28 Mars 2024

Reklamat e KFOR-it ma shajnë inteligjencën me nanë!

Shkruar nga Selatin dhe Senton Kaçaniku

KFOR-i na mëson të "festojmë me zemër e jo me armë", por a do të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë për t'u mbrojtur nga Zvonkot me kallashnikovë që na pamundësojnë të kthehemi të lirë në shtëpitë tona? 
 
Ka kohë që faqja me titullin e njëjtë sikur të këtij shkrimi ekziston në rrjetin social Facebook, duke pasqyruar në këtë mënyrë pakënaqësinë e rinisë së Kosovës me qasjen dhe strategjinë e marketingut të KFOR-it e cila shpeshherë të bën për të vjellur.

Qysh moti KFOR-i përdorë fotografi super-helikopterësh e ushtarësh të armatosur deri në dhëmbë përkrah sloganeve që përmbajnë fjalën "PAQE".

Në sytë e cilitdo individ të lirë e të civilizuar, një imazh i tillë komunikon gjithçka, por asnjëherë nuk komunikon kuptimin e fjalës paqe. Populli i Kosovës kaherë ka kuptuar se çka paraqesin këto armë e çka jo. Ky popull kaherë e ka kuptuar se paqja asnjëherë nuk është e sigurt kur ushtri e huaj sundon në vend.

Edhe kësaj ushtrie që sot injoron shtetësinë tonë dhe vazhdon t’i qëndrojë besnike një marrëveshjeje tekniko-ushtarake me një Jugosllavi e cila tashmë nuk ekziston duhet thënë troç mos të llastohet e mos të hipnotizohet nga vetvehtja se mos po e merr veten m’sysh. E besa edhe duhet ta ri-kujtojmë se ndodhet në vazhdim të misionit të intervenimit më 1999 - kur nuk ishte force neutrale e t’ia bëjmë me dije se për ne është e qartë se këtë neutralitetin e sotëm e ka skajshmërishjt të politizuar.

Për t’ju ri-kthyer strategjisë të marketingut të KFOR-it duhet thënë se reklamat e tyre nuk do të ishin befasuese për vende diktatoriale dhe/apo militante sikur Irani, Siria e Serbia. Megjithatë Kosova nuk do duhej krahasuar me këto vende. Kosova do duhej të ishte shembull i lirisë dhe demokracisë që ngërthen në vete vlerat më pozitive e demokratike të të gjitha atyre vendeve aleate të cilat kanë dërguar dhe vazhdojnë të dërgojnë këtu “paqeruajtës” të armatosur deri në dhëmbë (pavarësisht se këta “paqeruajtës” janë të njejtit të cilët “negociojnë” me kriminelë të cilët hyjnë ilegalisht malesh dhe kontrabandojnë politika, mallra e terrorizëm).

Të gjithë jemi dëshmitarë se gjatë kësaj vere KFOR-i nisi fushatë të re të marketingut, apo thënë më mirë të anti-marketingut në lidhje me qitjet me armë gjatë dasmave e festave në Kosovë. Këto reklama në vete mund të kenë një qëllim shumë të mirë e fisnik të shpëtimit të qytetarëve nga aksidentet, por paraqesin një problem madhor, e ai është diskriminimi i hapur i shumicës shqiptare të Kosovës - diskriminim ky që prodhon efekte të kundërta nga ato që mbase I synon KFOR-i.

Duke parë praktikën e deritanishme të KFOR-it për transmetim të reklamave në së paku shqip dhe serbisht, kjo reklamë paraqet një precedent të çuditshëm. Duke qenë se kjo reklamë nuk transmetohet edhe në gjuhën serbe dhe billbordët e mëdhenjë me këtë tematikë nuk shfaqen nëpër enklavat me shumicë serbe kjo na bën të pyesim veten se mos vallë vetëm shqiptarët qenkan të armatosur?
Mos vallë shqiptarët na qenkan egërsira të cilat në çdo moment rrezikojnë njëri-tjetrin dhe se duhet t'u bëhet kjo me dije në çdo rast të mundshëm?  Është pyetur KFOR-i se ndoshta është duke na ofenduar ? Mos vallë serbët nuk na qenkan të armatosur? Mos vallë serbët nuk po vritkan njëri-tjetrin? 

Apo, vallë, mos do KFOR-i ta potencojë sharjen me nanë që po ua bën shqiptarëve tanimë edhe duke injoruar raportet e stoqeve të armëve të rënda luftarake të cilat zbulohen nëpër enklava serbe? Mos vallë do KFOR-i të na bindë neve që jetojmë afër enklavave serbe se është më i rrezikshëm fqiu ynë shqiptar i cili shkrep me pistoletë për dasëm sesa komshiu serb i cili përdor automatikun sa herë që shënohet ndonjë festë kombëtare apo fetare serbe?

Këto sharje e nënçmime që i bëhen shumicës kombëtare në Kosovë janë posaçërisht shqetësuese kur dihet se shumica akoma është e rrezikuar nga pakica, në një vend ku strukturat ilegale të terrorit institucional të Serbisë janë më të forta sesa instrumentet vendore apo ndërkombëtare të sundimit të ligjit.  Është shumë shqetësuese kur shohim KFOR-in të shpenzojë para të panumërta të na "edukojë" në mënyrë që të mos vetë-plagosemi në dasma dhe në të njëjtën kohë injoron totalisht vrasjet që kryhen nga strukturat ilegale të Serbisë në veri të Mitrovicës. 

KFOR-i na mëson të "festojmë me zemër e jo me armë", por a do të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë për t'u mbrojtur nga Zvonkot me kallashnikovë që na pamundësojnë të kthehemi të lirë në shtëpitë tona? 

U pa qartë gjatë aksionit të dështuar të Policisë së Republikës për vendosjen e rendit dhe ligjit në pikat kufitare se problemi qëndron mu tek fakti se totalisht injorohet prezenca e armëve luftarake të lloj-lloj kalibrit nëpër zonat e kontrolluara nga terrori e krimi i organizuar serb. Problemi i vërtetë me armët në Kosovë nuk janë pistoletat e dasmave por automatikët e madje edhe artileria që qëndron në duart e krimit të organizuar e grupeve terroriste, dhe injorimi total që i bëhet këtij problemi është thellësisht shqetësues.

U pa se kush pengoi dhe zbrapsi forcat special të Policisë së Republikës dhe kush vrau një e plagosi shumë oficerë të policisë.
U pa se kush pengoi dhe zbrapsi forcat e KFOR-it, e u pa se kush e me çka I sulmoi helikopterët e KFOR-it.
U pa se kush dogji për herë të dytë pikat kufitare 1 dhe 31 dhe me ato pamje çfarë mesazhe përcolli gjithandej Botës - paaftësinë e KFOR-it për të disiplinuar një grusht agjentësh të terrorit shtetëror serb të cilët edhe udhëheqin politikën dhe bizneset.

Mos vallë KFOR-i me tolerimin dhe heshtjen dëshiron t’I “marrë me të mirë” këto struktura ushtarako-policore të Serbisë? Sepse, po t’i trajtonte konform deklaratës së gjeneralit Buehler se “...ata janë kriminelë…” do t’i trajtonte konform kësaj deklarate dhe do t’i disiplinonte, nëse jo për Kosovën e për rendin dhe për misionin, të paktën, për vetëmbrojtje?!

“Ekspertët” e KFOR-it për marketing e për reklamë do të ishte mirë të mësojnë më shumë për histoirinë, traditat, e për mentalitetin tonë lidhur me armën: Derisa armikut i lejohet që të sorollatet andej e këndej me armë e artileri kundër fluturakeve, derisa KFOR-i lejon përdorimin e atyre armëve edhe kundër KFOR-it, derisa KFOR-i toleron terrorizmin dhe nuk e quan ashtu e nuk e deklaron ashtu se nuk ka kaçik për ta zhbërë, është iluzore të presim të na vijë paqe e siguri prej fushatave të vetëdijësimit që na mësuakan se QITJA ME ARMË ZJARRI NË DASMA NA RREZIKON?!  Po, po ka rrezik, por kjo çështje i takon më shumë shoqërisë civile dhe Policisë së Kosovës, e KFOR-i nuk është as njëra as tjetra.

Si përfundim, a nuk do bënte KFOR-i shumë më mirë po t'i përqëndronte burimet drejt ofrimit të sigurisë në zonat e udhëhequra nga terrori dhe të sigurojë që qytetari i ndershëm i Republikës të mund të flejë natën i qetë, e të na i linte neve punët e dasmave e 2-3 krismave që asociohen me to?
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)