19 Prill 2024

Rrëfim nga kujtesa fëmijërore - 22 vjet nga Masakra e Belegut

Shkruar nga Endrit Binakaj
 
(I mbijetuar i Masakrës së Belegut, autor i dy librave për masakrën)

Masakra e Belegut 29 mars 1999

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, memoria ime ka ngelur e freskët, ende e qartë si kristali i një fëmije që sapo kishte mbushur 9 vjet. Ende në shiritin e kujtesës sime më rrëshqasin natyrshëm ato skena vuajtjesh, maltretimesh, frikë nga e panjohura, se po vriteshim tash a tash.

Sa herë që vjen 29 marsi, dhe jo vetëm, unë kthehem në marsin e vitit 1999, në vitin e rëndë të vrasjeve, torturave, masakrave deri në shfarosje totale, por edhe të kthesës së madhe të shqiptarëve për fitoren e luftës për liri. Kthehem dhe shndërrohem në Endritin 9 vjeçar, në Belegun e djegur e të shkatërruar, në Kosovën e kapluar më flakë e erë gjaku të njomë.

E kujtoj si sot, ishte ditë e hënë marsi, pranvera kishte lëshuar rrënjë, pemët kishin filluar të çelnin sythet e tyre, fushat dhe kodrinat po rinoheshin me petkun e gjelbëruar. Por, vetëm qielli nuk ishte në sinkron me token.

Ai po shfaqej i zymtë, retë e zeza e kishin pushtuar vendin tim, kukuvajkat po paralajmëronin tragjedinë e madhe. Dita e 29 marsit 1999 ishte kobshme për vendlindjen time, si fëmijë atëbotë e them pa modesti më bëhej sikur e kisha mposhtur frikën, me siguri qe po, e kisha mposhtur, krismat e plumbave dhe gjëmimet e topave ishin bërë tinguj të zakonshëm për veshin tim, tanket dhe autoblindat e paramilitarëve me helmeta ishin bërë pamje e përditshme e syve të mi.

E kujtoj futjen e policisë brenda oborrit të shtëpisë sime, pushtimin e tij nga paramilitarë serb me tyta armesh mbi civilë shqiptarë që të vetmin mëkat që kishin bërë ishte se po jetonin në tokën e paraardhëseve të  tyre që kishin jetuar brez pas brezi këtu, në atdheun tonë autokton.

Të hutuar e në ankth, na mblodhën të gjithë, u nisëm në karvanin e pa kthim drejt qendrës së fshatit, duke ecur rrugës, një autoblind na printe e ne ishin në mes, anash ecnin në këmbë me armë të gjata ushtarët serbë të armatosur deri në dhëmb, ndërsa në fund të kolonës qëndronte edhe autoblinda tjetër, si për ta siguruar rrugën se tufa e shqiptarëve civil që po shkonte drejt ferrit, të mbërrinte e sigurt atje.

Rrugës në asnjë moment nuk ia lëshova dorën nënës sime, e cila tashmë kishte barrë të rëndë të kujdesej për mua dhe motrën, babai nuk e dinin se çfarë i kishte ndodhur, siç nuk do ta dinim deri në qershorin e vitit 1999, e mendonim si të vdekur, ashtu siç na vinin lajmet në Shkodër, ku qëndrova me familje për tre muaj si refugjat.

 Rrugëtimi i ferrit nga shtëpia deri në vendin e grumbullimit në qendër të fshatit, ishte i tmerrshëm, çdo gjë po digjej, qiellin e atij muzgu tragjik po e ndriçonin flakët e shtëpive që po digjeshin në çdo skaj të rrugës kafshë të ngordhura, kukama e dënesje nënash, në prani të familjes kishin pushkatuar në pragun e shtëpisë, Naim e Nezir Vishajn, po ashtu edhe profesor Daut Aliçkajn. Tmerri i vërtetë kishe filluar.

Të hutuar dhe në ankth, policia dhe ushtria serbe kishin filluar aksionin e plaçkitjes, torturës dhe maltretimit të banorëve jo vetëm të Belegut por edhe të fshatrave tjera që lufta i kishte degdisur për ato momente në Beleg.

Atë natë marsi, burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët. Në çdo moment pritej pushkatimi dhe therja jonë, nuk ndodhi atë natë, sikur ishte vullnet nga Zoti që ne fëmijët dhe gratë të shpëtonim, për ta treguar e rrëfyer vuajtjen tonë për liri, por nga pushkatimi nga paramilitarët serbë nuk shpëtuan 46 burra që nga mosha 16 vjeçare e deri tek pleq të shtyrë në moshë.

Në mëngjesin e 30 marsit, filloj eksodi i madh për në Shqipëri, në rrugën pa kthim. Ishte momenti i fundit kur fëmijët po i shikonin fytyrat e baballarëve të tyre, çast i trishtueshëm kur nënat po merrnin mallin me veti për bijtë e tyre që nuk do t’i takonin kurrë.

Momente prekëse që i kisha përjetuar si fëmijë, është shumë e vështirë të gjesh ndonjë përshkrim adekuat të asaj ndjesie, e dhimbshme, e tmerrshme sa që edhe lotët ishin shterur e zëri kishte ndërruar tonalitetin, nuk mund as të bërtisje.

Në natën e 29 marsit, për të vazhduar edhe më 30 mars 1999, ishin ndaluar nga forcat serbe 46 burra për t’u ekzekutuar më pas, jo vetëm banorë të fshatit Beleg por dhe të fshatrave tjera përreth që lufta i kishte zënë aty atë ditë marsi.

Ky është një përshkrim i shkurtër i gërmuar thellë nga kujtesa e një fëmije që sapo kishte filluar ta jetoj pranverën e nëntë, i atij skenari të tmerrshëm të Masakrës së Belegut, e cila llogaritet si njëra nga krimet më të llahtarshme të regjimit serb në luftën e fundit në Kosovë.

Nga 46 të ekzekutuarit në këtë masakër deri më tani janë identifikuar vetëm 12 trupa, ndërsa pjesa dërmuese, pra 34 mbesin ende të zhdukur. Ndonëse dihen autorët e krimit të cilët i kam dokumentuar në dy librat e mi për këtë masakër, përsëri drejtësia vendore e sidomos ajo ndërkombëtare nuk kanë bërë asgjë në zbardhjen dhe dënimin e merituar për autorët e këtij krimi makabër.

Dëshmitarët e Masakrës së Belegut, disa herë i kanë deponuar dëshmitë dhe faktet e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por ende nuk ka ndonjë proces gjyqësor ndaj kriminelëve që vranë, masakruan dhe torturuan banorët e fshatit Beleg.

Sot, 22 vjet nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, familjarët, të afërmit e të ekzekutuarve në Beleg mbesin me ankth, në pritje të ndonjë lajmi për trupat e tyre, varret kanë mbetur të hapura, me epitafe të shkruara, por mungojnë një grusht eshtra. Kaq kërkojnë familjarët e tyre, që sadopak t’iu zbutet dhimbja, si një vend për t’i ndje më afër, se per t’i vajtuar ata nuk e meritojnë, janë martirë të kësaj toke të lirë.

Aktualisht në të gjithë vendin janë të zhdukur rreth 1643 persona, Serbia e di saktë vendndodhjen e tyre, andaj duke qenë se jemi në prag të një marrëveshje me shtetin armik, si një i mbijetuar i masakrës dhe si qytetar i kësaj Republike iu bëj apel dhe thirrje në emër të gjithë familjarëve që t’i bëhet presion Serbisë për kthimin e të gjitha eshtrave të personave të zhdukur në Kosovë.

Familjarët e të rënëve jo vetëm në Beleg por edhe në nivel të Kosovës, asnjëherë nuk do të jenë të qetë përderisa kriminelët nuk e marrin dënimin e merituar.

Ankthin ata e kanë bërë pjesë të jetës, tash e 22 vjet.

Ky ankth shpresoj të mos vazhdoj në pafundësi.

Lavdi të rënëve në Masakrën e Belegut!

Të rënët në Masakrën e Belegut

Deri më tani nga Masakra e Belegut janë të identifikuar këta persona:

Shaqë (Curr) Binakaj
Hysni (Curr) Binakaj
Nezir (Ibish)Vishaj
Naim (Daut) Vishaj
Daut (Murat) Aliçkaj
Gëzim (Selmon) Vishaj
Jetmir (Arif) Mazrekaj
Qazim (Osë) Hulaj
Sadri (Adem) Zukaj
SHefqet (Curr) Belegu
Shaban (Haxhi) Kadriaj
Ali (Haxhi) Kadriaj

Ndërsa, shumica e të rënëve në këtë masakër ende nuk janë gjetur. Dhe, ende nuk dihet se KU JANË:

Zymer (Miftar) Binakaj
Brahim (Adem) Zukaj
Hamid (Dervish) Zukaj
Rexhep (Lum) Neziraj
Faton (Hasan) Vishaj
Fatmir (Halil) Vishaj
Ramë (Shaban) Kilaj
Sadri (Hajdar) Vishaj
Mujë (Isuf) Vishaj
Malë (Isuf) Vishaj
Zenel (Ukë) Vishaj
Hazir (Himë) Zukaj
Shaban (Ramë) Nitaj
Nekë (Halil) Binakaj
Hajdar (Hamëz) Mazrekaj
Ali (Avdyl) Mazrekaj
Bashkim (Lush) Hadergjonaj
Afrim (Lush) Hadergjonaj
Xhevdet (Bajram) Hadergjonaj
Muhamet (Bajram) Hadergjonaj
Mehmet (Halil) Tolaj
Xhevat (Ukë) Tolaj
Misin (Hajdin) Tolaj
Arif (Haxhi) Mazrekaj
Isa (Tahir) Tolaj
Sahit (Bekë) Mazrekaj
Hasan (Sahit) Mazrekaj
Sundim (Sahit) Mazrekaj
Naim (Hysen) Tolaj
Ragip (Osmon) Morina
Beqir (Idriz) Dervishaj
Tafë (Bekë) Dinaj
Smajl (Ramë) Ukëhaxhaj
Haxhi (Shaban) Kadriaj



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)