19 Prill 2024

Qeveria e Kosovës – pengesë edhe për shqiptarët në Zvicër

Shkruar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!


Qeveria e Kosovës nuk ka ndikim vetëm në Kosovë. Shtrirja e ndikimit të saj e ka arritur edhe Zvicrën. Për fatkeqësinë e shqiptarëve atje. Ashtu siç shtrirja e kësaj qeverie përbrenda Kosovës është dëshmuar të jetë fatkeqësi e shqiptarëve këtu. Zvicra e ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës se do ta shkëpus marrëveshjen për sigurimet shoqërore, marrëveshje kjo e cila ishte trashëguar qysh nga kohërat e Jugosllavisë. Zvicra e kishte paralajmëruar qeverinë e Kosovës, më saktësisht Vlora Çitakun si Zëvendësministre e Punëve të Jashtme, qysh në shtator të vitit të kaluar se do ta shkëpusin marrëveshjen në prill të këtij viti. Dhe qeveria e Kosovës nuk kishte ndërmarrë bërë as hapin më të vogël në drejtim të nënshkrimit të marrëveshjes së re.

Rrjedhimisht 170 mijë qytetarë të Kosovës të punësuar në Zvicër pas 1 prillit nuk do të kenë mundësinë që t’i gëzojnë të mirat e sistemit të sigurimeve shoqërore të Zvicrës, ta zëmë pensionin, po qe se vendosin që pleqërinë ta kalojnë në Kosovë, apo shtesat për fëmijë, po qe se vendosin që këta të shkollohen në Kosovë. Në të vërtetë i tërë sistemi i përkujdesjes sociale i Zvicrës do të jetë i gjymtuar për shqiptarët e Kosovës, të cilët, në mungesë të një marrëveshje të tillë, vendosen para dy alternativave: përkujdesje shoqërore në Zvicër apo kthim në Kosovë (ku nuk mund të kenë përkujdesje shoqërore nga Zvicra e aq më pak nga Kosova).

Arsyeja zyrtare e Zvicrës për shkëputjen e marrëveshjes është mungesa e një sistemi të tillë në Kosovë, si dhe pamundësia e kontrollit të abuzimeve të sigurimeve shoqërore zvicrane në vendin tonë. Por ky arsyetim është i padrejtë karshi këtyre 170 mijë shqiptarëve që punojnë në Zvicër. Pensioni është e drejtë e secilit person, dhe si i tillë ai është i patjetërsueshme pavarësisht rrethanave. Për më tepër, shqiptarët të cilët rrezikojnë të mos kenë mundësi ta gëzojnë pensionin në Kosovë kanë kontribuar në sistemin e sigurimeve shoqërore të Zvicrës. Pamundësia për ta kthyer këtë kontribut në të mira për vete është padrejtësi e dyfishtë, marrë parasysh se punëtorët shqiptarë as frytet e plota të punës së tyre nuk arrijnë t’i gëzojnë në Kosovë pasi që kjo punë është kryer në një vend tjetër. Ndërkohë që për sistemin e sigurimeve shoqërore në Kosovë nuk kemi çfarë të flasim. Mungesa e tij nuk na dëmton vetëm neve që jetojmë këtu, por tash edhe shqiptarët që jetojnë në Zvicër, vend ky me një sistem të avansuar sigurimesh.

Sindikata Unia nga Zvicra e cila brenda vetes ka një numër të konsiderueshëm të punëtorëve shqiptarë, në bashkëpunim me BSPK-në, kanë marrë nisiativën për nënshkrimin e një peticioni për ta kundërshtuar këtë padrejtësi që u bëhet punëtorëve shqiptarë, si dhe për t’i cytur të dy qeveritë ta nënshkruajnë marrëveshjen për sigurimet shoqërore. Ne e mbështesim këtë nisiativë, dhe thërrasim masivizimin e këtij peticioni. Interesat e punëtorëve shqiptarë kudo që ata punojnë janë edhe interesa tonat. Shqiptarët që punojnë në Zvicër kanë të drejtë ta zgjedhin vendin se ku dojnë të jetojnë pas pensionimit, dhe këtë zgjedhje të tyren nuk duhet ta bëjnë në kushtet e shtrëngimit financiar. Kjo në të vërtetë nuk është zgjedhje por imponim. Qeveria e Kosovës do të duhej që të punojë drejt sigurimit të lirisë nga financat për të gjithë qytetarët e Kosovës. Këtë jo vetëm që nuk po e bëjnë vet, por po i pengojnë edhe shtetet tjera ta bëjnë një gjë të tillë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)