19 Mars 2024

Platforma e Dialogut me tre defekte

Prishtinë, 16 shkurt - Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka analizuar përmbajtjen e Platformës së Dialogut për Marrëveshjen Përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithëse kjo Platformë sipas GLPS-se shënon një përpjekje më serioze në shpalosjen e pritjeve strategjike, krahasuar me Rezolutën mbi Dialogun të miratuar në Kuvendin e Kosovës, analiza nxjerr tre defekte fundamentale që ajo shpërfaq:

A) Platforma nuk përcakton pozicionin zyrtar të Republikës së Kosovës kundër përfshirjes së territorit shtetëror në agjendën e Dialogut. Qëndrimi i heshtur i Platformës ndaj mundësisë së përfshirjes së diskutimit mbi territorin, në Dialogun me Serbinë, nuk duket të jetë i paqëllimshëm.

Një Platformë që seriozisht e mbron parimin e mos-përfshirjes së territorit të Kosovës në diskutim negociues qoftë edhe në një përcaktim preliminar të agjendës së Dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhej të përpilojë një parim të tillë në mënyrë të hapur dhe direkte.

Asgjë nuk e absorbon mungesën e një përcaktimi të tillë. Arsyetimi se, referimi i Platformës tek neni 2.2 i Kushtetutës së Kosovës, i cili i referohet integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror, pamundëson diskutimin mbi territorin e Kosovës është në rastin më të mirë i pasaktë.

Kjo për faktin që, integriteti territorial i referohet mbrojtjes së kufijve të jashtëm të shtetit në rastet e shfrytëzimit të forcës (që është referim tek Neni 2(4) të Kartës së OKBsë), por jo në raste të marrëveshjeve paqësore për ndryshim kufijsh.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e bën të qartë këtë definicion në rastin e Kosovës. Që është kështu katërçipërisht e përcakton edhe Rezoluta 2625 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB apo Akti Final i Helsinkut 1975 (neni 4).

Prandaj, i kërkojmë krerëve shtetëror dhe Kuvendit që Parimit të 7-të të Platformës t’ia shtoj një përcaktim që e bën të ndalueshëm qartë dhe shprehimisht çfarëdo përfshirje të territorit në agjendën e Dialogut.

B) Një lexim i kujdesshëm i Platformës, sidomos nëse krahasohet me versionin fillestar të saj dhe Projektligjit për Delegacionin Shtetëror (neni 9), pohon faktin që Platforma përbën një përcaktim të parimeve që e obligojnë thjeshtë dhe vetëm ‘Delegacionin Shtetëror për Dialogun’.

 Kjo e fundit do të duhej të përcaktonte parime për tërë institucionet e Kosovës, përfshirë edhe ato kushtetuese, sikur që është Presidenti i Republikës.

Në versionin fillestar, Platforma i referohej në Pikën 5 ‘Parimeve të Republikës së Kosovës’, kurse në versionin përfundimtar Platforma përcakton Parime në formë të ngushtuar vetëm për ‘Delegacionin Shtetëror’ (pika 5 gjithashtu). Një fakt i tillë ka relevancë të shtuar sepse të jep përshtypjen që për qëllim ka që të liroj Presidentin e Republikës nga përcaktimet e parimeve të kësaj Platforme. 
 
E lexuar kjo në mënyrë të ndërlidhur me Projektligjin për Dialogun, përkatësisht nenin 2, 4,  dhe 11 të cilët e njohin rolin paralel të Presidentit të Republikës si institucion i autorizuar për të përfaqësuar Kosovën në Dialog, posaçërisht kur ai ftohet zyrtarisht nga Ndërmjetësuesi, rezulton që Platforma nuk përbën mjet që e rregullon në tërësi pozicionin shtetëror të Republikës së Kosovës ndaj Dialogut për Marrëveshjen Përfundimtare.

Prandaj, i kërkojmë krerëve të shtetit dhe Kuvendit që të ndryshoj Pikën 5 në mënyrë të tillë që të përfshij aty çdo institucion kushtetues, dhe ta shndërroj Platformën në një pozicion të Republikës e jo thjeshtë të Delegacionit.

C) Platforma shtetërore dështon të përcaktoj mekanizmin e formësimit të pajtueshmërisë së zgjeruar për përcaktimin e pozicionit negociues të Republikës së Kosovës në Dialogun për Marrëveshjen Përfundimtare.

Platforma nuk përmban asnjë provizion që përcakton nevojën që Platforma të miratohet me një shumicë të kualifikuar në Kuvend prej 2/3, dhe që përmes një vendimi të tillë Kuvendi të vendos mbi formulën e përfaqësimit të Kosovës në këtë proces.

Një Platformë që nuk përcakton këtë qëllim në terma substancial, nuk kontribuon në insistimin për një pajtueshmëri të gjerë.

Prandaj, GLPS u kërkon deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të përfshijnë këto ndryshime me rastin e miratimit të Platformës në Kuvend, dhe të ofrojnë transparencë në këtë proces.

GLPS rikujtojn që Platforma u hartua në kushte të mungesës se plotë të transparencës dhe pamundësisë për të dhënë inpute akterët profesional të të gjitha fushave. GLPS do të nxjerr së shpejti një studim që analizon Platformën në mënyrë më të detajuar.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)