28 Mars 2024

Qëllimi politik si vlerë e përbashkët në kohën e luftës

Shkruar nga Bahri Bivolaku

Ish oficeri i lartë pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, i njohur me nofkën “Prizreni”, dikur oficer i Shërbimit Informativ, Vexhi Halili, vazhdon së treguari për qëndrimin e tij në Berishë bashkë me ushtarakët tjerë të UÇK-së. Kukësiani thotë se pasi kishin kordinuar një varg të aktiviteteve bashkë me Kadri Veselin e Hashim Thaçin, nisen për të shkuar në Ll.Drenoc për takim me popullatën civile.

“Duhet të bisedojmë me popullatën për t’i bindur se veç luftës nuk kemi rrugë tjetër dhe këtë veprim duhet ta shohin të gjithë si vlerë të përbashkët.” – i kishte thënë Veseli para nisjes.

“Takohemi me banorë të atij fshati në një odë. Aty shohë burra të shtyer në moshë, e thuajse të gjithë me mustaqe. I zoti i shtëpisë, pasi na dëshiron mirëseardhje, shprehi pasigurinë e popullatës civile të fshatit.

E njëri nga banorët duke theksuar forcën e madhe të ushtrisë serbe, na u drejtua: ‘Ju lutna mos na merrni në qafë se kështu e ka shkru Zoti me jetu në robni.’ Unë nuk besoja se çka dëgjoja, por e arsyetoja se ishin pasojë e tmerrit të masakrave.

Së pari nga ne foli Hashim Thaçi, i cili tha se: ‘Ne tashmë kemi një ushtri, e cila ka lindur nga populli dhe kemi arritë me bindë edhe faktorin ndërkombëtar për të na njohur e bërë faktor në përcaktimin politik, andaj keni besim tek ne’.

Kadri Veseli tregoi për arsyen e hyrjes në luftë me Serbinë. ‘Me dëshirë nuk kemi hyrë në luftë e se luftën asnjëri nga ne nuk e ka dashur, por pa u treguar grykën e armës këtij lloji të armikut, nuk ka mundësi ta krijojmë shtetin tonë dhe kurrë për jetë nuk do ta kemi po të dështojë lufta.’

Bisedat e tilla i bënim me banorë se kishim informata se Serbia krahas luftës brutale, bënte edhe luftë speciale me qëllim që banorët ta kundërshtonin hapur UÇK-në.” – ka vazhduar rrëfimin e tij Vexhiu.

“Vendosëm edhe formën e komunikimit të koduar”

Tutje, rrëfen Vexhiu se para se të merrnin rrugën për Pashtrik me Thaçin e Veselin, duhej t’i vizitonin tri zona të luftës. “Qëllimi i takimeve me komandantët e zonave ishin njohuritë për objektivat politike e ushtarake që do t’i realizonin përfaqësuesit politik në një të ardhme në arenën ndërkombëtare.” - tregon ai.

Vexhiu tashmë kishte hedhur në letër gjithçka që duhej për të nisur një fushë të re të komunikimit ushtarak në formë të koduar, pasiqë kodimi i thjeshtë nuk kishte dhënë efektivitet. “Kjo ishte kërkesë e hershme e Kadriut për ta bërë komunikimin si të ushtrive bashkëkohore. Kjo formë e komunikimit krijonte siguri 99.5%.

Gjithçka që shkruhej, duhet kriptuar dhe e kundërta. Pas realizimit të vizitave të planifikuara erdhi koha të nisemi në Cahan përmes Pashtrikut. Ishte dimër i madh dhe rrugëtim i vështirë. Në këtë rrugëtim u ndalëm në fshatin Ret, ku na priti ushtaraku Rexhep Krasniqi me një krenari për njësitin që ai drejtonte.

Nëpër rrugën me rërë Gjakovë-Prizren, shpejtuam për të arritur në një fshat të Rahovecit. Sapo u futëm në qendër të fshatit, vërejtëm lëvizje e nxitim të popullatës. Ishte një situatë jo e mirë.

Njëri nga eskorta jonë zbriti nga vetura për të biseduar me dikë nga fshati e ai rrudhi krahët pas bisedës duke thënë: ‘Na kanë paralajmëruar se nëse strehoni ushtarë të UÇK-së, do ta djegim fshatin.’ Mendoja me vete, si është e mundur që të mos i bësh konak ushtarit të vendit tënd. Eskorta më pas vazhdon rrugëtimin për në thellësi të fshatit, ku nga vetura tjetër, një ushtarak thotë që të hyjë në oborrin e një shtëpie.

Nga vetura pashë një vajzë në oborr rreth të 30-tave, e cila me një buzëqeshje na thoshte: ‘Hajde mirësevini në konakun tim e shyqyr që më erdhi kjo ditë që unë të presë ushtarë në shtëpinë time.’ Hyjmë në katin e dytë në një dhomë të madhe, ku mua më shkuan sytë në një bibliotekë të madhe me libra të historisë e gjuhës shqipe.

Gjersa vajza pyeste ushtarakët se çfarë dëshironin të pinin, unë shikoja bibliotekën dhe e pyeta vajzën për emrin (për fat të keq ia kam harruar), por më thotë se me origjinë ishte nga Kukësi.

‘Jam nga Shenria e Kukësit, ndaj kam mbiemrin Malësori.’ – më tha ajo. Ja bëra me shenjë Kadri Veselit duke i thënë me krenari se ja çfarë kukësianët janë në gjendje të bëjnë, e ai me gjeste ma aprovoi.” – vazhdon tutje Vexhiu.

Ai më pas thotë se pushuan pak orë në Krushë për të filluar pas orës 21 të darkës kalvarin e vërtetë të një marshimi, ku hyjnë në Rugovë të Hasit për të depërtuar në Kushmir. Doktori i shkencave sikurse pas secilit rrëfim, fletë edhe për të tashmen e politikës dhe e ndërlidhë atë me sakrificën  e së kaluarës, ku qëllimi politik ishte synimi për ta bërë vlerë të përbashkët.

“Dëshirat, interesat e egot e përbëjnë ritmin e jetës së politikës në Kosovën e sotme. Ritmi i tillë shpeshëher ta shkatërron mendjen e të pengon të veprosh me arsye. Mendoj të ketë ardhur koha për të pushuar pak nga ky ritëm për të gjithë ata të cilët janë mbuluar me dëshira e interesa të tilla. Është koha e të menduarit pozitivisht për të arritur te qëllimi politik si vlerë e përbashkët.”

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)