28 Mars 2024

Remzi Hoxha, kolos i lirisë, fisnikërisë dhe humanizmit

Shkruar nga Bahri Bivolaku

Një mendimtar pati thënë: “Kush nuk do të arsyetojë është fanatik e ëndrrimtar, kush nuk di të arsyetojë është budalla dhe kush nuk guxon të arsyetojë është skllav i të tjerëve”.

Gjykuar sipas kësaj thënie, nuk është e vështirë ta gjejmë veten se ku gjendemi në rastin e pazbardhur të veprimtarit kombëtar, veprimtarit sindikalist e humanistit të madh, Remzi Hoxha.

Institucionet tona edhe pas 18 vjet lirie (e tillë si është-gjysmake) dhe pas dhjetë viteve shtet, nuk arritëm që të bëjmë diçka konkrete për fatin e Remziut. Shoqëria nuk përjashtohet fare nga kjo përgjgjësi.

Zhdukja e tmerrshme e këtij veprimtari të madh nuk ka ndodhur në Serbi, apo nga pushteti serb në Kosovë në kohën e luftës.

Ka ndodhur në mes të Tiranës, nga akterë të njohur që figurativisht përfaqësonion shtetin por që gjykuar sipas rastit konkret kryenin porosi nga shteti i Serbisë.

Një gjë e kam të qartë, se Remziu ishte njeri shumë i përkushtuar për lirinë kombëtare. Duke e njohur mirë, e di që ai si një idealist i madh që ishte e donte Shqipërinë dhe kombin përgjithësisht shumë më shumë se sa ata që e arrestuan dhe e zhdukën.

Remziu, atyre viteve, kishte kontakte, qoftë direkte apo përmes bashkëveprimtarëve me veprimtarët e ilegales, të cilët punonin për të krijuar kushte për lëvizjen e armatosur në Kosovë.

Ai, veç tyre, kishte kontakte edhe me strukturat legale të politikës në Kosovë. Ai më së paku ishte një biznismen, siç emërohet shpesh.

Biznismen ishte aq sa i duhej për të siguruar mjete në aktivitet e tij kombëtare. Në fakt kush ishte Remzi Hoxha?

Remzi Hoxha sindikalist

Remziu rrjedh nga një familje bujare relativisht e pasur, tradicionale shqiptare shkupjane me shumë fëmijë. Përveç në Shkup ata zejen e artarit e ushtronin me mjaft sukses edhe në Ferizaj, Kaçanik, Prishtinë etj.

Remziu përveç kësaj zeje e donte edhe shkollën dhe kreu studimet në Universitetin e Prishtinës drejtimin e elektroteknikës. Ai në Ferizaj ushtronte për kohë të gjatë veprimtarinë afariste, kishte dy dyqane në qendër të Ferizajt si dhe shtëpinë, po ashtu. Nga aspekti social kishte të gjitha kushtet për një jetë të qetë e të lumtur me gruan dhe fëmijët e tij.

Në vend të këtij komoditeti që e kishte nga afarizmi ai zgjodhi një rrugë tjetër për kohën, rrugën e sakrificës për lirinë kombëtare, si kusht elementar, pastaj për të ushtruar afarizëm kuptimplotë dhe të sigurt.

Para angazhimit në sindikatë kishte kontakte me veprimtarë të lëvizjes ilegale dhe të burgosur politikë. Me LPRK-në, gjegjësisht veprimtarët e saj i ndihmonte pa masë.

Më 1989 ai edhe zyrtarisht aktivizohet në sindikatën e ekonomisë së vogël dhe të zejtarisë së Ferizajt në fillim e pastaj merr udhëheqjen e tërë degës sindikale në nivel të Kosovës.

Angazhimin e tij këtë organizëm ai fare thjesht e arsyetonte: është vend ideal për të bërë rezistencën aktive për të shprehur humanizëm e solidaritet, si dhe përgatitje për ditë më të vështira, por që do t’i takojnë krenarisë kombëtare.

Ai këtë rezistencë aktive e promovonte fillimisht në Ferizaj e pastaj edhe në qytete tjera si p.sh. mbajtja e qëndrimit për mos vendosjen e flamujve të Serbisë në objektet afariste private për festa e ndryshme, zakonisht serbe, si formë e rezistencës aktive kolektive.

Ngjashëm ishte edhe refuzimi për të vënë mbishkrimet cirilike në po ato objekte, përkundër qëndrimeve krejt të kundërta të politikës së atëhershme shqiptare në Kosovë. Gradualisht Remziu përveç degës sindikale mori në udhëheqje edhe Trupin Koordinues të sindikatave në Ferizaj dhe e shndërroi në qendër të vendosjes së rezistencës aktive politike. Ai gjatë gjithë veprimtarisë së tij jepte shembullin e vet.

Në kongresin e parë të BSPK-së të mbajtur në Gjakovë më 01.07.1990 ka qenë prezent si delegat i Kongresit dhe atë në shoqëri të Eva Brendli aktivisten ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ai aktivisten e shoqëroi edhe ditën e nesërme në Kuvendin e Kosovës gjatë shpalljes së Deklaratës kushtetuese të 2 korrikut 1990.

Remzi Hoxha ishte një ndër organizatorët dhe nikoqirët e ardhjes së delegacionit të parë ndërkombëtar sindikal vizitë Kosovës te Don Salajman dhe Janez Kociancic nga konfederatat e sindikatave të lira me seli në Bruksel.

Ai edhe u arrestua po për këtë aktivitet për herë të parë e pastaj s’kanë pasur të ndalur arrestimet e tija e sidomos thirrja në biseda informative.

Ishte organizator i grevës së 3 shtatorit për Ferizaj si dhe protestës defiluese 1 orëshe qendrës së qytetit. Ishte ideatori dhe zbatuesi praktik i themelimit të sindikatave simotra në tërë hapësirën shqiptare si nevojë e veprimit drejt lirisë kombëtare.

Do të na duhen më vonë thoshte Remziu afaristët e gjithë trevës shqiptare. Ai në Shkup mbajti takime me krerët e lëvizjes sindikale të Shqipërisë.
                             
Remzi Hoxha, veprimtar kombëtar
 
Remziu ishte ai i cili në çdo takim zyrtar apo edhe privat përdorte shprehjen pjesa e ndarë e kombit apo e territorit shqiptar. Atij i pengonin shprehje tjera gjeografike të fiksuara në kokat tona.

Që nga fundi i vitit 1990 dhe fillimi i vitit 1991 filloi të shfaqë mendimet për organizimin e rezistencës së armatosur si formë të vetme për çlirim të trojeve shqiptare si dhe rolin e sindikatës së afaristëve privat e shihte me këtë qëllim parapërgatitor qoftë për sigurimin e mjeteve monetare për armatim apo edhe mbajtjen e logjistikës së një force ushtarake në trevat shqiptare të okupuara. Kjo ishte edhe arsyeja e krijimit të celulave sindikale në Shkup, Strugë, Kërçovë, Preshevë, Ulqin etj.

Remziu mbante kontakte edhe me shtetin shqiptar përmes vizitave ambasadave të Shqipërisë në Sofje e Beograd.

I kam shumë të freskëta kujtimet nga bisedat në ato takime. Remziu gjatë aktivitetit të tij u kontaktua edhe me udhëheqësit e frontit për organizim ilegal të kohës. Me ta filloi të punojë apo u ndihmoi në krijimin e kushteve për blerjen e armatimit dhe mbështetjes tjetër për luftë. Disponojmë edhe faturat monetare të dhëna për këtë qëllim.

Sipas deklarimeve të tij ai mbante kontakte edhe me 2 nënkryetarët e qeverisë së z. Bukoshi. Në mënyrën e vet gjithsesi klandestine siguroi municion për gjetje të sasisë së armatimit tejet modern dhe të konsiderueshëm, por qe vetë blerjen e atij kontingjenti nuk mund ta përballonte edhe pse kishte shitur tërë pasurinë e tij personale.

Ky fakt mund të ishte edhe qëllimi i kontakteve me nënkryetarë të qeverisë Bukoshi për sigurim të mjeteve financiare.

Pas burgosjes një numër të veprimtarëve të frontit si dhe aktivitetit të tij gjithnjë reziston, dhe për ndjekje të vazhdueshme nga policia serbe detyrohet të braktisë Kosovën për të bërë jetë ilegale për rreth saj gjithnjë aktiv.

Ai kishte mbështetje në veprimtarinë e tij kombëtare edhe nga vëllezërit e tij si dhe afaristët shkupjanë.

Zbardhjen e tërë aktiviteti ilegal të Remziut në asnjë formë unë në mënyrë vetanake nuk mund ta bëj, Remziu krijoi edhe një mekanizëm apo urë ku e vërteta për Kosovën si dhe dëshmitë për dhunën e vazhdueshme serbe të plasohen jashtë. Grumbullonte materiale faktike dhe përmes lidhjes së tij i dorëzonte kryetarit të komisionit për ankesa dhe parashtresa të kuvendit federativ Ismet Ramadani nga aty siç me thoshte Dërnovshek i plasonte jashtë vendit.

Në aktivitet të tilla shpeshherë kemi qenë edhe bashkë. Remziu gjithashtu kishte krijuar një lidhje me Vllado Kmabvaski, ish-ministër i drejtësisë dhe atij ia dorëzon tërë dokumentacionin e grumbulluar për shkeljet sistemore të drejtave të afaristëve nga ajo ministri me Remziun tërhoqëm edhe vendimet për legalizim të BSPK-se, LDK-se institutin ekonomik të Kosovës konkretisht drejtorin e saj dr. Musa Limanin e autorizon të hartojë një projekt të zhvillimit dhe integrimit ekonomik të hapësirës shqiptare pasi që mendonte se ky është një ndër kushtet esenciale për bashkësinë ndërkombëtare dhe si avanc pagoi një shumë të konsideruar para nga sindikata.

Remziun për herë të fundit e kam takuar në Tiranë, në kohën e marrjes së vendimit për aplikimin e zgjedhjeve të lira dhe fillim të jetës plurale e demokracisë si formë e qeverisjes në shtetin amë dhe qëndruam plot një javë bashkë së bashku edhe me dr. Hajrulla Gorani (kryetar i BSPK-së) akademik Rexhep Qosjen, akademik Idriz Ajetin dhe shkrimtarin e publicistin Ramiz Kelmendi, në realizim të një ideje përmbajtjen e kuvendit për bashkim e pajtim kombëtar. Po të njëjtën kohë në Tiranë mbahej edhe kuvendi i sindikatave të lira shqiptare.

Meqë Gorani ishte i zënë, na autorizoi ne të dy për të prezantuar dhe për të përshëndetur punimet e atij kuvendi, Remziu edhe bëri përshëndetje në emër të BSPK-së. Në pauzë të punimeve të këtij kuvendi na u afrua një aktivist drejtues sindikal, e nëse nuk gabohem, quhej Gëzim Kalaja.

I shqetësuar na njoftoi për rolin e një përfaqësuesi gjoja të konfederatave të sindikatave të lira evropiane, i cili në fakt edhe udhëhoqi punimet e kuvendit dhe se kishte bërë shumë pastrime kuadrosh sindikale në emër të demokracisë dhe quhej Sasha Morina. Të njëjtin person e kishim takuar edhe me liderë opozitarë si dhe publicist të asaj kohe.

Kureshtja për të mësuar me shumë për misionin e Sashës na bëri që ne të takohemi me të për çdo dit të qëndrimit në Tiranë.

Ai si gjithnjë vinte në takime me udhëheqësit sindikal shqiptar në të cilët kishte ndikim tejet të madh. Takimi i fundit për ne në këtë përbërje për pak sa të bëhej edhe fatal për jetën tonë. Ishim në tavernën e hotel “Tiranës” me trupin e sindikalistëve shqiptarë dhe Sashën mes tyre.

Sasha si gjithmonë në krye të vendit kryente emisionin e tij me plot sukses, dhe tentimi ynë për të penguar të gjithë nuk do të jepte kurrfarë rezultati.

Atë natë “Sasha sindikalisti” kaloi krejt kufijtë e arsyes, si duket i ngazëllyer nga sukseset e tij në Shqipëri na u sul neve nga Kosova me gjithë far etiketash ofenduese.

Qëndrimi ynë paraprak ishte që vetëm të heshtim dhe të dëgjojmë model ky i aplikuar qysh nga dita e parë e takimit. 

Por, këtë natë me ne ishte për herë të parë një mik i imi i cili mundi të përballojë fyerjet e Sashës dhe animin e sindikalistëve shqiptarë si duket të manipuluar apo blerë.

Reagimi erdhi pas deklarimit të Sashës (i cili vazhdimisht thoshte se flet në emër të sindikatave të lira të Evropës) kur u deklarua: “Ju kosovarët për të arriturat që keni bërë duhet t’ia lani këmbët Millosheviçit dhe t’ia pini ujin”.

Këtë fyerje nuk e përballoi së pari miku im i ri i cili u ngrit dhe e shau Sashën, Milloshin dhe gjithë këta që po i dëgjojnë kopallat e tij. Për të qenë ironia më e madhe ne na u vërsulën në sulm fizik 7-8 udhëheqësit sindikal duke munduar të nxjerrin armë të ndryshme, por për fat tonin na shpëtoi një djalë i ri në tavolinën përballë që gjatë gjithë kohës kishte dëgjuar bisedën na doli në ndihmë në mënyrën e vet të përsosur dhe shpëtuam.

Ne për gjithë këtë ngjarje dhe rolin e Sashës njoftuam prof. Goranin dhe normalisht Remziu lidhjet e veta që kishte.

Ne nga takimet me Sashën dhe sindikalistët shqiptarë kishim siguruar mjaft faktografi. Shumë më vonë kam dëgjuar pak për fatin e Sashës si dhe misionin e tij.

Po i zbardhi këto gjëra tani si dhe të tjerat më pastaj duke shpresuar se mund të jenë motive të zhdukjes apo arrestimit të Remziut në Tiranë.

Krejt në fund në ndarje me Remziun në Tiranë i thamë lehtë për ty tani je në vendin e shqipes të cilin e deshe shumë dhe je i lirë të veprosh po unë që po kthehem?

Buzëqeshi dhe ma ktheu “kam ende ca probleme të vogla, por të pazgjidhura (në rrugën e tij të veprimtarisë kombëtare) dhe më duhet ta takoj Hidajet Beqirin gjithsesi si dhe disa probleme tjera më të mëdha që duhet zgjidh me Ramush Tahirin dhe Nikë Gjeloshin”.

Nuk kam insistuar të di më shumë pasi e dija aktivitetin e tij, por unë vija në Kosovë dhe mundësitë e arrestimit ishin evidente. Remzi Hoxha financonte aktivitetet e veprimtarëve kombëtarë që njihte apo edhe dëgjonte të burgosurit politikë, familjet e tyre, por edhe ata që liroheshin dhe hynin në jetën e organizuar të veprimit kombëtar qoftë legal apo ilegal.

Ai këtë aktivitet nuk e bënte të dukej dhe vazhdimisht gjente mënyra adekuate për të realizuar atë qëllim. Korrektësia dhe vetë qëllimi i asaj ndihme nuk më lë që të përmend ata.

Remzi Hoxha humanist

Karakteri i Remziut  humanist buron nga vetë familja e tij. Shtëpia e tyre në Shkup ishte vendi i strehimit për të përndjekurit, djemtë e ri të ikur nga arrestimet për mos përgjigjeje në thirrjen për shërbim në armatën jugosllave në pritje për të dal jashtë, hallexhinjtë e ndryshëm etj.

Ishte vend pushimi dhe qëndrimi komod edhe për politikanët dhe aktivistët e ndryshëm. Kati i fundit i shtëpisë ishte i mbushur me shtretër edhe dy katesh dhe vazhdimisht ishte i mbushur. Remziu aktivitetin e vet solidar e zhvilloi në aksionin për ndihmën minatorëve të Stan Tregut të larguar nga miniera.

Ndihma personale dhe e miqve të tij afaristë ishte e konsideruar. Ai Sindikatën e Afaristëve e kualifikonte për ditët e vështira që vinin si “Buka e Kosovës”. Remziu ishte pjesë e të gjitha komisioneve solidare të qytetit të Ferizajt.

Remziu ishte themelues dhe financues i KMDLNJ-se në Ferizaj. Ishte një prej anëtarëve për përpilimin e kartelave sociale e shëndetësore për të gjitha familjet skamnore në Ferizaj dhe realizimin e saj në praktikë.

Jep kontribut të çmuar me lidhjet e tij në aksionet “Familja ndihmon familjen”. Organizon aksionin për sigurimin e barnave dhe sanitarisë për raste lufte apo emergjente. Kontribuoi në zgjerimin e bazës grumbulluese në këshillin financiar.

Korrespodencën e “Rilindjes” si gazetë e vetme ditore e atëhershme e pajisi komplet me aparaturë.Ndihmoi financiarisht në adaptimin e ambulancës së “Nënës Terezë” në Ferizaj.

Vëllezërit Hoxha nga Shkupi sa herë që kërkohej ndihmë monetare nga Remziu për rastet sociale në Kosove, ata në Çarshinë e Shkupit e realizonin me urgjencë.

Remziu dhe familja e tij ndihmuan në shërimin e shumë pacientëve nga Kosova në spitalet e Shkupit. Përmes Remziut shqiptarët e Ladorishtes e fshatrave tjera të Maqedonisë ndihmuan Kosovën. Vizitoi dhe u ndihmoi disa nga delegatët e Kuvendit të Kosovës që shpallën deklaratën kushtetuese.

Remzi Hoxha politikan

Remziu aktivisht nuk u inkuadrua në parti politike edhe pse në fillim të 90-tave e shohim si delegat të Kuvendit të Degës së LDK-së në Ferizaj. Më vonë vazhdimisht ishte në kundërshtim me qëndrimin e përgjumur të kësaj partie.

Ai nuk u mor me parti politike, por me sindikatën e tij dhe bashkëveprimtarët krijoi politikën, ai e bënte politikën.

Qëndrimet e tija për rezistencë aktive në çdo sferë ishin thjesht thelb në strategjinë e veprimit politik e programi i integrimit kombëtar ishte moto e aktivitetet politik të tij. E kishte të qartë se po qe se stërkuqet rezistenca paqësore e aplikuar nga politika lufta është pashmangshme.

Në një takim që kishim pas grevës së 3 shtatorit me një delegacion të kryesisë së LDK-së në selinë e saj në Prishtinë (Fehmi Agani, Nekibe Kelmendi, Ibrahim Berisha e ndonjë tjetër), ai u nda i zhgënjyer nga takimi. Tema e bisedave ishte se cila strategji e koordinuar të veprojë pas mbylljes së veprimtarisë afariste nga pushtuesit për rastin e grevës.

LDK-ja kërkonte që të ketë mbrojtje institucionale, të aplikohej pra përmes gjyqeve serbe të realizoheshin të drejtat. Remziu ishte për formë të veprimit politik të rezistencës aktive, atë të thyerjes së drurëve dhe hapur objektet tona afariste pa procedura dhe pa përfill pushtuesin serb, pasi edhe ashtu ishin mbyllur.

Remziu e donte veprimin politik aktiv jo për poste a pozitë a pushtete morale institucionale. Ai përmes atyre veprimeve synonte mobilizimin qytetar në realizim të interesit kombëtar.

Me këtë shkrim nuk pretendoj për të mbyll shpjegimin e veprimtarisë kombëtare pasi ajo është shumë e madhe.

Qëndrimi i institucioneve të shtetit shqiptar, por edhe atij në Kosovë e edhe në Maqedoni është fare i pakuptim, për të parin bizar e të tjerët të përgjumur e qyqarë, e Remziu veproi që shqiptarët në këto treva të kenë institucione të lira e demokratike.

Ironizimi i Gazidedës në rastin e Remziut

Nuk do të dëshiroja assesi që me vdekjen e Gazidedës të vdes edhe shpresa për të zbardhur të vërtetën për fatin e Remzi Hoxhës. Remzi Hoxha u arrestua më 21 tetor 1995 në qendër të Tiranës nga pjesëtarët e SHIK-ut, i cili ishte i komanduar nga Bashkim Gazidede, tashmë i ndjerë. Arrestimi u bë në mes të ditës dhe nga persona zyrtarë.

Veturat e përdorura ishin të po kësaj krijese që mendon të jetë kombëtare si dhe në prezencën e dëshmitarëve, punëtorëve të punëtorisë së Remziut, të cilët këtë fakt e prezantojnë me një deklaratë të firmosur dhe të bërë publike.

Zyrtarisht një fakt i tillë për këtë arrestim vërtetohet edhe nga vetë SHIK-u në shkresën zyrtare të tij si përgjigjeje Avokatit të popullit Nr. 2294 Tiranë 31.07.2002 ku thuhet qartë “... një ndër automjetet që është përdorur për këtë arrestim është se vetura me targa TR 2449 C i takonte SHIK-ut dhe se ajo është tërhequr nga shefi i prapavijës së drejtorisë së SHIK-ut në Tiranë z. Nuredin Dërvishi për nevoja operative me datë 20.10 1995”.

Më pas është i dorëzuar ish-drejtorit të SHIK-ut në Tiranë Mehmet Hagjolli. Nga të dhënat operative konfirmohet fakti se në këtë operacion ka marrë pjesë edhe shefi i bazës 10 të vëzhgimit z. Avni Kolldashi. Pas arrestimit të Remziut nga ta është dorëzuar tek oficerët operativ si Ilir Kumbaro dhe Arben Sefëgjini, kryetar dege dhe zëvendësdrejtor në drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë.

I arrestuari është dërguar në një bazë sekrete në Vain të Lezhës”. Bashkim Gazidede si shef i këtij shërbimi edhe në shkresën e tij Nr. 3755 datë 95/96 drejtuar prokurorisë mohon se vetura është marrë në datën e caktuar dhe përdorur nga SHIK-u, duke injoruar edhe faktet e cekura më lartë dhe këtu edhe i vihet pikë aktivitetit për zbardhjen e fatit të Remziut, pasi vullneti i Gazidedës dhe mohimi i tij kishte fuqi për të bërë këtë. Dëshmitarët të këtij rrëmbimi zyrtar paraqiten edhe Ziso Kristopolo nga Saranda si dhe Armend Loshaj nga Deçani, të arrestuar po atë ditë nga SHIK-u për po të njëjtin rast.

Ziso tani jep shpjegimet dhe për natyrën e bisedave nga inspektorët e SHIK-ut, të tëra të natyrës politike dhe ngjarje të konstruktuara nga vetë ata. Vetëm motivi është ende i paqartë dhe mund të spekulohet. Dëshmitari tjetër dhe i arrestuari Armend Loshaj në këtë mes ka një rol krejtësisht tjetër. Që të dy dëshmitarët janë gjallë.

Në dokumentin zyrtar të SHIK-ut paraqiten në përfundim se si të implikuar në rrëmbim dhe zhdukje inspektorët Avni Kodashi (më vonë i liruar nga shërbimi 1998), Ilir Kumbaro i liruar nga shërbimi 1996, Dion Mece i liruar më 1997, Arben Sefëgjini 1997, Behxhet Muhellasi i liruar më 1997, Roland Dede shofer i Ilir Kumbarës. Për këtë ngjarje ishte në dijeni edhe zëvendësdrejtori i kundërzbulimit z. Flamur Gjymyshka (kunati i Gazidedës).

Se është marrë vetura zyrtare me targa të cekura nga të lartpërmendurit ka edhe një konfirmim tjetër zyrtar Nr. 805/2 data 30 03 1996 të policisë rrugore të nënshkruar nga drejtori i Policisë rrugore të Ministrisë së Brendshme kolonel Edmond Kasesi ...

E dëgjova me vëmendje paraqitjen e Gazidedës para se të vdes në TV Klan, është e para publike pas kthimit nga azili në vendet islamike dhe mendoja se kjo kohë i ka mundësuar që të ndryshojë pozitivisht, por jo ishte ai i vjetri dhe ai me të vërtetë dinte të fliste vetëm nga pozita e të fortit, pasi edhe ishte në atë pozitë të mbështetur nga politika pushtetare gjithsesi.

Gazidede në atë paraqitje publike ironizoi aq shumë dhe fare gjakftohtë refuzonte faktet që ai, përkatësisht vartësit e tij rrëmbyen një atdhetar.

Të ironizosh nuk është forcë, është virtyti më i dobët në karakterin e njeriut. Mohonte fare thjesht e pa asnjë argument faktet e ofruara për veturën e përdorur dhe dëshmitarët që dëshmojnë këtë ngjarje.

Në procedurën hetimore vartësit e tij e pranojnë se Remziun e kanë arrestuar dhe dorëzuar eprorëve për trajtim të mëtejmë, ndërsa ai e mohonte këtë. Ky ishte cinizëmi i  Gazidedës.

Ishte i fortë dhe në shtetet me demokraci të brishtë ku nuk sundon ligji por vullneti politik, ia ofruan këtë hapësirë që të luante me ndjenjat e familjarëve dhe shumë të interesuarve tjerë për zbardhjen e së vërtetës për ngjarjen në fjalë.

Një shef i shërbimeve informative, në një shtet të Evropës juglindore mos të di për aktivitetin e vartësve të tij dhe mos të ketë njohuri për rrëmbimet në mes të ditës, vërtet është qesharake. Vallë, çfarë pune të ketë bërë atëherë ai?

Ai dhe vartësit e tij, por dhe politika që i mbështetë janë duke e fshehur të vërtetën për krimin e bërë dhe sa kohë ende se kam të qartë.

Shpjegimi i tij në emision se biznesmenëve të rrëmbyer, të zhdukur, vrarë etj., nuk kanë qenë në fokus të veprimtarisë së SHIK-ut por të policisë dhe se rasti i Remziut nuk është i vetëm nuk paraqet farë arsyetimi faktik. Remziu nuk ishte biznesmen tipik dhe të kishte kapacitete të mëdha fitimprurëse.

Ai e dinte mirë se rrëmbimet e biznesmenëve përcillen me kërkesa për përfitime materiale nga i rrëmbyeri përkatësisht nga familja e tij dhe në këtë rast nuk kishte asnjë kërkesë të tij.

Në rastin në fjalë kishte të bëjë me një veprimtar kombëtar dhe nuk ka kërkesa përfitimesh materiale. Duke njohur mirë Remziun jam shumë i sigurt se ai e donte Shqipërinë shumë më shumë se Gazidede.

Si shpjegohet e dhëna se vetëm një ditë pas rrëmbimit të Remziut në Tiranë, në Ferizaj nga policia serbe u bastisën lokalet sindikale dhe të tjerat në të cilat punoi Remziu. U bastisën edhe shtëpitë e udhëheqësve sindikal dhe veprimtarëve kombëtar e që ishin miqtë më të mirë të Remziut.

Policia serbe mori dokumentacionin e gjetur. Është kjo koincidencë apo çfarë? Si e mohoni arrestimin e Remziut nga vartësit tuaj kur ai u prangos në ora 13:30 e në ora 14:45 prapë vartësit tuaj u rikthyen për ndonjë dokumentacion dhe për t’u treguar punëtorëve se Remziu po verifikohet në organe.

Berisha, ish kryeministër i Shqipërisë

U gëzuam ne shokët dhe bashkëveprimtarët me fillimin e proceseve demokratike në Shqipëri si vendi ynë i shenjtë. Marrja e vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të lira na gjeti së bashku me Remziun në Tiranë.

Ishte gëzimi më i madh në jetën tonë që kishim jetuar dhe vepruar për këtë ditë u vizituam edhe juve dhe partinë Lëvizjen Demokratike edhe pse Remziu më thoshte se vizita pa një mbështetje të madhe financiare për këtë lëvizje është boshe.

Mendonim që sa më demokratik dhe i konsoliduar të jetë shteti shqiptar aq më dobiprurëse do të ishte për pjesët tjera të ndara nga trungu ynë i përbashkët.

Berisha, jam shumë i bindur se rastin e zhdukjes  së veprimtarit Remzi Hoxha e keni të njohur.  Jam informuar për përgjigjet që u keni dhënë figurave publike e politike nga ana tjetër e trojeve shqiptare se ju  nuk keni njohuri për raste të tilla pasi në Shqipërinë që ju e udhëhiqnit pushteti është i ndarë dhe politika nuk përzihet në mekanizmat e sigurisë.

Arsyetimi i tillë nuk qëndron fare apo është i njohur vetëm në teori. Mekanizmat e tillë të sigurisë janë leva në dorë të pushtetit e të politikës e veçanërisht për shtetet e Ballkanit kjo është bazike.

Berisha kaluan ca vite të juaja në opozitë (periudha e parë e juaja në këtë rol) dhe ju keni fituar besoj një përvojë nga gabimet e qeverisjes së parë dhe shtetin shqiptar do ta shpini drejt konsolidimit në shtet të së drejtës, ku ligji dhe përgjegjësia para tij është fundamentale. Lufta e filluar kundër krimit të organizuar, korrupsionit etj., nga ju më jepte shpresë për një mendim të tillë.

Shpresova që edhe për fatin e bashkëveprimtarit tonë tani më lehtë mund ta zbardhim, por shpejt u zhgënjeva. Berisha, ju me rikthimin e Gazidedes dhe dhënies së një posti në qeverisje më demantuat dhe gradualisht tregoni se jeni po ai i vjetri. Në vend të qelisë ju e shpërbleni mikun tuaj dhe këtu vërehet qartë se pushtete të ndara nuk ka pas as atëherë e as sot.

Kam pritur se gjatë qëndrimit tuaj disa ditor në Kosovë do të ktheheshit në familjen e Remziut dhe të kërkoni falje për humbjen e birit të tyre. Kështu bëjnë liderët e përgjegjshëm.

Nuk është ligësi të pranohet gabimi, e të ndëshkohen fajtorët. Dëshirojmë që e vërteta të nxirret vullnetshëm dhe Ju mund të kontribuoni për të. Sakrifikoni ca miq për të vërtetën dhe drejtësinë. Ne nuk dëshirojmë që gjer te ky akt të vijë detyrueshëm për shtetin shqiptar edhe pse durimit i ka ardhur fundi, u bënë 23 vjet.

Berisha, kaloni vetëm për pesë minuta në anën e familjarëve dhe dashamirëve dhe miqve të shumtë të Remziut, dhe sigurisht se do ta merrni vendimin meritor. Këtë veprim e keni borxh dhe me marrjen e tij nuk humbni asgjë personalisht.

Zoti Sali Berisha, sot nuk jeni në pushtet, por edhe nga kjo pozitë ju mund t’i bëni gjërat që nuk i bëtë gjërat sa ishe kryministër.

Kryeministri i tashëm i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, duhet të japë mbështetje të fuqishme organeve të drejtësisë në Shqipëri, për të bërë veprimet  e duhura duke e sjellë në Tiranë akterin kryesor të këtij akti kriminal, Ilir Kumbaron.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)