15 Tetor 2019

Prezantimi i interesit meskin grupor si interes shtetëror

Shkruar nga Bajram Gecaj

Ramushi me sa duket ua ka treguar historinë e të qenit në opozitë dhe varfërimin deri në palcë që sjell, duke ua ofruar në të njëjtën kohë kofshën e pushtetit që së bashku ta gërryejnë atë deri në zgjedhjet që vijnë.

Kur të vijnë ato, atëherë sërish së bashku mund të luajnë një rol prej shpëtimtari, nisur nga fakti se sistemi zgjedhor kosovar lejon një sihariq të tillë çdoherë!

Sikur të kishin qenë personazhe nga filmi "Dymbëdhjetë të Fuqishmit" të regjisorit Nicolai Fuglsig, që dërgohen në një mision special dhe mjaft të rrezikshëm në malet e Afganistanit, deputetët e PSD-së po provojnë të bindin vetveten dhe të tjerët se janë shpëtimtarë dhe mbrojtës të sinqertë dhe të vërtetë të interesit shtetëror të vendit.

 Të zhgënjyer disa herë nga politika, kjo dymbëdhjetëshe që ka përvetësuar për vete rolin e shpëtimtarit të vetëm të procesit dialogues me Serbinë, që në fillimi nisi karrierën në mënyrë jolegjitime: njëanshëm uzurpoi mandatet e LVV dhe emrin e partisë së Kaqusha Jasharit, duke shpresuar e besuar se tradita e tyre e trasuar përgjatë këtyre viteve e përvetësimit të emrit, mundit e djersës së huaj, do t'u shkrepë  edhe një herë.

Këtë herë, megjithatë, paguan çmimin e tërë trukimeve politike të sajuara nga ta në të kaluarën: morën mbi vete një barrë për të cilën nuk kanë as kapacitete mendor e as kredibilitet moral e kombëtar. 

Qytetarit të Kosovës nuk i del lehtë nga mendja Dardan Sejdiu, ai monologisti i zjarrtë, i cili, në stilin e Che Guevara-ës ua nxirrte gjoksin policëve të Republikës, duke krijuar skena komiko-tragjike që gjasonin në kohën e huntave ushtarake të Amerikës Latine, të kohë së Luftës së Ftohtë!

Çirrej Dardani i mjerë, bërtiste si i marrë gjatë një proteste të dhunshme kundër arrestimit të atëherë "babës" së tyre, Albin Kurtit. Imagjinoni, Dardani dhe ata që deri dje me dhunë mbronin puritanizmin e skajshëm për një Kosovë skajshmërisht nacionaliste dhe të etur për bashkim me Shqipërinë, sot avokojnë një Kosovë të qytetarëve të barabartë pa zënë fare në gojë Shqipërinë e shqiptarizmin.

Dardani, njëri nga ish-anarkistët e sojit të brigadave të kuqe, të Italisë së viteve ’70 të shekullit të kaluar, u rikthye brenda natës në lëkurën e mëhershme të aktivistit të moderuar të lëvizjes fantomë dhe krejt kotiste “FER”.

Në vend të petkut revolucionar, Dardani na paraqitet tani si eksponent i  “dymbëdhjetë të fuqishmëve”, gardian i asaj republike që deri dje nuk e njihte, duke e  sulmuar në mënyrën më të ashpër dhe më primitive.

Aftësitë transformuese të këtyre "shpëtimtarëve" duhet vërtetë të jenë marramendëse, sikur të ishte ndonjë version kosovar i filmit "Doktor Jekyll dhe zotëri Hayd": jo më largë se me datën 6 shtator të këtij viti, Dardani kishte deklaruar se "... pushteti po bllokon seancën e opozitës, po e pamundëson funksionimin e Kuvendit ..."dhe se "...platforma duhet të votohet me dy të tretat..."

Këto fjalë i mori era, siç e thotë populli: Rezoluta e Dardanit dhe e dardanistëve mori vetëm 59 vota!

Në fund të fundit, fjalët janë të tija dhe ka drejtë t’i marr prapa, mund t’i hajë e ti pështyjë sërish kur të dojë dhe si të dojë, por kjo nuk mund të ndodhë pa konsekuenca serioze politike.

Ato konsekuenca janë fare të thjeshta: e para, vetë-delegjitimimi dhe auto-defaktorizimi total politik; e dyta, identifikimi i dardanistavë me botën e krimit dhe kapjen kriminale të shtetit; e treta, pranimi me vullnet i rolit të tradhtarit të idealeve për një Kosovë të pastër dhe të denjë për të jetuar.

E filluan me rezolutë dhe pastaj insistuan se duhej aprovuar krahas saj edhe një ligj mbi dialogun, të vetëdijshëm se rezoluta nuk kishte fuqi obliguese, ashtu që ndalja e Hashim Thaçit në aventurën e tij të copëtimit të territorit të vendit do të mund të bëhej vetëm përmes ligjit.

Si duket, "tygjarët" tanimë të dëshmuar, Thaçi-Veseli-Haradinaj, arritën t’i bindin “dymbëdhjetë të fuqishmit" se ligji mbi dialogun ishte krejtësisht i panevojshëm dhe se duhej mbështetur në  institucionin tradicional të "besës shqiptare", gjoja si diçka që rrinë mbi kushtetutën dhe ligjin. 

Institucioni i besës shqiptare, megjithatë, nuk i lidhë dy bota kaq të ndryshme, por plaçka e pushtetit dhe ndarja e saj, oksigjeni që më së shumti i mungon “dymbëdhjetë dardanëve”.

Ramushi me sa duket ua ka treguar historinë e të qenit në opozitë dhe varfërimin deri në palcë që sjell, duke ua ofruar në të njëjtën kohë kofshën e pushtetit që së bashku ta gërryejnë atë deri në zgjedhjet që vijnë.

Kur të vijnë ato, atëherë sërish së bashku mund të luajnë një rol prej shpëtimtari, nisur nga fakti se sistemi zgjedhor kosovar lejon një sihariq të tillë çdoherë.  

Kështu, në stilin "as mish e as peshk", partia e Dardanit duket të ketë vendosur të jetë edhe me "shehër edhe me Barilëve", duke manovruar andej-këndej dhe duke u “sillë-e-pështill” herë rreth pushtetit e herë rreth opozitës, vetëm për të mbijetuar në skenën politike.

Dita ditës po provohet në mënyrë të padiskutueshme se arsyeja e vetme pse ende qëndrojnë në opozitë dhe njëkohësisht tregtojnë me pushtetin është mbijetesa politike dhe ardhja eventuale në pushtet, assesi për shkak të "parimeve" të  proklamuara aq "fuqishëm" gjoja në mbrojtje të Republikës.

Këtë e kishin bërë edhe atëherë kur me "opozitën e bashkuar" e patën kallë Kosovën flakë për hir të pushtetit, të cilin ua rrëmbeu Ramushi me shokët "komandantë", duke i lënë  "me gishta në gojë".

Megjithatë, manovrimi i tyre i fundit me rezolutën mbi dialogun ka gjasa reale dhe do të duhej që përfundimisht t'u kthehej këtyre manipulantëve furishëm në një "hara-kiri" grupor, apo në një bumerang i cili do t'u thyej dhembët e tyre të fundit politikë.     

Ditën e miratimit të rezolutës, Hashim Thaçi u dërgoi porosi të qartë kur, mes tjerash, u tha se "...nuk do të jetë e lehtë, por së bashku si spektër politik, institucional, shoqëri civile dhe me besim tek miqtë ndërkombëtarë, do t’ia dalim me sukses".

Pra mashtrohen shumë (apo qëllimisht dëshirojnë të mashtrohen) ata që mendojnë se tani procesi i dialogut është kthyer përfundimisht në Kuvendin e Kosovës, dhe se grupi i çalë negociatorë ka marrë kontrollin e timonit.

Mënyra e vetme e mënjanimit të rrezikut nga involvimi substancial i Presidentit do të ishte nëse udhëheqja e dialogut do të kalonte në duart e vetë Kryeministrit.

Por kjo, ashtu siç e kam elaboruar edhe më herët, nuk do të ndodhë, pasi që Kryeministri nuk do të rrezikojë asnjëherë humbjen e karriges për hir të dialogut dhe "interesit nacional"!  

Është krejtësisht e sigurt se dialogu nuk do të avancojë as një milimetër pa bekimin e opozitës reale në Kuvendin e Republikës së Kosovës - LDK dhe LVV.

Qëllimi i vetëm dhe përfundimtar i gjithë kësaj katrahure prej shfaqjes politike do të jetë vetëm zgjatja e jetës kësaj qeverie më të mbrapsht të cilën ky vend e ka pasur ndonjëherë.

Dhe përgjegjësinë për ketë do ta mbajnë këto ashklat që u ndanë nga trungu politik i partive me të cilat garuan në zgjedhje. Krejt me siguri , populli dhe elektorati nuk do t'ua falë këtë!  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 tetor 2019

-  Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media lidhur me zhvillimet në sektorin privat. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëorganizim me MASHT-in dhe OJQ – të mjedisore do të shënojë Ditën Ndërkombëtare të Ecjes së Lirë në Natyrë. (Parku “Germia”, ora 10:00)

- Shoqata Down Syndrome Kosova në bashkëpunim me GIZ-in gjerman organizon “Panairi i karrierës: takimi i punëdhënësve me punëkërkuesit” i cili zhvillohet në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Fakulteti Ekonomik i Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka” organizon takimin Fakultet-Biznese, ku do të diskutohet për të ardhmen e Fakultetit dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe praktikes per studentet. (Objekti i Universitetit të Gjilanit, ora 12:00)

- Hapet edicioni i dytë i Metamorphosis. Flirting with leftovers e cila është një  intervenim artistik, specifik për lokacionin,  konceptuar nga artistja Koja. (Ish Restorant Marsi, rr. Bedri Gjini - Kodra e Trimave, ora 18:30)