëz, qytetarë dhe personalitete të nderuara të komunës së Vitisë.

Ky, dhe ato dy fletët e « Vetëvendosje », në vend se të kërkonin falje, siç do ta bënte secili njeri dhe secila fletushkë në botën e qytetëruar, shkroi dhe botoi një reagim me rrena të reja pa kërkuar falje për ato të parat !! Përtova shumë të ulem dhe të hedhë në letër një kundërreagim ndaj atyre dy fletëve (jo ndaj këtij rrenacakut). Madje, fillimisht mendova të mos merrem me ata që nuk dinë të kërkojnë falje dhe me ata që të ardhmen e tyre politike përpiqen ta ndërtojnë mbi themele të rrenës, shpifjes dhe etiketimeve të ulëta.

Ky adoleshenti i « Vetëvendosje », që tash, kërkojë ndjesë nga lexuesi, por po e quaj rrenacak, « mburret » me njohuritë e tij në drejtësi, e që në fakt nuk i njeh dhe as kupton nocionet elementare të kësaj fushe. Vrejtjen e tij për punën e statutit të komunës e mbështet në interpretimet e një « zyrtari ligjor » në komunë që në fakt është njeriu më i paligjshëm në administratën komunale. Ka ardhur në punë pa konkurs dhe merr rrogën që nuk i takon!

Dy herë i kundërligjshëm! Kuptohet që ky s’ka faj ! Fajin e kanë ata që e kanë angazhuar në punë dhe e paguajnë në mënyrë krejt të kundërligjshme ! Ky djali i « Vetëvendosje » nuk i njeh dhe as nuk i kupton funksionet themelore të Komunës dhe të organeve të saj. Nuk e ka idenë se ç’është Komuna, administrata dhe qeverisja komunale. Në vend se të kundërshtoj statutin që parashikonte heqjen e Kllokotit dhe të tri fshatrave të tjera nga komuna e Vitisë, ai dhe dy fletët e « Vetëvendosje » këmbëngulin për ndryshimin dhe plotësimin (miratimin) e statutit të komunës !

Ky nuk e kupton që komuna e ka statutin dhe që komuna e Vitisë është keq për një menaxher të mirë, për një qeverisje të mirë, për organe komunale që zbatojnë ligjet gjithmonë në interes të qytetarit dhe që mbrojnë pronën dhe interesin publik. Në vend se të merrej me qindra prona të uzurpuara, shumë të tjera të trafikuara dhe të kontrabanduara nga AKM-ja (sot AKP), të ndihmuara edhe nga UNMIK-EULEX-i, komuna (më herët dhe tash) dhe gjykatat, ai merret me ata që paguajnë qera të rregullt për lokalet që shfrytëzojnë konform ligjeve në fuqi!

Pastaj, vijnë problemet e arsimit, ato të shëndetësisë, shkatërrimi i pyjeve dhe i mjedisit, rinia, kultura, arti, zënia e tokës së bukës me ndërtime e sa e sa çështje që mund dhe duhet të ngriten dhe të trajtohen (të mendohet dhe punohet edhe për zgjidhjen e tyre) nga ky farë djali dhe nga brezi i tij, nga « Vetëvendosje » dhe nga partitë tjera politike, nga organet komunale dhe nga mbarë shoqëria shqiptare.

Pa dhënë asnjë shpjegim për rrenat e shkrimit të parë ai dhe dy fletët e « Vetëvendosje » vazhdojnë me rrena dhe shpifje të reja. Mbase sipas shembullit dhe motos së atij që thoshte « gënje, gënje se diçka do të mbetet » ! Gjynah për një djal të ri (me vjet jo dhe aq i ri !) që pretendon të bëjë karrier në politikë !

Për Abdyrrahman Gjelën, që ka marrë nga komuna një lokal me qera, rrenë pa fijen e turpit se « është kushëri i Daut Xhemajlit » (zëvendëskomandant i Brigadës « Gursel e Bajram Sylejmani » gjatë luftës), shefit të Administratës dhe prsonelit ! Rrenë edhe për vajzën e tij se gjoja paska marrë tri rroga pa punuar në shkollë. Rrenë kur thotë se në Vërban qenkan blerë tri vota për PDK-në, prandaj, me demek, paska fituar PDK-ja ! Po ato treqindë të tjerat në Vërban dhe afër gjashtë mijë në komunën e Vitisë si i mori kjo parti dhe kandidati i saj?

Po tri palë zgjedhje radhazi si i fitoi? Arsimtarin dhe profesorin shumëvjeçar, veteranin e UÇK-së, kryetarin e nëndegës dhe Drejtorin e nderuar komunal, Xhavit Sylejmanin, ky rrenacaku e quanë « argat i Xhevat Bislimit » ! Turp ! Rrenë dhe shpif edhe për njeriun më të suksesshëm në ekonomin private, Kadrush Rexhepin, i cili nuk u bë i suksesshëm brenda nate, por, me punën e tij këmbëngulëse tridhjetë vjeçare.

Ndërmarrja e tij është e vetmja ndërmarrje e kualifikuar për ndërtimin e rrugëve në komunën e Vitisë, pastaj ka blerë edhe Banjën e Kllokotit, etj. E di që ai nuk ka nevojë për përkrahjen e këtij rrenacaku por, të paktën nuk kishte të drejtë ta përgojonte dhe të shpifte në adresë të tij.

Shkon edhe më larg ky rrenacaku i vogël dhe këto dy fletët e Lëvizjes « Vetëvendosje ». Mua më quajnë « titist » ! Tamam në stilin e atij hajdutit që thërriste « kapeni hajdutin » ! Mua gjithë Shqipëria Natyrale dhe e gjithë mërgata shqiptare më njeh për enverist (në kuptimin kombëtar të kësaj fjale).

Gjë që unë kurrë nuk e kam mohuar, sepse në kohën e Jugosllavisë kishte vetëm dy grupime, dy shkolla politike : Enveristë dhe titistë, ose kush ishte me Tiranën dhe kush me Beogradin ! E kam fjalën gjithmonë për njerëz të angazhuar politikisht. Siç po duket edhe sot këto dy shkolla kanë mbetur dhe gara po vazhdon: Do të fitojnë ata që janë për Tiranën apo ata, s’po ma thotë goja, që janë për Beogradin (kuptohet këta janë më të pakët se kurrë më parë dhe uroj që fara e tyre të shuhet « me arë e me farë »)? Do të triumfojë dëshira shekullore e kombit shqiptar. Lum si ata që janë në anën e kësaj dëshire dhe të këtij përcaktimi dhe angazhimi shekullor !

Unë, vij nga një familje që lindi dhe rriti Jetish Bislimin-Vishin, i cili hapi shkollën e parë shqipe në Vërban dhe në komunën e Vitisë, pastaj u burgos dhe u dënua me shumë vite burgim si nacionaldemokrat. Vetë, po ashtu, isha i burgosuri dhe i dënuari i parë në Vërban në vitin 1982 si nacionalist dhe irredentist.

Se nga vjen ky rrenacaku i « Vetëvendosje » nuk më takon mua ta them, sepse kam qenë i ndjekur, i burgosur i diferencuar por, nuk jam marrë dhe nuk merrem me diferencimin dhe « mallkimin » e të tjerëve ! Kosova dhe kombi shqiptar ka nevojë për të gjithë ata që duan edhe sot, edhe nesër dhe, edhe shumë kohë ta ndihmojnë, të përpiqen dhe të luftojnë deri në ribashkimin e Shqipërisë.

Është e vërtetë që mua ma kishin mohuar edhe të drejtën e vazhdimit të studimeve, por ama shkollë bëra edhe në Francë, edhe në Prishtinë, bile si për inat të atyre që kërkonin të na ndalonin të shkolloheshim, unë, edhe në këtë moshë po vazhdoj të shkollohem. Të drejtën për të studjuar dhe për të shkruar nuk mundën të ma marrin jugosllavët, serbët dhe hyzmeqarët e tyre. Kam të botuara mbi dy mijë faqe, etj, etj. S’është nevoja të zgjatem për vete.

Luftën Antipushtuese dhe Çlirimtare të UCK-së dhe të kombit shqiptar e kam parë nga Parisi, Londra, Boni, Berna, Kopenhaga, Stokholmi, Roma, Haga, Brukseli, Luksemburgu por, edhe nga Tirana, Prishtina, Shkupi, Presheva e Janina, sepse kisha dhënë një kontribut të vockël në Lëvizjen ilegale, në themelimin, përfaqësimin dhe drejtimin e UCK-së.

Kurse ky rrenacaku i « Vetëvendosje » ka qenë në shtëpinë e tij, prapa pragut dhe as nuk e ka parë, as nuk ka ditë se çka po bëhet përtej « Lugut të Alimujës », që s’i ka njëqindë metra nga shtëpia e tij !Djali im pa i mbushur shtatëmbjedhtë vjet erdhi vullnetar në UÇK bashkë me një kushëri të moshës së tij, kurse djali i agjës ishte deri në ditën e çlirimit në betejën e Koshares për heqjen e kufirit ndërshqiptar.

Mërgata shqiptare, për të cilën shkruan me ironi ky rrenacaku i « Vetëvendosje » ishte gjaku, mundi, djersa dhe paraja, që bashkë me bijtë dhe bijat më të mira të kombit shqiptar dhe me Tiranën, e bënë UCK-në dhe Luftën Antipushtuese Çlirimtare.

Është me të ardh keq kur lexon se si një djal që akoma nuk e ka dhënë një pikë djerse për këtë vend shpif dhe etiketon njerëzit dhe bashkëkombësit e tij ! Dhe ku se ? Në ato dy fletë të asaj organizate që pretendon ta bëjë namin (do të doja dhe do ta uroja nga shpirti secilin që bënë më shumë) për shqiptari, për Shqipëri !!

Por, deri sa jemi gjallë kemi shumë për të bërë për Nënën e çdo shqiptari, për atë që breza të tërë e thirrën NËNË – për Shqipërinë. Derisa Ajo, Nëna jonë, të jetë e copëtuar nuk kemi as fytyrë dhe as të drejtë të mburremi. Madje as dëshmorët e të gjitha periudhave nuk do të jenë të qetë deri sa të gjallët ta bajnë realitet AMANETIN e tyre.

Do të doja nga zemra që ky farë djali dhe gjithë brezi i tij ta bëjnë atë që nuk mundëm ta bëjmë deri më sot : Bashkimin e kombit shqiptar në një shtet, në një Shqipëri. Nëse sharjet, rrenat, shpifjet dhe etiketimet ndaj bashkëkombësve i ndihmojnë këtij qëllimi të shenjtë mos na kurseni : Shani, etiketoni, rreni, shpifni nga mëngjesi deri në mbrëmje ! Nëse besoni se do të rriteni sadopak duke gënjyer, duke shpifur dhe duke na sharë, vazhdoni, mos u ndalni ! Aq më bënë ! Unë e kreva.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)