23 Prill 2024

Pse s'ka progres në Kosovë tash e sa palë zgjedhje

Shkruar nga Agim A. Hoxha

Stina e vjeshtës edhe pse vjen gjithmonë me plotë ngjyra dhe gjethe që bien dhe mbulojnë tokën, këtë vit bashkë me to bien edhe afishet e vendosura nëpër mure të kandidatëve të partive politike që na bën të kuptojmë se edhe pushteti nuk është i përhershëm në këtë jetë, gjë që duhet të reflektojë secili udhëheqës politik.

Karshi këtyre zhvillimeve dhe spektakleve politike të cilat i ngjajnë teatrove shekspiriane, preokupim kyç i një qytetari të thjeshtë është sigurimi i gjërave bazike të jetës, rrugëve të qytetit dëgjohen zhurmat e motosharrave të cilat janë më të këndshme për ta sepse kjo tregon që edhe kësaj radhe ia dolën të mbijetojnë dhe sigurojnë drutë për dimrin që pritët të vijë, për dallim nga zhurma dhe retorika e tubimeve dhe debateve politike që krijojnë shumë zhurmë e pak ndryshime në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Rrugës për tek stacioni i autobuseve ulem pranë një burri rreth të pesëdhjetave, rrudhat e tij nga jeta e vështirë i ngjanin pikturave të Van Gogut ndërsa veshja e tij i ngjante pëlhurës së vjetër dhe të grisur ku ai pikturonte.

Dy bileta të lutem! Udhëtimi ynë filloi dhe pas pak çastesh ai njeri i mbyllur nga brengat e jetës, me gjysëm zëri më falenderoi dhe filloi të fliste: " Jam duke udhëtuar për në Gjykatë, papunësia dhe varfëria di të jetë derë e hekurt! Shkaku i pesë fëmijëve dhe sfidave të jetës u detyrova të dalë me kalë në mal për të prerë dru.

Roja e pyllit më ndaloi, pasi shkova në Gjykatë herën e parë më thanë se akuzohem për tetëdhjetë trupa drunjë por  unë vetëm tetë i mora, Gjykatësit ja dëshmova që një kalë s'mund të bartë tetëdhjetë trupa drunjë, por kështu është jeta kur ke krahun e dobët dhe rojtari më solli argumente të rreme ndaj meje.

Me gjasë, ligjet dhe ndëshkimet po vlejnë vetëm për të varfërit dhe të dobëtit si puna ime ndersa ata që abuzojnë me tendere dhe miliona nuk ndëshkohen, përkundrazi atyre vetëm i rritet pasuria.

Skena politike në vend po vihet para testit karshi votuesve tash e sa vite, populli mbetet i zhgënjyer, përqindja e votuesve është duke rënë. Ikja e rinisë, stafit shëndetësor dhe kuadrove tjera jashtë vendit vazhdon të rritet ndërsa niveli i shërbimeve ka degraduar.

Lëvizjet e partive politike i ngjajnë " balerinës " që rrotullohet tek parku i lojërave ku hypin njerëzit, pak ka të kënaqur, disa humbin mendjen dhe shumë vjellin vrerë si populli në rastin tonë që vazhdimisht është duke u bindur që njerëzit pa meritë dhe pa kualifikime vinë në pozita të rëndësishme, ku së fundi në politikë futen këngëtarë, aktorë, karateistë, parukier... E ku të mos shkojë për lesh ky vend?

Ministrat ngatërrojnë rolet nga Minister i Kultures, Rinise dhe Sportit shndërrohet në Minister të Bujqësisë dhe bëhet agronom i nivelit muzikorë ( t'i humbë dhentë dhe i bie fyellit).

Ndërkohë, kur në botë shqyrtohet mundësia si njerezit të kolonizojnë planetin Mars ose pjesa ku bëhen lehtësimet që i bëhen astronautëve si te votoje kur janë me misione në hapësirë, ne kënaqemi dhe ekzaltohemi kur na premtohet uji, kanalizimi dhe asfalti, të cilat shtrohen nga taksat tona.

Ndoshta me pak ironi bota e modernizuar duhet te na xhelozojë sepse në fushën e shkencës dhe teknologjisë kemi arritur t'i ngjallim të vdekurit sepse emrat dhe votat e tyre ende janë të pranishme sa herë mbahen zgjedhjet!

Cila është zgjidhja dhe si arrihet ndryshimi?

Pa ndryshime s'ka rezultate të reja dhe ky është një fakt, Albert Ajnshtajn ka thënë: " Nuk mund të zgjidhen problemet me të njejtin nivel të të menduarit që i krijoi ato ".

Nëse analizojmë sa herë janë mbajtur zgjedhjet shumica e popullit kanë abstenuar nga votimet përshkak të zhgënjimeve dhe dilemave se kë të votojë! Kush përfitoi nga kjo situatë?

Kryesisht militantët dhe klientelistët e partive politike të cilët asnjëherë nuk munguan në vendvotime, ku si pasojë nuk ka ndryshime, votuesit e njejtë sollën fituesit e njejtë.

Kjo gjë ndryshohet nëse me ligj obligohet secili qytetarë me të drejtë vote ta kryej obligimin e tij/saj dhe nëse nuk voton atëherë ndëshkohet me një gjobe monetare sic e kanë disa shtete në Amerikë dhe Evropë.

Kur kjo gjë të aplikohet përqindja e votuesve do të  rritet dhe shumica e bën ndryshimin në rezultate dhe gjasat janë të vogla në manipulime nga militantet dhe klientelistët e partive politike.

Për fund, të nderuar qytetarë:

Mos e shisni votën sepse në këtë formë jeni  duke shitur veten! Vota është zëri juaj, mbrojeni  atë sepse ajo është e drejta dhe e ardhmja juaj.  P

residenti i 16-të i SHBA-ve, Abraham Lincoln ka thënë: " Vota është më e fortë se plumbi. Me plumb ju vrisni armikun tuaj ndërsa me votë ju vrisni të ardhmen e fëmijëve tuaj."

Nëse vota ka kaq peshë të madhe, mos voto zhvatësit dhe kriminelët që e shkatërruan shtetin e Kosovës tash e sa vite, mos u beni servil dhe mos u rreshtoni me keqbërësit sepse nuk ka dyshim nëse perkrahni ata ju jeni bashkëpjesëmarrës në krim me votën dhe përkrahjen tuaj ndaj tyre!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)