19 Prill 2024

Raporti më antishqiptar i shekullit njëzet e një

Shkruar nga Azem Syla

Ende pa kaluar tërësisht shija e hidhur e  aferës së Dosjeve në Maqedoni, ku në një moment të caktuar u përpoq të hidhet mjegull, zjarr, tym, përçarje dhe luftë vëllavrasëse ndërmjet figurash të shquara të lëvizjes kombëtare në Kosovë dhe  Maqedoni, me të përfunduar zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit 2010 në  Kosovë, plasi Raporti i senatorit zviceran të antipavarësisë, Dick Marty.

Diplomati britanez Denis MacShane i kishte matur fjalët e Raportit të Dick Marty-it, gjithsej 19.000 mijë fjalë, për të gjetur adsurditetin e njollosjes së emrave të cekur në atë, që para se të quhet raport, më drejt mund të quhet kryekëput pamflet antishqiptar, pamflet shpifës, njollësës dhe çkado tjetër, dhe jo një dokument që meriton t’i drejtohet një institucioni prestigjioz,  Këshillit të Evropës.

Nuk ka qenë habi që dokumente, projekte dhe pamflete antishqiptare kanë bërë qarqet politike e akademike në Beograd që në shekullin e nëntëmbëdhjetë (Nacertanja e Garashaninit) ato të fillim shekullit njëzetë ( Andriq), të gjysmës së dytë të shekullit njëzetë  (Memorandumi i ASHA të Serbisë dhe Francuska 7 e Beogradit) sepse vinin nga një shtet që kishte spastruar territoret etnike shqiptare, kishte pushtuar gjysmën e territoreve shqiptare dhe në fund u përpoq ta bënte edhe pastrimin etnik të Kosovës në vitet 1998 - 1999.

Sot, ende nuk janë shëruar plagët nga krimet serbe në Kosovë, ku vendi ynë u ballafaqua me politikën dhe strategjinë e tokës së djegur, të spastrimit etnik, të vrasjes, masakrimit dhe dëbimit të mbi njëmilion banorëve nga tokat e tyre. Ende nuk janë gjetur gjurmët e të zhdukurve dhe shumë të vrarëve nga makineria paramilitare, ushtarake dhe policore serbe, ende nuk ka kërkimfalje për krimet serbe në Kosovë, kur del një senator zviceran dhe përpiqet ta kthejë me kokë së prapthi historinë, duke e njollosur luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të kreut të saj drejtues.

Në Raportin e tij prej 40 faqesh Dick Marty përpiqet ta nxijë dhe ta vras politikisht kapitullin më të ndritur të historisë së re të Kosovës, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pëpiqet që t’i denigrojë moralisht dhe politikisht drejtuesit e UÇK-së. Jo z. Marty, nuk njollosen me shpifjet tuaja rrënqethëse ata që vetëm në saje të drejtësisë, korrektësisë dhe sprovave të vazhdueshme arritën që të gjejnë përkrahje në qarqet më të larta të diplomacisë amerikane dhe asaj evropiane, duke e ngritur në pikën më të lartë çështjen e Kosovës.

Është fyerja më e madhe që mund t’i bëhet SHBA-së, NATO-s dhe diplomacisë evropiane kur ju z. Marty me cinizëm disa herë e theksoni se UÇK-ja ishte këmbësoria e NATO-s gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe. UÇK-ja, si ushtria më e suksesshme guerrile e shekullit njëzet, sipas analistëve ndërkombëtarë,  më parë se fuqi ushtarake ishte fuqi politike, që diti me aq zgjuarësi të fitojë mbështetjen e botës demokratike. Dhe kjo ka njëshpjegim të thjeshtë: UÇK-ja ishte vetë populli i Kosovës, vetë vullneti për liri, vetë përpjekja për çlirim. Ishte ideali i lirisë, demokracisë, i atyre vlerave universale në të cilat është ndërtuar shoqëria e përparuar euratlantike.

Prandaj diplomacia e avancuar perëndimore dhe aleanca më e fuqishme ushtarake e globit, NATO, u angazhuan në përfundimin e një lufte të pabarabartë, u angazhuan, thënë me gjuhën zyrtare, në një interevenim kundër krizës humanitare që po shkaktonte administrata diktatoriale, policore e ushtarake e Milosheviqit mbi popullatën civile të Kosovës, duke djegur, vrarë, masakruar dhe spastruar etnikisht territorin e saj.

Bota demokratike u rrënqeth nga pamjet e tokës së djegur, fenomeni CNN e bëri të qartë strategjinë e tokës së djegur dhe spastrimin etnik, duke ofruar pamje të popullatës së vrarë e të përndjekur nëpër kufirin Kosovë - Maqedoni, Kosovë - Shqipëri. Ishin 78 ditë sulme ajrore të NATO-s dhe veprimi i mekanizamve të fuqishëm diplomatikë, ata që bënë që kasapi i Ballkanit, Milosheviq, të dorëzohet.

Në një situatë të tillë të rëndë, kur popullata vuante për bukën e gojës dhe ishte nën tehun e thikave të paramilitarëve, të ushtrisë e policisë serbe, kur mbi një milion shqiptarë ishin të dëbuar, kur shumë djem  e vajza të reja në radhët e UÇK-së vdisnin për mungesë të një fashoje dhe medikamenteve elementare, kur fati i të zhvendosurve ende nuk dihej si do të përfundojë, të thuash se drejtuesit e UÇK-së kishin komoditetin të mirreshin me veprime si i përshkruan Dick Marty është më shumë se ofenduese, më shumë se shpfëse, më shumë se denigruese.

Raporti i Dick Marty-it, mjerisht në këtë bota ka gëzuar vetëm kuzhinën e Beogradit dhe aleatëve të paktët të Beogradit në botë. Si i tillë është dokumenti më antishqiptar i shkruar jashtë kuzhinës së Beogradit, por i furnizuar me të dhëna që fabrikoi vazhdimisht “drejtësia” serbe, gjykatësit, hetuesit, prokurorët serbë për vite e vite me radhë. Ju lutëm vetëm të përkujtohen farsat gjyqësore në Beograd kundër ish presidentit Bill Klinton dhe tërë drejtuesve tjerë të NATO-s, që gjyqi i Beogradit i dënonte në mungesë.

Raporti i Dick Marty-it është raport shifës që pëpiqet të denigrojë vlerat më të shenjta të shqiptarëve, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është raport që përpiqet të njollos, përdhos dhe denigrojë drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm  të UÇK-së.  Është raport që fyen më së rëndi shtetin Shqiptar dhe atë të Kosovës, që njollos shqiptarët si komb, duke i paraqitur në nivel organizimi fisnor dhe kanunor në tërësi, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.

Raporti i Dick Marty-it është në linjë dhe frekuencë të njëjtë me politikën antishqiptare të Beogradit, sepse vjen nga një person i cili hapur ka qenë kundër bombardimit të caqeve ushtarake dhe policore serbe më 1999. Është në të njëjtën linjë sepse është nga të pakët senatorë të Këshillit të Evropës që hapur është shprehur kundër njohjes së pavarësisë nga shteti i tij, nga Zvicra.

Raporti i Dick Marty-it është nga e njëjta  kuzhinë e Beogradit, sepse gjithë akuzat dhe tregimet e tij nuk kanë asnjë pikëmbështetje reale. Unë, si njëri nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, garantoj me përgjegjësinë më të lartë morale politike dhe juridike se veprimet inkrimniuese të raportit të Dick Martyit janë shpifje, shpifje dhe vetëm shpifje. Kreu i UÇK-së nuk është marrë me veprime të përshkruara nga Dick Marty dhe Dikmartët tjerë. Mbi pastërtinë politike të luftës së drejtë të UÇK-së askush nuk mund të hedh baltë dhe njolla. Atë e mbron drejtësia e saj. E mbron e  vërteta. Edhe njëmijë herë po të hetohet atë e mbron e vërteta.

Thuhet se shpifjet e Dick Marty-t u lansuan në një moment të caktuar politik për t’i dobësuar pozicionet e klasës politike të Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë. Është gabim në përceptim një qasje e tillë. Reagimet brendashqiptare dhe ato të qarqeve më serioze që përkrahën luftën e drejtë të popullit tonë janë duke rishpalosur mbrojtjen e së drejtës dhe të së vërtetës me reagime të fuqishme kundër shpifjeve të Dick Marty-t.

Kosova dhe elita e saj politike do ta fitojë edhe këtë betejë. Me argumentin e së vërtetës.

(Autori ka qenë Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)