24 Shtator 2020

Rëndësia e etikës në punën e prokurorëve të riemëruar

Shkruar nga Ismet Kabashi


Në procesin e emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhënia e provimit nga kodet e etikës për gjyqtarë, gjyqtarë laik, prokurorë dhe avokat ishte kusht formal për t’u kualifikuar për emërim të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj dhe riemërim të gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë.

Ligji për Prokurorin e Shtetit parasheh si kusht formal për emërimin e një kandidati për prokuror, kalimin apo dhënien e provimit përgatitor për prokuror dhe gjyqtar. Sipas të njëjtit ligj, ekzistojnë përjashtime për kandidatët me përvojë të caktuar, të cilët janë të liruar nga ky provim.

Secili profesion ka etikën e vet, të cilën profesionisti i caktuar duhet ta respektoj gjatë ushtrimit të detyrës. Kjo ka vënë në pah nevojën që për profesione të caktuara të hartohen kode të veçanta të etikës dhe në këtë drejtim Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka miratuar kodet e etikës për gjyqtarë, prokurorë dhe gjyqtarë laik. Sjellje të caktuara të një profesionisti sipas kodit të etikës për atë profesion mund të mos paraqesin shkelje, ndërsa të paraqesin shkelje për një profesionist të një profesioni tjetër.

Njohuritë për Kodin e etikës për prokurorë dhe sjelljet sipas udhëzimeve nga ai kod janë të rëndësisë primare për prokurorë, ngase heqin të gjitha dyshimet që mund të lindin lidhur me pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre për të ushtruar profesionin e prokurorit në rastet konkrete.

Sjelljet që nuk janë në harmoni me Kodin e etikës jo vetëm që paraqesin shkelje të kodit, por janë edhe arsye për përjashtimin e prokurorit nga një rast konkret. Sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPPK) gjyqtari ose gjyqtari laik mund të përjashtohet edhe kur prezantohen dhe vërtetohen rrethana që vënë në dyshim paanshmërinë e tij në zgjidhjen e një rasti konkret.

Këto rrethana kanë të bëjnë kryesisht me shkelje të Kodit të etikës, ndërsa dispozitat për përjashtimin e gjyqtarëve zbatohen edhe për prokurorë. Kështu, në rastet kur mendohet se ka rrethana për përjashtimin e prokurorit nga kryerja e detyrës, prokurori duhet ta njoftojë kryeprokurorin e prokurorisë për ekzistimin e atyre rrethanave të cilat do ta sjellin në dyshim paanshmërinë e tij në zgjidhjen e rastit konkret dhe mund të ndërmerr vetëm ato veprime që janë të domosdoshme për të penguar shtyrjen ose vonesën e palejueshme për zgjidhjen e atij rasti.

Rëndësia e provimit nga Kodi i etikës, që kandidatët për gjyqtar dhe prokuror dhe prokurorët dhe gjyqtarët ekzistues i janë nënshtruar gjatë procesit të riemërimit dhe emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, qëndron në vërtetimin e faktit se a kanë apo nuk kanë ata njohuri për kode, të cilat duhet t’i zbatojnë në sjelljen e tyre në zyre, në komunikimin me palë, me kolegë, me epror dhe me vartësit, anëtarët e familjeve të tyre, të afërmit dhe shokët  e tyre, gjatë ushtrimit të funksionit, ndërsa së bashku me anëtarët e familjeve të tyre edhe në jetën e përditshme dhe sjelljen në publik.

Sigurisht që do ta respektoj më mire një Kod të etikës profesionisti, me këtë edhe gjyqtari, gjyqtari laik, prokurori dhe avokati, nëse ata kanë njohuri se cilat veprime të tyre nuk janë në përputhje me Kodin e etikës.

Sjellja sipas kodeve te etikës dhe respektimi i tyre në raportet e tyre, siç u cek më lart,  janë primare për kredibilitetin e një gjyqtari apo prokurori për të ushtruar këto profesione.

Për këtë arsye, të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që në të ardhmen dëshirojnë të aplikojnë për gjyqtar dhe prokuror, do të duhej t’i nënshtroheshin provimit nga etika në kuadër të provimit përgatitor për gjyqtar dhe prokuror.

Njohuria solide e dispozitave të kodeve të etikes nuk do të thotë apriori se një kandidat duhet të emërohet gjyqtar apo prokuror sepse ato mund të mësohen, mirëpo mosnjohja e tyre sjell në dyshim aftësitë e kandidatit, sepse përveç kushteve tjera njohuritë për kode të etikës tregojnë se ai paraprakisht është përgatitur për këto profesione ngase ka njohuri se si duhet të sillet si gjyqtar apo prokuror.

Gjyqtarët dhe prokurorët që aplikuan për riemërim, përveç provimit formal me shkrim, kanë dëshmuar me sjelljet e tyre të deriatëhershme se a e kanë dhënë këtë provim edhe në praktikë gjatë ushtrimit të profesionit. Të gjithë ata që e kanë dhënë provimin me shkrim, por nuk është provuar se në praktikë gjatë ushtrimit të profesionit janë sjellë sipas kodeve të etikës, nuk janë riemëruar.

Në gjyqtarët dhe prokurorët e riemëruar dhe ata që gjatë këtij procesi janë emëruar për herë të parë të ushtrojnë këto profesione, nuk duhet paragjykuar në kredibilitetin dhe integritetin e tyre për të ushtruar këto profesione, derisa nuk vërtetohet ndryshe.

Atyre tani u nevojitet përkrahja e pushteteve tjera, që me respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve bazike për sistemin gjyqësor-prokurorial të krijojnë kushte për punën e tyre të pavarur dhe të paanshme.



Rreth autorit

(Autori është kryeprokuror i Shtetit)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Shtator 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Komunën e Ferizajt. (Objekti i Komunës Ferizaj, ora 9:30)

- Në kuadër të Javës së sporti, Federata e Pingpongut në bashkëpunim me Departamentin e sportit të MKRS do të organizoj një aktivitet promovues për pingpongun në Pejë. (Sheshi Dukagjini në Pejë, ora 10:00)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Mural Fest. (Muralet e qytetit në Ferizaj, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit fillon projektin e Drejtorisë së Shëndetësisë për Kujdesin Geriatrik me ç'rast kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu dhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj do të prononcohen për media. (Nisja do të bëhet nga objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të shqyrtohet plani i punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në ndarjen e certifikatave për të rinj të trajnuar për ndërmarrësi. (Qendra e Inovacionit në Ferizaj, ora 11:00)

- Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli dhe Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi mbajnë konferencën për media. (Auditoriumi i BQK-së, ora 11:30)

-  Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për mbrojtje nga dhuna në familje. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)
 
 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në aktivitet me misionin e OSBE-së. (Muzeu i Kosovës, ora 14:00)