19 Prill 2024

Privatizimi i kompanive publike, fundi i ekonomisë së Kosovare

Shkruar nga Organizata ÇOHU!

Qeveria e Kosoves para dy ditëve morri vendim për shitjen e Kompanisë Publike në  profitabile në vend, Vala dhe Telekomi i Kosovës. Qeveria në  bazë të Strategjisë ka vendosur që të  shes 75% të akcioneve të Telekomit dhe Vala. 

Së pari, privatizimi i PTK-së është duke ndodhur pa u treguar arsyshmëria ekonomike për këtë hap dhe pa u njoftuar opinioni publik mbi koncesionimin e Aeroportit të Prishtinës. Qeveria e Kosovës është  duke bërë pazare të mbyllura rreth kompanive publike, kurse pasojat e këtyre pazareve do t’i ndjej ekonomia e Kosovës në vitet në vazhdim.

Ky proces po kontrollohet ekskluzivisht nga kryeministri Thaçi dhe Ministri i Ekonomisë  dhe Finansave Ahmet Shala, kurse për këtë proces nuk njoftohen as anëtarët e Kabinetit dhe asnjë institucion tjetër. Kuvendi është lënë në një mungesë totale të informacionit rreth procesit të privatizimit të kompanive publike. As sot e kësaj dite parlamentarët e Kosovës nuk kanë qasje në ofertat dhe kontratat e bëra në emër të kompanive publike. Që prej fillimit të procesit të privatizimit në emër të partisë aktuale në pushtet ka udhëhequr me tërë procesin ministri Shala. Rezultati i privatizimeve të deritashme për Kosovën ka qenë shtimi i varfërisë dhe papunësisë. Privatizimi i PTK-së do të jetë mbyllja përfundimtare e derës së hekurt zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe izolimi i Kosovës në varfëri dhe eksploatim të egër. 

Përgraditja e Strategjisë për PTK-në ka qenë një  proces i mbyllur në një rreth të vogël njerëzish, i kontrolluar kryesisht nga Ministri Shala dhe nga kryeministri Thaçi. Siç është parë edhe nga reagimi i anëtarit të kabinetit Thaçi, zotit Bujar Bukoshi, kjo Strategji nuk ka qenë e njohur as për vetë ministrat e Qeverisë. Me t’u kryer mbledhja e Qeverisë ku u votua për Strategjinë për futjen e kapitalit privat në PTK, kryeministri Thaçi ka deklaruar se ka qenë ky një proces transparent dhe i hapur. Pa analizuar më tutje rrethanat e përgaditjes së PTK-së për privatizim, vetëm duke e parë mbledhjen e Qeverisë ku është votuar për Strategjinë, mund të demantohet leht deklarimi i kryeministrit për një proces “transparent” dhe “të hapur”.

Kjo ka treguar se mbledhjet e Qeverisë janë të hapura kur aty bëhet propagandë  për qeverinë, por janë të mbyllura kur aty diskutohen çështje të rëndësishme për Kosovën. Qeveria e Kosovës është shndërruar në një institucion nëpërmjet të cilit kontrabandohen kontrata të grupeve të presionit që punojnë për interesa të kompanive që duan t’i marrin kompanitë publike në Kosovë.

Momenti aktual i krizës finansiare në njërën anë dhe ngutja e Qeverisë për të hequr qafesh kompanitë publike, ka krijuar një  rast të përshtatshëm për matrapazë ndërkombëtarë  që në Kosovë sillen si këshilltar ekonomik, por që  në të vërtet punojnë kundër interesit të Kosovës dhe për interesa të kompanive të huaja. Një nga një kompanitë publike, shtyllat e ekonomisë së Kosovës, po jepen falë ose për çmime e oferta skajshmërisht të ulëta.

Derisa në vendet në rajon (shembull Serbia) kanë inkasuar ose presin të inkasojnë miliarda nga shitja  e shumë më pak aksioneve sesa ato në Kosovë, sipas Kornizës afatmesme të shpenzimeve nga tërë procesi i privatizimit të kompanive publike, Kosova pritet të inkasojë 300-400 milionë euro. Këtu përfshihet privatizimi i PTK-së, KEK-ut dhe dhënja me koncesion e Aeroportit. Vetëm vitet e fundit në këto kompani janë investuar kaq para. Pra, ne thjesht nuk po i privatizojmë kompanitë publike, por po i falim ato.

Vendimi i Kuvendit të Kosovës rreth Strategjisë për energjinë, që ka përfshier Kosovën B në kuadër të projektit “Kosova e Re”, tregon më së miri se këto dokumente nuk po përgaditen nga institucionet e Kosovës, por nga interesa të huaja. Edhe pse këtë strategji e refuzoi Kuvendi i Kosovës, vetëm dy javë më vonë, sipas zyrtarëve të Kuvendit, “pas konsultimeve të ekspertëve të Bankës Botërore dhe USAID”, i njejti dokument është votuar. Edhe pse Kosova B do të prodhojë gjysmën e energjisë për projektin “Kosova e Re”, aksionet e shtetit të Kosovës në këtë projekt priten të jenë vetëm 15%.

Tërë këto vendime po arriten në Kohën kur ministra të Qeverisë Thaçi dhe edhe ish-ministra të opozitës janë duke u hetuar për korrupsion dhe krim të organizuar. Kjo e bën politikën kosovare të marrë vendime nën presionin e burgosjes dhe është e qartë se nuk mund të ketë ruajtje të interesit të vendit nën kërcënimin e burgosjes. 

Duke qenë se kontratat për  faljen e kompanive publike janë duke u marrë  në kushte presioni, si dhe duke qenë se ato thjesht po këmbehen me shpërblimin e mosndëshkushmërisë për ministrat e korruptuar, shoqëria e Kosovës ka të drejt që të gjitha këto kontrata në të ardhmen të kërkojë t’i rishikojë. 

Kosova akoma nuk është  një shtet me sovranitet dhe integritet. Liderët dhe vendim-marrësit e Kosovës janë të varur tepër shumë nga organizmat ndërkombëtar të pranishëm këtu, kur të ashtuquajturit këshilltarë për ekonomi, kanë një peshë tepër jotipike. Varësia direkte e vendim-marrësve nga ndërkombëtarët është edhe një arsye tjetër pse shoqëria kosovare ka të drejt në momentin kur fiton sovranitetin ndaj vendit, të fillojë një rishqyrtim të të gjitha kontratave që potencialisht janë arritur nën kushte presioni nga të të ashtuquajturit këshilltarë ndërkombëtarë në Kosovë. 

Privatizimi i kompanive publike po ndodhë në kohën kur politika kosovare ka filluar të ndërtojë një mekanizëm që do të përfshiej edhe opozitën edhe partitë në pushtet. Kjo praktikisht do të thotë se Kosova akoma nuk ka institucione me kapacitete për përfaqësim të interesit demokratik të qytetarit, duke qenë se ne praktikisht jemi pa opozitë. 

Të gjitha këto arsye rrezikojnë seriozisht që interesi ekonomik i Kosovës në procesin e privatizimit të kompanive publike të  dëmtohet rënd ashtu siç u dëmtua nga të njejtit njerëz në privatizimin e ndërmarrjeve me pronësi shoqërore. Ne ftojmë deputetët e Kosovës t’i dalin në rrugë dhe ta ndalojnë këtë dorëzim të ekonomisë dhe interesave të Kosovës. 

Ftojmë zërat që nuk janë shitur akoma në institucionet e Kosovës ta kuptojnë se ky nuk është privatizim, por është thjesht dhunim i ekonomisë së Kosovës ngjashëm me dhunimin që ndodhi për ndërmarrjet tona para lufte. Sindikatat dhe punëtorët e këtyre ndërmarrjeve duhet ta kuptojnë se pasuria e tyre po falet dhe ata do të nxirren në rrugë pa asnjë kompensim.

Tashmë është  e qartë se kjo qeveri nuk u përgjigjet argumenteve, por është  thjesht e kapur nga grupe të ngushta, kurse shumica e ministrave janë aty vetëm për të ngritur dorën pa e kuptuar për  çka po votojnë.  Duke pasur para sysh këtë, me këtë letër ftojmë punëtorët e ndërmarrjeve publike që të organizohen dhe t’i dalin në rrugë faljes së pasurive publike, para se ata të nxirren në rrugë me duar në xhepa e Kosova të shndërrohet në një shtet të dështuar, pa ekonomi, e varur dhe pa kapacitet për të përballuar konkurrencën në rajon.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)