29 Mars 2024

Reformat programore tek partitë politike në Kosovë

Shkruar nga Bahri Bivolaku

Pas turit të dëgjimit, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka filluar debatin me ekspertë të fushave.

Mbase takimet i shërbejnë në ndërtim të një reforme programore afatshkurte me synim të krijimit të një ambienti zhvillimor, ku secili mund të jetojë nga të ardhurat e punës së vet.

Reforma e ka kuptimin vetëm nëse preket thelbësorja, aty ku është brenga më e madhe e shoqërisë dhe të gjithë këtë gjë e dijmë.

Në Kosovë, mendoj të ketë ardhur koha që fuqishëm të dëgjohet zëri i reformave, të dëgjohet ai zë që thotë: “Boll më!” Zëri i tillë duhet të dëgjohet mbi të arsyeshmen e saj që në Kosovë është e nuk duhet të jetë.

Konsideroj që reformat programore duhet të jenë dorë e zgjatur nga politika për shumicën, shtresën e mesme, e cila padrejtësisht ka mbetur vrojtuese e jo lojtare aktive.

Mendoj që politika duhet të gjejë forcë për ta tejkaluar gjendjen ekzistuese, ku jeta në çastin e tillë të bërjes së politikës, na ka bërë që shpeshëherë të dëgjojmë refrenin se filani posedon lirinë më të madhe se ti dhe vetëm ai mund ta kryejë këtë apo atë punë.

Bazë e reformës për tejkalim të gjendjes është mbështetja e politikës në idenë e krijimit të identitetit natyror të interesave të të gjithëve.

Mendoj që Veseli në këtë drejtim të një artikulimi të një kursi të ri të bërjes së politikës është duke ecur, edhe pse në raste sipërfaqësor dhe jo i përcjellur me ekip e që nuk e besoj të jetë vullneti i tij.

Politika e re duhet të krijojë ambient për të zgjeruar mundësitë individuale dhe mbështesë programet e reja investive (vetpunësimet), duhet zvogëluar shpenzimet qeveritare, rritur përgjegjshmërinë, artikuluar e stimuluar shpirtin e bashkësisë.

Mbështetja e programeve të reja investive nënkupton hapje të vendeve të punës apo vetpunësime e mirëqenie.

Jam në favor të taksimit të luksit në Kosovë dhe mjetet e tilla të derdhen në fondet për mbshtetje të programeve investive.  Kosova ka nevojë për reformë në ndarje të granteve, reformë në asistencë sociale, reformë në drejtësi, arsim etj.

Kthimi i politikës në Kosovë kah zhvillimi ekonomik dhe shpërndarjes më të barabartë të së mirës parësore i shërben konsolidimit të shtetit dhe demokracisë, i shërben krijimit të një shoqërie më aktive dhe të organizuar në të cilën pjesa më e madhe e saj do të ishin akterë aktiv.

Arka e shtetit nuk duhet të jetë synim parësor për të rinjët

Politika duhet ta ndryshojë një mentalitet, ku të gjithë synojnë të marrin pagë nga arka e shtetit. Qasja e tillë, Kosovën nuk e zhvillon, por mbështetja e projekteve investive të reja të vetpunësimit, duke prodhuar apo shërbyer në fushat e ekonomisë private.

Në Kosovë ka mjaft raste për t’u marrë model se si të rinjët e të rejat ngjajshëm me moshatarët e tyre në Amerikë e Europë hartojnë projekte investive, ku punësohen vet, por sigurojnë punë edhe për të tjerët.

Shteti duhet t’i mbështetë iniciativat e tilla, t’ua mbrojë prodhimet apo frytin e punës dhe sigurojë mbështetje financiare të zgjerimit të mundësive. 

Fusha e zejeve, përpunimit të produkteve bujqësore, teknologjia informative, janë ideale në zhvillim të këtyre projekteve investive ku zhvillohet vetpunësimi.

Politika duhet të ndjekë në këtë mes shembujt praktik që zhvillon USAID-i amerikan, Gizi gjerman etj. Edhe grantet qeveritare duhet të jenë të ndara në fokus të këtij vetpunësimi e jo të përfundojnë në duar të atyre që nuk duhet.

Konsideroj që politika e shteti në këtë mes duhet ta rrisin shumë përgjegjshmërinë. Mendoj që në Kosovë të ketë ardhur koha që të gjithë të bashkohemi rreth mundësive se si të prodhojmë diçka.

Të rinjët duhet të jenë bartës të këtij ndryshimi, porse ata paraprakisht duhet të aftësohen dhe motivohen në frymën e ndërmarrësisë dhe iniciativës.

Kosova nuk zhvillohet përmes ndarjes së milionave për mijëra OJQ që fatkeqësisht nuk prodhojnë asgjë. Këtu e kështu nuk ka zhvillim e as punësim.

Fillimi i ri kërkon novistët të cilët kapërcejnë etapën me origjinalitetin veprues

Çdo etapë kohore e shkurtër apo e gjatë, që lidhet me një fenomen a dukuri e ka fundin e vet dhe fillimin e ri.

Fillimi i ri kërkon novistët, të cilët e kapërcejnë etapën me origjinalitetin veprues. Ka ardhur koha që petkun e saj të veshur, politika ta ketë të pastër dhe mbase zgjedhjet lokale e nacionale kanë rastin për ta shënuar fillimin e ri të të bërit politikë në Kosovë.

PDK-ja duhet të kompozohet karshi këtij realiteti, pasiqë qytetarët do ta kenë mundësinë e përzgjedhjes së ndonjërës nga punishtet politike, të cilat fare lehtë mund të përkufizohen në punishte me identitet të së kaluarës tradicionale dhe atyre me vizion për të tashmen e të ardhmen.

Është koha që politika të vendosë mjaft kufi që ndajnë të mirën e të keqen e këtij vendi dhe në këtë mision i duhen politikanët me virtytin e guximit për ta vendosur kufirin mes ngecjes e zhvillimit, kufirin ndarës se ku mbaron politika e vepron korrupsioni mes të ligjshmes e të paligjshmes, kufirin në mes të shkolluarve me letra e të diturve etj.

Më mbanë shpresa se ky brez i ri e që identifikohet me fillimin e nisur të Veselit, por që simbolizon të tashmen politike, të ketë vullnetin e fillimit të ri në Kosovë në thjeshtësi natyrale e me origjinalitetin veprues.

Ndryshe, në vendin tonë do të fuqizohet ekstremizmi si inovacion në teprim i shumë ngjyrave e llojeve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)